Author: Momenti

  • Nisin punimet për rregullimin e unazës së brendshme të Skenderajt

    Nisin punimet për rregullimin e unazës së brendshme të Skenderajt

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se kanë nisur punimet për rregullimin e rrugës që shërben si unazë e brendshme e qytetit, e cila lidh rrugën “28 Nëntori” me rrugën “Fadil Rrustemi”, në dalje te Parku “Idriz Rrecaj”.

    Sipas Lushtakut, ky segment rrugor ka rëndësi për qarkullimin në qytet, pasi pritet të lehtësojë trafikun dhe të përmirësojë lidhjen ndërmjet pjesëve të Skenderajt.

    Ai ka theksuar se ky projekt është një hap drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe kushteve për qytetarët. /Telegrafi/

  • Akrepat kthehen prapa të dielën - pse disa vende nuk e ndryshojnë më orën?

    Akrepat kthehen prapa të dielën – pse disa vende nuk e ndryshojnë më orën?

    Ora dimërore në Kosovë fillon natën mes së shtunës, 24 tetor, dhe së dielës, 25 tetor, kur akrepat e orës në orën 03:00 do të kthehen në 02:00.

    Kështu, Kosova, sikurse çdo vit, ndjek orarin e Bashkimit Evropian. Të njëjtën gjë bëjnë edhe të gjitha vendet e rajonit Kroacia dhe Sllovenia, si anëtare të BE-së, si dhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.

    Këtë të diel, orën do ta ndryshojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe Norvegjia dhe Zvicra. Ndryshimi do të bëhet edhe në Moldavi dhe Ukrainë, me përjashtim të disa zonave në lindje dhe Krimesë, sipas faqes timeanddate.com.

    Në Evropë janë të pakta vendet që nuk e ndryshojnë orën. Islanda e mban gjatë gjithë vitit orën UTC+0, ndërsa Bjellorusia kaloi në vitin 2011 në UTC+3 për tërë vitin. Rusia, në tetor të vitit 2014, vendosi që pjesa perëndimore e vendit, përfshirë Moskën, ta mbajë përgjithmonë orën UTC+3, shkruan Brussels Times.

    Turqia vendosi në vitin 2016 ta mbajë orën UTC+3 gjatë gjithë vitit. Po atë vit, ndryshimin sezonal të orës e hoqi edhe Azerbajxhani. Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew nga viti 2023, orën nuk e ndryshojnë as Armenia dhe Gjeorgjia.

    Jashtë Evropës, gjatë dekadës së fundit, ndryshimin e orës e kanë hequr edhe Brazili, Irani, Jordania, Namibia, Samoa, Siria dhe Uruguai, sipas Pew. Provinca kanadeze e Kolumbisë Britanike vendosi në mars të vitit 2026 ta mbajë përgjithmonë orën verore.

    Po në pjesën tjetër të botës?

    Në Shtetet e Bashkuara, akrepat do të kthehen prapa më 1 nëntor, në orën 02:00 të mëngjesit, shkruan Fox 5 NY. Atje, debati zhvillohet në drejtim të kundërt me atë në disa vende evropiane.

    Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi më 14 korrik 2026 projektligjin H.R. 139, të njohur si Sunshine Protection Act, i cili do ta bënte të përhershme orën verore. Këtë e bëri të ditur Komiteti i Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë.

    Projektligji tani i kalon Senatit dhe, për t’u bërë ligj, duhet të nënshkruhet edhe nga presidenti. Legjislacioni federal aktualisht nuk ua lejon shteteve që ta vendosin vetë orën verore të përhershme, ndërsa Senati ende nuk ka votuar për propozimin, sipas Sleep Foundation.

    Australia ndjek një kalendar të kundërt. Atje, akrepat u çuan një orë përpara më 4 tetor dhe do të kthehen prapa në prill. Orën verore e përdorin Territori i Kryeqytetit Australian, Uellsi i Ri Jugor, Australia Jugore, Tasmania dhe Viktoria, ndërsa Australia Perëndimore, Kuinslendi dhe Territori Verior nuk e zbatojnë këtë sistem, sipas timeanddate.com.

    Në Afrikë, sipas Pew, Egjipti ishte në vitin 2023 i vetmi shtet që përdorte orën verore. Këtë vit, atje ajo përfundon më 30 tetor. Maroku vendosi në vitin 2018 ta mbajë orën UTC+1 gjatë gjithë vitit, duke u kthyer në UTC+0 gjatë muajit të Ramazanit. Namibia, ndërkaq, vendosi në vitin 2017 ta mbajë përgjithmonë orën UTC+2.

    Ishujt Kanarie, Seuta, Melilla dhe Madeira, të cilat gjeografikisht ndodhen në Afrikë, e ndryshojnë orën njësoj si vendet e Bashkimit Evropian, shkruan Brussels Times.

    Pse ndryshohet ora?

    Për herë të parë, ora u ndryshua më 30 prill 1916 në Perandorinë Gjermane dhe Austro-Hungari, gjatë Luftës së Parë Botërore, me qëllim të kursimit të qymyrit, shkruan Stuttgarter Zeitung.

    Gjermania e hoqi këtë praktikë në vitin 1919, e zbatoi sërish nga viti 1940 deri më 1949, ndërsa formën e sotme e ka që nga viti 1980, pas krizës së naftës të vitit 1973.

    Që nga viti 1996, të gjitha vendet e BE-së e ndryshojnë orën në të njëjtat data. Direktiva 2000/84/EC përcakton se ora verore fillon të dielën e fundit të marsit dhe përfundon të dielën e fundit të tetorit.

    Kursimi i energjisë ishte arsyeja kryesore për futjen e kësaj praktike. Megjithatë, Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit vlerëson se kursimi i mundshëm i energjisë neutralizohet në masë të madhe nga rritja e konsumit për ngrohje gjatë mëngjeseve më të ftohta, transmeton Vienna.at.

    Si ndikon ndryshimi i orës?

    Sipas NPR-së, Parlamenti Evropian, në një rezolutë të shkurtit 2018, theksoi se analizat nuk kishin dhënë një përgjigje të qartë nëse ndryshimi i orës sjell më shumë përfitime apo dëme, por kishin evidentuar ndikime të mundshme negative në shëndet.

    Në konsultimin e Komisionit Evropian të vitit 2018 morën pjesë 4.6 milionë njerëz, prej të cilëve 84 për qind u shprehën në favor të heqjes së ndryshimit të orës. Pjesëmarrësit u ankuan për lodhje dhe rritje të numrit të aksidenteve rrugore, raportoi AFP.

    Mbajtja e një orari të përbashkët është e rëndësishme edhe për transportin ndërkombëtar hekurudhor dhe ajror. Ndërkaq, mëngjesi i hershëm i së dielës është zgjedhur për ndryshimin e orës, pasi në atë kohë ka më pak trafik, sipas Ministrisë së Transportit dhe Komunikimeve të Finlandës.

    Pse Evropa nuk po arrin marrëveshje?

    Komisioni Evropian propozoi heqjen e ndryshimit sezonal të orës më 12 shtator 2018, ndërsa Parlamenti Evropian e mbështeti propozimin më 26 mars 2019, me 410 vota për dhe 192 kundër.

    Megjithatë, Këshilli i BE-së, miratimi i të cilit është i domosdoshëm, e ndali procesin në vitin 2019 dhe që atëherë nuk ka arritur të miratojë një qëndrim të përbashkët. Për këtë nevojitet një shumicë e kualifikuar e shteteve anëtare.

    Mosmarrëveshja nuk lidhet me vetë heqjen e ndryshimit të orës, por me atë se cilin orar duhet të mbajnë vendet përgjithmonë. Vendet veriore përgjithësisht favorizojnë orën dimërore të përhershme, ndërsa ato jugore preferojnë orën verore, shkruan mediumi lituanez LRT.

    Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, presidenca polake e Këshillit të BE-së propozoi që të gjitha vendet ta mbanin përgjithmonë orën verore, me mundësi rishikimi pas dy vjetësh. Megjithatë, nuk u arrit marrëveshje.

    Një tjetër pengesë është frika nga fragmentimi i zonave kohore. Nëse secili shtet do të vendoste veçmas, vendet fqinje mund të përfundonin me orare të ndryshme, duke vështirësuar organizimin e trenave, fluturimeve dhe punën e personave që kalojnë çdo ditë kufirin.

    Irlanda e kundërshtoi këtë mundësi në vitin 2019, pasi pas Brexit-it rrezikohej që në të njëjtin ishull të ekzistonin dy zona kohore, shkruan TheJournal.ie. Sipas LRT-së, Komisioni Evropian nuk ka kompetenca për t’i detyruar shtetet të marrin një vendim.

    Më 20 tetor 2025, Spanja propozoi në Këshillin e BE-së për Energjinë, në Luksemburg, që ndryshimi sezonal i orës të hiqej nga viti 2026. Propozimi u mbështet nga Finlanda dhe Polonia.

    Në shkurt të vitit 2026, Komisioni Evropian nisi një studim për pasojat e mundshme të heqjes së ndryshimit të orës. Studimi po realizohet nga një konsorcium i përbërë nga kompanitë Ecorys, Capgemini, Stratec dhe CE Delft dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, thuhet në një dokument të Këshillit të BE-së të datës 3 qershor 2026.

    Lituania do ta marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar 2027. /Telegrafi/

  • Alarm në Riad, Huthit lëshojnë raketë balistike drejt kryeqytetit saudit – mbrojtja e intercepton

    Një raketë balistike e lëshuar nga rebelët Huthi të Jemenit është interceptuar këtë mëngjes mbi Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, njoftoi koalicioni i vendeve arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite.

    Zëdhënësi i koalicionit bëri të ditur përmes një postimi në platformën X se sistemet e mbrojtjes kundërajrore e kanë kapur dhe shkatërruar raketën, e cila ishte drejtuar drejt Riadit.

    Më herët, Mbrojtja Civile Saudite kishte lëshuar paralajmërime emergjente për Riadin, Naxhranin dhe Wadi al-Daëasir. Më vonë, autoritetet njoftuan se rreziku kishte kaluar në të tria zonat, raportoi Al Jazeera.

    Ndërkohë, koalicioni njoftoi se më herët kishte interceptuar dhe shkatërruar edhe një dron në provincën lindore të Arabisë Saudite.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Një i vdekur e mbi 500 të lënduar nga tajfuni në Tajvan

    Një i vdekur e mbi 500 të lënduar nga tajfuni në Tajvan

    Ekipet e reagimit ndaj emergjencave dhe teknikët vazhdojnë punën sot, kryesisht për të rikthyer energjinë elektrike në më shumë se 56,000 familje në Tajvan, i cili u godit nga tajfuni Chubi, i cili tani po shkon drejt Kinës dhe Japonisë.

    Më shumë se 5,000 njerëz u detyruan të evakuonin shtëpitë e tyre përpara mbërritjes së stuhisë. Pemët u shkulën me rrënjë, linjat e energjisë u rrëzuan dhe u raportuan përmbytje të shkurtra.

    Rreth 56,000 familje mbetën pa energji elektrike ndërsa Xabi vazhdoi të godiste ishullin. Gati 24 centimetra shi u regjistruan sot në Qarkun Miaoli, në pjesën perëndimore të ishullit.

    Një person ka vdekur dhe më shumë se 500 të tjerë janë plagosur që nga e enjtja, kur qeveria filloi të lëshonte paralajmërime ndërsa afrohej tajfuni.

    Xabi u klasifikua për pak kohë si një supertajfun pasi ishte mbi oqean, me erëra që arrinin deri në 300 kilometra në orë, por gradualisht u dobësua.

    Tani erërat që sjell po arrijnë deri në 176 km/orë, sipas buletinit më të fundit paralajmërues nga Qendra e Përbashkët e Paralajmërimit të Uraganeve.

    Në Kinë, disa lidhje hekurudhore u pezulluan dhe dhjetëra mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në Shangai.

    Mediat shtetërore raportuan për “reshje të dendura deri të rrëmbyeshme” në pjesë të Jiangsu, Zhejiang, Shangai dhe provinca të tjera.

    Dhjetëra fluturime u anuluan në rajon, veçanërisht në Prefekturën Okinawa të Japonisë, ku autoritetet raportuan dy të plagosur për shkak të tajfunit.

    Xabi i bashkohet një serie uraganesh në këtë periudhë veçanërisht intensive të fenomeneve ekstreme të këtij lloji në Paqësor, të cilat i atribuohen El Niño-s, pasi këtë vit ujërat e oqeanit në ekuator po mbinxehen në një nivel që, sipas shkencëtarëve, është i pashembullt.

    Tani Xabi është larguar, ai ndodhet rreth 150 kilometra në lindje të ishullit.

    Burimi: Dukagjini

  • Arrestohet shtetasi gjerman, nuk dëshmoi prejardhjen e një milion eurove

    Arrestohet shtetasi gjerman, nuk dëshmoi prejardhjen e një milion eurove

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 tetor 2026.

    “Më 24.02.2026, në vendkalimin kufitar në Merdare, në automjetin me targa të Shqipërisë, në një hapësirë të modifikuar brenda automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 1.000.000 (një milion) euro”, thuhet në raportin e Policisë.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se paratë e sekuestruara kanë qenë të tij, por nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e tyre dhe lidhjen me personat e dyshuar që kanë bërë transportimin.

    “I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Rasti është cilësuar si “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

    Burimi: RTKLive

  • Ivan Toney bëhet viral me teknikën e re 'të çuditshme' të penalltisë, portieri nuk ishte gati për këtë

    Ivan Toney bëhet viral me teknikën e re ‘të çuditshme’ të penalltisë, portieri nuk ishte gati për këtë

    Sulmuesi anglez, Ivan Toney, shënoi dy herë në fitoren 4-1 të Al-Ahli ndaj Al-Khaleej në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Arabisë Saudite. Goli i dytë erdhi nga pika e penalltisë në fund të kohës shtesë.

    Ndeshja u luajt të premten në mbrëmje në Xheda. Fillimisht ishte planifikuar të ndodhte të enjten, por u shty për shkak se Al-Khaleej nuk u nis në kohë nga aeroporti i Dammamit.

    Toney i dha vendasve epërsinë në minutën e 11-të, duke shënuar me kokë pas një krosi nga Eduard Spertsyan në pjesën e parë. Artem Bondarenko dhe Francisco Trincao shënuan për të çuar rezultatin në 3-0 brenda pak minutash, me Toney që asistoi golin e portugezit. Thamer Al-Khaibari shënoi golin e ngushëllimit për vizitorët në minutën e 87-të.

    Kur dukej se gjithçka ishte vendosur, Toney u ndal në zonën e penalltisë në minutën e gjashtë të kohës shtesë pas një goditjeje me shkelm nga një lojtar i Al-Khaleej, dhe gjyqtari tregoi nga pika e bardhë.

    Portieri i mysafirëve u përpoq ta shpërqendronte duke tundur krahët në vijën e portës, por anglezi mbeti i qetë dhe e dërgoi në anën e gabuar. Pas golit, ai dhe shokët e tij të ekipit shkuan për të festuar para tifozëve të Al-Ahli.

    Toney tani ka 13 gola në 11 ndeshjet e para. Sipas Opta, kjo barazon rekordin e ligës për gola në këtë fazë të sezonit. I njëjti numër më parë mbahej nga Omar Al-Somah për Al-Ahli dhe Cristiano Ronaldo e Joao Felix për Al-Nassr.

    Me këtë fitore, Al-Ahli u ngjit në vendin e pestë me 21 pikë, ndërsa Al-Khaleej është i dhjeti me 12 pikë. /Telegrafi/

  • Ingrit Gjoni zbulon shumën e majme të bakshishit që mori nga shqiptarët në Angli: 72 mijë funte për dy orë

    Ingrit Gjoni zbulon shumën e majme të bakshishit që mori nga shqiptarët në Angli: 72 mijë funte për dy orë

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Ingrit Gjoni, ka zbuluar një nga shumat më të mëdha që ka marrë gjatë një koncerti, duke treguar se në një mbrëmje muzikore në Mbretërinë e Bashkuar kishte fituar 72 mijë funte (rreth 86 mijë euro) bakshish.

    E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, artistja u pyet për shumën më të madhe që kishte marrë gjatë koncerteve të saj, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.

    Gjoni tregoi se bëhej fjalë për një koncert në një qytet jashtë Londrës, ku ajo kishte performuar së bashku me dy muzikantë të tjerë. Sipas saj, shuma prej 72 mijë funtesh ishte mbledhur brenda vetëm dy orësh.

    Gjatë bisedës, këngëtarja shpjegoi se marrëdhënia e saj me publikun ka ndryshuar dukshëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, periudhë në të cilën hitet e realizuara me Gjeto-n e kanë afruar më shumë me fansat dhe atmosferën e koncerteve.

    Ajo u shpreh mirënjohëse për dashurinë që ka marrë gjatë udhëtimeve dhe performancave në vende të ndryshme të botës, duke theksuar se publiku është ndër gjërat më të rëndësishme për të.

    “Për momentin tridhjetëminutësh që dal në skenë, unë këndoj 30-35 minuta, harroj gjithë hallet, gjithë stresin, gjithë problemet”, rrëfeu ajo, duke shpjeguar se skena është vendi ku ndihet vërtet e çliruar nga shqetësimet e përditshme.

    – YouTube youtu.be

    E pyetur se çfarë kishte bërë me paratë e fituara, Ingrit Gjoni tregoi se investon në pasuri të paluajtshme.

    Rrëfimi i saj solli në vëmendje edhe një herë rëndësinë e koncerteve në diasporë për artistët shqiptarë, ku muzika shpesh shoqërohet me pritje të ngrohtë dhe bujari nga publiku. /Telegrafi/

  • OBRM-PDUKM: Me Filipçen, LSDM po i gëzohet humbjeve

    OBRM-PDUKM: Me Filipçen, LSDM po i gëzohet humbjeve

    OBRM-PDUKM ka kritikuar liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar atë se po përpiqet ta paraqesë rezultatin e zgjedhjeve në Bërvenicë si një sukses, edhe pse, sipas partisë në pushtet, LSDM përfundoi në vendin e katërt.

    “Filipce dhe LSDM po përpiqen të gjejnë ngushëllim në vendin e tyre të katërt. LSDM ka rënë në një vlerësim prej 5% dhe po gëzohet për humbjen 4 me 1 nga OBRM-PDUKM në zgjedhjet lokale në Brvenicë”, thuhet në deklaratën e partisë.

    OBRM-PDUKMpretendon se LSDM nën udhëheqjen e Filipçes ka pësuar një debakël politik, duke theksuar se partia është forca e katërt politike në Kumanovë dhe Bërvenicë, dhe e pesta në Shkup.

    Sipas OBRM-PDUKM-së, rezultate të tilla tregojnë se LSDM nuk ka një vizion politik dhe një ofertë bindëse me të cilën do të imponohej si një alternativë ndaj qytetarëve.

    “Filipçe, nën mentorimin e Zaevit, e ka shndërruar LSDM-në në një parti që i gëzohet humbjeve”, akuzon OBRM-PDUKM.

  • Hetim për veprimet e policisë - 12 eurodeputetë letër Kaja Kallas për protestat, mes nënshkruesve edhe Beleri

    Hetim për veprimet e policisë – 12 eurodeputetë letër Kaja Kallas për protestat, mes nënshkruesve edhe Beleri

    Protestat në Shqipëri dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve kanë mbërritur në vëmendjen e Parlamentit Evropian.

    Dymbëdhjetë eurodeputetë, pjesa më e madhe të grupimit të djathtë të Partisë Popullore Evropiane (PPE), i janë drejtuar me pyetje Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

    Mes nënshkruesve është edhe euro-deputeti Fredi Beleri, shkruan tch.

    Nisma është ndërmarrë nga kreu i delegacionit austriak të PPE-së, Reinhold Lopatka, ndërsa eurodeputetët që i janë bashkuar kërkesës janë pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.

    Në fokus të kërkesës janë pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave, respektimi i të drejtave të personave të ndaluar, veçanërisht të miturve, si dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar shkelje të tjera.

    Eurodeputetët i referohen raportimeve sipas të cilave përdorimi i plumbave të gomës nga policia ka shkaktuar plagosjen e protestuesve dhe gazetarëve. Në dokument përmendet gjithashtu hetimi i Avokatit të Popullit mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur nga efektivët.

    Në letrën drejtuar Kallas thuhet se deklarata e Komisionit Evropian e 18 tetorit dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por sipas nënshkruesve nuk e trajtoi mjaftueshëm çështjen e llogaridhënies.

    Ata argumentojnë se respektimi i të drejtave themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të jenë pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

    Eurodeputetët kërkojnë të dinë se çfarë hapash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për t’i ngritur këto shqetësime drejtpërdrejt me autoritetet shqiptare.

    Një prej kërkesave është zhvillimi i hetimeve të pavarura, të paanshme dhe efektive për përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të personave të ndaluar. Në këtë kuadër kërkohet edhe shqyrtimi i përgjegjësisë së drejtuesve të operacioneve policore, publikimi i rezultateve të hetimeve dhe, kur është e nevojshme, marrja e masave gjyqësore ose disiplinore.

    Një tjetër pikë lidhet me personat e ndaluar dhe veçanërisht me të miturit. Eurodeputetët kërkojnë garanci që atyre t’u sigurohen të gjitha të drejtat e parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit dhe monitorimin e pavarur.

    Në fund, 12 eurodeputetët e lidhin çështjen edhe me negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ata kërkojnë që detyrimet e vendit në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, veçanërisht për llogaridhënien e policisë dhe respektimin e të drejtave themelore, të ndiqen konkretisht në rastet ku konstatohen mangësi.

    Sipas tyre, duhet të përcaktohen angazhime të matshme për adresimin e problematikave dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.

  • Vazhdojnë punimet për renovimin e Repartit të Ortopedisë në Spitalin e Pejës

    Vazhdojnë punimet për renovimin e Repartit të Ortopedisë në Spitalin e Pejës

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për renovimin e tërësishëm të Repartit të Ortopedisë, me qëllim të përmirësimit të kushteve për pacientët dhe personelin shëndetësor.

    Sipas njoftimit, në kuadër të projektit parashihet që disa nga dhomat e pacientëve të pajisen me banjo të veçanta brenda dhomave, duke ofruar më shumë privatësi dhe kushte më të përshtatshme për pacientët, veçanërisht për ata me gjendje më të rëndë shëndetësore.

    Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë kanë bërë të ditur se ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe krijimin e një ambienti më funksional dhe më të sigurt për pacientët dhe stafin mjekësor. /Telegrafi/