
Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia në Fier të Shqipërisë, nën dyshimin se ka kryer katër vjedhje me thyerje në biznese të ndryshme të qytetit, gjatë muajit tetor.
I dyshuari, i cili sipas Policisë ka precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes, ishte shpallur në kërkim. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Precedenti”, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me disa raste të vjedhjeve të raportuara nga pronarët e bizneseve.
Sipas njoftimit të Policisë, 30-vjeçari dyshohet se gjatë periudhës 19–28 tetor 2026 ka depërtuar me thyerje në katër biznese, prej nga ka marrë shuma parash, dy telefona mobilë dhe serverin e sistemit të kamerave të sigurisë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur nëse i dyshuari mund të ketë kryer edhe vjedhje të tjera.
“Si rezultat i punës së shpejtë hetimore u finalizua operacioni i koduar ‘Precedenti’, gjatë të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi Y. D., 30 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për vjedhje. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 19.10.2026 – 28.10.2026, ka vjedhur me thyerje, në 4 biznese në qytetin e Fierit, shuma parash, 2 celularë dhe pajisje (serverin e kamerave). Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali