AUV kthen në Serbi 110 tonë ushqim për kafshë për shkak të aflatoksinës

AUV kthen në Serbi 110 tonë ushqim për kafshë për shkak të aflatoksinës

Written by

in

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në vendin e origjinës, Serbi, të 110,050 kilogramëve (110.05 tonë) ushqim për kafshë, të importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K., Rahovec, nga prodhuesi De Heus d.o.o., Serbi.

Vendimi është marrë pas konstatimit të mospërputhjeve me kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit për kafshë. Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e AUV-së dhe të konfirmuara nga AGES në Austri është konstatuar se produkti ‘Koncentrat për lopë qumështore’ përmban aflatoksinë B1 në nivel prej 13 mikrogramë/kg, mbi nivelin e lejuar’. Gjithashtu, gjatë inspektimit është dokumentuar prania e mbetjeve të insekteve.

Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, kryesisht të gjinisë Aspergillus që mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë. Ajo njihet për efektet e saj toksike dhe kancerogjene. Te lopët qumështore, aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1, e cila mund të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorëve.

“AUV do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut për të parandaluar qarkullimin e produkteve jokonforme dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve, sigurinë e zinxhirit ushqimor dhe interesat e fermerëve dhe konsumatorëve”, njofton AUV.

Burimi: RTKLive