Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës ka pritur në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Gjatë takimit, drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, e njoftoi ambasadorin Huchet me rolin dhe misionin e transmetuesit publik, sfidat aktuale me të cilat përballet institucioni, si dhe synimet strategjike për zhvillimin e tij në të ardhmen.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua mundësive për bashkëpunim ndërmjet RTK-së dhe Ambasadës së Francës, veçanërisht në realizimin e projekteve të ndryshme kulturore.
Nga ana e tij, ambasadori francez vlerësoi përfaqësimin e grave në pozitat drejtuese të RTK-së, duke theksuar se është lajm i mirë që tri gra janë në pozita menaxheriale në këtë institucion.
Ai shprehu gatishmërinë për mbështetje dhe bashkëpunim të ngushtë me RTK-në, me synimin për të kontribuar në përmbushjen sa më të mirë të misionit të transmetuesit publik të Kosovës.
Burimi: RTKLive
