Author: Momenti

  • Zvicra ndalon aktivitetin e tetë kompanive të kujdesit në shtëpi, rrezikoheshin pacientët

    Zvicra ndalon aktivitetin e tetë kompanive të kujdesit në shtëpi, rrezikoheshin pacientët

    Autoritetet zvicerane kanë ndaluar aktivitetin e tetë organizatave private të kujdesit në shtëpi në pjesën frankofone të vendit, pas evidentimit të parregullsive që lidhen me sigurinë e pacientëve, mungesën e personelit të kualifikuar dhe faturimin e paligjshëm.

    Sipas hulumtimit të transmetuesit publik RTS dhe gazetës zvicerane Le Nouvelliste, pesë kompani vepronin në kantonin e Valaisit, dy në Neuchâtel dhe një në Vaud, transmeton Telegrafi.

    Gjatë kontrolleve në Valais, autoritetet konstatuan se dy pacientë ishin vënë konkretisht në rrezik, ndërsa për gjashtë të tjerë ekzistonte mundësia e rrezikimit të shëndetit.

    Ndër shkeljet e evidentuara ishin gabimet në administrimin e kujdesit dhe barnave, dosjet e paplota të pacientëve dhe mungesa e infermierëve.

    Po ashtu, një kompani dyshohet se kishte faturuar sigurimin e detyrueshëm shëndetësor për shërbime që nuk mbulohen prej tij, përfshirë pastrimin dhe blerjet.

    Rasti ka ngritur shqetësime për cilësinë e kujdesit në shtëpi dhe kushtet e punës, ndërsa autoritetet po shtojnë kontrollet për të garantuar sigurinë e personave që kanë nevojë për përkujdesje./Telegrafi/

  • Ish-këshilltari i Thaçit i del në mbrojtje Grudës për Ligjin e Speciales, e nxit të garojë për kryetar të PDK-së

    Ish-këshilltari i Thaçit i del në mbrojtje Grudës për Ligjin e Speciales, e nxit të garojë për kryetar të PDK-së

    Ish-këshilltari i Thaçit i del në mbrojtje Grudës për Ligjin e Speciales, e nxit të garojë për kryetar të PDK-së

    Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Bajrami, i ka dalë në mbrojtje deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, lidhur me debatet për Ligjin për Gjykatën Speciale.

    Përmes një reagimi, Bajrami ka thënë se Gruda po përballet me kritika dhe akuza të ndryshme lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar pozitën në të cilën është vendosur si të padrejtë.

    Ai i ka bërë thirrje Grudës që të mos ndikohet nga këto reagime dhe të ndihet krenar për qëndrimin e tij.

    “Përparim Gruda, po më vjen keq që për arsyen se ne i dimë, po duhet t’i tolerojmë intrigat dhe konspiracionet që po ‘ziejnë’ rreth ligjit. Je vendosur padrejtësisht në këtë pozitë dhe të ka rënë hise të durosh lloj-lloj pallavrash. Por, mbaje kokën lart dhe ndjehu krenar!”, ka shkruar Bajrami.

    Në fund të reagimit, ai i ka dhënë mbështetje Grudës edhe për një garë të mundshme për kryetar të PDK-së, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë.

    “Edhe bëhu gati për garë!”, ka përfunduar Bajrami.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Kurti: Presim që Raporti i KE-së të pasqyrojë progresin e arritur të Kosovës

    Kurti: Presim që Raporti i KE-së të pasqyrojë progresin e arritur të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin irlandez të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.

    Kurti e falënderoi Byrne për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës për Kosovën dhe për kontributin në sigurinë e vendit përmes KFOR-it.

    Ai bëri të ditur se mbi 3 mijë pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa më shumë se 1 mijë refugjatë shqiptarë të luftës kishin gjetur strehim në Irlandë.

    Kurti shkroi në Facebook se se me partnerët ndërkombëtarë po punohet që progresi demokratik dhe përkushtimi evropian i Kosovës të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Në këtë drejtim, biseduam për avancimin e nevojshëm të Kosovës në këtë rrugë. Muaji nëntor është i rëndësishëm dhe presim që Raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë progresin e arritur dhe që ky progres të marrë formë konkrete përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian”, tha ai.

    Burimi: RTKLive

  • Rregulla të reja për makinat e vjetra në Shqipëri, çregjistrim me certifikatë shkatërrimi dhe dorëzim pa kosto për qytetarët

    Rregulla të reja për makinat e vjetra në Shqipëri, çregjistrim me certifikatë shkatërrimi dhe dorëzim pa kosto për qytetarët

    Qeveria shqiptare ka hartuar një projektvendim të ri normativ që synon reformimin e plotë të sistemit të menaxhimit të automjeteve të vjetra dhe pjesëve të tyre përbërëse. Akti i ri, i cili propozohet nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vjen si një detyrim për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën 2000/53/KE të Bashkimit Evropian, duke shfuqizuar kuadrin e vjetër ligjor të vitit 2012.

    Sipas relacionit shpjegues, qëllimi thelbësor është “mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut, nëpërmjet parandalimit të mbetjeve të automjeteve”, duke i hapur rrugë ekonomisë qarkulluese përmes ripërdorimit dhe riciklimit.

    Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë te qytetarët është krijimi i lehtësirave për heqjen dorë nga mjetet jofunksionale. Projektvendimi garanton “dorëzimin e automjetit në fund të jetës pa asnjë kosto për zotëruesin ose pronarin e fundit, edhe kur automjeti nuk ka vlerë tregu ose ka vlerë tregu negative”. Kjo kosto financiare nuk do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit, por, në përputhje me parimin e përgjegjësisë së zgjeruar, “kostot e këtij dorëzimi i përballojnë prodhuesit, tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme”.

    Për t’i dhënë fund informalitetit dhe çmontimit të pakontrolluar rrugëve, dokumentacioni dhe gjurmueshmëria e mjeteve do të hyjnë në një regjim strikt. Relacioni bën të qartë se çregjistrimi i një mjeti nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) nuk do të mund të bëhet më pa u mbyllur cikli i tij jetësor pranë një pike të licencuar. Kjo gjurmueshmëri sigurohet nëpërmjet “certifikatës së shkatërrimit, e cila lëshohet vetëm nga operatori i autorizuar i trajtimit” dhe përmban “një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit”.

    Përtej anës burokratike, drafti vendos standarde të forta mjedisore. Për të shmangur ndotjen e tokës dhe ujërave, operatorët e autorizuar të trajtimit detyrohen të kryejnë “dekontaminimin përpara çdo operacioni tjetër trajtimi, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se 10 ditë nga marrja në dorëzim”. Më tej, duke nisur pas datës 1 janar 2028, ndalohet në mënyrë të prerë “hedhja për herë të parë në treg të automjeteve, të materialeve dhe të pjesëve përbërëse që përmbajnë plumb, merkur, kadmium ose krom gjashtëvalent”.

    Për realizimin e këtyre objektivave, shteti ka parashikuar një kalendar të saktë arritjesh sipas modeleve evropiane. Deri në janar 2028, operatorët ekonomikë duhet të sigurojnë “jo më pak se 85 për qind ripërdorim e rikuperim dhe 80 për qind ripërdorim e riciklim”, ndërsa këto shifra rriten përkatësisht në 95% dhe 85% duke filluar nga 1 janari i vitit 2030.

    Sistemi i ri lë pak hapësirë për abuzime edhe me hapësirat publike, pasi institucionet vendore dhe Policia e Shtetit ngarkohen me detyrën “të identifikojë dhe të heqë automjetet e braktisura” për t’i dërguar më pas drejt trajtimit përfundimtar. Për t’u lënë kohë bizneseve aktuale të skrapit dhe autovarrezeve të përshtaten me rregullat e reja, projektvendimi përcakton një klauzolë tranzitore, e cila u jep atyre “18 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit” për të investuar dhe plotësuar kërkesat minimale teknike dhe mjedisore të përcaktuara në ligj. Për zbatimin e reformës nuk janë parashikuar efekte shtesë në buxhetin e shtetit./RTSh

  • E fejuara e Laurent Krasniqit thyen heshtjen pas vdekjes tragjike të vlogerit: Ka me të dashtë pafundësisht deri në frymën time të fundit

    E fejuara e Laurent Krasniqit thyen heshtjen pas vdekjes tragjike të vlogerit: Ka me të dashtë pafundësisht deri në frymën time të fundit

    Laureta Kosumi, e fejuara e vlogerit të ndjerë Laurent Krasniqi, ka reaguar për herë të parë pas një periudhe heshtjeje, afro dy muaj pas vdekjes së tij tragjike.

    Përmes një postimi emocionues në llogarinë e saj në Instagram, Kosumi ka prekur me fjalët për Laurentin duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e tij të parakohshme.

    “Shpirti jem i mirë, më ke lon me zemër të coptume. Kom me të dashtë pafundësisht deri në frymën tem të fundit. Fly high shpirt i bardhë”, ka shkruar Kosumi.

    Reagimi i saj vjen afro dy muaj pas aksidentit tragjik që i mori jetën Laurent Krasniqit, një emër i njohur për publikun përmes videove të tij në rrjetet sociale dhe pjesëmarrjes në televizion.

    Krasniqi ndërroi jetë pas një aksidenti me motor në fshatin Llukar të Prishtinës. Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi tronditje dhe pikëllim te familjarët, miqtë dhe ndjekësit e tij, të cilët shprehën dhimbjen për humbjen e parakohshme të vlogerit.

    Humbja e tij u ndje edhe në botën e televizionit dhe të rrjeteve sociale, ku ai kishte krijuar një lidhje me publikun përmes paraqitjeve dhe përmbajtjeve që ndante me ndjekësit.

    Laurent Krasniqi ishte i njohur edhe për pjesëmarrjen në edicionin e Big Brother VIP Kosova, ku arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut me personalitetin dhe mënyrën e tij të veçantë të komunikimit.

  • Kanadaja dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për energjinë, mbrojtjen dhe transportin ajror

    Kanadaja dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për energjinë, mbrojtjen dhe transportin ajror

    Kanadaja dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për energjinë, mbrojtjen dhe transportin ajror

    Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kanë rënë dakord për ngritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në nivelin e një “partneriteti strategjik”, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe atë në fushën e mbrojtjes.

    Marrëveshja u bë e ditur gjatë vizitës së parë dypalëshe të një kryeministri kanadez në Turqi, ku të dy liderët zhvilluan takime në Ankara. Partneriteti do të mbështetet në katër fusha kryesore: tregti dhe investime, mbrojtje dhe siguri, energji dhe marrëdhënie mes qytetarëve.

    Gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e të dy vendeve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe transportit ajror.

    Carney tha se partneriteti do të shoqërohet me një plan veprimi trevjeçar, që synon krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe punonjësit e të dy vendeve.

    “Ne kemi hedhur farat për diçka të re: një partneritet strategjik që do të krijojë mundësi të reja për punonjësit dhe bizneset tona, si dhe më shumë siguri dhe mirëqenie për të dy popujt tanë”, deklaroi Carney.

    Ndërkaq, Erdogan bëri të ditur se të dy vendet synojnë ta rrisin vëllimin e tregtisë dypalëshe fillimisht në pesë miliardë dollarë dhe më pas në 10 miliardë dollarë, nga rreth tre miliardë dollarë sa është aktualisht.

    Negociatorët e dy vendeve pritet të takohen muajin e ardhshëm në Ankara për të nisur bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Gjithashtu, bashkëpunimi pritet të zgjerohet në energjinë bërthamore, mineralet kritike dhe gazin natyror të lëngshëm.

    Vizita e Carney-t vjen në kohën kur Kanadaja po përpiqet të diversifikojë partnerët e saj tregtarë dhe të zvogëlojë varësinë nga tregu amerikan, në një periudhë tensionesh tregtare me administratën e presidentit Donald Trump.

    Megjithëse Shtetet e Bashkuara mbeten destinacioni kryesor i eksporteve kanadeze, Otava ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar tregtinë me vende të tjera. Gjatë pesë viteve të fundit, tregtia mes Kanadasë dhe Turqisë është rritur me gati 50 për qind.

    Nga ana tjetër, Turqia synon të tërheqë investime të reja në industrinë e mbrojtjes, energjinë bërthamore dhe sektorin minerar, duke e parë bashkëpunimin me Kanadanë si një mundësi për zgjerimin e kapaciteteve të saj ekonomike dhe industriale.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Fenomeni i rrallë që e bëri Kosovën të veçantë – a po rrezikon Bifurkacioni i Nerodimes të mbetet vetëm histori?

    Fenomeni i rrallë që e bëri Kosovën të veçantë – a po rrezikon Bifurkacioni i Nerodimes të mbetet vetëm histori?

    Fenomeni i rrallë që e bëri Kosovën të veçantë – a po rrezikon Bifurkacioni i Nerodimes të mbetet vetëm histori?

    Një lumë që i ndan ujërat në dy drejtime, duke i dërguar drejt dy deteve të ndryshme. Ky fenomen i rrallë, që ndodhet në Kosovë, është njohur për dekada si një nga pasuritë më të veçanta natyrore të vendit.

    Por pas kësaj historie të jashtëzakonshme qëndron një shqetësim serioz: a është duke e humbur Kosova një nga fenomenet e saj më të rralla hidrologjike?

    Bëhet fjalë për Bifurkacionin e Lumit Nerodime, në komunën e Ferizajt, ku ujërat historikisht ndaheshin në dy degë, njëra drejt Detit të Zi dhe tjetra drejt Detit Egje.

    Megjithatë, dokumentet zyrtare kanë evidentuar probleme serioze në funksionimin e këtij fenomeni.

    Nga mrekulli natyrore në fenomen të rrezikuar

    Sipas raportit të Ministrisë së Mjedisit për gjendjen e natyrës gjatë periudhës 2018–2021, Bifurkacioni i Nerodimes nuk ishte funksional.

    Në dokument përmenden pengesat në shtratin e lumit, mbeturinat dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit si faktorë që kishin ndikuar në gjendjen e tij.

    Këto konstatime ngrenë pyetje për mënyrën se si është mbrojtur ndër vite një monument natyror me rëndësi të veçantë.

    Një lumë, dy dete – çfarë e bën kaq të veçantë?

    Fenomeni i Nerodimes lidhet me ndarjen e ujërave drejt dy pellgjeve të mëdha detare.

    Njëra degë lidhet me Lepencin dhe Vardarin, përmes të cilëve ujërat arrijnë në Detin Egje.

    Dega tjetër lidhet me Sitnicën, Ibrin, Moravën dhe Danubin, duke përfunduar në Detin e Zi.

    Kjo karakteristikë e ka bërë Bifurkacionin një nga monumentet më interesante për studimin e hidrologjisë dhe trashëgimisë natyrore të Kosovës.

    Kush është përgjegjës për mbrojtjen e tij?

    Gjendja e dokumentuar e Bifurkacionit ngre çështjen e përgjegjësisë institucionale.

    A janë ndërmarrë masa për largimin e pengesave nga shtrati i lumit? A është kontrolluar shfrytëzimi i ujërave? A ekziston një plan për ruajtjen dhe rikthimin e funksionimit të fenomenit?

    Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës dhe administrimin e ujërave.

    A është rikthyer funksionimi i Bifurkacionit?

    Raporti zyrtar për periudhën 2018–2021 paraqet një gjendje shqetësuese, por nuk mjafton për të përcaktuar situatën aktuale në tetor të vitit 2026.

    Për të konstatuar nëse fenomeni është rikthyer në funksion, nevojiten të dhëna të përditësuara nga institucionet dhe verifikim në terren.

    Bifurkacioni i Nerodimes nuk është vetëm një atraksion turistik. Ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore të Kosovës.

    Pyetja që mbetet është nëse ky fenomen do të ruhet për brezat e ardhshëm apo do të kujtohet vetëm përmes fotografive dhe dokumenteve historike.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Gashi: Kërkesa e PDK-së për tërheqjen e Ligjit për Specialen, lojë jodinjtitoze dhe e padrejtë ndaj qytetarëve

    Gashi: Kërkesa e PDK-së për tërheqjen e Ligjit për Specialen, lojë jodinjtitoze dhe e padrejtë ndaj qytetarëve

    Analisti Astrit Gashi e ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për kërkesën që Ligji për Dhomat e Specializuara të kthehet në Kuvend për rishqyrtim, duke e cilësuar këtë veprim si lojë jodinjtitoze dhe të padrejtë ndaj qytetarëve.

    Duke folur në Debat Plus, Gashi ka thënë se PDK-ja nuk është dashur të kërkojë tërheqjen e ligjit, edhe nëse vetë e ka konsideruar atë të keq.

    “Kemi të bëjë me një lojë, e cila është plotësisht jodinjnitoze e PDK-së. Është e padrejtë ndaj qytetarëve. Edhe ligjin e keq nëse kanë shkru, PDK nuk është dashur të jetë ajo që kërkon tërheqjen. Sepse mos të harrojmë 21 ditë ka pas protesta, kërkesa kryesore ka qenë ligji”, ka deklaruar Gashi.

    Burimi: Dukagjini

  • Arrestohet një person në Podujevë, policia sekuestron kokainë, marihuanë dhe armë

    Arrestohet një person në Podujevë, policia sekuestron kokainë, marihuanë dhe armë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Podujevë, pasi gjatë kontrollit të një objekti të pashfrytëzuar ka gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike, një armë zjarri dhe municion.

    Sipas njoftimit të Policisë, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Podujevë, pas një pune operative, ka kontrolluar objektin ku janë gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë.

    Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe cigare të mbushura me substancë të dyshuar narkotike, cigare elektronike, një peshore digjitale, si dhe një pistoletë me karikator dhe fishekë.

    Në lidhje me rastin, një person është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.

    Rasti po hetohet për veprat penale që lidhen me narkotikët dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve./Telegrafi/

  • PPE: E drejta për protesta paqësore në Shqipëri duhet të respektohet plotësisht

    PPE: E drejta për protesta paqësore në Shqipëri duhet të respektohet plotësisht

    Partia Popullore Evropiane (PPE) ka theksuar se e drejta për protesta paqësore në Shqipëri duhet të respektohet plotësisht, duke kërkuar hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur për çdo pretendim për përdorim të tepruar, të paligjshëm dhe joproporcional të forcës.

    Në deklaratën e publikuar, PPE-ja thekson se organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë gjithmonë në mënyrë proporcionale.

    Sipas PPE-së, e ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, të begatë dhe evropiane, me një qeverisje llogaridhënëse, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, si dhe me mundësi për të rinjtë në vendin e tyre.

    PPE-ja dënon çdo akt të paligjshëm dhune dhe sulmet nga të gjitha palët, veçanërisht ato kundër pronës dhe integritetit fizik të personave.

    Ajo vlerëson se tensionet aktuale duhet të trajtohen përmes dialogut, uljes së tensioneve dhe angazhimit demokratik.

    Në përfundim, PPE-ja nënvizon se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe se e drejta e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të mbrohet.

    Burimi: RTKLive