Qytetarët e Prizrenit po vazhdojnë të përballen me reduktime të shpeshta dhe të zgjatura të ujit të pijshëm, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike dhe rënies së nivelit të ujit në burime.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se për shkak të kësaj situate është detyruar të aplikojë reduktime në disa zona të Prizrenit.
Zëdhënësja e kompanisë, Nderona Kurtaj, ka bërë të ditur se furnizimi aktual me ujë është nën nivelin e nevojshëm për përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve.
“Gjendja me furnizim është nën normën e nevojshme, çka na detyron të aplikojmë reduktime në disa zona të mbulueshmërisë sonë”, ka deklaruar Kurtaj për TV Prizrenin.
Sipas saj, reduktimet nga ora 21:00 deri në orën 06:00 po aplikohen edhe në rrugën “Reshat Karjagdiu”, e cila është e lidhur me rrjetin e furnizimit të lagjes “Lakuriq”, ku gjithashtu po zbatohen reduktime.
Kurtaj ka theksuar se me shtimin e reshjeve atmosferike dhe rritjen e nivelit të ujit në burime, situata me furnizimin pritet të normalizohet plotësisht.
Deri atëherë, qytetarët në disa zona të Prizrenit vazhdojnë të përballen me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.