
Një kërkesë për ndihmë financiare prej 3 mijë eurosh, e bërë publikisht nga Kushtrim Dervishi për ndërrimin e protezës së syrit, përfundoi me një sërë paqartësish, kundërthëniesh dhe përplasjesh me redaksinë e KIKS Kosova.
Gjithçka nisi me një telefonatë të tij në emisionin “Hallakamë” në radion Klan FM, ku Dervishi, duke u prezantuar si invalid civil i luftës dhe person me humbje të shikimit në të dy sytë, kërkoi ndihmë financiare për një trajtim që pretendonte se duhej ta realizonte në Beograd.
Ai deklaroi se ndërrimi i protezës kushtonte rreth 6 mijë euro dhe se i mungonin edhe 3 mijë euro për ta plotësuar shumën për operacionin që Kushtrimi ptretendonte se do të kryhej me 13 tetor. Pas publikimit të historisë në KIKS Kosova, qytetarët reaguan duke ofruar ndihmë financiare, ushqime dhe veshmbathje për familjen e tij.
Nga kontributet e mbledhura në terren u siguruan 510 euro, ndërsa një çift pensionistësh nga Livoqi i Gjilanit, që jeton në Zvicër, dhuroi edhe 3 mijë euro. Kështu, shuma e përgjithshme arriti në 3 mijë e 510 euro.
Paratë u siguruan me qëllim që të përdoreshin për trajtimin e syrit të Dervishit. Megjithatë, pikëpyetjet nisën kur redaksia kontaktoi me personin që ai e kishte përmendur si ndërmjetësues për trajtimin në Beograd, doktor Kastriot Dedën.
Ky i fundit sqaroi se nuk kishte kontaktuar me mjekun serb për ndonjë trajtim të ri dhe se nga aspekti shëndetësor nuk merrej me rastin e Dervishit që nga viti 2013. Ai deklaroi gjithashtu se protezën e fundit ia kishte siguruar në atë kohë, kur ajo kishte kushtuar rreth 630 deri në 700 euro.
Kjo ngriti pikëpyetje për koston prej 6 mijë eurosh që kishte përmendur Dervishi, por edhe për pretendimin se trajtimi ishte planifikuar në Beograd. Për më tepër, nuk ekzistonte një datë e konfirmuar për ndërhyrjen.
Për të mos lejuar që paratë e donatorëve të përdoreshin për një qëllim tjetër nga ai për të cilin ishin dhuruar pasi ishte kërkesë e vet tyre, KIKS Kosova nisi të kërkonte alternativa për trajtimin e tij. Redaksia kontaktoi specialistë në Shqipëri dhe një qendër të specializuar për proteza okulare në Turqi, e cila më 18 tetor shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Dervishin me një protezë të personalizuar.
Më 26 tetor, qendra turke konfirmoi se procedurat mund të realizoheshin edhe në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut, përmes klinikave me të cilat bashkëpunonte. Për të vazhduar procesin, kërkoi raporte mjekësore, dokumente dhe fotografi të syrit.
Por, sipas komunikimeve të redaksisë, Dervishi nuk i dërgonte dokumentet e kërkuara dhe njëkohësisht insistonte që t’i dorëzoheshin paratë.
Të gjitha detajet rreth këtij rasti i kuptoni përmes kronikave të realizuara nga Kiks Kosova: