Kantoni i Friburgut në Zvicër po përjeton një rritje të madhe të popullsisë, duke u renditur ndër rajonet me zhvillimin më të shpejtë demografik në vend.
Gjatë pesë viteve të fundit, më shumë se 25 mijë persona janë vendosur në këtë kanton, i cili tashmë numëron mbi 350 mijë banorë.
Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, një nga arsyet kryesore të këtij zhvillimi janë çmimet më të përballueshme të banesave dhe tokave ndërtimore, krahasuar me kantonet fqinje.
Qiratë më të ulëta dhe cilësia e jetës po e bëjnë Friburgun një destinacion gjithnjë e më tërheqës për familjet.
Një tjetër faktor është pozita e tij gjeografike. Banorët mund të jetojnë në Friburg dhe të udhëtojnë për punë drejt qendrave të rëndësishme ekonomike, si rajoni i Liqenit të Gjenevës dhe kryeqyteti Berna.
Sipas të dhënave të RTS-së, që nga fillimi i viteve 2000, rreth 1.500 persona nga kantonet e tjera vendosen çdo vit në Friburg, transmeton Telegrafi.
Shumica vijnë nga kantonet Vaud, Bernë dhe Neuchatel. Ndër zonat më të kërkuara për banim përmenden Chatel-Saint-Denis, Bulle dhe Estavayer-le-Lac.
Megjithatë, rritja e shpejtë e popullsisë po krijon edhe sfida për autoritetet lokale.
Shkollat, çerdhet, spitalet dhe transporti publik po përballen me kërkesa gjithnjë e më të mëdha, ndërsa disa komuna kanë vështirësi në përballimin e shpenzimeve të shtuara.
Një tjetër shqetësim është se rritja e popullsisë nuk po shoqërohet me një zgjerim të njëjtë të ekonomisë dhe vendeve të punës. Numri i vendeve të punës për banor në kantonin Friburg mbetet nën mesataren kombëtare.
Autoritetet përballen kështu me sfidën që të menaxhojnë rritjen demografike, duke ruajtur njëkohësisht përparësitë që e kanë bërë kantonin një nga destinacionet më tërheqëse për banim në Zvicër./Telegrafi/
Seriali i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar, “Familja Moderne”, do të rikthehet në ekranet televizive, kësaj radhe me cilësi të përmirësuar të pamjes, në formatin HD.
Lajmin e ka bërë të ditur Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar ritransmetimin e serialit që për vite me radhë ishte pjesë e përditshmërisë së shumë familjeve shqiptare.
“Ju mungonte? Edhe neve. Familja Moderne kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e televizionit publik.
Me personazhet karakteristike, batutat dhe situatat humoristike, “Familja Moderne” mbetet një prej serialeve më të njohura të prodhuara në Kosovë, i cili vazhdon të kujtohet me nostalgji nga publiku.
Rikthimi i tij pritet t’u japë mundësi shikuesve të rikthejnë kujtimet nga episodet e dikurshme, ndërsa gjeneratat e reja do të kenë rastin ta njohin këtë prodhim televiziv.
Sipas njoftimit të RTK-së, seriali do të transmetohet çdo të diel, duke filluar nga ora 20:05.
Temperatura më e ulët deri në orën 19:00 minus 4 gradë janë matur në Mavrovë, Kodrën e Diellit dhe Llazaropole, ndërsa temperatura më të larta janë matur në Gjevgjeli 6 gradë, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Në orën 19:00 janë matur minus 4 gradë në Maavrovë, Kodrën e Diellit dhe Llazaropolë, minus 3 në Berovë, Krushevë dhe Kriva Pallankë, minus 2 në Pozharanë, minus 1 në Manastir, Gjurishtë dhe Prilep, 0 gradë në Topolçani, Tetovë 1, 2 gradë në Demir Kapi, Strumicë, Shtip dhe Pretor, si dhe 6 gradë në Gjevgjeli.
Temperatura maksimale ditore ka lëvizur nga minus 1 gradë në Kodrën e Diellit dhe Krushevë, mbi 1 gradë në Mavrovë, 2 gradë në Llazaropolë, Pozharanë dhe Gjurishtë, 3 gradë në Topolçan, 4 gradë në Berovë dhe Prilep, 5 gradë në Kriva Pallankë e Manastir./Telegrafi/
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste të mërkurën në Prishtinë, përmes së cilës do t’u bëjë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve të grave.
Protesta do të mbahet më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”. Ajo do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ndër kërkesat kryesore të RrGK-së është ndryshimi i Kodit Penal, në mënyrë që femicidi, përkatësisht vrasja e grave për shkak të gjinisë së tyre, të përcaktohet si vepër penale e veçantë.
Organizata kërkon edhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjeve të grave, si dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet që ofrojnë mbrojtje për gratë që përjetojnë dhunë.
Sipas RrGK-së, vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënimet, përndjekja dhe forma të tjera të dhunës. Për këtë arsye, organizata vlerëson se institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet të gjitha raportimet dhe kërkesat për ndihmë.
Në mesin e kërkesave janë edhe zbatimi i plotë i ligjeve në fuqi, përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, vlerësimi i duhur i rrezikut dhe llogaridhënia në rastet kur institucionet dështojnë t’i mbrojnë viktimat.
RrGK thekson se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet të rëndojë mbi gratë që kërkojnë ndihmë, por mbi institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato. Sipas organizatës, deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete.
Protesta mbahet një muaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast për të cilin dyshohet ish-kunati i saj.
Të mërkurën parashikohet mot me diell dhe vranësira të pakta të shtresave të larta në orët e mëngjesit, ndërsa si pasojë e kthjellimeve gjatë natës, do të ketë edhe acar. Në orët vijuese pritet vranësirat të dendësohen, duke sjellë reshje të reja, kryesisht në orët e vona të mbrëmjes.
Reshjet fillimisht mund të paraqiten në formë bore apo shiu të ngrirë në zona të caktuara, përpara se të shndërrohen në shi gjatë orëve vijuese të natës, si pasojë e depërtimit të masave më të ngrohta ajrore.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi prej 9-29 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej -7 deri në -2°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 7°C. /MeteoKosova/
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se nuk është kundër idesë së krijimit të një ushtrie të përbashkët evropiane, por ka paralajmëruar se një strukturë e tillë, krahas ushtrive kombëtare dhe NATO-s, mund ta ngadalësojë reagimin ndaj një sulmi të mundshëm rus.
Rutte i bëri këto komente gjatë sesionit të 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të mbajtur në Berlin nga 20 deri më 23 nëntor.
Duke shpjeguar kundërshtimet e tij, ai tha se krijimi i një strukture të re ushtarake evropiane, pa hequr ushtritë ekzistuese kombëtare, do të krijonte mbivendosje të përgjegjësive dhe do ta vështirësonte marrjen e vendimeve në rast krize.
“Do të këshilloja kundër një situate në të cilën të gjitha shtetet kanë ushtritë e tyre, të cilat bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s, ndërsa mbi to krijohet edhe një strukturë e madhe evropiane. Sepse, nëse Putini sulmon, fillimisht do të na duheshin dy ose tri javë për t’u marrë vesh se kush çfarë do të bëjë, dhe ai ndërkohë ndoshta do të arrinte deri në Roterdam, para se të merrnim një vendim”, deklaroi Rutte.
Ai sqaroi se nuk ka kundërshtim parimor ndaj krijimit të një ushtrie evropiane, por nuk beson se kjo ide do të realizohet në një të ardhme të afërt.
“Nuk kam ndonjë problem parimor me një ushtri evropiane, por nuk shoh që kjo të ndodhë së shpejti. Nuk mendoj se ekziston ndonjë shtysë e madhe për këtë”, tha kreu i NATO-s.
Në fjalimin e tij para parlamentarëve në Berlin, Rutte paralajmëroi gjithashtu se makineria ushtarake ruse po funksionon me kapacitet të plotë dhe se ekonomia e luftës e Moskës vazhdon të rritet. Ai theksoi se Rusia po bashkëpunon ngushtë me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
Duke folur për shpenzimet e mbrojtjes, Rutte përmendi Gjermaninë, e cila planifikon të arrijë shpenzimet prej 3.5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm për mbrojtjen bazë deri në vitin 2029, në vend të vitit 2035, siç ishte paraparë më herët.
Ai përmendi edhe zotimin prej 70 miliardë eurosh për pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën gjatë viteve 2026 dhe 2027, të dakorduar në Ankara, por vlerësoi se Kievi ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe. /Telegrafi/