Një trajnim profesional mund të jetë mundësi e mirë, por jo domosdoshmërisht e arritshme për të gjithë. Për të rinjtë nga komunitetet joshumicë, kostoja, transporti dhe mungesa e trajnimeve në gjuhën amtare shpesh kthehen në barriera konkrete për zhvillimin profesional.
Pikërisht për këto sfida foli Aleksandri, bashkëthemeluesi dhe drejtori i GIC, duke theksuar se qasja në programe të aftësimit profesional nuk është gjithmonë e barabartë për të gjithë.
“Komunitetet joshumicë shpesh nuk kanë qasje të njëjtë dhe të barabartë në trajnimet për avancim profesional. Një nga arsyet është kostoja, por edhe fakti që këto trajnime jo gjithmonë ofrohen në gjuhën e tyre amtare. Pastaj është edhe transporti dhe një sërë pengesash të tjera.”
Sipas tij, një pjesë e trajnimeve zhvillohen kryesisht në qytete më të mëdha, çka e bën pjesëmarrjen më të vështirë për të rinjtë që jetojnë në komunitete të tjera.
Për këtë arsye, mundësia që trajnimi të ofrohet brenda vetë komunitetit, në gjuhën amtare dhe më afër vendbanimit, ka rëndësi të veçantë. Për të rinjtë e komunitetit ku vepron GIC, kjo ka krijuar një formë më të qasshme të zhvillimit profesional, pa barrierat që lidhen me distancën apo transportin.
Afrimi i këtyre mundësive me vetë komunitetet mund të ndikojë drejtpërdrejt në përfshirjen më të madhe të të rinjve në programe që i përgatisin për tregun e punës dhe u krijojnë mundësi për zhvillim të mëtejshëm profesional.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com