Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, me rastin e donacionit nga programi „Polish Aid“, i realizuar përmes Ambasadës së Republikës së Polonisë.
Bëhet fjalë për pajisje mjekësore të destinuara për sallën operative, me vlerë të përgjithshme prej 47 mijë eurosh, siç janë: tavolinë operative e teknologjisë më të fundit, histeroskop kompatibil, dritë operative dhe pajisje të tjera kirurgjikale.
Nga spitali bëjnë të ditur se falë pajisjeve të reja, gjatë ditës së djeshme janë kryer tri operacione.
Përveç kësaj, në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan po realizohen edhe aktivitete të tjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore. Është blerë një aparat i ri digjital për rëntgen, instalimi i të cilit pritet të bëhet në periudhën e ardhshme, ndërsa për repartin e terapisë fizikale është siguruar pajisje moderne mjekësore.
Gjithashtu, në repartin e gjinekologjisë dhe obstetrikës, me angazhimin e gjinekologëve të rinj është shënuar rritje e konsiderueshme e numrit të lindjeve. Për më tepër, shërbimi i ndihmës së shpejtë mjekësore është përforcuar me dy automjete të reja ambulatore, informojnë nga Ministria.
„Modernizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Koçan do ta analizojmë së bashku me Spitalin Klinik të Shtipit. Rajoni lindor duhet të planifikohet si tërësi – çfarë zhvillohet në Koçan, çfarë në Shtip dhe si plotësojnë njëri-tjetrin të dy spitalet, në vend që të planifikohet spital më vete“, theksoi ministri Klekovski.
Ministri shprehu mirënjohje për „Polish Aid“ dhe Ambasadën e Republikës së Polonisë për mbështetjen, si dhe për Komunën e Koçanit dhe të gjithë ekipin e Spitalit të Përgjithshëm në Koçan për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.