Një përleshje fizike mes disa të rinjve është raportuar në lagjen Ulpiana të Prishtinës.
Sipas informacioneve fillestare, në incident janë përfshirë disa persona, ndërsa rrethanat që çuan deri te përleshja nuk dihen ende.
Lidhur me rastin, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione rreth incidentit dhe nëse ka persona të lënduar apo të përfshirë që janë shoqëruar në stacion policor.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja lidhur me rastin.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njofton se Republika e Maqedonisë së Veriut është përfshirë zyrtarisht në listën e vendeve, shtetasit e të cilave mund të pajisen me vizë elektronike turistike (e-Visa) ose me vizë pas mbërritjes (Visa on Arrival) për në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Kjo mundëson një procedurë më të thjeshtë dhe më të shpejtë udhëtimi për shtetasit maqedonas, duke reduktuar ndjeshëm procedurat administrative.
Kjo mundësi e re krijon hapësirë shtesë për zhvillimin e shkëmbimeve turistike, kontakteve të biznesit dhe forcimin e lidhjeve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve.
Klubi i Notit STEP ka shënuar një tjetër sukses, duke u shpallur klubi më i mirë i turneut rajonal të notit “NEMO CUP”, ku morën pjesë rreth 400 notarë.
Pas triumfeve në Kampionatin e Kosovës dhe në kampionatin mbarëkombëtar Kosovë–Shqipëri “Teuta Cup”, notarët e KN STEP vazhduan me paraqitje të shkëlqyera në Maqedoninë e Veriut, duke konfirmuar formën e mirë dhe punën e vazhdueshme të klubit.
Në këtë turne, notarët e STEP arritën rezultate të rëndësishme, përmirësuan rekordet personale dhe vendosën rekorde të reja për grupmosha.
Ndër protagonistet kryesore ishte Bora Ademi, e cila vendosi pesë rekorde për grupmosha. Rekord të ri për grupmoshën e saj vendosi edhe Sumeya Reçica, në disiplinën 50 metra delfin.
Sukses të veçantë arriti edhe Jon Buzuku, i cili u shpall notari më i mirë i garës, duke dëshmuar talentin dhe potencialin e tij në notin kosovar.
Kontribut në suksesin e përgjithshëm të ekipit dhanë gjithashtu Eros Bakiu, Ema Bryma, Jana Nuza, Riga Kastrati dhe Dior Krasniqi, me paraqitjet e tyre në këtë turne.
Triumfi në “NEMO CUP” vjen pas rezultateve të shkëlqyera në garat vendore dhe mbarëkombëtare, duke e bërë këtë periudhë veçanërisht të suksesshme për KN STEP.
Klubi ka vlerësuar paraqitjet e notarëve dhe punën e gjithë ekipit, duke shprehur krenarinë për rezultatet e arritura dhe përkushtimin e sportistëve. /Telegrafi/
Një dukuri shqetësuese po shfaqet në rrjetet sociale, ku përmes reklamave publike ofrohen shërbime për punime akademike të niveleve Bachelor, Master dhe Doktoraturë, duke ngritur dyshime për një treg të organizuar të përgatitjes së punimeve universitare kundrejt pagesës.
Gazeta Sinjali ka siguruar një fotografi të një reklame të publikuar në rrjetet sociale, ku qytetarëve u bëhet thirrje të kontaktojnë përmes mesazheve private për shërbime që lidhen me punimet akademike.
“AFATET PO MBYLLEN! Bachelor – Master – Doktoraturë. Pa plagjiaturë. Mos e lër për momentin e fundit. Shkruaj tani në DM”, thuhet në reklamën në fjalë.
Përmbajtja e saj ngre pikëpyetje për natyrën e shërbimeve që ofrohen, veçanërisht nëse bëhet fjalë për asistencë të ligjshme akademike apo për hartimin e punimeve që më pas dorëzohen nga studentët si punë e tyre.
A po shkruhen punimet e diplomës kundrejt pagesës?
Reklamimi i shërbimeve për të gjitha nivelet universitare, përfshirë doktoraturën, hap debat për integritetin akademik dhe mekanizmat e kontrollit në institucionet e arsimit të lartë.
Nëse një student paguan një person tjetër për t’ia përgatitur punimin dhe më pas e paraqet atë si punë personale, një praktikë e tillë mund të përbëjë shkelje të rëndë të rregullave të integritetit akademik.
Megjithatë, vetëm fotografia e reklamës nuk dëshmon se janë shitur diploma, se janë përgatitur punime në mënyrë të kundërligjshme apo se ndonjë universitet është përfshirë në këtë veprimtari.
“Pa plagjiaturë” – a mjafton ky premtim?
Një tjetër element që bie në sy është premtimi se punimet realizohen pa plagjiaturë.
Por mungesa e tekstit të kopjuar nuk e bën automatikisht një punim akademik të ligjshëm apo etik.
Edhe një punim krejtësisht origjinal, nëse përgatitet nga një person tjetër dhe paraqitet si punë e studentit, mund të përbëjë mashtrim akademik.
Kjo ngre pyetje për mënyrën se si universitetet e Kosovës e verifikojnë autorësinë e punimeve dhe nëse mekanizmat ekzistues janë të mjaftueshëm për identifikimin e rasteve të tilla.
Kush po i kontrollon këto reklama?
Raste të tilla shtrojnë nevojën për një debat më të gjerë mbi përgjegjësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe organeve përgjegjëse për sigurimin e cilësisë.
A kanë universitetet mekanizma për të identifikuar punimet e përgatitura nga persona të tretë?
Çfarë masash merren ndaj studentëve që dorëzojnë punime të blera?
Dhe a ekzistojnë kontrolle për subjektet që reklamojnë publikisht shërbime të kësaj natyre?
Këto janë disa nga pyetjet që kërkojnë sqarim institucional.
Diploma duhet të dëshmojë dije, jo vetëm përfundimin e studimeve
Diplomat universitare përfaqësojnë kualifikime akademike që duhet të fitohen përmes studimit, hulumtimit dhe vlerësimit të pavarur.
Praktikat e përgatitjes së punimeve nga persona të tretë, kur ato paraqiten si punë origjinale e studentëve, cenojnë besueshmërinë e vlerësimit akademik dhe krijojnë pabarazi ndaj studentëve që punojnë vetë.
Reklama e siguruar nga Sinjali ngre dyshime që meritojnë shqyrtim, por natyra e shërbimeve dhe ekzistenca e shkeljeve konkrete mbeten për t’u verifikuar.
Sinjali do të kërkojë sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me masat për parandalimin e mashtrimit akademik dhe mbrojtjen e integritetit të diplomave universitare.
Kombëtarja U16 e Kosovës në hendboll për vajza e ka nisur me fitore pjesëmarrjen në U16 Regional Challenge Cup, duke mposhtur Bullgarinë me rezultat 26:23.
Ndeshja u zhvillua të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku vajzat e Kosovës zhvilluan një përballje të fortë dhe treguan më shumë në momentet vendimtare për ta siguruar fitoren.
Natyra Arifi ishte golashënuesja më e mirë te Kosova me gjashtë gola, ndërsa Jusra Begu realizoi pesë dhe Samanda Konjuhaj katër.
Kontribut të rëndësishëm në këtë fitore dha edhe portierja Melisa Sefa, e cila regjistroi plot 12 pritje, përfshirë katër penallti të ndalura.
Në kuadër të këtij turneu, të premten nga ora 13:00 përballen Rumania dhe Bullgaria.
Ndërkohë, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të shtunën, nga ora 10:00, kur do të përballet me Rumaninë./Telegrafi/
Nasim Haradinaj ka reaguar me kritika ndaj deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, lidhur me qëndrimin e tij për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e Grudës për ligjin, por edhe për një zotim publik që, sipas tij, deputeti e kishte bërë lidhur me Nait Hasanin.
Haradinaj ka pretenduar se Gruda kishte deklaruar se Drenica nuk do t’ia jepte më asnjë votë Nait Hasanit sa të ishte ai gjallë.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si Gruda dhe Çlirimi, sipas tij, e kishin prezantuar ligjin, duke e cilësuar atë me tone të ashpra.
“Si po ndihesh tani me Naitin jashtë e me ligjin berllogë që ti e Çlirimi na e prezantuat si perlë drejtësie e hartuar nga soji yt jurist!”, ka shkruar Haradinaj.
Unaza inteligjente Oura po zgjerojnë mundësitë e monitorimit të shëndetit me dy funksione të reja, të cilat u mundësojnë përdoruesve të kuptojnë më mirë gjendjen e tyre kardiovaskulare dhe ndikimin e aktivitetit fizik në organizëm.
Funksionet e reja janë Cardio Effort dhe matja automatike e VO2 Max. Ato synojnë të ofrojnë të dhëna më të hollësishme për intensitetin e ushtrimeve, ngarkesën që përjeton sistemi kardiovaskular dhe kapacitetin aerobik të trupit.
Cardio Effort analizon ngarkesën kardiovaskulare gjatë aktivitetit fizik, duke marrë parasysh intensitetin dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve. Përmes këtij funksioni, përdoruesit mund të ndjekin ngarkesën e akumuluar gjatë javës dhe të kuptojnë nëse aktiviteti i tyre është i lehtë, i moderuar apo shumë intensiv.
Të dhënat mund t’i ndihmojnë ata të vlerësojnë nëse po ruajnë nivelin aktual të formës fizike, po e përmirësojnë atë apo kanë nevojë për më shumë kohë për rikuperim.
Risia e dytë është VO2 Max, një tregues që mat sasinë maksimale të oksigjenit që trupi mund ta shfrytëzojë gjatë aktivitetit fizik intensiv. Ky parametër përdoret për të vlerësuar kapacitetin aerobik dhe nivelin e kondicionit fizik.
Ndryshe nga metoda e mëparshme, e cila kërkonte një test ecjeje gjashtëminutëshe, sistemi i ri mund ta vlerësojë VO2 Max duke shfrytëzuar të dhënat nga aktivitetet e regjistruara me GPS, si ecja dhe vrapimi.
Për vlerësimin fillestar kërkohen të paktën 30 ditë të dhëna nga përdorimi i unazës dhe pesë aktivitete të përshtatshme me GPS të aktivizuar. Rezultatet shfaqen në aplikacionin Oura dhe mund të përditësohen me kalimin e kohës.
Funksionet janë të destinuara për modelet Oura Ring Gen3 dhe modelet më të reja, ndërsa disponueshmëria e tyre mund të varet nga faza e lansimit dhe qasja në veçoritë përkatëse të aplikacionit.
Me këto përditësime, kompania synon ta bëjë më të lehtë përcjelljen e aktivitetit fizik dhe të ndryshimeve në gjendjen kardiovaskulare, duke u ofruar përdoruesve më shumë informacione për përparimin e tyre me kalimin e kohës. /Telegrafi/
Një delfin i rrallë me ngjyrë rozë është vërejtur në brigjet e Omanit, duke tërhequr vëmendjen për pamjen e tij të pazakontë.
Ngjyra rozë lidhet me enët e gjakut që ndodhen pranë sipërfaqes së lëkurës së këtyre gjitarëve detarë. Sipas organizatës Whales, ky tipar ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit.
Delfinët kurrizorë, të njohur edhe si delfinë me gungë, janë gjitarë detarë që jetojnë në ujërat bregdetare të rajoneve tropikale dhe subtropikale.
Ngjyra e tyre zakonisht është gri, por disa individë mund të kenë nuanca rozë, veçanërisht në pjesë të caktuara të trupit.
Shfaqja e një delfini të tillë është një pamje e veçantë për vëzhguesit e jetës së egër, pasi ngjyrosja e tij e pazakontë e dallon nga shumica e delfinëve të tjerë.
Delfinët shpesh lidhen me fatin e mirë në besimet popullore. Për këtë arsye, shfaqja e një delfini rozë është përshkruar edhe si një moment magjik për ata që kanë pasur fatin ta shohin. /Telegrafi/
Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për rishqyrtim, situata pranë selisë së kësaj partie në Prishtinë ka qenë e qetë.
Gazetarja e TV Dukagjinit, Dorentina Thaçi, e cila ka qëndruar pranë selisë së PDK-së, ka bërë të ditur se drejtuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, e ka mirëpritur kthimin e ligjit në Kuvend.
Megjithatë, Haziri ka paralajmëruar se protestat mund të rikthehen nëse ligji nuk votohet brenda një kohe të arsyeshme.
Haziri ishte organizatori i protestës 21-ditore në sheshet e Prishtinës kundër vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestat e asaj periudhe u përqendruan te kërkesa për miratimin e Ligjit për Specialen, ndërsa më 5 tetor pati eskalim të situatës gjatë protestave.
Nikola Camaj, deputet i Forumit Shqiptar dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ka deklaruar se kërkesa për mandate të garantuara për partitë shqiptare nuk lidhet me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese apo të miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin evropian të vendit.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj tha se do të angazhohet për sigurimin e katër mandateve të garantuara për partitë shqiptare, duke e cilësuar këtë si çështje të përfaqësimit të drejtë politik dhe të barazisë.
Ai theksoi se pakicat në Mal të Zi e kanë mbështetur pavarësinë e vendit dhe anëtarësimin në NATO pa kushte dhe se, në të njëjtën mënyrë, vazhdojnë të mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Pa asnjë kushtëzim, pakicat e kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën mënyrë, ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe pa kushte për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Camaj.
Ai shtoi se përmirësimi i pozitës së komuniteteve pakicë dhe respektimi i marrëveshjeve politike duhet të jenë përgjegjësi e të gjitha palëve, përfshirë opozitën.
Sipas Camajt, çështja e mandateve të garantuara është diskutuar që nga formimi i shumicës aktuale parlamentare.
Për këtë ishte krijuar edhe një komision i posaçëm, ku ishin zhvilluar diskutime për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, por procesi ishte ndërprerë pas largimit të opozitës.
Camaj vlerësoi se legjislacioni aktual zgjedhor nuk siguron përfaqësim mjaftueshëm të drejtë dhe se efektet e tij janë veçanërisht të pafavorshme për shqiptarët në Mal të Zi.
Ai theksoi se kërkesa për katër mandate të garantuara nuk duhet të shihet si mjet për pazare politike, por si përpjekje për të siguruar përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në institucionet e vendit.
Sipas tij, integrimi evropian duhet të shoqërohet me zbatimin e qëndrueshëm të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe me krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/