Një vrasje e rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në Fier të Shqipërisë, ku cak ishin dy vëllezër.
Njëri vdiq, e tjetri u plagos, në shtëpinë e tyre, transmeton Klankosova.tv
Sipas Top Channel, personi që humbi jetën është Selami Hasani, kurse i plagosur rëndë mbeti vëllai i tij, Jakup Hasani.
Viktima raportohet se është emër i njohur për policinë.
Ai ka qenë i dënuar me 25 vite burg, ndërsa akuzohet për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufaj ose i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, dhe të Esat Tares. /Klankosova.tv
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se ka filluar rehabilitimi i rrugës Pejë-Kuçishtë, e cila lidh qytetin e Pejës me vendbanimet e Rugovës.
Kelmendi ka thënë se kjo rrugë nuk shërben vetëm për turizëm, por është e rëndësishme edhe për banorët e 13 fshatrave të Rugovës.
“Prandaj, rehabilitimi i saj është një masë e domosdoshme, që gjatë muajve të dimrit banorët të kenë qasje më të sigurt dhe më të lehtë në vendbanimet e tyre”, ka shkruar ai.
Deputeti i LVV-së ka bërë të ditur gjithashtu se përfaqësuesve të komunitetit të banorëve u është prezantuar projekti për ndërtimin e rrugës së re Pejë-Kuçishtë-Çakorr, i cili përfshin edhe ura të reja, tunele dhe galeri.
Sipas tij, projekti ka vlerë mbi 22 milionë euro dhe pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ky projekt, me vlerë mbi 22 milionë euro, pritet të fillojë në fillim të vitit të ri. Sugjerimet dhe vërejtjet e banorëve, krahas vlerësimeve të inxhinierëve, do të trajtohen një për një nga Ministria e Infrastrukturës”, ka deklaruar Kelmendi.
Ndërkaq, lidhur me fillimin e rehabilitimit të kësaj rruge ka reaguar edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, Faik Zekaj, i cili ka kritikuar Qeverinë për vonesën në ndërhyrjen në këtë segment rrugor.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për mbushjen e gropave në rrugë, duke theksuar se mirëmbajtja e saj, si gjatë dimrit ashtu edhe gjatë verës, është përgjegjësi e nivelit qendror.
“Qeveria Kurti, pas 6 vitesh në pushtet, po paralajmëron se ka filluar rehabilitimin (mbushjen e gropave) në rrugën Pejë – Kuçishtë. Shumë mirë, edhe pse sezoni i dimrit po vjen!”, ka shkruar Zekaj.
Ai ka rikthyer edhe diskutimet për gjendjen e rrugëve në fshatrat e Pejës, duke thënë se ato janë më të mira se rruga kryesore pikërisht për shkak të nivelit të ndryshëm të përgjegjësisë për mirëmbajtjen e tyre.
“Në shumë biseda që kemi pasur: pse rrugët e fshatrave janë më të mira se rruga kryesore, sepse rruga kryesore menaxhohet nga Qeveria, ndërsa rrugët e fshatrave nga Komuna!”, ka shkruar ai.
Në fund, Zekaj ka shprehur pritjen që ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të vazhdojnë edhe në segmentin e Tranzitit në Pejë.
“Shpresoj që shumë shpejt të fillojnë edhe Tranzitin me rehabilitu!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Meta po rishqyrton afatin e saj të emetimeve neto zero në vitin 2030 pasi kërkesa në rritje për infrastrukturën e Al shtrëngon angazhimet e saj për klimën, tha kompania.
Në raportin e saj të qëndrueshmërisë për vitin 2026, kompania mëmë e Facebook-ut dhe Instagramit tha se “po rivlerësojmë afatet tona kohore, renditjen dhe momentet e përkohshme, përfshirë kornizën kohore 2030 për qëllimin tonë neto të emetimeve zero”.
Meta tha se kërkesa për infrastrukturën e Al është rritur më shpejt se sa pritej ndërsa vendosja e energjisë së pastër dhe zgjidhjeve të tjera me më pak karbon nuk ka mbajtur ritmin.
Emetimet neto të gazrave serrë të kompanisë u rritën 45 për qind në 2025-ën në 11.8 milionë tonë metrikë ekuivalent të dioksidit të karbonit, kryesisht për shkak të mallrave, shërbimeve dhe pajisjeve kapitale të blera.
Konsumi i energjisë elektrike u rrit me 35 për qind pasi filluan të funksionojnë qendrat shtesë të të dhënave, sipas Meta.
Kompania përmendi radhët e gjata të lidhjes së rrjetit, vonesat në dhënien e lejeve, kapacitetin e pamjaftueshëm të transmetimit dhe zhvillimin e zinxhirëve të furnizimit për materialet dhe pajisjet me karbon të ulët si pengesa për përmbushjen e objektivave të saj klimatike.
Meta nuk ka shpallur një afat zëvendësues, duke thënë se do të ndajë rezultatin e shqyrtimit të saj.
Pavarësisht rishqyrtimit të afatit kohor të emetimeve, Meta tha se vazhdon të investojë në energji dhe infrastrukturë më të pastër. /AA/
Presioni i emigracionit në El Hierro, në Ishujt Kanarie të Spanjës, u intensifikua përsëri të dielën me mbërritjen e rreth 300 emigrantëve në bordin e anijeve prej druri që përdoren në rrugën Atlantike nga Afrika Perëndimore. Autoritetet gjetën gjithashtu një anije të gjashtë në ujërat pranë ishullit.
Shërbimi i Shpëtimit Detar i Spanjës dhe Roja Civile kryen operacionet e shpëtimit dhe i transferuan njerëzit në portin e La Restingës.
Sipas mediave spanjolle, pesë anijet që kanë mbërritur deri më tani mbanin përkatësisht 74, 82, 22, 35 dhe 79 persona, midis tyre rreth 20 të mitur. Anija patrulluese e Gardës Civile Río Tajo dhe anija e shpëtimit Diphda morën pjesë në operacione.
Me këto mbërritje të fundit, rreth 900 emigrantë po strehohen tani në objekte në ishull, kapaciteti pritës i të cilave është nën një presion të madh. Disa prej tyre pritet të transferohen në ishuj të tjerë në arkipelagun Kanari midis të hënës dhe të martës.
Rritja e numrit të emigrantëve vjen pas disa ditësh mbërritjesh masive që kanë mbingarkuar burimet e disponueshme në El Hierro, një ishull me vetëm 12,000 banorë. Më shumë se 2,500 emigrantë arritën në Ishujt Kanarie midis të shtunës dhe të dielës. Ky është numri më i lartë i shpëtimeve të regjistruara në një ditë të vetme në historinë 30-vjeçare të rrugës së emigrimit Kanarie.
Prodhuesi kinez BYD ka prezantuar modelin e ri Fang Cheng Bao Tai 9, një SUV hibrid me gjashtë ulëse, i cili sjell një teknologji të pazakontë: timonin që paloset dhe zhduket plotësisht brenda panelit të instrumenteve.
Automjeti është lansuar në tregun kinez në nëntor 2026 dhe ofrohet në tri versione, me çmime që variojnë nga rreth 34 mijë deri në 40 mijë euro.
Timoni mund të rrotullohet deri në 180 gradë dhe të futet brenda panelit për vetëm 10 sekonda.
Më pas, një kapak elektrik mbyll hapësirën, duke krijuar një sipërfaqe të sheshtë.
Ky funksion aktivizohet vetëm kur automjeti është i ndalur dhe kombinohet me ulësen e shoferit, e cila mund të shtrihet deri në 165 gradë, duke e kthyer kabinën në një hapësirë për relaksim.
Sipas BYD, mekanizmi përdor teknologji motorike të zhvilluar për robotët humanoidë.
Sa i përket performancës, SUV-i kombinon një motor 1.5-litërsh turbo me dy motorë elektrikë, duke prodhuar gjithsej 536 kuaj fuqi. Ai përshpejton nga 0 në 100 km/h për 4.8 sekonda.
Bateria prej 66.48 kWh mundëson deri në 310 kilometra autonomi vetëm me energji elektrike.
Aktualisht, modeli është i disponueshëm vetëm në Kinë, ndërsa ende nuk ka informacione për daljen e tij në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/
Mesfushori 24-vjeçar po kalon një sezon mjaft të mirë te Porto, pas rikthimit në futbollin evropian nga aventura në Arabinë Saudite.
Ish-futbollisti i Celta Vigos është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës portugeze, duke kontribuar me 12 gola dhe asistime në 17 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.
Sipas “Fichajes”, duke iu referuar “Fussball News”, të dy gjigantët spanjollë janë duke e monitoruar nga afër situatën e mesfushorit dhe e kanë përfshirë atë në listën e përforcimeve të mundshme.
Megjithatë, deri më tani, as Barcelona dhe as Atletico Madridi nuk kanë bërë ndonjë ofertë zyrtare për lojtarin.
Veiga, i cili më herët ka përfaqësuar edhe grupmoshat e Kombëtares së Spanjës, mund të rikthehet në La Liga, por mbetet të shihet se cili klub do të konkretizojë interesimin për të.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës në Shqipëri, ku një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në Fier, ku i vdekur si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur një person, derisa vëllai i tij është plagosur.
Detaje për rastin ka dhënë policia shqiptare, ku ka njoftuar se i palgosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Dermenas, sipas policisë, është konstatuar një automjet që po digjej, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
“Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të kërkuar në Prishtinë.
Sipas njoftimit, 37-vjeçari E.S, ishte i kërkuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Për këtë vepër, sipas njoftimit, ai ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim.
“Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi i arrestuar është dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me vendimin e gjykatës.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
Artikuj të rrallë që u përkisnin pasagjerëve të Titanikut janë shitur në ankand për shuma rekord.
Artikujt më të shtrenjtë të shitur ishin një orë xhepi që i përkiste pasagjeres së klasit të tretë Mary Mangan, e cila u shit për rreth 298 mijë euro, dhe një unazë diamanti që mbante pasagjerja e famshme Lady Duff Gordon, e cila u shit për rreth 179 mijë euro.
Një tjetër artikull ishte një letër e detajuar, e njollosur, e gjetur në trupin e autorit të saj, pasagjerit të klasit të parë Ramon Artagaveitia Gomez, e cila u shit për rreth 95 mijë euro.
Ankandisti Andrew Aldridge, nga shtëpia e ankandeve “Henry Aldridge and Son” në Devizes, tha se “shitja epike” ishte dëshmi e interesimit të vazhdueshëm global për këtë histori tragjike.
Titaniku u nis në udhëtimin e tij të parë më 10 prill 1912 dhe u fundos në orët e para të 15 prillit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1,500 njerëzve.
Ora e artë u gjet në trupin e pasagjeres irlandeze 32-vjeçare Mangan dhe iu kthye familjes së saj së bashku me sendet e tjera personale.
Kohët e fundit, ajo ishte ekspozuar për disa javë, së bashku me pjesën tjetër të Koleksionit Mangan, në muzeun Titanic Belfast.
Mangan ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte kthyer në Irlandë në fillim të vitit 1912 për të vizituar familjen e saj.
Letra e rrallë, e shkruar në gjuhën spanjolle gjatë udhëtimit, në letër zyrtare të Titanikut, përshkruan anijen në detaje, duke filluar nga ngjyrat e saj e deri te temperatura dhe numri i pasagjerëve në restorant.
Ajo ishte një nga më shumë se 100 artikujt e lidhur me anijen e fundosur që u shitën në ankand.
Në mesin e tyre ishte edhe një dokument sigurimi, i cili u shit për rreth 32 mijë euro, si dhe një biletë e rrallë e Titanikut, që arriti çmimin prej rreth 54 mijë eurosh. /Telegrafi/
Nelson Hysa e kishte të qartë se dëshironte të përballej me Agit Kabayel, menjëherë pasi në muajin gusht mposhti lehtësisht Thomas Nermon.
Boksieri shqiptar shfrytëzoi mbrëmjen e madhe të boksit në O2 Arena të Londrës, ku ishte pjesë e kartës së duelit Filip Hrgovic – Moses Itauma, për të dërguar një mesazh të qartë. Hysa e vazhdoi serinë e tij të pamposhtur, duke regjistruar fitoren e 25-të në po aq meçe, 23 prej të cilave i ka fituar me nokaut.
Pa humbur kohë, ai iu afrua Kabayelit, i cili po e ndiqte ngjarjen nga afër, dhe i kërkoi një përballje. Disa javë më vonë, insistimi i tij u shpërblye, pasi u konfirmua dueli mes tyre për këtë fundjavë në Gjermani, në stadiumin Merkur Spiel-Arena, ku zhvillon ndeshjet si vendas Fortuna Düsseldorf.
Në moshën 42-vjeçare, Hysa e di se mundësitë e tilla nuk vijnë shpesh. Për të, kjo mund të jetë shansi i vetëm për të luftuar për majën e kategorisë së rëndë dhe për t’u shpallur kampion bote.
“Kur e përfundova meçin, e pashë atë pranë ringut dhe shkova t’i ofroja një përballje”, ka treguar Hysa në një intervistë për DAZN.
Ai beson se ky duel ka kuptim si nga aspekti sportiv, ashtu edhe për tifozët shqiptarë, ndërsa nuk e fsheh bindjen se mund ta mposhtë kampionin e WBC-së.
“Mendoja se kjo përballje kishte kuptim. Unë dhe Kabayel në një stadium të mbushur plot do t’i gëzonim njerëzit tanë.
Duhet të jem i sinqertë, mendoj se mund ta fitoj këtë meç. Djemtë që po luftonin për titujt e botës nuk mund të boksojnë. Gjithashtu, Dubois ishte i angazhuar me Wardley, kështu që kjo ishte e vetmja rrugë drejt titullit botëror.
E pashë dhe duhej të shkoja t’i kërkoja këtë mundësi. Dua t’i falënderoj Frank Warrenin, George Warrenin dhe ekipin e tij, sepse kjo është një mundësi e madhe për mua, për njerëzit e mi dhe për flamurin tim”.
Ndërkohë, boksieri shqiptar ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen. Nëse arrin ta mposhtë Kabayelin, ai do të dëshironte të përballej me ish-kampionin e botës, Tyson Fury.
Hysa e vlerëson shumë boksin britanik dhe nuk e fsheh dëshirën për të ndarë ringun me Fury, në një duel që potencialisht mund të shndërrohej në një përballje për unifikimin e titujve në vitin 2027.
“Ka shumë boksierë të mirë në kategorinë e rëndë dhe i vlerësoj shumë prej tyre. Boksi britanik ka shumë luftëtarë të fortë.
Nga të gjithë boksierët e mi të preferuar me të cilët do të dëshiroja të ndaja ringun, është Tyson Fury. Nëse ai e fiton titullin WBA, atëherë unë do ta fitoj WBC-në. Do të zhvillojmë një duel për unifikimin e titujve dhe kjo do të ishte fantastike”, përfundoi Hysa./Telegrafi/