Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A – Prishtinë, përmes një njoftimi zyrtar, ka ftuar të gjithë konsumatorët që kanë obligime të papaguara për shërbimet e grumbullimit të mbeturinave që t’i shlyejnë ato në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Sipas njoftimit të kompanisë, qytetarët borxhlinj ftohen të paraqiten në zyrat e KRM “Pastrimi” ose të kontaktojnë kompaninë për të kryer pagesën e plotë të borxhit, apo për të lidhur marrëveshje për pagesë me këste, në përputhje me procedurat e brendshme.
Kompania ka paralajmëruar se në rast të mospërmbushjes së obligimeve financiare brenda një afati të arsyeshëm pas pranimit të këtij njoftimi, do të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore duke i proceduar lëndët te përmbaruesit privatë, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore. Nga kompania rikujtojnë se fillimi i procedurës përmbarimore sjell kosto shtesë, të cilat sipas ligjit bien në barrë të debitorit.
Mënyrat e pagesës: Për të shmangur shpenzimet shtesë, KRM “Pastrimi” bën të ditur se pagesat mund të kryhen përmes këtyre formave:
Në pikat arkëtuese të KRM “Pastrimi” Sh.A – Prishtinë;
Përmes platformës elektronike e-Kosova;
Në të gjitha zyrat e Postës së Kosovës;
Përmes xhirollogarive bankare të kompanisë (NLB, TEB, BPB, BKT, BE, RBKO, PCB).
Për informacione shtesë apo sqarime rreth gjendjes së obligimeve, konsumatorët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 038/603-004, 038/603-191, 038-603-100, ose përmes emailit: sherbimimeklient@hotmail.com.