Kreu i Policisë shqiptare: 71 efektivë të plagosur në tri ditë protesta në Tiranë

Kreu i Policisë shqiptare: 71 efektivë të plagosur në tri ditë protesta në Tiranë

Written by

in

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Skënder Hita, ka deklaruar se 71 punonjës policie janë plagosur gjatë tri ditëve të protestave në Tiranë, duke paralajmëruar se Policia do të vazhdojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Në një konferencë për media, Hita tha se kryeqyteti është përballur me dhunë, zjarrvënie dhe shkatërrim, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me valë dhune, zjarrvënieje dhe shkatërrimi, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda”, deklaroi Hita.

Ai theksoi se Policia garanton të drejtën kushtetuese për protesta paqësore, por shtoi se kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën dhe dëmtimin e pronës publike e private.

“Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës”, u shpreh ai.

Kreu i Policisë së Shtetit hodhi poshtë pretendimet për përfshirje politike të uniformave blu, duke theksuar se institucioni që drejton vepron në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

“Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën”, deklaroi Hita.

Ai iu drejtua edhe prindërve, mësuesve dhe pedagogëve, duke u bërë thirrje që të parandalojnë përfshirjen e të rinjve dhe të miturve në akte të dhunshme.

“U bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë që gjimnazistët të bëhen pjesë e dhunës. U bëj apel edhe mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përdorimin e të miturve në akte të paligjshme”, tha ai.

Duke iu referuar të dhënave të Policisë, Hita deklaroi se personat e ndaluar gjatë dy netëve të para të protestave nuk kanë qenë kryesisht studentë.

“Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë në protestat e dhunshme, asnjëri nuk rezultoi student. Edhe në natën e dytë, vetëm një pjesë e vogël rezultuan studentë”, u shpreh ai.

Sipas tij, personat e maskuar që kanë sulmuar policinë, institucionet dhe bizneset private nuk përfaqësojnë studentët protestues. Hita pretendoi se ata janë rekrutuar nga organizatorë të protestës dhe eksponentë të brendshëm e të jashtëm.

Në fund, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u bëri thirrje efektivëve të angazhuar në terren që të veprojnë me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, ndërsa për organizatorët dhe autorët e akteve të dhunshme paralajmëroi se ligji do të zbatohet pa përjashtim.

“Policia nuk tërhiqet. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me përpikmëri dhe pa asnjë përjashtim”, përfundoi Hita.

Burimi: Dukagjini