Kosova ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të talentit së Stuttgartit U19, Enis Rexhepi, i cili po impresionon të gjithë në Ligën e Kampionëve për të rinj.
Rexhepi, që ka përfaqësuar Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar, është takuar të premten e kaluar me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi në Stuttgart.
Siç merr vesh Telegrafi, bisedimet kanë qenë shumë pozitive dhe lojtari po konsideron seriozisht përfaqësimin e Kosovës në nivelin ndërkombëtar.
Kush është Enis Rexhepi, lojtari që në Gjermani krahasohet me Mario Gomezin?
Rexhepi është një prej talenteve më premtues të akademisë së Stuttgartit, ku po tërheq vëmendjen me paraqitjet dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të shënuar gola.
Sulmuesi shqiptar me prejardhje nga Presheva, ka shpërthyer në futbollin e grupmoshave të reja dhe tashmë ka nisur të fitojë përvojë edhe në futbollin profesionist në Gjermani.
I lindur më 12 mars 2008, Rexhepi është rritur në sistemin e të rinjve të Stuttgartit. Paraqitjet e tij kanë bërë që mediat gjermane ta krahasojnë me Mario Gomezin, ish-sulmuesin e njohur të klubit, për shkak të fizikut, fuqisë dhe aftësive për të shfrytëzuar rastet para portës.
Ia shënoi 5 gola Bayern Munichut dhe po prinë si top golashënues në Ligën e Kampionëve
Sezoni i ri e ka gjetur Rexhepin në formë edhe më të mirë. Në katër ndeshjet e para të kampionatit U19 për sezonin 2026/27, ai shënoi tetë gola, duke regjistruar një nisje mbresëlënëse.
Kulmi erdhi në fitoren 6-1 ndaj Bayern Munichut, ku Rexhepi realizoi pesë gola, të gjithë brenda vetëm 50 minutash. Ai vazhdoi formën e mirë edhe në arenën evropiane për të rinj, duke shënuar tri herë në fitoren 5-0 të Stuttgartit ndaj Vikingut në UEFA Youth League.
Kurse “qershia mbi tortë” ishte dygolëshi ndaj Atletico Madridit, duke ia dhënë “timonin” si golashënuesi më i mirë me pesë gola në kompeticion më të rëndësishëm në botë për ekipin U19.
Kësisoj, në rast që Rexhepi vendos të përfaqësojë Kosovën atëherë “Dardanët” do të siguronin një top talent për të ardhmen./Telegrafi/