Në Kuvendin e Kosovës është duke u shqyrtuar pika për zgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, gjatë prezantimit të raportit ka bërë të ditur se procesi i intervistimit nuk ka prodhuar kandidatë të propozuar për votim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në intervista.
“Gjatë intervistave që janë zhvilluar, nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë. Do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komunitetet joshumicë, jo shqiptarë dhe jo serbë”, deklaroi Nagavci.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se problemi nuk qëndron te mos përmbushja e kritereve, por te tërheqja e kandidatëve nga procesi i konkurrimit.
“Nuk është që nuk i kanë plotësuar kriteret, por janë tërhequr të gjithë nga gara dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre në intervistim. Kjo çështje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ne duhet të krijojmë kushte dhe të inkurajojmë profesionistët dhe njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë fushë, që të mos frikësohen dhe procedurat të vazhdojnë pa ndikime politike”, tha Musliu.
Ajo kërkoi gjithashtu që raporti të pasqyrojë në mënyrë të saktë rrjedhën e procesit, duke theksuar se asnjëri nga kandidatët që kishin aplikuar nuk ishte paraqitur në intervistë.
Në replikën e saj, Arbërie Nagavci sqaroi se gjashtë kandidatë i kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistimit, por vetëm njëri kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë për shkak se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk ishin paraqitur fare.
“Është e vërtetë që kanë qenë gjashtë kandidatë që i kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e intervistave. Njëri është lajmëruar se nuk mund të vijë pasi ishte jashtë vendit, ndërkaq pesë kandidatët e tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në intervistë. Andaj nuk kemi propozime për seancë dhe besoj se do të rishpallet konkursi”, deklaroi Nagavci. /kp/