Author: Momenti

  • Përfaqësuesja e Izraelit në Miss Universe u fishkëllye gjatë prezantimit të kostumeve

    Përfaqësuesja e Izraelit në Miss Universe u fishkëllye gjatë prezantimit të kostumeve

    Përfaqësueja e Izraelit në Miss Universe, Danielle Yablonka, u fishkëllye gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare të shtunën në mbrëmje.

    Disa nga publiku fishkëllyen paraqitjen e saj me një kostum që paraqiste Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe fjalën “paqe” në hebraisht, arabisht dhe anglisht. Eventi u zhvillua në Porto Riko, ku po mbahet konkursi i bukurisë i këtij viti.

    Kostum kushtuar Jerusalemit

    Është një krijim nga stilisti Jacob Meir, i përbërë nga një kurorë dhe një mantel që përshkruan Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.

    Pjesa e brendshme e mantelit përmban motive të portokalleve Jaffa, pemëve të ullirit dhe fjalës “paqe” të shkruar në tre gjuhë. Prezantuesi i programit e paraqiti kostumin si një dedikim për “tokën ku jeton historia” dhe shpjegoi se ishte frymëzuar nga transformimi i tokës së thatë në tokë bujqësore.

    Sipas agjencisë izraelite të lajmeve Ynet, 25-vjeçarja Yablonka, një modele dhe influencuese e lindur në Miami, u fishkëllye nga një pjesë e publikut sapo doli në skenë. Performanca e saj shkaktoi gjithashtu reagime të shumta negative në mediat sociale.

    Në komente u shfaqën thirrje për çlirimin e Palestinës, dhe një përdorues pyeti nëse portokallet e paraqitura në pelerinë ishin rritur në territorin e pushtuar palestinez.

    Yablonka u zgjodh si përfaqësuese nga organizata Miss Izrael pasi konkursi kombëtar i bukurisë i këtij viti u anulua për shkak të luftës. Ajo fitoi vendin e dytë në të njëjtin konkurs vitin e kaluar. Finalja për Miss Universe do të mbahet këtë të martë.

  • “Mos e ekspozoni fytyrën e fëmijës në rrjete sociale”, ekspertja zbulon rrezikun e fotografive në internet

    “Mos e ekspozoni fytyrën e fëmijës në rrjete sociale”, ekspertja zbulon rrezikun e fotografive në internet

    Publikimi i fotografive të fëmijëve në rrjete sociale është bërë pjesë e zakonshme e përdorimit të platformave digjitale, por ekspertja e sigurisë kibernetike, Drenusha Salihu paralajmëron se kjo praktikë mund të sjellë rreziqe.

    Në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”, Salihu u pyet se cila do të ishte këshilla kryesore që do t’ua jepte prindërve për sigurinë online të fëmijëve.

    Përgjigjja e saj ishte e drejtpërdrejtë. “Këshilla e parë që i kisha rekomandu është për prindërit vetë mos vendosja e fotografive të fëmijëve të tyre në rrjete sociale”, tha ajo.

    Salihu tha se e kupton rëndësinë emocionale që ka fëmija për secilin prind, por theksoi se fytyra e një të mituri nuk duhet ekspozuar pa menduar për pasojat.

    “Është shumë e rëndësishme të mos e ekspozojmë fytyrën e një të mituri”, u shpreh ajo.

    Ajo foli edhe për një trend të përdorimit të fotografive të fëmijëve në platformat e inteligjencës artificiale për editim, ndryshim veshjesh apo krijimin e imazheve të ndryshme.

    Sipas saj, problem mbetet fakti se përdoruesit shpesh nuk e dinë se çfarë ndodh me fotografitë e ngarkuara.

    “Kjo është diçka shumë e keqe”, tha Salihu, duke ngritur pyetjen se ku shkojnë fotografitë dhe nëse ato përdoren për mbledhjen e të dhënave.

    Ajo u bëri thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm dhe të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve të panevojshme.

    “Të mos i përdorin fëmijët e tyre si vegla potenciale pastaj për sulme keqdashëse”, ishte një nga mesazhet e saj.

    Salihu rekomandoi gjithashtu përdorimin e “parental control” në pajisjet që përdorin fëmijët dhe komunikimin e hapur me ta rreth asaj që bëjnë gjatë kohës që janë online.

    Ajo paralajmëroi se edhe lojërat online mund të paraqesin rreziqe, sidomos kur u mundësojnë fëmijëve të komunikojnë me persona të panjohur.

    Sipas saj, ka pasur raste kur persona të rritur kanë tentuar të kontaktojnë fëmijë përmes lojërave që ofrojnë mundësi komunikimi ndërmjet përdoruesve.

    Për këtë arsye, Salihu tha se prindërit duhet të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm”, veçanërisht për shkak se fëmijët mund t’u besojnë më lehtë personave të tjerë online.

    Episodin e plotë të “Rrugëtimit” mund ta ndiqni më poshtë./Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com


  • Një “Trump” i rremë ndërpret fjalimin e kryeministrit kanadez, skena bëhet virale

    Një “Trump” i rremë ndërpret fjalimin e kryeministrit kanadez, skena bëhet virale

    Një imitues i presidentit amerikan Donald Trump iu bashkua kryeministrit kanadez Mark Carney gjatë darkës vjetore të organizuar nga Galeria Parlamentare e Shtypit në Ottawa, ku politikanët shkëmbyen batuta dhe ironizuan njëri-tjetrin.

    Carney, 61-vjeçar, ishte duke mbajtur fjalimin e tij kur në skenë u shfaq papritur një imitues i Trumpit, me fytyrë të ngjyrosur dhe flokë të verdhë, duke imituar gjestet, mënyrën e të folurit dhe lëvizjet karakteristike të presidentit amerikan.

    Imituesi e largoi Carney-n nga foltorja dhe nisi të bënte shaka me popullaritetin e tij, ndërsa në skenë ndodhej edhe një komedian që imitonte kryeministrin kanadez.

    “Kemi dy Carney këtu, është katastrofë. A nuk është e pabesueshme? Dy Carney, ai është kaq popullor. Pothuajse po aq sa unë”, tha imituesi, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

    – YouTube www.youtube.com

    Më pas, parodia mori edhe tone politike, duke u përqendruar te marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.

    “Mark, do të arrijmë një marrëveshje të jashtëzakonshme, si të gjitha të tjerat. Unë e quaj Mark, nuk e quaj ‘guvernator’ në sy, sepse jam frikacak”, tha imituesi, duke iu referuar mënyrës se si Trump e ka quajtur më parë kryeministrin kanadez.

    “Por do të kemi një marrëveshje të shkëlqyer. Ka vetëm një pengesë: unë, sepse jam i çmendur”, shtoi ai.

    Imituesi bëri shaka edhe me ndryshimet e shpeshta në administratën amerikane, duke deklaruar se kishte ardhur në këtë ngjarje për të gjetur një sekretare të re për shtyp.

    Edhe vetë Carney ironizoi presidentin amerikan gjatë fjalimit të tij.

    “Kjo është një audiencë e vështirë. Dhe unë kam qenë në Zyrën Ovale. Vetëm. Me dekoruesin e saj të ri”, tha kryeministri kanadez.

    Imitimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-së mbeten të tensionuara për shkak të tarifave tregtare të vendosura nga administrata Trump.

    Carney ka deklaruar se Kanadaja nuk do të tërhiqet nga kërkesat për një marrëveshje të drejtë tregtare dhe ka kundërshtuar idenë e Trumpit që vendi të bëhet shteti i 51-të amerikan.

    Kryeministri kanadez synon të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin deri në fund të vitit 2026. /Telegrafi/

  • Aktivizohet TIPS-K në Kosovë, qytetarët mund të transferojnë deri në 3 mijë euro brenda pak sekondash

    Aktivizohet TIPS-K në Kosovë, qytetarët mund të transferojnë deri në 3 mijë euro brenda pak sekondash

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka nisur funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), përmes të cilit qytetarët dhe bizneset mund të realizojnë transfere të menjëhershme të parave.

    Sipas njoftimit të BQK-së, tashmë janë realizuar me sukses edhe transferet e para, ndërsa në fazën fillestare shërbimi është aktivizuar në katër nga dhjetë bankat që operojnë në Kosovë.

    Bankat që tashmë ofrojnë këtë shërbim janë ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.

    “Klientët e këtyre bankave mes vete mund të kryejnë transfere të shpejta deri në 3,000 euro për transfer, kur banka e dërguesit dhe banka e pranuesit janë të dyja pjesëmarrëse në TIPS-K”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Sistemi mundëson që transferet të realizohen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Shërbimi mund të përdoret përmes llogarive ekzistuese dhe platformave digjitale të bankave, si mobile banking dhe e-banking.

    Ndërkohë, BQK-ja ka bërë të ditur se bankat e tjera do t’i bashkohen sistemit në mënyrë graduale, pas përfundimit të përgatitjeve teknike dhe operative.

    “Bankat e tjera do t’i bashkohen sistemit gradualisht dhe në vijimësi, pas përfundimit të përgatitjeve të nevojshme teknike dhe operative, brenda periudhës kalimtare tremujore, e cila përfundon më 23 shkurt 2027”, thuhet në njoftim.

    Transferet që përfshijnë banka të cilat ende nuk janë pjesë e TIPS-K, si dhe ato që tejkalojnë kufirin prej 3,000 eurosh, do të vazhdojnë të realizohen përmes kanaleve ekzistuese të pagesave.

    BQK-ja gjithashtu ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes gjatë kryerjes së transfereve, duke verifikuar të dhënat e pranuesit para konfirmimit të pagesës.

    “Klientët duhet të kontrollojnë të dhënat para konfirmimit, përfshirë emrin, mbiemrin, IBAN-in dhe shumën, si dhe duhet të kenë kujdes që të mos i japin askujt asnjë të dhënë të sigurisë ose të dhënë tjetër të ndjeshme”, thekson BQK-ja.

    Në rastet kur një transfer i shpejtë nuk konfirmohet menjëherë, qytetarëve u rekomandohet të kontrollojnë statusin në aplikacionin e bankës ose të kontaktojnë bankën përkatëse para se ta përsërisin pagesën.

    Sistemi TIPS-K ishte lansuar për bankat më 20 nëntor 2026, në një ceremoni zyrtare të organizuar nga BQK-ja. Ndërkaq, me fillimin e funksionimit të tij, projekti rajonal TIPS Clone do të inaugurohet edhe në një ceremoni zyrtare në Bankën e Italisë, në Romë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë të BQK-së. /Telegrafi/

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në Begracë dhe Kaçanik të Vjetër për shkak të një defekti

    Ndërpritet furnizimi me ujë në Begracë dhe Kaçanik të Vjetër për shkak të një defekti

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Bifurkacioni” ka njoftuar se sot, më 23 nëntor, është ndërprerë përkohësisht furnizimi me ujë të pijshëm në fshatrat Begracë dhe Kaçanik i Vjetër.

    Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti në pompën e ujit që furnizon këto dy fshatra.

    Ekipet teknike të KRU “Bifurkacioni” janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Kompania ka bërë të ditur se për kohën e rikthimit të furnizimit me ujë do t’i informojë konsumatorët me kohë. /Telegrafi/

  • Wirtz shkëlqen ndaj Unitedit, mediat gjermane e vlerësojnë lart

    Wirtz shkëlqen ndaj Unitedit, mediat gjermane e vlerësojnë lart

    Mesfushori ofensiv gjerman ishte një nga protagonistët kryesorë të triumfit të “Të Kuqve”, duke realizuar një gol të bukur në minutën e 13-të, ndërsa në minutën e 82-të asistoi për golin e Victor Munozit.

    Wirtz, i cili u transferua te Liverpooli në verën e vitit 2025 për 116 milionë funte, luajti gjatë gjithë ndeshjes dhe regjistroi një paraqitje të shkëlqyer. Ai krijoi plot 10 raste për bashkëlojtarët dhe përfundoi takimin me saktësi prej 90.5 për qind në pasime.

    Gazeta e njohur gjermane “Bild” i kushtoi një artikull të veçantë paraqitjes së tij, me titullin: “Tani Wirtz po bën magji edhe në Liverpool”.

    Mediumi gjerman vlerësoi sidomos golin e tij, duke e cilësuar goditjen akrobatike me të majtën si një realizim të jashtëzakonshëm.

    “Wirtz nuk shkëlqeu vetëm si golashënues. Ai kërkoi vazhdimisht topin, organizoi sulmet dhe krijoi raste për bashkëlojtarët”, shkroi “Bild”.

    Gazeta gjermane komentoi edhe ndikimin që mund të ketë pasur Jurgen Klopp në rikthimin e besimit të mesfushorit, duke theksuar se trajneri gjerman me siguri është i kënaqur me paraqitjet e tij të fundit.

    Wirtz kishte shkëlqyer edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë, duke shënuar një gol në fitoren 3-1 ndaj Serbisë dhe dy të tjerë në triumfin 5-0 kundër Holandës.

    Paraqitjet e fundit tregojnë se 23-vjeçari po kalon një periudhë shumë të mirë sportive, duke dhënë sinjale se po e justifikon gjithnjë e më shumë investimin e madh të Liverpoolit.

    Burimi: RTKLive

  • Gjendet pa jetë një person në Fier, dyshohet se është ekzekutuar, identifikohet viktima

    Gjendet pa jetë një person në Fier, dyshohet se është ekzekutuar, identifikohet viktima

    Gjendet pa shenja jete një person me inicialet S.H mëngjesin e sotëm në lagjen 1 Maji, Fier.

    Dyshimet e para flasin për një ekzekutim të këtij shtetasi, por ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes.

    Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave. /Tch/

  • 1.497 gjoba dhe 21 aksidente trafiku brenda një jave në rajonin e Ferizajt

    1.497 gjoba dhe 21 aksidente trafiku brenda një jave në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1.497 gjoba kundërvajtëse ndaj pjesëmarrësve në trafik gjatë javës së kaluar, nga 16 deri më 22 nëntor 2026.

    Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, gjatë kësaj periudhe janë pezulluar edhe pesë patenta shoferësh për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut.

    Ndërkohë, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 21 aksidente trafiku.

    Prej tyre, 14 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ku 17 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa shtatë aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e aksidenteve në komunikacion.

    Po ashtu, ka apeluar te shoferët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e trafikut.

    Policia ka ftuar qytetarët që të raportojnë kundërvajtjet në trafik në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” ose në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/

  • Sulm kibernetik ndaj kompanisë së Samsungut, komprometohen të dhënat personale të mbi 8 mijë klientëve

    Sulm kibernetik ndaj kompanisë së Samsungut, komprometohen të dhënat personale të mbi 8 mijë klientëve

    Sulm kibernetik ndaj kompanisë së Samsungut, komprometohen të dhënat personale të mbi 8 mijë klientëve

    Mbi 8 mijë klientë të kompanisë koreano-jugore “Samsung Securities Co.” janë prekur nga një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë komprometuar të dhënat e tyre personale.

    Qasja e paautorizuar u zbulua të shtunën në faqen e internetit të kompanisë, e cila përdoret për komunikimin me klientët. Lajmi u raportua nga agjencia Yonhap, duke cituar vetë kompaninë.

    Sipas raportimeve, informacionet e ekspozuara përfshijnë emrat, adresat e banimit dhe të dhëna të tjera personale të klientëve.

    Kompania bëri të ditur se incidenti ishte kufizuar vetëm në faqen e prekur, ndërsa sistemet e tjera ku ruhen të dhënat e klientëve nuk ishin komprometuar.

    Pas zbulimit të sulmit, “Samsung Securities” njoftoi se e ka raportuar rastin tek autoritetet përkatëse dhe ka ndërmarrë masa për forcimin e sigurisë kibernetike.

    “Samsung Securities” është një nga kompanitë kryesore financiare në Korenë e Jugut, që ofron shërbime të tregtimit të aksioneve, investimeve bankare dhe menaxhimit të pasurisë.

    Incidenti vjen në një kohë kur institucionet financiare dhe kompanitë në Korenë e Jugut po përballen me sulme të vazhdueshme kibernetike, duke shtuar shqetësimet për mbrojtjen e të dhënave personale të klientëve.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Mashtrimi me 189 mijë euro të GoFundMe, disa persona i shkojnë në shtëpi të dyshuarit Endrit Azemi

    Mashtrimi me 189 mijë euro të GoFundMe, disa persona i shkojnë në shtëpi të dyshuarit Endrit Azemi

    Mashtrimi me 189 mijë euro të GoFundMe, disa persona i shkojnë në shtëpi të dyshuarit Endrit Azemi

    Endrit Azemi është i arrestuar si i dyshuar për mashtrim për mbledhjen e fondeve përmes GoFundMe. I dyshuari është prezantuar si person i diagnostikuar me leukemi akute, teksa ka mbledhur afro 190 mijë euro.

    Mediumi Nacionale ka publikuar pamje, për të cilat raporton se kanë ndodhur pranë shtëpisë së të dyshuarit. Në bazë të këtyre pamjeve, mbrëmjen e së dielës disa persona kanë shkuar pranë shtëpisë së të dyshuarit.

    Sipas këtyre pamjeve, të njëjtit shihen të rrevoltuar në drejtim të një personi.

    Ndaj Azemit pritet të mbahet seanca gjyqësore, ku Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. /Insajderi.org/

    Burimi: Insajderi