Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka reaguar pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet afatmesme, duke e cilësuar luftën si shkakun kryesor të rezultatit zgjedhor.
“Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi Vance në një postim të gjatë në rrjetin social X, duke shtuar se këtë e kishte pranuar edhe vetë presidenti Donald Trump një natë më parë.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të partisë që të mos shmangin përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, edhe nëse mendojnë se përfshirja në luftë ia ka vlejtur koston politike.
“Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlejti, se humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme ishte një çmim që ia vlente të paguhej, atëherë bëjeni këtë. Pajtohuni ose jo, të paktën kjo është e sinqertë”, shkroi ai.
Vance theksoi se çdo diskutim për të ardhmen e republikanëve duhet të nisë me pranimin e rolit që lufta pati në humbjen e tyre zgjedhore.Vance tha se mbetet “shpresëplotë” për të ardhmen.
Në një mesazh drejtuar votuesve që kundërshtuan Trumpin, ai u shpreh “për ata që janë të zemëruar dhe duan të thonë: ‘Ju thashë unë’: keni të drejtë, na e kishit thënë. Shfrytëzojeni këtë energji për të zgjedhur republikanë që ndajnë të njëjtin botëkuptim me ju. Ndërsa ata që janë thjesht të zemëruar për rezultatet, kanë arsye të jenë të tillë. Le ta shndërrojmë këtë zemërim në motivim për t’iu rikthyer punës për shpëtimin e vendit tonë”.
Sipas përditësimeve të fundit të publikuara më 4 nëntor 2026, demokratët kanë siguruar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan.
Në Senat, demokratët kanë siguruar 54 ulëse, kundrejt 44 të republikanëve. Megjithatë, dy gara ende nuk kanë marrë rezultat përfundimtar. Shifra e demokratëve përfshin edhe dy senatorë të pavarur që votojnë së bashku me ta.
Ndërkohë, në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë siguruar 228 ulëse, ndërsa republikanët 139. /Telegrafi/