Author: Momenti

  • Audi integron Microsoft 365 në automjetet e tij, shoferët do të mund të punojnë gjatë udhëtimit

    Audi integron Microsoft 365 në automjetet e tij, shoferët do të mund të punojnë gjatë udhëtimit

    Shoferët e automjeteve Audi së shpejti do të mund t’i kryejnë disa nga detyrat e tyre të punës drejtpërdrejt nga makina, duke përdorur vetëm komandat zanore.

    Prodhuesi gjerman po integron aplikacionet Microsoft Outlook dhe Teams në sistemet multimediale të automjeteve, përmes aplikacionit të ri “Connected Work”.

    Kjo do t’u mundësojë shoferëve t’u përgjigjen e-maileve dhe të marrin pjesë në takime pa i larguar duart nga timoni. Aplikacioni do të jetë i disponueshëm për modelet e vitit 2026.

    Zgjidhja është zhvilluar në bashkëpunim me kompanitë Cerence AI dhe Microsoft, ndërsa u dedikohet kryesisht përdoruesve të biznesit, të cilët kalojnë një pjesë të madhe të ditës në udhëtim.

    Sipas Cerence AI, Audi është prodhuesi i parë që ka zhvilluar së bashku me kompaninë dhe Microsoft-in sistemin “Mobile Work Agent”, i cili bazohet në modelet e mëdha gjuhësore (LLM) dhe platformën Microsoft Foundry.

    Asistenti lidhet me sistemet e Microsoft-it Intune, Entra dhe Purview, të cilat menaxhojnë autentifikimin, pajisjet dhe rregullat e sigurisë për përdoruesit e biznesit.

    Qëllimi kryesor është që shoferët të mbeten produktivë pa rrezikuar sigurinë në trafik. Asistenti zanor mund të hartojë e-maile, të lexojë me zë mesazhet në biseda, të caktojë takime dhe të mundësojë pjesëmarrjen në telefonata përmes Teams.

    Të gjitha funksionet aktivizohen vetëm me komanda zanore.

    Sistemi ofron edhe një përmbledhje zanore të ditës së punës. Kështu, para nisjes së udhëtimit, shoferi mund të dëgjojë orarin në kalendar dhe mesazhet e palexuara.

    Audi dhe Cerence AI theksojnë se sistemi ofron qasje të sigurt në paketën Microsoft 365, me mekanizma kontrolli që synojnë të përmbushin edhe kërkesat më të rrepta të departamenteve të teknologjisë informative në kompani. Mbrojtja e të dhënave dhe enkriptimi mbështeten në sistemet Intune, Entra dhe Purview.

    Aplikacioni do të ofrohet për modelet Audi A5, Q5, A6, A6 E-Tron, Q6 E-Tron, Q7 dhe Q9, të vitit model 2026 e më të reja.

    Fillimisht, sistemi do të lansohet në 28 shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Malin e Zi. Shtetet e Bashkuara nuk janë përmendur në njoftimin e kompanisë.

    Në fazën e parë, aplikacioni do të mbështesë gjuhët gjermane dhe angleze. Audi planifikon të shtojë edhe gjashtë gjuhë të tjera: danishten, frëngjishten, italishten, holandishten, polonishten dhe spanjishten.

    Përdoruesit do të mund ta marrin aplikacionin si pjesë të paketës “MMI experience pro” ose ta blejnë veçmas përmes dyqanit Audi Function Store, për ta instaluar më pas nga Audi Application Store. /Telegrafi/

  • Sulm kibernetik ndaj CIA-s

    Sulm kibernetik ndaj CIA-s

    Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në Shtetet e Bashkuara janë goditur nga një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar informacione të paklasifikuara të institucioneve amerikane.

    Lajmi është raportuar më 24 nëntor nga mediat amerikane, duke iu referuar burimeve të njohura me rastin. Sipas tyre, ndërhyrja ka prekur një rrjet kompjuterik që përdoret për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve nga burime të hapura.

    Ende nuk dihet se cilat të dhëna janë komprometuar dhe kush qëndron pas sulmit. Dyshohet se përveç CIA-s dhe ODNI-së, ekspozimi mund të ketë përfshirë edhe informacione të institucioneve të tjera qeveritare amerikane.

    Sipas një burimi të cituar nga Associated Press, sulmi nuk ka përfshirë informacione të klasifikuara dhe problemi tashmë është zgjidhur, shkruan cnn.

    Ndërkaq, ODNI ka deklaruar se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve që përmbajnë informacione të klasifikuara. CIA nuk ka dhënë një reagim të menjëhershëm lidhur me rastin.

    Rrjeti i prekur përdoret për inteligjencën nga burimet e hapura (OSINT), një metodë që mbështetet në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave publike, përfshirë përmbajtjet në internet, imazhet satelitore komerciale dhe bazat e të dhënave private.

    Megjithëse këto informacione nuk janë të klasifikuara, kombinimi i tyre mund t’u mundësojë analistëve të inteligjencës të identifikojnë kërcënime, të zbulojnë modele të aktiviteteve dhe të krijojnë një pasqyrë më të qartë për zhvillimet në vende të ndryshme.

    Sulmi i fundit vjen në një periudhë kur disa institucione amerikane janë përballur me incidente të sigurisë kibernetike dhe probleme teknike.

    Javën e kaluar, një rrjet i brendshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), i përdorur për komunikimin e informacioneve të klasifikuara, pësoi ndërprerje të përkohshme. Ndërkohë, FBI-ja po heton një ndërhyrje të dyshuar në bazën kombëtare të të dhënave për zbatimin e ligjit, ndërsa një incident tjetër ka prekur sistemin e pagesave për fermerët në Departamentin e Bujqësisë.

    Administrata e presidentit Donald Trump ka mohuar se këto incidente janë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik. Megjithatë, rastet e njëpasnjëshme kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e sistemeve digjitale të institucioneve amerikane. /Telegrafi/

  • 114 vjetori i pavarësisë, Kurti: Kosova është shtet më vete, por jo e shkëputur ndaj kombit shqiptar

    114 vjetori i pavarësisë, Kurti: Kosova është shtet më vete, por jo e shkëputur ndaj kombit shqiptar

    114 vjetori i pavarësisë, Kurti: Kosova është shtet më vete, por jo e shkëputur ndaj kombit shqiptar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është shtet më vete, por jo e shkëputur nga kombi shqiptar.

    Këtë deklaratë Kurti e bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Në fjalimin e tij, Kurti tha se marrëdhëniet me Shqipërinë janë konsideruar gjithmonë vëllazërore dhe strategjike për kombin shqiptar.

    “Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, deklaroi Kurti.

    Ai foli edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve, duke bërë të ditur se deri më tani janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi 190 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    Sipas Kurtit, këto marrëveshje përfshijnë fusha si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.

    Kurti foli edhe për aspiratën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke përmendur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, çlirimin e Kosovës më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së saj më 2008.

    Ai tha se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se vendi ka përmbushur për katër vjet rresht kriterin e investimeve prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor në siguri.

    Burimi: Insajderi

  • Pochettino: Manchester United nuk është ekip i brishtë, kemi mentalitet të fortë

    Pochettino: Manchester United nuk është ekip i brishtë, kemi mentalitet të fortë

    Manchester United pësoi humbje të thellë 4:0 nga Liverpool të dielën, në ndeshjen e parë të Pochettino në krye të skuadrës, pasi zëvendësoi Michael Carrick. Aktualisht, United renditet në pozitën e nëntëmbëdhjetë në Premier League, ndërsa të mërkurën do të përballet me Sporting në Lisbonë, në Ligën e Kampionëve.

    “Unë nuk them se jemi të brishtë. Them se jemi të fortë, kemi mentalitet dhe mendësi të shkëlqyer. Natyrisht, ka shumë gjëra që duhet t’i përmirësojmë, por kjo është normale kur ndodhemi në pozitën ku jemi në Premier League”, ka deklaruar trajneri argjentinas.

    Pochettino ka kujtuar se Manchester United sezonin e kaluar përfundoi në pozitën e tretë dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

    “Ata treguan sezonin e kaluar se ishin të aftë të përfundonin të tretët dhe tani po luajmë në Ligën e Kampionëve falë paraqitjeve të tyre. Në futboll ndodhin gjëra të ndryshme, për arsye të ndryshme. Tani duhet të identifikojmë arsyet dhe tashmë jemi duke punuar për këtë”, ka shtuar ai.

    Trajneri i ri ka folur edhe për humbjen nga Liverpool, duke kritikuar vendimet e gjyqtarëve. Kartoni i kuq i dhënë mbrojtësit Leny Yoro u anulua më vonë, por Pochettino ka theksuar se ky vendim nuk mund ta ndryshojë rezultatin e ndeshjes.

    “Çfarë po bënin me VAR-in? A do ta përsërisim ndeshjen? A do të kemi mundësinë të luajmë me të njëjtat kushte, njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë?”, ka pyetur Pochettino.

    Ai ka kundërshtuar edhe vlefshmërinë e golit të parë të Liverpool, të realizuar nga Dominik Szoboszlai, duke pretenduar se duhej të ishte anuluar për shkak të kontaktit të Bradley Barcola me murin mbrojtës të United.

    Ndërkohë, kapiteni Bruno Fernandes ka bërë të ditur se rikthimi i bisedimeve për kontratën e re do të varet nga rezultatet e skuadrës. Marrëveshja aktuale e mesfushorit portugez përfundon në fund të sezonit.

    “Duhet të fillojmë të fitojmë ndeshje dhe pastaj mund të flasim për kontratën. Kjo nuk është e rëndësishme tani. Më shumë jam i shqetësuar për rezultatet dhe përpjekjen që ta rikthejmë klubin në një pozitë me të cilën mund të krenohemi. Aktualisht nuk jemi aty”, ka deklaruar Fernandes.

    Manchester United ka regjistruar dy fitore dhe dy humbje në katër ndeshjet e deritanishme në Ligën e Kampionëve, ndërsa përballja me Sporting paraqet një tjetër sfidë për skuadrën e Pochettino.

    Burimi: RTKLive

  • CAF e pranon vendimin e CAS-it për shpalljen e Senegalit kampion në Afrikë

    CAF e pranon vendimin e CAS-it për shpalljen e Senegalit kampion në Afrikë

    CAF ka bërë të ditur se respekton vendimin përfundimtar të CAS-it dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e tij.

    “CAF respekton vendimin e CAS-it dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta zbatuar atë”, thuhet në komunikatën e institucionit më të lartë të futbollit afrikan.

    Të martën, CAS-i rrëzoi vendimin e Komitetit të Apelit të CAF-it, të marrë më 17 mars, dhe la në fuqi vendimin e mëhershëm të Komitetit Disiplinor, të datës 11 shkurt. Në këtë mënyrë, Senegali u rikthye zyrtarisht në pozitën e kampionit të Afrikës.

    Kontestet lidhen me finalen e zhvilluar më 18 janar në stadiumin “Prince Moulay Abdellah” në Rabat të Marokut. Senegali kishte fituar 1:0 pas vazhdimeve, por në muajin mars CAF ia kishte regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Marokut.

    Vendimi i atëhershëm ishte marrë pasi futbollistët e Senegalit kishin braktisur përkohësisht fushën për rreth katërmbëdhjetë minuta, në shenjë proteste ndaj penalltisë së akorduar për Marokun në minutat e fundit të kohës së rregullt.

    Megjithatë, Maroku nuk e shfrytëzoi mundësinë nga pika e bardhë, ndërsa ndeshja vazhdoi në vazhdime, ku Senegali shënoi golin e fitores.

    Federata Mbretërore Marokene e Futbollit ka bërë të ditur se nuk pajtohet me vendimin dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion për ta kundërshtuar atë.

    Burimi: RTKLive

  • Ngrica në orët e mëngjesit dhe mundësi për reshje të dobëta shiu, ky është parashikimi i motit për nesër

    Ngrica në orët e mëngjesit dhe mundësi për reshje të dobëta shiu, ky është parashikimi i motit për nesër

    Ngrica në orët e mëngjesit dhe mundësi për reshje të dobëta shiu, ky është parashikimi i motit për nesër

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se dita e mërkurë, do të karakterizohet me mot me diell dhe vranësira të shpërndara në vendin tonë.

    Sipas njoftimit të Institutit, vranësirat në disa zona mund të sjellin reshje të dobëta shiu, ndërsa në orët e mëngjesit parashihen ngrica.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga -8 deri në -4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 2 deri në 6 gradë Celsius.

    Era do të fryjë nga drejtimi i juglindjes, me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra në sekondë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • CIA pëson sulm kibernetik

    CIA pëson sulm kibernetik

    CIA pëson sulm kibernetik

    Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) janë përballur me një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar disa informacione të paklasifikuara.

    Lajmi është raportuar nga CNN, duke iu referuar katër burimeve të njohura me rastin. Sipas tyre, ndërhyrja ka prekur një sistem që përdoret nga agjencitë amerikane për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve nga burime të hapura, përcjell Insajderi.

    Ky sistem shërben për inteligjencë nga burime publike, përfshirë internetin dhe bazat komerciale të të dhënave. Përmes analizimit të këtyre materialeve, agjencitë amerikane synojnë të identifikojnë informacione dhe zhvillime me rëndësi për sigurinë kombëtare.

    Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se çfarë informacionesh janë ekspozuar dhe kush qëndron prapa ndërhyrjes.

    Zyrtarë të ODNI-së kanë deklaruar se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve që përmbajnë informacione të klasifikuara.

    Edhe pse të dhënat e prekura nuk janë cilësuar si sekrete shtetërore, mbetet e paqartë se deri në çfarë mase kanë mundur të kenë qasje personat e paautorizuar.

    Sipas Associated Press, një burim i njohur me rastin ka bërë të ditur se sulmi nuk ka përfshirë informacione të klasifikuara dhe se problemi tashmë është zgjidhur.

    CIA nuk ka pranuar të komentojë publikisht incidentin.

    Rasti vjen në një periudhë kur disa institucione amerikane janë përballur me incidente të sigurisë kibernetike, përfshirë FBI-në dhe Departamentin e Bujqësisë. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar nëse këto raste kanë ndërlidhje mes vete. /Insajderi.org/

    Burimi: Insajderi

  • Real Madrid fiton ndaj PSV, barazime për Arsenal dhe Manchester City

    Real Madrid fiton ndaj PSV, barazime për Arsenal dhe Manchester City

    Skuadra madrilene ka triumfuar 5:1 ndaj PSV-së, pasi pjesën e parë e kishte mbyllur në disavantazh.

    Ivan Perisic ka kaluar mysafirët në epërsi nga pika e bardhë, por Real ka reaguar në pjesën e dytë, duke realizuar pesë gola.

    Federico Valverde ka barazuar shifrat, ndërsa Jude Bellingham ka shënuar për epërsinë e madrilenëve. Më pas, Kylian Mbappe ka realizuar dy herë, kurse një gol e ka shtuar edhe Vinicius Junior.

    Me këtë fitore, Real Madrid e ka regjistruar suksesin e pestë radhazi në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.

    Ndërkohë, Arsenal ka barazuar 1:1 në shtëpi ndaj Borussia Dortmund. Viktor Gyokeres ka shënuar për epërsinë e londinezëve në minutën e dhjetë, ndërsa Maximilian Beier e ka barazuar për mysafirët në minutën e pesëdhjetë e pestë.

    Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat, rezultati nuk ka ndryshuar deri në fund. Dortmund e ka vazhduar serinë pa humbje në nëntë ndeshje në të gjitha garat, ndërsa Arsenal ka regjistruar ndeshjen e njëzet radhazi pa humbje në kohën e rregullt të Ligës së Kampionëve.

    Barazim ka pasur edhe në përballjen ndërmjet Manchester City dhe Napoli, e cila ka përfunduar 2:2.

    Rasmus Hojlund e ka kaluar Napoli në epërsi pas pushimit, ndërsa Ayoub Bouaddi e ka barazuar për City. Skuadra italiane e ka rikthyer epërsinë me Noah Lang, por Rayan Cherki e ka shënuar golin e barazimit për anglezët në minutat e fundit.

    REZULTATE E TË GJITHA NDESHJEVE: 

    Burimi: RTKLive

  • Vazhdon shkëlqimi i Como-s

    Vazhdon shkëlqimi i Como-s

    Vazhdon shkëlqimi i Como-s

    Como ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj AEK-ut, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve.

    Skuadra italiane ishte dukshëm më kërkuese dhe krijoi disa mundësi të mira shënimi, sidomos në pjesën e parë, kur Luklcas Da Cunha dështoi të realizonte nga pika e bardhë e penalltisë.

    Megjithatë, momenti vendimtar erdhi me Luis Millën, i cili realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga rreth 25 metra, duke mposhtur portierin shqiptar Thomas Strakoshën.

    Me këtë sukses, Como ngjitet në vendin e tretë të tabelës pas pesë xhirove, me 12 pikë të grumbulluara.

    Italianët kanë realizuar plot 20 gola deri më tani, duke u bërë skuadra me sulmin më efikas në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.

    Në xhiron e ardhshme, Como do të udhëtojë në Spanjë për t’u përballur me Betisin, ndërsa AEK-u do të presë Galatasarajin./Klankosova.tv.

  • Manchester City ndalet sërish, Napoli merr një pikë të madhe në Angli

    Manchester City ndalet sërish, Napoli merr një pikë të madhe në Angli

    Manchester City ndalet sërish, Napoli merr një pikë të madhe në Angli

    Manchester City dhe Napoli kanë ndarë pikët në një përballje spektakolare, e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, duke barazuar 2-2.

    Ndeshja dhuroi shumë emocione, raste dhe katër gola. Napoli kaloi i pari në epërsi me Rasmus Hojlund, ndërsa City reagoi për të rikthyer baraspeshën me anë të Ayyoub Bouaddi.

    Më pas, Noa Lang riktheu avantazhin për skuadrën italiane, por kur dukej se Napoli do të largohej me fitore, Rayn Cherki shënoi në minutën e 86-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

    Një pikë mjaft e rëndësishme për Napolin në transfertën angleze, ndërsa Manchester City ndalet përsëri dhe humbet mundësinë për të marrë tri pikët në shtëpi.