Author: Momenti

  • Zbulohen bustet e Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit në Llapushnik

    Zbulohen bustet e Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit në Llapushnik

    Zbulohen bustet e Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit në Llapushnik

    Në Llapushnik të Drenasit janë zbuluar bustet e tri figurave të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare: Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit.

    Me këtë rast, sot është mbajtur një akademi përkujtimore, ku kanë marrë pjesë përfaqësues institucionalë, historianë, artistë dhe përfaqësues të familjes Jashari.

    Vendosja e tri busteve në Llapushnik vjen si nderim për kontributin dhe rëndësinë historike të këtyre figurave në historinë kombëtare shqiptare./Klankosova.tv

  • Vazhdon vaksinimi kundër gripit sezonal, mbi 25 mijë të vaksinuar

    Vazhdon vaksinimi kundër gripit sezonal, mbi 25 mijë të vaksinuar

    Mbi 25 mijë qytetarë nga kategoritë e rrezikuara janë vaksinuar kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, ndërsa rreth 77 mijë kishin shprehur interesim për imunizim. Procesi i vaksinimit po zhvillohet në kohën kur vendi ka hyrë zyrtarisht në sezonin e gripit.

    Sipas raportit më të ri të Institutit të Shëndetit Publik, rastet janë rritur për 37,5 për qind brenda një jave, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin ka arritur në 609.

    “Gjatë javës së 46-të, për herë të parë këtë sezon është tejkaluar pragu i aktivitetit jashtësezonal dhe është shënuar aktivitet i ulët sezonal i gripit në nivel kombëtar. Është arritur pragu epidemiologjik i hyrjes në sezonin e gripit. Krahasuar me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 6,7 për qind, ndërsa krahasuar me modelin e 16 sezoneve të fundit, rritja është 30,8 për qind”, – thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

    Me rritjen e rasteve, mjekët rikujtojnë rëndësinë e vaksinimit si një nga masat më efektive për parandalimin e komplikimeve nga gripi.

    Mjeku Sedat Lumani thekson se vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes.

    “Që mos vijë deri te kjo: fëmijët e vegjël, gratë shtatzënë dhe leonatët, njerëzit e gjeneratës së tretë të moshuarit mbi 60 vjet, njerëzit që lëngojnë prej sëmundjeve kronike siç është sistemi i frymëmarrjes, ato që janë me bronkite kronike me astmë, të gjithë që vuajnë prej sëmundjeve kardiovaskulare, është mirë të vaksinohen dhe këto vaksina për këtë popullatë i jep shteti falas, për shkak se komplikimet e njerëzve që s’kanë zhvilluar imunitet të mjaftueshëm, mund të jenë komplikime shumë më të mëdha” – u shpreh mjeku, Sedat Lumani.

    Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, deri në përfundim të raportit janë vaksinuar 25.458 persona nga kategoritë e rrezikuara. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara më 13 nëntor, rreth 77 mijë qytetarë kishin shprehur interesim për vaksinim.

    Procesi është përballur me vonesa në furnizim, ndërsa terminet janë hapur në përputhje me sasitë e vaksinave në dispozicion. Pavarësisht vështirësive në furnizim, mjekët theksojnë se vaksinimi mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen nga gripi. Ata paralajmërojnë se dezinformatat dhe pasiguria rreth vaksinave mund të ndikojnë në vendimin e qytetarëve për t’u imunizuar.
    “Njerëzit që e kanë marrë, e kanë parë hajrin t’i them vaksinës edhe janë të interesuar, derisa shumica e njerëzve të cilët komunikojnë me anë të mjeteve elektronike, për fat të keq tash me këtë inteligjencën artificiale, kanë drojë të madhe. Mirëpo, këto vaksina janë të përdëftuara, nuk janë vaksina sot për nesër, por janë me decenie ose me vite, përafërsisht janë të provuara edhe përdoren” – deklaroi mjeku, Sedat Lumani.

    Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar më 21 tetor dhe realizohet në qendrat e shëndetit publik dhe institucionet e tjera të përcaktuara shëndetësore. Sipas ISHP-së, gjatë javës së fundit janë regjistruar 154 raste të reja, më së shumti në Tetovë dhe Shkup.

    Megjithëse aktiviteti i gripit aktualisht vlerësohet i ulët, autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin në kohë, veçanërisht për kategoritë e rrezikuara, si dhe respektimin e masave të përgjithshme parandaluese.

  • Spalletti me fjalë të mëdha për Zhegrovën: Është futbollist i jashtëzakonshëm

    Spalletti me fjalë të mëdha për Zhegrovën: Është futbollist i jashtëzakonshëm

    Në ndeshjen ku u aktivizua për herë të parë këtë sezon si titullar dhe luajti gjatë të gjitha 90 minutave, Zhegrova tregoi cilësitë e tij, duke kontribuar në triumfin e skuadrës torineze.

    Spalletti nuk i kurseu elozhet për futbollistin kosovar, duke veçuar talentin, kreativitetin dhe aftësinë e tij për të krijuar raste të papritura.

    “Zhegrova është një futbollist i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë realizon gjëra që as vetë nuk do të mund t’i shpjegonte se si i ka bërë. Ai shfaq momente gjenialiteti dhe zotëron një goditje vdekjeprurëse, të cilat bëjnë vërtet diferencën”, deklaroi Spalletti.

    Megjithatë, trajneri italian theksoi se reprezentuesi i Kosovës duhet të përmirësohet edhe në disa aspekte të lojës, veçanërisht në pozicionim dhe në menaxhimin e topit.

    “Ka edhe ulje-ngritje, momente kur nuk pozicionohet siç duhet, zhvendoset drejt qendrës dhe përfundon duke e humbur topin”, shtoi ai.

    Pavarësisht këtyre vërejtjeve, fjalët e Spallettit tregojnë vlerësimin e madh për potencialin dhe cilësitë individuale të Zhegrovës.

    Burimi: RTKLive

  • Gashi: Pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti ende na shet varfërinë si kënaqësi

    Gashi: Pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti ende na shet varfërinë si kënaqësi

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për dështime në arsim dhe drejtësi, si dhe për mungesë të perspektivës për qytetarët.

    Burimi: Dukagjini

  • Aksion në në Bjeshkët e Nemuna kundër garave off-road, paralajmërohen gjoba

    Aksion në në Bjeshkët e Nemuna kundër garave off-road, paralajmërohen gjoba

    Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka paralajmëruar kontrolle dhe masa ligjore ndaj personave që qarkullojnë me automjete off-road dhe motoçikleta jashtë rrugëve të lejuara në zonat natyrore.

    Përmes një aktiviteti të zhvilluar të dielën në zonën e Moknës, Inspektorati i Natyrës, në bashkëpunim me rojet e natyrës të DAPK-së, ka zhvilluar një aksion vetëdijesues për personat që frekuentojnë këtë zonë me mjete motorike.

    Sipas njoftimit, Mokna, si zonë e propozuar për mbrojtje, ka vlera të rëndësishme natyrore dhe peizazhore, të cilat rrezikohen nga lëvizja e pakontrolluar e automjeteve jashtë rrugëve të lejuara.

    DAPK-ja ka theksuar se qarkullimi i tillë shkakton dëme në peizazhin natyror, mbulesën bimore, tokën dhe qetësinë e habitateve natyrore.

    Drejtoria ka bërë të ditur se thirrja për respektimin e rregullave vlen për të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e jo vetëm për zonën e Moknës.

    Po ashtu, u është bërë thirrje qytetarëve dhe adhuruesve të aktiviteteve motorike që të mos qarkullojnë jashtë rrugëve të lejuara dhe të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit.

    “Kontrollet dhe mbikëqyrja në terren do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave”, thuhet në njoftim.

    “Natyra nuk është pistë garash! Mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar DAPK-ja.

  • Gjilan: U shtir se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro përmes “GoFundMe”, arrestohet i dyshuari

    Gjilan: U shtir se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro përmes “GoFundMe”, arrestohet i dyshuari

    Gjilan: U shtir se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro përmes “GoFundMe”, arrestohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka vënë në pranga një person me inicialet E.A., i dyshuar për veprën penale të mashtrimit, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari E.A. dyshohet se që nga 9 nëntori i këtij viti kishte sajuar një histori të rreme, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e rëndë e “Leukemisë Akute”, me të vetmin qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.

    Përmes një fushate të hapur në platformën online “GoFundMe”, ai u kishte bërë thirrje për ndihmë financiare qytetarëve në Kosovë dhe bashkatdhetarëve në diasporë, kinse paratë i nevojiteshin urgjentisht për trajtim dhe rehabilitim mjekësor.

    Nga ky mashtrim, i dyshuari kishte arritur të grumbullonte shumën marramendëse prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Mirëpo, pas verifikimeve të hollësishme të historikut të tij shëndetësor, u zbulua se ai nuk vuante fare nga sëmundja që pretendonte.

    Pas pranimit të informacioneve të para, organet e rendit dhe hetuesisë kanë vepruar me shpejtësi, duke bllokuar menjëherë të gjitha mjetet financiare të grumbulluara në llogaritë bankare të identifikuara që lidhen me këtë rast.

    I dyshuari fillimisht ishte shpallur në kërkim policor, ndërsa mbrëmjen e 21 nëntorit 2026, rreth orës 22:00, Policia e Kosovës ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë atë.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, E.A. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • “Gjeni, ka të majtë shkatërruese”- Spalletti me lavdata të mëdha për Zhegrovën

    “Gjeni, ka të majtë shkatërruese”- Spalletti me lavdata të mëdha për Zhegrovën

    “Gjeni, ka të majtë shkatërruese”- Spalletti me lavdata të mëdha për Zhegrovën

    Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar aftësitë individuale të Edon Zhegrovës, pas fitores 4-0 të skuadrës së tij ndaj Venezias, në ndeshjen e zhvilluar të dielën.

    Futbollisti i Kosovës ishte njëri prej protagonistëve të takimit, duke asistuar në golin e tretë të Juventusit, të cilin e realizoi Juan Cabal me kokë.

    Pas përfundimit të ndeshjes, Spalletti foli për Zhegrovën në një intervistë për DAZN, duke e cilësuar atë si futbollist të jashtëzakonshëm, me aftësi për të krijuar raste edhe në situata kur duket se nuk ka hapësirë.

    “Zhegrova është futbollist i jashtëzakonshëm. Bën gjëra që ndonjëherë as vetë nuk di t’i shpjegojë. Ka gjenialitet në lojën e tij dhe këmba e majtë e tij është shumë e fuqishme. Kur duket se gjithçka është e mbyllur, ai shpik diçka që nuk gjendet në asnjë skemë taktike”, deklaroi Spalletti.

    Megjithatë, trajneri italian nuk i la pa përmendur edhe mangësitë në lojën e përfaqësuesit kosovar. Ai tha se Zhegrova ka momente kur nuk pozicionohet siç duhet dhe humb topa që mund t’i kushtojnë skuadrës me kundërsulme.

    “Ka momente kur humb përqendrimin, nuk e gjen pozicionin dhe humb topa që na kushtojnë me kundërsulme. Është thelbësore që të gjejë vazhdimësi në raportin me skuadrën. Duhet vazhdimësi, sepse nuk mjaftojnë vetëm disa momente shkëlqimi”, u shpreh trajneri i Juventusit.

    Deklaratat e Spallettit u transmetuan pas fitores ndaj Venezias, në një ndeshje ku Zhegrova kontribuoi me asistimin për golin e tretë të skuadrës së tij. /Insajderi.org/

    Burimi: Insajderi

  • Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi

    Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi

    Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi

    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për dështime në qeverisje dhe për ulje të pritjeve të qytetarëve.

    Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka thënë se pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti vazhdon ta paraqesë varfërinë si kënaqësi, ndërsa largimin e qytetarëve nga vendi si pakënaqësi me fqinjët.

    “Pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti ende na shet varfërinë si kënaqësi, ikjen e qytetarëve si pakënaqësi me fqinjët, ndërsa dështimet në arsim e drejtësi si probleme të trashëguara”.

    Ai ka kritikuar gjithashtu qeverisjen në fushën e arsimit dhe drejtësisë, duke thënë se dështimet në këto sektorë po arsyetohen si probleme të trashëguara.

    Gashi ka veçuar edhe një deklaratë të Kurtit: “Për ata që kanë pak, kur marrin pak, është shumë”.

    Sipas deputetit të LDK-së, ky është mentalitet i një pushteti që, në vend se t’i nxjerrë qytetarët nga varfëria, synon t’i mësojë ata të jetojnë me të.

    “Kur nuk di çfarë t’u ofrosh qytetarëve, fillon t’ua ulësh pritjet!”, ka shkruar Gashi në reagimin e tij./Klankosova.tv

  • Nga pastrimi i tualeteve te fitimet prej 50 mijë euro në muaj, historia e sportistes Erika White

    Nga pastrimi i tualeteve te fitimet prej 50 mijë euro në muaj, historia e sportistes Erika White

    Erika White, një surfiste nga Kornuolli i Anglisë, ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të financuar pasionin e saj për surfingun. Ajo pretendon se sot fiton deri në 50 mijë euro në muaj përmes krijimit të përmbajtjeve në platformën OnlyFans, pas një të kaluare në të cilën mezi arrinte të siguronte të ardhurat e nevojshme për jetesë.

    Para se të bëhej e njohur në rrjetet sociale dhe në platformën për përmbajtje për të rritur, White kishte punuar edhe duke pastruar tualete.

    Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar një karrierë në surfing, të ardhurat nga ky sport nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e saj.

    Ajo kishte arritur të siguronte disa marrëveshje sponsorizimi, pajisje sportive falas dhe bashkëpunime me marka të ndryshme, por këto përfitime nuk i mundësonin një jetë financiarisht të qëndrueshme. Për këtë arsye, vendosi të provonte një rrugë tjetër, duke iu bashkuar OnlyFans, vendim që, sipas saj, i ndryshoi të ardhurat dhe mënyrën e jetesës.

    “Brenda tetë muajsh, fitimet e mia u rritën nga rreth 5 mijë në 50 mijë euro në muaj. Tani ndoshta fitoj më shumë se surfistet profesioniste dhe mund të surfoj, të udhëtoj dhe të bëj atë që dua”, ka treguar White.

    Kërkesa e pazakontë e abonentëve

    Një nga aspektet më interesante të punës së saj të re është kërkesa e disa abonentëve për ta parë me veshje specifike të surfingut. Sipas White, disa prej tyre paguajnë posaçërisht për përmbajtje ku ajo shfaqet me kostume surfi prej neopreni.

    “Disa prej tyre paguajnë vetëm për të më parë me kostum surfi. Më thonë të mos e heq, sepse u pëlqen neopreni i ngushtë”, ka rrëfyer ajo.

    White ka treguar se disa abonentë preferojnë veçanërisht veshjet që përdoren gjatë dimrit, kur surferet mbrohen nga temperaturat e ulëta përmes kostumeve të trasha, dorezave, çizmeve dhe kapuçëve. Në këtë mënyrë, pajisjet sportive që dikur e kishte të vështirë t’i përballonte financiarisht, janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të përmbajtjeve që i sigurojnë të ardhura.

    Aktualisht, ajo jeton pranë Gjirit Byron në Australi, ku mund të vazhdojë të merret me surfing dhe të udhëtojë pa pasur të njëjtat shqetësime financiare si më parë.

    Vendimi pati edhe pasoja në karrierën sportive

    Megjithatë, kalimi në këtë industri nuk ka qenë pa pasoja. Disa prej sponsorëve të saj në botën e surfingut ndërprenë bashkëpunimin pasi mësuan se White kishte filluar të krijonte profesionalisht përmbajtje për të rritur.

    Ajo beson se komuniteti i surfingut ende e ka të vështirë të pranojë gratë që zgjedhin këtë lloj karriere, duke theksuar se sportistet nuk duhet të varen vetëm nga sponsorët për të financuar pasionin e tyre.

    Për White, kjo zgjedhje i ka dhënë pavarësi financiare dhe mundësinë për të vazhduar të bëjë atë që e ka dashur gjithmonë: të udhëtojë dhe të merret me surfing. /Telegrafi/

  • “A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

    “A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

    “A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

    Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar masat e Qeverisë për përballimin e krizës dhe kanë ngritur pikëpyetje për vendimet që pritet të marrë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Deputetë të LDK-së dhe AAK-së kanë ngritur shqetësime për masat e ndërmarra për përballimin e krizës energjetike, ndërsa kanë kërkuar sqarime edhe për çështjen e licencës së kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin Vuk Hamoviq, shkruan Reporteri.net

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka drejtuar një pyetje publike ZRRE-së lidhur me mundësinë e rilicencimit të kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin serb Vuk Hamoviq.

    Bajrami ka rikujtuar se më 23 tetor 2026, në rendin e ditës së mbledhjes së Bordit të ZRRE-së ishte përfshirë edhe vazhdimi i licencës së EFT-së, por vendimmarrja për këtë çështje ishte shtyrë.

    Ajo ka theksuar se më 16 nëntor Qeveria mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, prandaj kërkon nga ZRRE-ja të sqarojë nëse rilicencimi i EFT-së është ende në agjendë.

    “ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka shkruar Bajrami, shkruan Reporteri.net.

    Ndërsa, deputetja tjetër e LDK-së, Janina Ymeri ka kritikuar masat emergjente të Qeverisë për furnizimin me energji elektrike, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e tyre në kapacitetin e përgjithshëm energjetik.

    Sipas saj, blloku B1 i Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit, ka kapacitet neto prej 264 megavatësh, ndërsa kapaciteti neto i hidrocentralit të Ujmanit është 35 megavatë.

    Duke u bazuar në këto shifra, Ymeri ka thënë se kapaciteti i Ujmanit është 7.5 herë më i vogël sesa ai i bllokut B1.

    “Praktikisht, masat qeveritare për nga kapaciteti janë pa efekt”, ka shkruar ajo.

    Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar lidhur me krizën energjetike, duke e cilësuar atë si dëshmi të mungesës së punës së Qeverisë.

    Ai ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve dhe problemet në sektorë të ndryshëm, duke përmendur arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe largimin e qytetarëve nga vendi.

    Sipas tij, situata me energjinë elektrike është një tjetër dëshmi e mungesës së planifikimit dhe investimeve për zhvillimin e vendit.

    “Kriza e rrymës është dëshmia më e qartë e mospunës së Qeverisë”, ka shkruar Ramadani.

    Ai ka kritikuar gjithashtu, nepotizmin në institucione dhe mungesën e një plani për investime dhe zhvillim.

    Çfarë parasheh gjendja emergjente në energji, masat që do të zbatohen për 60 ditë

    Pas miratimit nga Kuvendi të masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, Kosova do të hyjë në një periudhë 60-ditore të zbatimit të masave të veçanta, që synojnë menaxhimin e situatës në sektorin energjetik dhe sigurimin e furnizimit për konsumatorët.

    Vendimi i Qeverisë, i miratuar nga Kuvendi pas mesnatës me 61 vota, parasheh disa obligime konkrete për ndërmarrjet dhe institucionet publike, ndërsa një rol të rëndësishëm në këtë periudhë do ta ketë edhe hidrocentrali i Ujmanit.

    Ujmani do të prodhojë energji kur kërkesa është më e lartë

    Njëra nga masat kryesore është obligimi për ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” që të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

    Prodhimi do të bëhet sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili do të përcaktojë kohën kur energjia nga Ujmani duhet të prodhohet.

    Sipas vendimit, KOSTT-i do të obligohet ta udhëzojë ndërmarrjen që të prodhojë energji, aq sa lejojnë mundësitë teknike, gjatë orëve të pikut, kur konsumi është më i lartë.

    Prodhimi mund të kërkohet edhe në periudha të tjera, kur energjia nga Ujmani ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur është e nevojshme për sigurinë e furnizimit.

    Për energjinë e prodhuar, “Ibër-Lepenci” do të kompensohet nga Furnizuesi për Shërbim Universal, sipas çmimit referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Institucionet publike obligohen të kursejnë rrymën

    Një tjetër masë që parasheh vendimi është obligimi për të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.

    Kjo nënkupton se institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin veprime për ta reduktuar konsumin e energjisë gjatë kësaj periudhe.

    Megjithatë, në vendimin e miratuar nuk përcaktohet një përqindje konkrete e kursimit apo një orar i detyrueshëm për kufizimin e konsumit.

    Komitet emergjent për ta përcjellë situatën

    Në kuadër të masave do të themelohet edhe Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të krijohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.

    Ky komitet do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë për menaxhimin e situatës në furnizimin me energji elektrike, përfshirë edhe vendosjen e kushteve të veçanta komerciale.

    Po ashtu, do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të sigurisë së furnizimit dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë.

    Raportimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve për prodhimin e energjisë, furnizimin, kërkesën për energji elektrike dhe gjendjen e rrjetit në vend.

    Qeveria mund të ndërmarrë edhe masa të tjera

    Vendimi parasheh gjithashtu mundësinë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të tjera të veçanta, varësisht nga nevojat që mund të paraqiten gjatë periudhës emergjente.

    Kjo do të thotë se masat aktuale nuk janë domosdoshmërisht të vetmet që mund të zbatohen, pasi Komiteti Teknik Emergjent mund të propozojë veprime shtesë për përballimin e situatës.

    Megjithatë, vendimi aktual nuk parasheh shprehimisht reduktime të detyrueshme të energjisë për amvisëritë apo biznese, por përqendrohet në shtimin dhe menaxhimin e prodhimit vendor, kursimin në institucionet publike dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit.

    Pse u shpallën masat emergjente?

    Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

    Ndër ta është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx), projekt ky i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian.

    Qeveria ka theksuar se vonesat në këtë projekt dhe paqartësitë rreth rikthimit të njësisë në funksion kanë rritur rrezikun për furnizimin gjatë sezonit dimëror.

    Një tjetër problem i përmendur është bllokimi nga Serbia i funksionalizimit komercial të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, çka sipas Qeverisë kufizon mundësitë e importit të energjisë elektrike dhe ndikon në rritjen e kostove.

    Në vendim përmenden edhe çmimet e larta të importit, të ndikuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

    Masat emergjente do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të tjera në varësi të zhvillimit të situatës.

    Burimi: Insajderi