Në reagimin e tij, Avokati i Popullit ka sqaruar se deklarata e Dhomave të Specializuara është publikuar në të njëjtën ditë kur ato kanë pranuar përgjigjen e tij zyrtare, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në të cilën janë paraqitur argumentet juridike lidhur me mandatin dhe kompetencat e institucionit.
Avokati i Popullit ka theksuar se institucioni i tij është themeluar me Kushtetutë dhe ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar se përgjegjësia ekskluzive që i është caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk nënkupton përjashtimin e kompetencave të institucionit të tij për t’u angazhuar në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Sipas vlerësimit tim, një interpretim i tillë do të ngatërronte dy koncepte të dallueshme juridike: ‘përgjegjësinë ekskluzive’ dhe ‘kompetencën ekskluzive’”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Ai ka sqaruar se përgjegjësia ekskluzive përbën detyrim të posaçëm institucional për të vepruar, por jo të drejtë për të penguar veprimtarinë e institucioneve të tjera.
“Përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive përbëjnë dy koncepte juridike të dallueshme, të cilat nuk mund të përdoren si sinonime”, ka theksuar Avokati i Popullit.
Qelaj ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me ushtrimin e funksionit monitorues nga Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë.
“Siç e kuptoj unë çështjen, deri më tani, Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin e saj monitorues për t’iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar ai.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo rrethanë ngre pyetje lidhur me përmbushjen në praktikë të përgjegjësisë që i është caktuar këtij mekanizmi.
Ai ka sqaruar se qëndrimi i tij nuk nënkupton se mandati i Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës mbizotëron ose zëvendëson përgjegjësitë e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë, por se këto institucione kanë mandate plotësuese.
Avokati i Popullit ka rikujtuar se që nga viti 2021 ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara, përfshirë përmes korrespondencës zyrtare, ndaj së cilës, sipas tij, nuk është dhënë asnjë përgjigje.
“Mungesa e vazhdueshme e përgjigjes ngre shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë”, thuhet në reagim.
Ai ka theksuar se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve janë në përputhje me mandatin e tij ligjor dhe nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në pavarësinë gjyqësore.
“Pavarësia gjyqësore nuk mund të shërbejë si arsyetim për mungesën e transparencës ose të llogaridhënies institucionale”, ka theksuar Avokati i Popullit.
Në fund të reagimit, Qelaj ka kritikuar qëndrimin e Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se reagimet publike që vendosin kufizime ndaj mandatit të një autoriteti kushtetues cenojnë rolin e tij.
“Këtë reagim e shohim me shumë interes, sepse reagimet publike duke vendos kritika e kufizime të mandatit të një autoriteti kushtetues siç është Avokati i Popullit dhe duke u sjell me qëndrime arbitrare dhe ta pa arsyetuara, përben veprim që cenon rolin dhe peshën e një Institucioni të pavarur kushtetues dhe shpërfaq tendencë për të manifestuar refuzim të kontrollit demokratik, kritikës konstruktive dhe debatit publik”, ka përfunduar Avokati i Popullit.
Burimi: RTKLive
