Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim burrit F.K, që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe sulmoi me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.
Rasti ishte raportuar më herët, kur ishte bërë e ditur se gruaja kishte braktisur bashkëshortin për shkak të dhunës, ndërsa ky i fundit dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e familjarëve të saj dhe kishte sulmuar me thikë axhën e saj.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja kishte ndodhur më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00.
Në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.
Madje, më 18 nëntor, pasi gruaja ishte larguar te familja e saj për shkak të mosmarrëveshjeve, ajo kishte pranuar një mesazh zanor kërcënues nga bashkëshorti.
“O ku je, o kom me të myt, po ku je”, thuhet se e kishte kërcënuar ai përmes mesazhit.
Ndërkaq, në orët e para të 21 nëntorit, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja dhe i kishte kërkuar të dilte jashtë për të biseduar.
Sipas Prokurorisë, kur axha i bashkëshortes, F.Gj kishte dalë për të biseduar me të, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë në fytyrë.
Viktima kishte ngritur dorën për t’u mbrojtur, por ishte goditur edhe në dorën e majtë, duke pësuar prerje në gishtin e katërt.
Lëndimet e tij janë evidentuar edhe në raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/
Nelson Hysa e kishte të qartë se dëshironte të përballej me Agit Kabayel, menjëherë pasi në muajin gusht mposhti lehtësisht Thomas Nermon.
Boksieri shqiptar shfrytëzoi mbrëmjen e madhe të boksit në O2 Arena të Londrës, ku ishte pjesë e kartës së duelit Filip Hrgovic – Moses Itauma, për të dërguar një mesazh të qartë. Hysa e vazhdoi serinë e tij të pamposhtur, duke regjistruar fitoren e 25-të në po aq meçe, 23 prej të cilave i ka fituar me nokaut.
Pa humbur kohë, ai iu afrua Kabayelit, i cili po e ndiqte ngjarjen nga afër, dhe i kërkoi një përballje. Disa javë më vonë, insistimi i tij u shpërblye, pasi u konfirmua dueli mes tyre për këtë fundjavë në Gjermani, në stadiumin Merkur Spiel-Arena, ku zhvillon ndeshjet si vendas Fortuna Düsseldorf.
Në moshën 42-vjeçare, Hysa e di se mundësitë e tilla nuk vijnë shpesh. Për të, kjo mund të jetë shansi i vetëm për të luftuar për majën e kategorisë së rëndë dhe për t’u shpallur kampion bote.
“Kur e përfundova meçin, e pashë atë pranë ringut dhe shkova t’i ofroja një përballje”, ka treguar Hysa në një intervistë për DAZN.
Ai beson se ky duel ka kuptim si nga aspekti sportiv, ashtu edhe për tifozët shqiptarë, ndërsa nuk e fsheh bindjen se mund ta mposhtë kampionin e WBC-së.
“Mendoja se kjo përballje kishte kuptim. Unë dhe Kabayel në një stadium të mbushur plot do t’i gëzonim njerëzit tanë.
Duhet të jem i sinqertë, mendoj se mund ta fitoj këtë meç. Djemtë që po luftonin për titujt e botës nuk mund të boksojnë. Gjithashtu, Dubois ishte i angazhuar me Wardley, kështu që kjo ishte e vetmja rrugë drejt titullit botëror.
E pashë dhe duhej të shkoja t’i kërkoja këtë mundësi. Dua t’i falënderoj Frank Warrenin, George Warrenin dhe ekipin e tij, sepse kjo është një mundësi e madhe për mua, për njerëzit e mi dhe për flamurin tim”.
Ndërkohë, boksieri shqiptar ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen. Nëse arrin ta mposhtë Kabayelin, ai do të dëshironte të përballej me ish-kampionin e botës, Tyson Fury.
Hysa e vlerëson shumë boksin britanik dhe nuk e fsheh dëshirën për të ndarë ringun me Fury, në një duel që potencialisht mund të shndërrohej në një përballje për unifikimin e titujve në vitin 2027.
“Ka shumë boksierë të mirë në kategorinë e rëndë dhe i vlerësoj shumë prej tyre. Boksi britanik ka shumë luftëtarë të fortë.
Nga të gjithë boksierët e mi të preferuar me të cilët do të dëshiroja të ndaja ringun, është Tyson Fury. Nëse ai e fiton titullin WBA, atëherë unë do ta fitoj WBC-në. Do të zhvillojmë një duel për unifikimin e titujve dhe kjo do të ishte fantastike”, përfundoi Hysa./Telegrafi/
Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit F.K., i cili dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe sulmoi me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.
Për rastin, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht më 21 nëntor, kur gruaja, e cila ishte larguar nga bashkëshorti për shkak të dhunës së vazhdueshme, kishte kërkuar strehim te familjarët e saj. Por, sipas dyshimeve, burri e kishte ndjekur deri në shtëpinë ku ajo po qëndronte dhe kishte sulmuar me thikë axhën e saj.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ia caktuar të pandehurit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 02:00, në shtëpinë e familjarit të bashkëshortes, në fshatin Lipovec.
E dëmtuara kishte shkuar te familja e saj më 18 nëntor, pas mosmarrëveshjeve me bashkëshortin. Po atë ditë, ajo dyshohet se kishte pranuar një mesazh zanor kërcënues nga ai, në të cilin i kishte thënë: “O ku je, o kom me të myt, po ku je”.
Në ditën kritike, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku po qëndronte gruaja dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte e të hipte në veturë, me pretendimin se dëshironte të bisedonte me të.
Sipas Prokurorisë, kur axha i gruas kishte dalë për të biseduar me të, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë në fytyrë. Kur viktima kishte ngritur dorën për t’u mbrojtur, ai dyshohet se e kishte goditur edhe në dorën e majtë, duke ia prerë gishtin e katërt.
Në raportimin e mëhershëm të Sinjalit ishte bërë e ditur se gjatë përleshjes familjari kishte arritur ta vinte nën kontroll të dyshuarin, ndërsa policia kishte sekuestruar tri thika që i ishin gjetur atij.
Të dy personat kishin pësuar lëndime dhe kishin marrë trajtim mjekësor. Po ashtu, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë kishin vërejtur se i dyshuari kundërmonte erë alkooli.
Gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Masa prej një muaji do të llogaritet nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit francez kanë bindur drejtuesit e klubit italian që ta bëjnë rinovimin e tij një nga prioritetet kryesore.
Nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim, Milani ka gjetur një ritëm të shkëlqyer, duke regjistruar pesë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit. Rabiot është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke dhënë kontribut të madh si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë organizative.
Në 10 paraqitje në këtë edicion të Serie A, francezi ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime.
Sipas statistikave të Opta-s, Rabiot është mesfushori i parë i Milanit që nga Kaka në vitin 2004, i cili ka shënuar ose asistuar në shtatë ndeshje radhazi të kampionatit italian.
Edhe vetë futbollisti ka shprehur kënaqësinë për besimin që i ka dhënë Amorim, duke zbuluar se trajneri kishte nisur të diskutonte për një kontratë të re që në javën e parë pas pushimeve të tij.
“Kam qenë i kthyer nga pushimet vetëm prej një jave dhe Amorim tashmë po fliste me mua për një kontratë të re. I thashë të qetësohej”, ka treguar Rabiot me humor në një intervistë për “Telefoot”.
Ndërkohë, sipas raportimit të “GOAL”, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, po shtyn përpara negociatat për ta mbajtur francezin në klub edhe për disa vite të tjera.
Palët janë afër marrëveshjes dhe dallimet financiare janë të vogla. Çështja e vetme që ende duhet zgjidhur lidhet me kohëzgjatjen e kontratës.
Nëna dhe përfaqësuesja e futbollistit, Veronique Rabiot, kërkon që marrëveshja të jetë deri në vitin 2029, ndërsa drejtuesit e Milanit preferojnë ta zgjasin atë deri në vitin 2030.
Megjithatë, pritshmëritë janë që palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët së shpejti, në mënyrë që Rabiot të vazhdojë karrierën në “San Siro”.
Kirurgjia plastike nuk ka të bëjë vetëm me bukurinë, por edhe me rikthimin e funksioneve të trupit, trajtimin e dëmtimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Kështu ka deklaruar kirurgia plastike, rekonstruktive dhe estetike, Violeta Zatriqi, e cila në episodin e 97-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati” ka folur për ndërhyrjet estetike, komplikacionet e mundshme, rindërtimin e gjirit pas kancerit dhe rëndësinë e përzgjedhjes së kirurgut.
Zatriqi, e cila ka rreth 26 vjet përvojë profesionale dhe drejton Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK, ka shpjeguar se kirurgjia estetike është vetëm një pjesë e fushës së kirurgjisë plastike.
“Gjithmonë kirurgjia plastike ka sinonimin e kirurgjisë së të bukurës, por në fakt nuk është vetëm ajo”, u shpreh Zatriqi.
Sipas saj, kirurgjia estetike synon përmirësimin e pamjes së një pjese të trupit, ndërsa kirurgjia rekonstruktive përfshin trajtimin e dëmtimeve të shkaktuara nga traumat, sëmundjet dhe ndërhyrjet e mëparshme kirurgjikale.
Një nga shqetësimet kryesore që Zatriqi ngriti gjatë intervistës ishte rritja e numrit të procedurave estetike që, sipas saj, po realizohen nga persona pa përgatitjen e duhur profesionale.
Ajo përmendi veçanërisht aplikimin e botoksit dhe fillerëve, duke theksuar se këto procedura nuk duhet të konsiderohen të parrezikshme vetëm pse nuk kërkojnë ndërhyrje klasike kirurgjikale.
“Tani botoksin dhe fillerët i bëjnë njerëz joprofesionistë, gjë që nuk është në rregull, sepse kemi shumë komplikacione”, deklaroi Zatriqi.
Kirurgia theksoi se pacientët mund të kenë pasoja nga përdorimi i produkteve jocilësore dhe nga injektimet e kryera prej personave të pacertifikuar.
Sipas saj, ekziston një dallim i madh ndërmjet përgatitjes profesionale të një kirurgu plastik apo dermatologu dhe ndjekjes së një trajnimi disaditor për procedura estetike.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rindërtimit të gjirit te gratë që i janë nënshtruar mastektomisë si pasojë e kancerit.
Zatriqi tregoi se zhvillimi i këtij shërbimi në Klinikën e Kirurgjisë Plastike ka qenë një nga angazhimet e saj gjatë drejtimit të institucionit.
Sipas saj, shumë gra ende nuk kanë informacion të mjaftueshëm për mundësinë e rekonstruksionit të gjirit.
“Gruaja, kur e merr lajmin që ka kancer, qëllimi i saj është të shërohet. Pastaj, pas një kohe, vjen edhe përmirësimi i pamjes”, shpjegoi ajo.
Zatriqi theksoi se pacientet duhet të informohen për alternativat e rindërtimit që në fazat e para të trajtimit, në mënyrë që të kenë mundësi të vendosin nëse dëshirojnë rekonstruksion të menjëhershëm apo në një fazë tjetër.
Ajo foli edhe për ndikimin emocional që mund të ketë humbja e gjirit, duke treguar se disa paciente përballen jo vetëm me pasojat e sëmundjes, por edhe me mungesën e mbështetjes nga partnerët.
Sipas saj, rindërtimi i gjirit mund të ndihmojë disa gra në rikthimin e vetëbesimit, megjithëse vendimi duhet të jetë gjithmonë personal dhe i mbështetur në vlerësimin mjekësor.
Duke folur për motivet që i shtyjnë njerëzit drejt kirurgjisë estetike, Zatriqi theksoi se ndërhyrjet nuk duhet të realizohen për shkak të presionit nga partneri apo nga shoqëria.
Ajo tregoi se gjatë përvojës së saj profesionale ka takuar paciente që kanë kërkuar ndryshime në pamjen fizike për shkak të pakënaqësive në marrëdhëniet personale.
Sipas kirurges, konsultimi me pacientin duhet të shërbejë edhe për të kuptuar arsyet e vërteta që qëndrojnë pas dëshirës për operacion.
Zatriqi theksoi se ndryshimi i pamjes nuk garanton zgjidhjen e problemeve emocionale apo të marrëdhënieve dhe se vendimi duhet të merret nga vetë pacienti, pa presion.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë podcastit ishte ndikimi i rrjeteve sociale dhe krijimi i pritshmërive joreale për rezultatet e ndërhyrjeve estetike.
Zatriqi shpjegoi se fotografitë e përpunuara dhe promovimi i standardeve të caktuara të bukurisë mund t’i shtyjnë pacientët të kërkojnë rezultate që nuk janë gjithmonë të realizueshme.
“Ne kirurgët plastikë nuk jemi shkopi magjik”, u shpreh ajo.
Sipas saj, kirurgjia estetike mund të përmirësojë pamjen, por nuk mund ta ndalë procesin e plakjes apo të garantojë që një person të duket disa dekada më i ri.
Kirurgia theksoi rëndësinë e komunikimit të sinqertë ndërmjet mjekut dhe pacientit, në mënyrë që pritshmëritë të jenë në përputhje me mundësitë reale të ndërhyrjes.
Zatriqi paralajmëroi se asnjë ndërhyrje kirurgjikale nuk është plotësisht pa rrezik.
Ajo shpjegoi se komplikacionet mund të jenë të hershme ose të vonshme, duke përmendur gjakderdhjen, infeksionet, problemet me shërimin e plagëve, grumbullimin e lëngjeve dhe dëmtimet e indeve.
“Nuk ka komplikacione ai i cili nuk operon fare”, deklaroi Zatriqi, duke theksuar se komplikacionet janë një mundësi reale në praktikën kirurgjikale.
Sipas saj, përvoja profesionale, përzgjedhja e teknikës së përshtatshme dhe kujdesi pas operacionit janë faktorë të rëndësishëm për zvogëlimin e rrezikut.
Ajo u bëri thirrje pacientëve të informohen për kualifikimet e kirurgut dhe të sigurohen që do të kenë mbështetje mjekësore edhe gjatë periudhës së rikuperimit.
Gjatë intervistës, Zatriqi ngriti shqetësime edhe për angazhimin e disa kirurgëve të huaj në institucione private në Kosovë.
Sipas saj, ekzistojnë raste kur kirurgët vijnë për të realizuar ndërhyrje dhe më pas largohen nga vendi, ndërsa pacientët që përballen me komplikacione mund të kenë vështirësi në sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm.
Ajo theksoi se përgjegjësia e kirurgut nuk përfundon me mbylljen e operacionit, por përfshin edhe ndjekjen e pacientit gjatë rikuperimit.
Zatriqi vlerësoi se Kosova ka profesionistë të kualifikuar në këtë fushë dhe se qytetarët duhet të kenë besim në kapacitetet e tyre.
Në përfundim të intervistës, Zatriqi foli edhe për synimet e saj në zhvillimin e shërbimeve të kirurgjisë plastike në QKUK.
Ajo përmendi nevojën për krijimin e një qendre të specializuar për trajtimin e djegieve, si dhe zhvillimin e mikrokirurgjisë rekonstruktive.
Sipas saj, zhvillimi i këtyre kapaciteteve do të mundësonte trajtimin e më shumë pacientëve brenda Kosovës, pa pasur nevojë të kërkojnë shërbime jashtë vendit.
Kirurgia u drejtua veçanërisht grave që kanë kaluar nëpër trajtimin e kancerit të gjirit, duke i inkurajuar të informohen për mundësitë e rekonstruksionit.
“Kurdo që ato të jenë të gatshme, kur ato kanë dëshirë, ne jemi për to. Ne mjekët, kirurgët, jemi për pacientin”, ishte mesazhi i saj. /Telegrafi/
Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e së hënës në qytetin e Fierit, ku ka mbetur i vrarë Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Çel Sami”. Nga të shtënat është plagosur edhe vëllai i tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, në oborrin e banesës së viktimës. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, autorët kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Hasanit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas krimit, policia ka nisur kërkimet për kapjen e të dyshuarve. Një veturë është gjetur duke u djegur në fshatin Dërmenas dhe dyshohet se është përdorur nga autorët për kryerjen e atentatit.
Vrasja e Hasanit merr një dimension tjetër për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Ai ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”.
Ngjarja për të cilën ishte dënuar Hasani kishte ndodhur më 25 mars të vitit 2002, në qendër të Fierit. Julian Isufaj ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa nga të shtënat kishte mbetur i vrarë edhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Sipas dosjes së asaj ngjarjeje, në atentat kishin qenë të përfshirë edhe Pëllumb Yzeiraj dhe Kujtim Hasanbasha. Hasani ishte arrestuar në gusht të vitit 2009, pas disa vitesh në kërkim, në një operacion të forcave speciale RENEA në Fier.
Pavarësisht dënimit prej 25 vjetësh burgim, ai ishte liruar në fund të vitit 2021, pasi kishte qëndruar rreth 11 vjet në burg.
Deri më tani, motivi i vrasjes së tij nuk është konfirmuar zyrtarisht. Policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa autorët mbeten në kërkim.
Vëllai i viktimës, i cili mbeti i plagosur gjatë të shtënave, është dërguar në spital për trajtim mjekësor. /Insajderi.org/
Një përleshje fizike mes dy personave ka ndodhur në Vushtrri, pas një mosmarrëveshjeje, ku të dyshuarit dyshohet se kanë sulmuar njëri-tjetrin.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar më 22 nëntor 2026, rreth orës 14:20.
Si pasojë e përleshjes, të dy personat kanë pësuar lëndime trupore.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Raporti i plotë:
Vushtrri, 22.11.2026 – 14:20. Pas një mosmarrëveshjeje në mes dy të dyshuarve, të njëjtit dyshohet se kanë sulmuar njëri-tjetrin, ku si pasojë kanë pësuar lëndime trupore. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se paralelisht me asfaltimin po vendoset edhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Vlera e investimit në këtë segment është mbi një milion euro.
Punimet po vazhdojnë përgjatë gjithë aksit rrugor Kijevë–Zahaq, me qëllim të përmirësimit të kushteve të qarkullimit dhe rritjes së sigurisë rrugore.
Kjo ishte humbja e katërt radhazi për Bostonin, që pati mundësinë ta fitonte ndeshjen në sekondat e fundit, por Jayson Tatum dështoi në tentimin e tij për të shënuar në momentet vendimtare, pas sinjalit të sirenës.
Ndërkohë, Miami Heat vazhdon formën e shkëlqyer, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi. Miami mposhti Oklahoma City Thunder me rezultat 123-113, në një përballje ku të dyja skuadrat kishin mungesa të rëndësishme. Miami nuk mund të llogariste në Giannis, ndërsa Oklahoma City ishte pa Shai Gilgeous-Alexander.
Një ndeshje spektakolare u zhvillua mes Chicago Bulls dhe Denver Nuggets, ku fituesi u përcaktua vetëm pas vazhdimeve. Denveri triumfoi me rezultat 151-145, falë edhe paraqitjes fantastike të Jamal Murray, i cili realizoi 45 pikë. Vendimtar ishte edhe një gjuajtje për tri pikë e Nikola Jokicit.
Në ndeshjet e tjera, Detroit Pistons pësoi humbje nga Atlanta Hawks me rezultat 107-97, ndërsa Dallas Mavericks fitoi në udhëtim ndaj Utah Jazz me shifrat 116-114.
Orlando Magic triumfoi bindshëm ndaj Washington Wizards, 116-96, kurse New York Knicks mposhti Indiana Pacers me rezultat 113-106.
Rezultatet në NBA:
Atlanta Hawks – Detroit Pistons 107-97
Miami Heat – Oklahoma City Thunder 123-113
Chicago Bulls – Denver Nuggets 145-151 (pas vazhdimeve)
Një nga videolojërat më të mëdha në botë, “GTA 6”, që është lansuar gjatë javë së kaluar pas më shumë se 10 vitsh pritje, ka ngjallur diskutime të shumta për përmbajtjen dhe ndikimin mes përdoruesve.
Në emisionin e mëngjesit “Ora Shtatë” në Klan Kosova, u diskutua për përmbajtjen e saj, për promovimin e dhunës, përmbajtjeve eksplicite dhe sjelljeve kriminale.
Psikologu Agron Terziqi alarmoi për varësinë e përdoruesve të “GTA 6” që shpenzojnë orë të tëra duke luajtur këtë videolojë.
“Kanë arritë në njëfarë formë ta stimulojnë trurin e njeriut, deri në atë masë që të mos ta dallojnë realitetin prej virtuales. Do të thotë ka arritur tash virtualja me kalu realitetin, dhe me u duk virtualja më e bukur, më joshëse dhe më sfiduese se vet realiteti”, thotë Terziqi.
Ai tregon se emocionet përjetohen nga afër në varësi të ngjarjeve dhe skenave që shfaqen aty.
Kurse, Sead Llazani, i cili luan lojëra të tilla tregoi se në ditën e lansimit të kësaj videoloje ka qëndruar me orë të tëra duke luajtur.
“Si u dal loja kam bërë challenge dmth sfidë, e kam pritur lojën një orë, dhe 24 orë kam qëndruar live, 22 orë kam luajtur”, shprehet ai.
Kurse, eksperti i teknologjisë, Darsej Riza, foli edhe për përfitimet ekonomike që sjellë kjo lojë.
“Ki plot njerëz që kanë fillu me kriju përmbajte, kontent online, ku ka kriju vende pune. Ki njerëz që janë tu stream për të, por janë edhe ekipa ndihmëse e streamerave që merren me krijimin e klipeve të ndryshme, vendosjen e tyre në rrjete sociale”, thekson ai.
Pas 13 vjetësh pritjeje, trailerash rekord dhe shtyrjesh të shumta, videoloja më e shumëpritur e viteve të fundit, Grand Theft Auto 6 (GTA 6), më në fund ka mbërritur te lojtarët, duke marrë menjëherë vlerësime historike.