Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka pritur në takim ambasadorin e Belgjikës, Arnaud Dusaucy, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në projekte të energjisë së ripërtëritshme.
Sipas njoftimit të Gjinit, gjatë takimit është diskutuar për potencialin e Ngrohtores së Qytetit dhe mundësitë për zhvillimin e saj përmes investimeve të reja.
Gjini dhe ambasadori belg kanë vizituar edhe objektin e Ngrohtores, ku është diskutuar për një investim të planifikuar nga Belgjika për ndërtimin e një parku solar, i cili do të prodhojë energji elektrike për nevojat e saj.
Projekti, sipas njoftimit, parasheh edhe ruajtjen e energjisë së prodhuar dhe riciklimin e hirit, me synimin e shfrytëzimit më efikas të burimeve energjetike.
Gjatë vizitës, ata kanë parë nga afër edhe objektin e vjetër të Ngrohtores, i cili është në proces të rikonstruktimit dhe pritet të shndërrohet në Klub të Biznesit dhe Qendër të Konferencave, një hapësirë që synon të krijojë mundësi të reja për takime dhe bashkëpunim ndërmjet bizneseve.
Kryetari Gjini ka vlerësuar gatishmërinë e Belgjikës për bashkëpunim, duke shprehur besimin se investimi i planifikuar do të ndikojë në zhvillimin e Ngrohtores dhe në krijimin e një modeli më modern, efikas dhe të qëndrueshëm të energjisë në Gjakovë. /Telegrafi/