Për sigurimin shëndetësor dhe aksidental të pjesëtarëve të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes do të shpenzojë rreth 104 mijë euro gjatë tri viteve të ardhshme.
Për realizimin e këtij shërbimi është përzgjedhur kompania K.S. Dukagjini SH.A., oferta e së cilës rezultoi më e ulëta ndër tri ofertat e pranuara në procedurën e tenderimit.
Vlera e përgjithshme e kontratës së dhënë është 103,997.50 euro, që është dukshëm më e ulët se vlera e parashikuar prej 171,000.00 eurosh.
Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së hapur dhe përfshin përmbylljen e një kontrate publike kornizë me një operator, me kohëzgjatje prej 36 muajsh (3 vitesh).
Në këtë proces tenderues janë pranuar gjithsej 3 oferta. Oferta e kompanisë fituese K.S. Dukagjini SH.A. ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët (103,997.50 euro), ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ka kapur vlerën prej 155,848.80 eurosh. Kontrata nuk pritet të nënkontraktohet.
Sipas përshkrimit në njoftim, qëllimi i kësaj kontrate është realizimi i sigurimeve shëndetësore dhe aksidentale në përputhje me specifikimet teknike të Dosjes së Tenderit, për të rritur operacionalitetin dhe efikasitetin në kryerjen e detyrave, në përputhje me misionin e FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Data e dhënies së kontratës është 19 nëntor 2026, ndërsa data e planifikuar e nënshkrimit ka qenë 20 nëntor 2026.
Vendi kryesor i realizimit të shërbimeve është Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë. /Telegrafi/
Me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nderuar veprën e atdhetarëve dhe intelektualëve që e bënë alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe themel të përbashkimit kombëtar dhe të përparimit arsimor e kulturor, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate zyrtare, ekzekutivi ka kujtuar me mirënjohje figurat kyçe të kësaj ngjarjeje historike, duke veçuar Mithat Frashërin si kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën si kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin e delegatët e tjerë.
Po ashtu, Qeveria ka vlerësuar lart përkushtimin e Sevastie Qiriazit dhe të gjithë familjes Qiriazi, punën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, si dhe kontributin e shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë arritje madhore.
Sipas Qeverisë, Kongresi i Manastirit dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë, ku dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre.
Në njoftim theksohet se përgjegjësia e institucioneve sot është vazhdimi i kësaj pune përmes arsimit publik cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, ngritjes së cilësisë së mësimdhënies, kujdesit për gjuhën shqipe në institucione, si dhe krijimit të mundësive të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë.
“Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez. Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, thuhet në fund të reagimit të Qeverisë.
Afrimi i mëtejshëm i Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian do t’i mundësonte Londrës të kishte zë në vendimmarrjen e Brukselit, ka deklaruar sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, në një kohë kur qeveria po përballet me presion për të thelluar marrëdhëniet me BE-në, pas marrëveshjes së arritur të premten.
Një protestë kombëtare e organizuar nga tri sindikatat kryesore në Belgjikë pritet të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në transportin ajror dhe atë publik, më 23 nëntor.
Pothuajse të gjitha fluturimet komerciale drejt dhe nga Belgjika janë planifikuar të anulohen për të hënën.
Kjo pasi ofruesi i kontrollit të trafikut ajror Skeyes njoftoi se pjesëmarrja e stafit në një demonstratë kombëtare sindikale do ta pengojë atë të garantojë trafik ajror të rregullt të sigurt midis orës 07:00 dhe 21:00 me orën lokale.
Ndërsa, shërbimet minimale thelbësore për fluturimet emergjente dhe kritike për sigurinë do të mbeten funksionale, Aeroporti i Brukselit pret që shumica e fluturimeve të tij të anulohen.
Veprimi përkon me një protestë masive kundër masave të kursimeve të qeverisë federale dhe një afat mbretëror për kryeministrin Bart De Wever për të zgjidhur një ngërç mbi një rregullim buxhetor prej 10 miliardë eurosh, raporton BrusselsMorning.
“Nivelet e parashikuara të stafit nuk do të lejojnë që trajtimi i sigurt i trafikut ajror të rregullt të garantohet gjatë kësaj periudhe. Prandaj, Skeyes është e detyruar të pezullojë përkohësisht shërbimet përkatëse,” njoftoi kompania.
Skeyes sqaroi se shërbimet minimale thelbësore të nevojshme për emergjenca dhe fluturime të tjera kritike për sigurinë do të mbeten të disponueshme gjatë gjithë ditës.
Versioni më i ri filmik i romanit të famshëm “Sense and Sensibility” nga Jane Austen nuk ka arritur të bindë kritikët.
Filmi, me protagoniste Daisy Edgar-Jones, është vlerësuar me vetëm dy yje nga kritiku i filmit Brian Viner, i cili mendon se adaptimi i ri ka humbur nuancat dhe sharmin e historisë origjinale.
Romani, i botuar në vitin 1811, rrëfen historinë e motrave Elinor dhe Marianne Dashwood, të cilat përballen me dashurinë, zhgënjimet dhe vështirësitë e jetës pas humbjes së pasurisë familjare.
Në recensionin e tij, Viner vlerëson pamjen vizuale të filmit dhe disa prej interpretimeve aktoriale, por kritikon mënyrën se si regjisorja Georgia Oakley dhe skenaristja Diana Reid kanë përshtatur historinë për publikun modern.
Sipas tij, përpjekja për ta bërë rrëfimin më të kuptueshëm për audiencën e sotme ka dëmtuar pikërisht nuancat delikate që e bëjnë të veçantë letërsinë e Austen.
Kritiku e krahason adaptimin e ri me filmin e vitit 1995, me regji të Ang Lee dhe skenar të Emma Thompson, duke e cilësuar këtë të fundit shumë më të suksesshëm në ruajtjen e atmosferës dhe emocioneve të romanit.
Në versionin e ri, Daisy Edgar-Jones interpreton Elinor Dashwood, ndërsa George MacKay luan Edward Ferrars. Në role të tjera shfaqen Esme Creed-Miles, Frank Dillane dhe Herbert Nordrum si koloneli Brandon.
Viner kritikon gjithashtu faktin që ndjenjat mes Elinorit dhe Edwardit shfaqen tepër hapur, duke dobësuar tensionin emocional të historisë.
Ai vë në pikëpyetje edhe zgjedhjen e aktorit norvegjez Herbert Nordrum për rolin e kolonelit Brandon, duke e konsideruar theksin e tij skandinav të papërshtatshëm për personazhin. /Telegrafi/
Estonia ka vendosur të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë nga 1 dhjetori, pas një tentative të dyshuar sabotimi të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.
Vendimi ka shkaktuar radhë të gjata në kufi, ndërsa qytetarët po përpiqen të kalojnë përpara hyrjes në fuqi të kufizimeve.
Në qytetin rus Ivangorod, dhjetëra udhëtarë me valixhe, çanta shpine dhe sende personale janë mbledhur pranë pikës kufitare, me shpresën se do të arrijnë të hyjnë në Estoni përpara mbylljes.
Sipas Euronews, qeveria estoneze njoftoi më 20 nëntor se të pesë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë do të mbyllen për një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh.
Vendimi përfshin pikat Narva-1, Narva-2, Koidula, Luhamaa dhe Saatse, ndërsa transporti hekurudhor i mallrave do të vazhdojë, në përputhje me kufizimet ekzistuese.
Estonia to close border crossings with Russia after alleged arson attack | AJ #shorts www.youtube.com
Pse Estonia po e mbyll kufirin?
Masa vjen pas një tentative për zjarrvënie më 14 nëntor në objektet e kompanisë estoneze Threod Systems, e cila prodhon dronë ushtarakë, në Viimsi, pranë kryeqytetit Tallinn.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, operacioni dyshohet se ishte urdhëruar nga agjencia ruse e inteligjencës ushtarake, GRU.
Tetë shtetas letonezë janë ndaluar në lidhje me incidentin, ndërsa autoritetet dyshojnë se ishin rekrutuar për të kryer sulmin.
Ndërhyrja e personelit të sigurisë së kompanisë parandaloi dëme të konsiderueshme.
Qeveria estoneze e ka cilësuar incidentin si pjesë të një fushate më të gjerë veprimtarish armiqësore kundër Estonisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Sipas autoriteteve, mbyllja e kufirit synon të kufizojë aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës, rekrutimin e personave që kalojnë kufirin dhe shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.
Familjet rrezikojnë të mbeten të ndara
Vendimi pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta për banorët e zonave kufitare, veçanërisht për familjet që kanë të afërm në të dyja anët e kufirit.
Qyteti estonez Narva, me mbi 50 mijë banorë, ndodhet përballë qytetit rus Ivangorod, ndërsa të dyja komunitetet kanë lidhje të hershme familjare, ekonomike dhe shoqërore.
Kryetari i Narvës, Jaan Toots, i ka kërkuar qeverisë të shqyrtojë përjashtime humanitare për qytetarët që duhet të vizitojnë familjarë të moshuar, të marrin pjesë në funerale apo të përballen me situata urgjente.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu pasoja ekonomike për bizneset lokale, përfshirë hotelet dhe restorantet.
Sipas transmetuesit publik estonez ERR, numri vjetor i kalimeve kufitare ka rënë nga mbi katër milionë përpara vitit 2022 në rreth 760 mijë gjatë vitit 2026.
Nga këto, rreth 447 mijë kalime janë regjistruar në pikën Narva-Ivangorod.
Pas 1 dhjetorit, udhëtarët do të detyrohen të përdorin rrugë alternative përmes vendeve fqinje, kryesisht Letonisë, duke u përballur me udhëtime më të gjata dhe shpenzime shtesë.
Qeveria estoneze ka bërë të ditur se masa nuk është e përhershme dhe do të rishqyrtohet pas gjashtë muajsh, në varësi të situatës së sigurisë. /Telegrafi/
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, që po mbahet në Antalia të Turqisë, ka dështuar të arrijë një marrëveshje, pasi Bashkimi Evropian ka kundërshtuar zyrtarisht draftin e fundit të dokumentit përfundimtar.
Një shtetas zviceran është arrestuar në Mauritius, pasi autoritetet zbuluan rreth 20 kilogramë kanabis të fshehur në bagazhin e tij, me një vlerë të përllogaritur prej afro 650 mijë frangash zvicerane.
Sipas mediumit zviceran 20 Minutes, i cili i referohet gazetës mauritiane L’Express, burri u arrestua gjatë kësaj jave në Aeroportin Ndërkombëtar Sir Seewoosagur Ramgoolam.
Droga, e cila ishte fshehur me kujdes mes sendeve personale të udhëtarit, vlerësohet të ketë një vlerë tregu prej 36 milionë rupish mauritiane, apo rreth 647 mijë frangash zvicerane, shkruan 24 heures.
I dyshuari ishte tashmë nën mbikëqyrjen e autoriteteve dhe u ndalua menjëherë pas zbritjes nga aeroplani nga zyrtarët doganorë dhe pjesëtarët e njësisë lokale kundër drogës (ADSU).
Gjatë kontrollit të valixhes, autoritetet zbuluan sasinë e kanabisit, duke konfirmuar dyshimet e mëparshme dhe duke çuar në arrestimin e tij.
Pas arrestimit, policia organizoi një operacion për dorëzimin e kontrolluar të drogës, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personit që dyshohej se do ta pranonte atë në Mauritius, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, sipas raportimeve, marrësi i dyshuar nuk u paraqit në vendin e takimit të caktuar nga autoritetet.
Hetimet po vazhdojnë në aeroportin e Plaisance, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm, verifikimin nëse i arrestuari është pjesë e ndonjë organizate kriminale dhe zbardhjen e mënyrës se si droga ka arritur në ishull.
Duke marrë parasysh legjislacionin e rreptë të Mauritiusit dhe politikën e tolerancës zero ndaj narkotikëve, shtetasi zviceran rrezikon një dënim të rëndë.
Ndërkohë, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA), i kontaktuar nga mediat zvicerane, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të këtij rasti./Telegrafi/
Samiti i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, COP31, ka përfunduar pa një marrëveshje të përgjithshme, pasi Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera refuzuan propozimin përfundimtar, i cili nuk përmendte lëndët djegëse fosile.
Konferenca, e mbajtur në Antalya të Turqisë, u karakterizua nga mosmarrëveshje rreth përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit, që janë ndër shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.
Presidenti i COP31, Murat Kurum, konfirmoi dështimin e negociatave.
“E kuptoj se nuk ka marrëveshje për këtë tekst. Për këtë arsye, këto vendime nuk janë miratuar”, deklaroi ai.
Bashkimi Evropian kundërshtoi dokumentin, duke kërkuar angazhime të qarta për largimin gradual nga lëndët djegëse fosile.
“Ne nuk do të mbështesim një marrëveshje që nuk i përmend fare lëndët djegëse fosile”, deklaroi ministri irlandez për Klimën dhe Energjinë, Darragh O’Brien.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu zhgënjim të thellë, duke theksuar se interesat ekonomike nuk duhet të pengojnë përpjekjet për mbrojtjen e planetit.
Edhe ministri australian për Klimën, Chris Bowen, e cilësoi dështimin e negociatave si “shumë zhgënjyes”.
COP31 u bë konferenca më e gjatë për klimën në historinë e OKB-së, pasi diskutimet vazhduan dy ditë përtej afatit të paraparë, pa arritur një marrëveshje përfundimtare. /Telegrafi/
Një protestë kombëtare e organizuar nga tri sindikatat kryesore në Belgjikë pritet të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në transportin ajror dhe atë publik, më 23 nëntor.