Author: Momenti

  • Zjarr në një banesë në Ferizaj, evakuohen banorët - lëndohet një zjarrfikës

    Zjarr në një banesë në Ferizaj, evakuohen banorët – lëndohet një zjarrfikës

    Një zjarr ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së dielës në një kompleks banesor në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj, ku si pasojë janë evakuuar banorët, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar lëndime.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, zjarri ka përfshirë një banesë në katin e katërt të ndërtesës.

    Policia është njoftuar për rastin rreth orës 02:58, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës.

    Për shkak të rrezikut, ekipet emergjente kanë bërë evakuimin e banorëve nga hyrja dhe ndërtesa, derisa janë ndërmarrë veprimet për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

    Zjarri është shuar plotësisht rreth orës 05:15, pas së cilës banorëve u është lejuar të kthehen në banesat e tyre.

    Nga ky incident janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar djegie në dorë gjatë intervenimit. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar në mesin e banorëve.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.

    Me udhëzimin e prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Incident zjarri”, ndërsa vendi i ngjarjes do të mbetet nën mbikëqyrjen e Policisë deri në përfundimin e ekzaminimit forenzik. /Telegrafi/

  • Ermal Sadiku: Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë

    Ermal Sadiku: Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë

    Ermal Sadiku: Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën me furnizimin me energji elektrike, duke e cilësuar atë si dështim të rëndë qeverisës.

    Sadiku, në një postim, ka rikujtuar deklaratat e mëhershme të Kurtit për energjinë, ndërsa ka përmendur shpenzimet për import, investimet në riparimin e termocentraleve dhe subvencionet, për të cilat thotë se nuk kanë sjellë rezultatet e premtuara.

    “‘Po flejna mbi qymyr’, thojke.

    ‘Rryma ka me u liru kur të vijmë në pushtet’, thojke.

    1.1 miliard euro i kanë shpenzu për import të rrymës. E hala po blejnë.

    Qindra miliona euro thonë se i kanë investu në riparime të termocentraleve.

    Qindra miliona të tjera në subvencione e grante.

    E pas krejt këtyne miliardave, ku jemi sot?”, ka shkruar Sadiku.

    Ai ka renditur, sipas tij, problemet me të cilat po përballet sektori energjetik, duke përmendur masat emergjente, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e investimeve në kapacitete të reja prodhuese.

    “Me masa emergjente në energji.

    Me ndërprerje të rrymës.

    Me termocentrale që bien vazhdimisht prej sistemit.

    Pa investime serioze në kapacitete të reja prodhuese.

    Pa strategji të qartë. Pa vizion energjetik.

    Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë”, ka deklaruar ai.

    Sadiku ka vlerësuar se situata aktuale nuk është vetëm paaftësi, por, sipas tij, dështim i rëndë i qeverisjes.

    “Kjo nuk është veç paaftësi. Kjo është dështim i rëndë qeverisës.

    E më e keqja është që, pas krejt këne dështimeve, ende dalin e na mbajnë ligjërata për sukseset e tyre.

    Kërkoni more falje këtij populli!”, ka përfunduar Sadiku.

    Burimi: Insajderi

  • Zhegrova dhuron asistim të bukur për golin e tretë të Juventusit ndaj Venezias

    Zhegrova dhuron asistim të bukur për golin e tretë të Juventusit ndaj Venezias

    Edon Zhegrova po zhvillon një paraqitje pozitive në ndeshjen ndaj Venezias, duke regjistruar një asistim të bukur për golin e tretë të Juventusit.

    Në minutën e 65-të, futbollisti kosovar harkoi në mënyrë perfekte në zonë, ku Juan Cabal u shkëput bukur dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3-0.

    Harkimi i Zhegrovës ishte i saktë dhe i kalibruar në mënyrë të përkryer, duke ia mundësuar bashkëlojtarit të tij realizimin e golit me kokë.

    Juventusi kishte kaluar në epërsi në minutën e 53-të me Nick Woltemade, ndërsa Teun Koopmeiners e kishte dyfishuar rezultatin në minutën e 59-të, pas një aksioni të bukur të nisur nga sulmuesi gjerman.

    Kjo është ndeshja e parë këtë sezon që Zhegrova e nis nga minuta e parë me Juventusin. Trajneri Luciano Spalletti i ka besuar kosovarit një vend në formacionin startues dhe ai po ia shpërblen këtë besim me paraqitjen e tij.

    Ndeshja është ende në zhvillim e sipër. /Telegrafi/

  • Robert De Niro konfirmon se Jennifer Lawrence e përzuri nga darka e dasmës: Ishte një përvojë interesante

    Robert De Niro konfirmon se Jennifer Lawrence e përzuri nga darka e dasmës: Ishte një përvojë interesante

    Robert De Niro ka konfirmuar historinë e Jennifer Lawrence, e cila i kishte kërkuar të largohej nga darka e provës së dasmës së saj në vitin 2019, pasi mendonte se aktori nuk po ndihej rehat mes të ftuarve.

    Rrëfimi u rikthye gjatë një testi të detektorit të gënjeshtrave për revistën Vanity Fair, ku De Niro ishte përballë kolegëve të tij Ben Stiller dhe Ariana Grande, në kuadër të promovimit të filmit “Focker-in-Law”.

    Kur Ariana Grande e pyeti nëse Jennifer i kishte kërkuar vërtet të largohej nga festa, aktori 83-vjeçar u përgjigj me po. Ai sqaroi se nuk ishte aspak i pakënaqur, por thjesht nuk njihte askënd në atë ambient, shkruan DailyMail.

    “Ishte një përvojë interesante, por atje nuk kishte askënd që njihja. Nuk njihja askënd”, tregoi De Niro, duke shtuar se festa zhvillohej në një rezidencë madhështore në Upper East Side, të kthyer në muze.

    Aktori theksoi se e kishte vlerësuar gjestin e Lawrence, pasi ajo ishte treguar e kujdesshme dhe kishte dashur që ai të ndihej mirë. “Ishte mirë që Jennifer po tregohej shumë e ndjeshme ndaj situatës sime. Por unë isha mirë”, u shpreh ai.

    Jennifer Lawrence, e cila u martua me Cooke Maroney në tetor 2019, kishte treguar më herët se organizimi i dasmës ishte mjaft stresues për të, pasi shqetësohej që të gjithë të ftuarit të ndiheshin rehat.

    Ajo kishte vënë re De Niron duke qëndruar i vetëm mes njerëzve që nuk njihte dhe i kishte pëshpëritur: “Shko në shtëpi”. Aktori e kishte pranuar me mirësjellje sugjerimin dhe ishte larguar, duke e bërë aktoren të ndihej më e qetë.

    Dy aktorët kanë ndarë ekranin në tre filma, “Silver Linings Playbook”, “American Hustle” dhe “Joy”, duke ruajtur ndër vite një marrëdhënie të afërt miqësore. /Telegrafi/

  • Arta Bajrami befason me deklaratën: Dafina Zeqirin e kam rivale …

    Arta Bajrami befason me deklaratën: Dafina Zeqirin e kam rivale …

    Arta Bajrami befason me deklaratën: Dafina Zeqirin e kam rivale …

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Live me Luizin”, ku ka folur për karrierën e saj muzikore dhe zhvillimet ndër vite në estradën shqiptare.

    Gjatë bisedës, interpretuesja e hitit “Asnjë Milimetër” ka ndarë mendimet e saj edhe për rikthimin e këngëve të vjetra në vëmendjen e publikut, falë rrjeteve sociale.

    Ajo ka folur për mënyrën se si disa prej hiteve të saj, të cilat dikur ishin ndër këngët më të dëgjuara të estradës, po përjetojnë një tjetër valë popullariteti pas shumë vitesh, veçanërisht përmes platformës TikTok.

    Një nga momentet më interesante të intervistës erdhi gjatë rubrikës së pyetjeve me zarfe, ku moderatori Luiz Ejlli e pyeti këngëtaren nga Prishtina se cilën artiste e konsideron si rivalen e saj në muzikë.

    Përgjigjja e Artës ishte disi befasuese, pasi ajo përmendi emrin e Dafina Zeqirit.

    “Mendoj që stilin e muzikës e kam pak më ndryshe, sepse janë disa këngëtare që bëjnë një lloj muzike dhe aty mund të jenë rivale të ndryshme. Unë nuk e di kë mund ta kem rival të stilit tim? Mundem me thënë që Dafina është pak më afër”, u shpreh Bajrami.

    Burimi: Insajderi

  • Malen barazon një rekord 66-vjeçar te Roma, lë pas Kane, Raphinha dhe Mbappé

    Malen barazon një rekord 66-vjeçar te Roma, lë pas Kane, Raphinha dhe Mbappé

    Malen barazon një rekord 66-vjeçar te Roma, lë pas Kane, Raphinha dhe Mbappé

    Futbollisti Donyell Malen po kalon një formë të jashtëzakonshme me fanellën e Romës.

    Sulmuesi holandez ka barazuar një rekord 66-vjeçar të klubit italian, pasi dy golat e realizuar në fitoren 5-1 ndaj Parmës e çuan në kuotën e 26 golave në Serie A ,gjatë vitit kalendarik 2026.

    Me këtë shifër, Malen renditet përpara disa prej sulmuesve më të njohur të futbollit evropian sa i përket golave në kampionatet vendore gjatë këtij viti.

    Harry Kane dhe Raphinha kanë realizuar nga 21 gola në kampionatet përkatëse, ndërsa Kylian Mbappé numëron 19 gola në La Liga. Kështu, Malen po lë gjurmë me Romën, duke hyrë në historinë e klubit kryeqytetas.

  • Fuego e Zoja ia thonë troç Sharrit: Anjeza po t'shfrytëzon (VIDEO)

    Fuego e Zoja ia thonë troç Sharrit: Anjeza po t’shfrytëzon (VIDEO)

    Fuego e Zoja ia thonë troç Sharrit: Anjeza po t'shfrytëzon (VIDEO)

    Fuego dhe Zoja kanë qenë në qendër të vëmendjes në edicionin e Big Brother VIP Kosova 5.

    Ata janë bërë shpesh pjesë e shumë diskutimeve e debateve të nxehta brenda shtëpisë më të famshme në vend.

    Së fundmi, ata janë bërë të një diskutimi me Sharrin, me ç’rast atij ia kanë thënë një gjë troç.

    “Anjeza po t’shfrytëzon”, ka qenë komenti i tyre gjatë këtij diskutimi.

    Pamjet e plota i gjeni në videon e mëposhtme:

  • ​“Prishtina Parking" rikthehet me çmime më të larta, qytetarët kundërshtojnë rritjen e tarifave

    ​“Prishtina Parking” rikthehet me çmime më të larta, qytetarët kundërshtojnë rritjen e tarifave

    Rikthimi i ndërmarrjes “Prishtina Parking” në kryeqytet pritet të bëhet me rregulla të reja për menaxhimin e hapësirave publike të parkimit, pas miratimit të Rregullores së re në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Rregullorja parasheh ndryshime në organizimin dhe menaxhimin e parkingjeve, mënyrën e pagesës dhe trajtimin e banorëve rezidentë.

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, thekson se rregullorja e re është hartuar pas vendimit të Gjykatës Supreme, me të cilin ishin evidentuar dispozita që binin ndesh me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas Retkocerit, banorët rezidentë do të kenë një taksë vjetore, ndërsa për qytetarët e tjerë do të aplikohen tarifa sipas zonave dhe kohës së parkimit.

    “Drejtoria e Shërbimeve Publike ka dërguar në Kuvend votimin e draft-rregullores për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet. Kjo rregullore ka kaluar në Kuvendin Komunal dhe ka ardhur si arsye e vendimit të Gjykatës Supreme, i cili është marrë në gusht të vitit 2025, për shkak të ligjshmërisë, pasi rregullorja ka rënë ndesh me disa dispozita ligjore në fuqi dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ka taksë dhe tarifë. Qytetarët që janë banorë rezidentë do të kenë një taksë vjetore, ndërsa do të jenë të liruar dhe pa pagesë të tarifave. Ndërsa për qytetarët të cilët parkohen në zona të caktuara me kohë, me biletë njëorëshe, për ta do të ketë tarifë. Kjo tarifë është vendosur në bazë të kërkesës së ndërmarrjes dhe kushteve të cilat janë analizuar nga komisioni, të cilat janë dërguar si propozime në Kuvend dhe Kuvendi i ka miratuar si të tilla”, deklaron ai.

    Ai ka bërë të ditur se kërkesa fillestare e ndërmarrjes kishte qenë për rritje prej 100 për qind të taksave, por komisioni kishte aprovuar rritje rreth 40 për qind.

    Sipas tij, një nga risitë e rregullores është se “Prishtina Parking” nuk do të ketë më kompetencë të vendosë gjoba. Këtë do ta bëjnë Inspektorati dhe Policia e Kosovës, varësisht nga shkeljet. Përparësi do të kenë banorët rezidentë, të cilët do të lirohen nga tarifa për veturën e parë.

    “Kërkesa ka qenë që të ketë 100% rritje të taksave. Ajo është aprovuar diku në masën 40% nga komisioni, e cila pastaj është bërë sigurisht pas një analize, duke marrë parasysh edhe inflacionin që është duke mbizotëruar dhe kërkesën që të ketë më shumë investime për mirëmenaxhimin e hapësirave publike, gjithashtu edhe të parkingjeve.”Prishtina Parking” më nuk do të vendosë gjoba dhe kjo është risia tjetër që parashihet me rregullore. Ato i bën Inspektorati dhe Policia e Kosovës, varësisht prej shkeljeve. Me këtë rregullore kanë prioritet dhe përparësi banorët rezidentë, të cilët do ta kenë pa pagesë tarifën e cila është e ngarkuar për veturën e parë, ndërsa për veturën e dytë sigurisht do të ketë taksë dhe tarifë, sepse është e pamundur që të gjitha veturave t’u sigurohet hapësirë, më shumë se një veturë për familje apo për njësi banesore, në hapësirat të cilat janë momentalisht në kryeqytet”, thotë ai.

    Megjithatë, rikthimi i ndërmarrjes dhe ndryshimi i tarifave nuk po priten njësoj nga qytetarët. Disa prej tyre shprehin pakënaqësi për gjendjen e parkingjeve, mungesën e hapësirave dhe pagesat, për të cilat thonë se nuk përcillen me investime të mjaftueshme në infrastrukturë.

    Raif Ibrahimi thotë se rikthimi i “Prishtina Parking” nuk është zgjidhje e mirë, duke iu referuar gjendjes së parkingjeve në kryeqytet.

    “Mendoj që nuk është punë e mirë rikthimi i tyre (Prishtina Parkingut), për shkak se ata nuk po bëjnë investime, ata veç po marrin para kot pa bërë asnjë investim. Shikojeni gjendjen e këtij parkingu këtu, gropa prej fillimit deri në fund të parkingut, dëmtimi i gomave të kerrit. Duhet me notuar për me shkuar deri te kerri, kështu që nuk po mendoj që është punë e mirë…Në bazë të kësaj që po shihet, s’ka nevojë as me rritë çmimin, as me marrë para hiç.”, theksoi Ibrahimi.

    Edhe Fidaim Konjuhi kundërshton shtrenjtimin e tarifave, duke thënë se qytetarët paguajnë për parkim, por nuk e kanë të garantuar gjetjen e një vendparkimi.

    “Për shtrenjtimin që e kish bërë, për pagesën boll keq. S’jemi të pajtimit asnjëri për këtë punë…E paguan parkingun edhe nuk e ke parkingun të siguruar. Endesh, endesh gjysmë ore, një orë dhe nuk ka parking…”Prishtina Parkingu” le të hiqet krejt, le të mbyllet, çka po na duhet? Ashtu kështu nuk na sigurojnë parkingun për kerr, pagesën po e bëjmë, atëherë s’ka nevojë hiç, pse me ia bërë pagesën?”

    Ndërkaq, qytetari Yll Vuthi thotë se ndërmarrja duhet të rikthehet me çmimet e mëparshme, pasi banorët rezidentë përballen me mungesë të hapësirave për parkim në lagjet e tyre.

    “Sa i përket Prishtina Parkingut, mendoj që nëse kthehet prapë, duhet të kthehet me çmimet që ka qenë, jo më të shtrenjta, për shkak se është bërë shumë ngarkesë e madhe e veturave nëpër lagje dhe ne si banorë rezidentë nuk kemi mundësi ku me parku veturën. Prandaj duhet me kqyrë me ba një zgjidhje sa më të mirë, edhe ne si banorë rezidentë, edhe kur shkojmë në ndonjë lagje tjetër, të paguajmë me një çmim më të arsyeshëm.”

    KosovaPress ka kontaktuar ndërmarrjen “Prishtina Parking”, nga ku kanë bërë të ditur se rregullorja është miratuar në Kuvendin Komunal, por është ende në pritje të miratimit nga ministria përkatëse. /KP/

  • Në prag të 28 Nëntorit, flamuri kuqezi ngrihet në zemër të New Yorkut

    Në prag të 28 Nëntorit, flamuri kuqezi ngrihet në zemër të New Yorkut

    Në prag të 28 Nëntorit, flamuri kuqezi ngrihet në zemër të New Yorkut

    Qyteti i Yonkers në New York do të organizojë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar, në nder të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe trashëgimisë së tij kombëtare, në prag të festës së 28 Nëntorit.

    Ceremonia do të mbahet të hënën, më 23 nëntor 2026, nga ora 16:00 sipas kohës lokale, në Washington Park – Middle Grounds, pranë ndërtesës së Bashkisë së Yonkers, në anën e South Broadway.

    Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të qytetit në Facebook, ku kryetari Mike Spano dhe autoritetet lokale kanë ftuar pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që të marrin pjesë në këtë ngjarje.

    “Bashkohuni me kryetarin Mike Spano dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, thuhet në ftesën e publikuar nga autoritetet e qytetit.

    Ngjarja do të mbahet pesë ditë para 28 Nëntorit, datës që shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe që festohet nga shqiptarët në mbarë botën.

    Ngritja e flamurit kuqezi në një hapësirë publike të qytetit amerikan ka karakter simbolik për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vënë në pah identitetin kombëtar, kulturën dhe lidhjet me vendin e origjinës.

    Përmes kësaj ceremonie synohet të bashkohen shqiptarët që jetojnë në Yonkers dhe zonat përreth, në shenjë të festimit të një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Haxhiu: Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon

    Haxhiu: Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare dhe mërgata arritën marrëveshjen për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.

    Ajo ka theksuar se rilindësit, pavarësisht dallimeve, vendosën gjuhën dhe interesin kombëtar mbi çdo ndarje.

    “Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon, dhe mësuesit janë ata që me punën e tyre e mbajnë gjallë dhe e përcjellin ndër breza”, ka shkruar Haxhiu.

    Në fund, ajo ka uruar të gjithë mësuesit për punën dhe kontributin e tyre.

    Burimi: RTKLive