BIK: Jemi pro Kodit Civil, por pa dispozita që cenojnë konceptin tradicional të familjes

BIK: Jemi pro Kodit Civil, por pa dispozita që cenojnë konceptin tradicional të familjes

Written by

in

BIK: Jemi pro Kodit Civil, por pa dispozita që cenojnë konceptin tradicional të familjes

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka ritheksuar se nuk është kundër miratimit të Kodit Civil si një nevojë e rëndësishme për sistemin juridik të vendit.

Megjithatë, në një njoftim të publikuar në faqen e BIK-ut, thuhet se e njëjta kundërshton përfshirjen e dispozitave që bien ndesh me bindjet e saj fetare, mësimet hyjnore, natyrshmërinë njerëzore dhe vlerat tradicionale të popullit tonë.

Në mbledhjen e mbajtur të enjten, kryesia e BI-së tha se rikonfirmon qëndrimin e saj të mëparshëm, duke shprehur mbështetjen për miratimin e Kodit Civil, “por vetëm pasi të rishikohen dhe të hiqen nga përmbajtja e tij dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë”.

“Kryesia vlerëson se çdo legjislacion që rregullon jetën familjare duhet të mbështetet në vlerat universale, parimet morale, traditën dhe besimin, duke respektuar njëkohësisht natyrën e krijimit të njeriut nga Zoti me dy gjini dhe konceptin e familjes së ndërtuar mbi bashkimin e burrit dhe gruas, si bazë themelore e vazhdimësisë dhe shëndetit të shoqërisë”.

Me këtë rast, Kryesia e BI-së u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, në veçanti Qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit, që gjatë shqyrtimit të Projektkodit Civil “të kenë parasysh shqetësimet e shprehura dhe të bëjnë rishikimin e dispozitave kontestuese, në mënyrë që Kodi Civil të jetë gjithëpërfshirës, të reflektojë vlerat dhe traditat e shoqërisë sonë dhe të mos cenojë parimet themelore fetare e morale”.

“Bashkësia Islame e Kosovës mbështet një Kod Civil që garanton drejtësinë, mbron familjen, forcon vlerat morale dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, me dinjitet dhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin për media të BIK-ut të dalë gjatë mbledhjes, të cilën e ka kryesuar kryetari i saj, Myftiu Naim Tërnava.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Kryesia e BI-së, ndër të tjera, tha se do të diskutojë për përgatitjet dhe planifikimin e aktiviteteve fetare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, si dhe do të trajtojë çështje aktuale që kanë të bëjnë me organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në Kosovë.

Sipas BIK-ut, Projektkodi Civil i Republikës së Kosovës pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës për miratim. /Klankosova.tv