Pas 27 vjetësh pritjeje, rivarroset Heroi i Kosovës, Idriz Rrecaj

Pas 27 vjetësh pritjeje, rivarroset Heroi i Kosovës, Idriz Rrecaj

Written by

in

Heroi i Kosovës, Idriz Rrecaj, i cili u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë më 19 prill 1999, do të rivarroset të premten, më 16 tetor, në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt, pas identifikimit të mbetjeve të tij mortore përmes analizës së ADN-së.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kushtrim Gara, ka kujtuar dhimbjen e familjes Rrecaj gjatë 27 vjetëve të pritjes, duke e cilësuar rivarrimin si një lehtësim për familjen, ndonëse mungesa e të dashurit të tyre nuk mund të zëvendësohet.

Në një mesazh përkujtimor, Gara ka ndarë edhe një fotografi nga takimi me familjen Rrecaj, më 19 shtator 2026, në qendër të Skenderajt, pranë bustit të heroit, kur familjes iu kumtua lajmi për identifikimin e tij.

Në fotografi, Gara shfaqet me Shpëtim I. Rrecin, djalin më të vogël të Idriz Rrecajt, emrin e të cilit ia kishte vënë vetë babai në vitet e rënda të ’90-ta.

“Shpëtim, emri i shpresës që la babai”, është mesazhi përmes të cilit Gara ka vënë në pah edhe domethënien e emrit të djalit të heroit, që bart simbolikën e shpresës për shpëtim, jetë dhe liri në një kohë të pasigurt për familjet shqiptare.

Idriz Rrecaj lindi më 10 nëntor 1944 në Llaushë. Ai ishte mësues, inxhinier i bujqësisë dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Gjatë jetës së tij, kontribuoi në organizimin e rezistencës, arsimin shqip, pajtimin dhe solidaritetin, si dhe mbështeti fuqishëm luftën çlirimtare.

Për kontributin e tij në çështjen kombëtare dhe përkushtimin ndaj lirisë së Kosovës, në vitin 2019 u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Sipas njoftimit për ceremonitë përkujtimore, të premten, në orën 12:00, do të mbahet Akademia Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj. Nga ora 13:00 deri në orën 15:00 do të zhvillohen homazhe pranë arkivolit në Sallën Sportive “Ilaz Kodra”, ndërsa rivarrimi do të bëhet në orën 16:00, në Kompleksin Memorial në Marinë.

Pas 27 vjetësh pritjeje, familja Rrecaj do t’i japë lamtumirën e fundit Heroit Idriz Rrecaj, duke ruajtur kujtimin për jetën, veprën dhe kontributin e tij për Kosovën.

Burimi: Dukagjini