Gashani: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

Gashani: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

Written by

in

Reagimi i tij vjen pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, paralajmëroi se Kosova rrezikon ta humbë të drejtën e organizimit të këtyre lojërave, duke publikuar një letër të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Në një postim në Facebook, Gashani e kritikoi Ramën për publikimin e korrespondencës, duke thënë se ajo nuk i pasqyron të gjitha komunikimet dhe angazhimet institucionale.

Ai theksoi se përkushtimi i Qeverisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare mbetet i palëkundur, ndërsa vështirësitë dhe çështjet e ngritura po trajtohen përmes bashkëpunimit institucional.

“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës, pa e përmendur faktin këtu se letra për trajtimin e punëve e shqetësimeve mes institucionesh partnere – jo për publikime e teatralitet në Facebook – i është drejtuar edhe atij, jo vetëm titullarëve tjerë të institucioneve, që ai, në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman kur vijnë mysafirët, tenton t’i sulmojë”, ka shkruar Gashani.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre.

“Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin, për vendin tonë dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj, energjia dhe vëmendja jonë do të mbeten të përqendruara te puna konkrete, bashkëpunimi institucional dhe arritja e rezultateve, jo tek ankesat e ngritja e alarmeve e disfatizmit që është jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pavend e i pabazë. Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030! Kosova do të organizojë e do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030, në organizim të tyre dhe në sukseset e garuesve tanë në arenat sportive!”, ka shtuar Gashani.

Paraprakisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Kosova rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke ia atribuar përgjegjësinë Qeverisë dhe Komitetit Organizativ.

Sipas letrës së publikuar nga Rama, ICMG-ja ka shprehur shqetësim për mospërmbushjen e disa detyrimeve financiare dhe administrative. Në të thuhet se nuk ka marrë përgjigje ndaj një letre të dërguar më 21 shtator 2026, ndërsa përmenden edhe mungesa e garancisë bankare dhe mospagesa e një tarife.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto çështje mund të rrezikojnë përgatitjet për organizimin e lojërave. Sipas letrës, më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet ta shqyrtojë propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për hapat e mëtejmë.

“Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG). Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike! Sot, ICMG konfirmon mungesën e përgjigjeve institucionale dhe si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave. Kjo është humbja më e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, ka shkruar Rama.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive që pritet të organizohen në Kosovë.

Burimi: RTKLive