Author: Momenti

  • Zbulohen bustet e figurave të shquara të historisë kombëtare në Llapushnik

    Zbulohen bustet e figurave të shquara të historisë kombëtare në Llapushnik

    Sot u mbajt akademi përkujtimore në Llapushnik të Drenasit, me rastin e vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë shqiptare Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit.

    Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se zbulimi i këtyre busteve të figurave të rëndësishme të historisë shqiptare e bën komunën e tyre edhe më të bukur para festës së madhe të 28 Nëntorit.

    “Zbulimi i busteve është nderim për të gjithë shqiptarët. Sot, zbulojmë dhe nderojmë tri personalitete me të cilat historia e popullit shqiptar është me vlera të pashlyera dhe të pashmangshme… Në këtë ditë nëntori, komuna jonë bëhet më e pasur dhe më e bukur me këto tri buste, të cilat përfaqësojnë vlera”, tha Lladrovci.

    Më pas, aktori Xhevat Limani përmes një pike teatrale solli interpretimin artistik të poezisë “O flamur shkamb”.

    Don Anton Uka, vikar ipeshkvor në Llapushnik tha se kisha “Shën Abrahami” ka dëshmuar se feja dhe atdheu janë dy përgjegjësi që thërrasin t’i shërbejnë Zotit dhe njeriut.

    “Nuk është rastësi se kjo ngjarje po zhvillohet pikërisht në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik, sepse kjo kishë, me rrugëtimin e saj, ka dëshmuar dhe po dëshmon se feja dhe atdheu nuk janë dy dashuri përjashtuese, që përjashtojnë njëra-tjetrën, por dy përgjegjësi që na thërrasin t’i shërbejmë Zotit dhe njeriut”, tha ai.

    Ndërsa, më pas soprano, Besiana Qani Mehmeti përformoi një vepër artistike. Më tej, ngjarja vazhdoi me zbulimin e busteve të tri figurave historike.

    Kujtojmë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) ishte komandant ushtarak shqiptar i shekullit të XV dhe hero kombëtar, i cili udhëhoqi për 25 vjet rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane.

    Ndërsa, Pjetër Bogdani (rreth 1630–1689) ishte kryepeshkop i Shkupit në shekullin XVII dhe autor i Çetës së Profetëve, e njohur si vepra e parë origjinale në prozë e shkruar në gjuhën shqipe, si dhe gurthemel i letërsisë dhe identitetit kulturor shqiptar.

    Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari (1955–1998) ra heroikisht në luftën e pabarabartë me forcat kriminale serbe në Epopenë e lavdishme të Jasharëve 5-7 mars 1998, në Prekaz.

  • ”Likud” dhe ”Yashar” rifillojnë bisedimet për një koalicion të mundshëm

    ”Likud” dhe ”Yashar” rifillojnë bisedimet për një koalicion të mundshëm

    Partia ”Likud” e kryeministrit në largim po e kushtëzon këtë nga vazhdimi i prioriteteve të saj kryesore të politikave.

    Delegacionet nga partia e qendrës ”Yashar” e Eisenkotit dhe ”Likud” po takohen në një hotel në Herzliya, pranë Tel Avivit, sipas kanalit privat 14, pas takimit të tyre të parë të dielën e kaluar.

    Një ish-shef i shtabit të ushtrisë, Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor – një afat që mund të zgjatet me 14 ditë – për të formuar një qeveri, pasi zgjedhjet e tetorit nuk arritën të prodhonin një shumicë absolute për asnjërën palë.

    Me 48 vende në Knesset – ku një shumicë absolute kërkon 61 – blloku i tij mbetet i ndarë në strategjinë që duhet të miratojë për formimin e një koalicioni.

    Opsionet ndryshojnë, nga një aleancë me partitë ultraortodokse te një afrim me partitë arabe ose formimi i një qeverie uniteti kombëtar me ”Likud”-in.

    Të shtunën, ”Yashar” e paraqiti mbajtjen e bisedimeve si “një angazhim të vërtetë për formimin e qeverisë më të gjerë të mundshme”, duke specifikuar se Gadi Eisenkot u kishte kërkuar përfaqësuesve të tij të shqyrtonin të gjitha rrugët.

    Por, ”Likud”-i më pas vendosi disa kushte për pjesëmarrjen e tij në një qeveri uniteti, një formulë e promovuar nga Netanyahu, i cili po lufton për mbijetesën e tij politike.

    ”Likud”-i po kërkon, në veçanti, t’i japë fund “të gjitha sulmeve personale dhe nxitjes së urrejtjes” që synojnë, sipas tyre, kryeministrin në largim dhe qeverinë e tij, si dhe një angazhim për të formuar një koalicion që bashkon “të gjitha partitë që mbështesin ekzistencën e shtetit të Izraelit si një shtet kombëtar i popullit hebre” pa pjesëmarrjen e partive arabe.

    Burimi: RTKLive

  • I biri i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës serbe në BeH

    I biri i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës serbe në BeH

    I biri i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës serbe në BeH

    Presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, e ka mandatuar të dielën Igor Dodikun për formimin e qeverisë së re të këtij entiteti serb të Bosnje e Hercegovinës.

    Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut, kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

    Në një deklaratë për media, Igor Dodik tha se është “i vetëdijshëm se do të duhet ta dëshmojë se e meriton besimin”.

    Ai vuri në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe transparencën në punën e institucioneve.

    “Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi”, tha ai.

    Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se qëndrimi i tij ndaj BE-së do të varet nga shkalla e respektit që ky i fundit do të tregojë ndaj tyre.

    Ai përmendi edhe marrëdhëniet me pushtetin e ri në Serbi.

    “Bashkëpunimi me Serbinë mike do të ketë një vend të veçantë në punën tonë të mëtejshme. Dëshiroj t’i vazhdojmë projektet e përbashkëta”, tha Dodik.

    Ai theksoi se do të ketë “shumë sfida në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, ndërsa shtoi se “paragjykimet nuk i interesojnë”.

    Igor Dodik ushtron funksionin e sekretarit organizativ të SNSD-së.

    Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, të mbajtura në fillim të tetorit, ai ishte bartës i listës së kësaj partie për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.

    Mandatarin e propozoi Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, partia që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, në fillim të tetorit.

    Para shpalljes së emrit të mandatarit, Miniq zhvilloi konsultime me SNSD-në, ndërsa dy ditë më parë ishte takuar edhe me partitë opozitare.

    Çfarë tha Millorad Dodik dy ditë para shpalljes së emrit të mandatarit?

    Millorad Dodik, në një konferencë për shtyp në Banjallukë më 20 nëntor, pa dashur të zbulojë emrin e tij, tha se kryesia e partisë kishte përcaktuar emrin e kandidatit për kryeministër.

    “Kandidati për kryeministër është një person që pa dyshim gëzon mbështetjen unanime të SNSD-së. Ne, ashtu siç ka thënë edhe kandidati, pas zgjedhjeve do të dalim në terren. Kandidati i ka duart të lira për ta përbërë qeverinë. Ne e kuptojmë kohën që po vjen. Qeveria duhet të jetë profesionale, e re, efikase dhe e shpejtë, por, natyrisht, në të duhet të ketë edhe njerëz me më shumë përvojë”, tha ai.

    Pasi presidenti i Republikës Sërpska ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe formimin e Qeverisë së RS-së, afati kushtetues për zgjedhjen e qeverisë së re në Kuvendin Popullor është 40 ditë nga dita e propozimit të kandidatit. /REL

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Gënjeu që vuan nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, Policia në Gjilan arreston të dyshuarin

    Gënjeu që vuan nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, Policia në Gjilan arreston të dyshuarin

    Gënjeu që vuan nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, Policia në Gjilan arreston të dyshuarin

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se është ndaluar një person me inicialet E.A., nën dyshimin se kishte mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke kërkuar ndihmë financiare për shërimin e tij.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se më 9 nëntor 2026 kishte sajuar historinë për sëmundjen dhe kishte hapur një fushatë në platformën “GoFund”, përmes së cilës kishte mbledhur para kinse për trajtim dhe rehabilitim.

    Pas verifikimit të historikut të tij shëndetësor, është konstatuar se ai nuk vuante nga leukemia akute, siç kishte pretenduar.

    Shuma e mbledhur përmes kësaj fushate arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Prokuroria njofton se paratë janë bllokuar në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara në lidhje me rastin.

    E.A. është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, pas një periudhe kërkimi policor. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Prokuroria dyshon se i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës.

    Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. /Insajderi.org/

    Burimi: Insajderi

  • Arrestohet në Gjilan personi që pretendoi se vuante nga leukemia për të mbledhur para

    Arrestohet në Gjilan personi që pretendoi se vuante nga leukemia për të mbledhur para

    Arrestohet në Gjilan personi që pretendoi se vuante nga leukemia për të mbledhur para

    Një person me inicialet E.A. është arrestuar të shtunën në Gjilan, nën dyshimin se kishte inskenuar një histori të rreme për të përfituar financiarisht nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.

    Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari që nga 9 nëntori 2026 kishte pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute, duke organizuar një fushatë përmes platformës “GoFund”, kinse për të mbuluar shpenzimet e shërimit dhe rehabilitimit.

    Përmes kësaj fushate, ai dyshohet se kishte arritur të grumbullonte gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 centë nga donatorë në Kosovë dhe jashtë vendit, transmeton Klankosova.tv.

    Pas pranimit të informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar të gjitha mjetet financiare në llogaritë bankare të identifikuara si të lidhura me rastin. Ndërkohë, i dyshuari ishte shpallur në kërkim policor.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit, brenda afateve kohore do të paraqesë kërkesën për caktimin  e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan./Klanosova.tv

  • Mashtroi qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia, mblodhi mbi 189 mijë euro - arrestohet në Gjilan

    Mashtroi qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia, mblodhi mbi 189 mijë euro – arrestohet në Gjilan

    Një person është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e leukemisë akute dhe duke kërkuar ndihmë financiare për trajtim dhe rehabilitim.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me inicialet E.A. dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, duke pretenduar se ishte i prekur nga kjo sëmundje, ndonëse verifikimet e historisë së tij kishin treguar se nuk vuante nga leukemia akute.

    Përmes një fushate për mbledhjen e donacioneve, përfshirë edhe platformën “GoFundMe”, ai dyshohet se kishte arritur të grumbullonte gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.

    Prokuroria bën të ditur se, pas marrjes së informacioneve për rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara.

    I dyshuari ishte vendosur në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës.

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

    I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

  • Spalletti s’i ndalë lëvdatat për Edon Zhegrovën: Është gjeni, ka një të majtë shkatërruese

    Spalletti s’i ndalë lëvdatat për Edon Zhegrovën: Është gjeni, ka një të majtë shkatërruese

    Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur me superlativa për cilësitë e Edon Zhegrovës, duke e cilësuar sulmuesin kosovar si një futbollist të jashtëzakonshëm, me aftësi të rralla individuale dhe një këmbë të majtë shkatërruese.

    Zhegrova zhvilloi një paraqitje solide për të asistuar në fitoren 4-0 ndaj Venezias, sfidë ku për herë të parë zhvilloi 90 minuta lojë.

    Pas ndeshjes, Spalletti theksoi se Zhegrova është një lojtar që mund të bëjë gjëra të paparashikueshme në fushë, madje edhe vetë nuk arrin ta shpjegojë se si i realizon disa prej veprimeve të tij.

    “Zhegrova është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë bën gjëra që as vetë nuk mund ta shpjegojë se si ia del t’i realizojë. Ka një prekje gjeniale dhe një këmbë të majtë shkatërruese. Kur gjithçka duket e mbyllur, ai gjen diçka krejtësisht të paparashikueshme”.

    Megjithatë, trajneri italian vuri në pah edhe një aspekt ku pret përmirësim nga përfaqësuesi i Kosovës, duke theksuar se humbjet e topit dhe mungesa e përqendrimit në disa momente mund ta vendosin skuadrën në vështirësi.

    “Ai ka edhe momente të mungesës së përqendrimit dhe e humb topin, gjë që na ka ekspozuar ndaj kundërsulmeve. Duhet të gjejë vazhdimësinë në lojën e tij. Kjo është thelbësore, sepse nuk mund të mbështetesh vetëm në dy momente shkëlqimi”, përfundoi Spalletti.

    Ndërkohë, Juventusi në mesjavë do të luajë në Ligën e Evropës, aty ku fatkeqësisht nuk është i përfshirë fare Zhegrova./Telegrafi/

  • Ukaj dhe Hasanaj rrëmbejnë medalje të bronzta në Selanik

    Ukaj dhe Hasanaj rrëmbejnë medalje të bronzta në Selanik

    Elvira Ukaj dhe Arba Hasanaj kanë fituar medalje të bronzta në Kupën Evropiane për Kadetë, që po zhvillohet në Selanik të Greqisë.

    Elvira Ukaj u ngjit në podium në kategorinë mbi 70 kilogramë. Pas humbjes në çerekfinale nga kanadezja Olivia Ëisnioëski, ajo vazhdoi garën në repasazh, ku mposhti fillimisht greken Petrina Apatsidou. Në luftën për medaljen e bronztë, Ukaj triumfoi ndaj grekes Dimitra Sarianidou, duke siguruar vendin në podium.

    Edhe Arba Hasanaj shkëlqeu në kategorinë deri në 70 kilogramë. Ajo regjistroi dy fitore të njëpasnjëshme ndaj grekes Chrysoula Stavroula Ouranitsa dhe lituanezes Radvile Juseviciute, përpara se të pësonte humbje në gjysmëfinale nga grekja Maria Eleni Papaioannou.

    Në luftën për medaljen e bronztë, Hasanaj ishte më e mirë se kroatja Lana Kraus, të cilën e mposhti me Ippon.

    Të dy xhudistet u drejtuan nga trajnerja Majlinda Kelmendi.

    Burimi: RTKLive

  • ​Kosova në rrezik të humbë miliona euro nga BE-ja, Qeveria Kurti nën kritika për reformat e parealizuara

    ​Kosova në rrezik të humbë miliona euro nga BE-ja, Qeveria Kurti nën kritika për reformat e parealizuara

    Kosova rrezikon të humbasë miliona euro të tjera nga fondet e Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes, thonë deputetë të opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane. Sipas tyre, pavarësisht funksionalizimit të institucioneve, vonesat në miratimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave mund të ndikojnë në përfitimin e mjeteve financiare nga BE-ja.

    Kosova ka humbur tashmë 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ndërsa rrezikon të mos përfitojë edhe 131.5 milionë euro të tjera, nëse nuk përmbush me kohë obligimet e parapara në kuadër të Agjendës së Reformave. Afati për realizimin e 22 hapave të mbetur është 31 dhjetori 2026.

    KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës se ku ndodhet vendi me zbatimin e reformave të parapara për përfitimin e fondeve të BE-së, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. Për këtë çështje nuk ka kthyer përgjigje as Bashkimi Evropian.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se Kosova duhet të përshpejtojë përmbushjen e obligimeve, në mënyrë që të shmangë humbjet e tjera financiare.

    Ai ka thënë se vendi ka humbur shumë nga Plani i Rritjes, ndërsa ka kërkuar që të shqyrtohen me kujdes të gjitha pikat dhe afatet kohore për secilën prej tyre, në mënyrë që të dihet saktësisht vlera e mjeteve që rrezikojnë të humben.

    “Kemi humbur shumë nga Plani i Rritjes. Sërish duhet t’i shohim saktë secilën prej pikave të Planit të Rritjes edhe afatet kohore për secilën prej këtyre pikave, për të ditur saktë se sa do të humbim, por ne kemi humbur të dy viteve apo sa që kemi qenë në masa të Bashkimit Evropian, ku kanë qenë të ngrira të gjitha fondet për Kosovën. Tani që Kuvendi është funksional, qeveria është funksionale, nuk besoj që duhet të humbim asnjë minutë për të përmbushur obligimet që i ka Kosova karshi këtij plani”, ka deklaruar Hoti.

    Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë edhe miliona euro të tjera. Ajo ka përmendur afatet e ngushta për shqyrtimin e projektligjeve nga Komisioni Evropian, si dhe sfidat që lidhen me miratimin e legjislacionit në Kuvend.

    Si sfidë tjetër, Kadrijaj ka përmendur edhe Kodin Civil, duke ngritur dilema nëse do të ketë ndryshime në dispozitat e tij dhe nëse do të sigurohen votat e nevojshme për miratimin e tij në Kuvend.

    Ajo ka shprehur shqetësimin se, nëse nuk përmbushen obligimet brenda afateve, Kosova mund të humbasë mjete të tjera financiare që, sipas saj, janë në interes të vendit.

    “Ne veçse i kemi humbur 40 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe rrezikojmë, në fakt, të humbim prapë. Ne e kemi përkrahur Agjendën Evropiane dhe Planin e Rritjes. Ne asnjëherë nuk kemi stopuar qeverinë, sidomos kur ka qenë në pyetje marrëveshjet ndërkombëtare. Kryenegociatori me Bashkimin Evropian e ka theksuar se kanë dërguar komente në Komisionin Evropian dhe minimumi për shqyrtim dhe kthim është tre muaj. Duke llogaritur, ne nuk i kemi as dy muaj të plotë deri të përmbushim këtë”, ka deklaruar ajo.

    Kritik ndaj qeverisë është shprehur edhe profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, i cili ka thënë se reformat nuk janë zbatuar me kohë dhe se përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi Qeverinë Kurti.

    Sipas tij, reformat e dërguara nga Kosova në Komisionin Evropian duhet të verifikohen para se të autorizohet shpërndarja e mjeteve financiare. Ai ka vlerësuar se qeveria është dashur të jetë më e përkushtuar në këtë proces.

    “Qeveria në detyrë atë kohë, që është edhe qeveria sot, e njëjta qeveri na kanë treguar përralla. Po të kishin qenë seriozë dhe të bindur në procesin e integrimit, ne moti do ta kishim qeverinë dhe presidencën dhe do t’i zbatonim. Pasi nuk janë shumë, 20 reforma që Kosova i ka dërguar në Komisionin Evropian, por ato pritet të verifikohen. Pa u verifikuar nuk do të jepet autorizimi për shpërndarjen e mjeteve financiare. Këtu fajtori kryesor është Qeveria Kurti, se nuk i kanë marrë seriozisht reformat dhe thithjen e mjeteve”, ka deklaruar Arifi.

    Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka paraparë për Kosovën deri në 882.6 milionë euro, në formë grantesh dhe kredish të favorshme, përfitimi i të cilave kushtëzohet me zbatimin e reformave të dakorduara.

  • Kërkoheshin nga drejtësia italiane për torturë, skllavëri e grabitje – arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë

    Kërkoheshin nga drejtësia italiane për torturë, skllavëri e grabitje – arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë

    Kërkoheshin nga drejtësia italiane për torturë, skllavëri e grabitje – arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë

    Të kërkuar nga drejtësia italiane për torturë, skllavëri e vjedhje me dhunë – arrestohen dy shqiptarë në Shkodër dhe Vorë

    Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë në Itali, raporton Gazeta Sinjali.

    Operacionet për kapjen e tyre janë zhvilluar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin e të dyshuarve drejt shtetit italian.

    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njëri prej të arrestuarve është i dënuar me 7 vite e 11 muaj burgim për veprën penale të vjedhjes me dhunë dhe vepra të tjera penale. Ndërkaq, personi i dytë ka një dënim aktiv prej 4 vitesh burgim për veprat e rënda penale të torturës dhe skllavërisë.

    Policia bën të ditur se të dy personave u kanë mbetur ende pjesë të dënimeve për të vuajtur, ndaj ndaj tyre janë iniciuar menjëherë procedurat ligjore për dorëzimin te autoritetet italiane.

    Aktualisht, Interpol Tirana, në koordinim të ngushtë me homologët italianë, është duke vijuar me procedurat e nevojshme për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt Italisë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali