Ish-mbrojtësi anglez e cilësoi sjelljen e mesfushorit argjentinas si të turpshme, duke kërkuar ndryshime në mënyrën se si gjykohet simulimi dhe ekzagjerimi i kontakteve në Premier League.
Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të ndeshjes së zhvilluar në Londër. Pas një ndërhyrjeje në mesfushë, Mac Allister goditi lehtë në pjesën e pasme të kokës kapitenin e Arsenalit, Martin Odegaard, i cili ndodhej në tokë.
Ky veprim shkaktoi reagimin e futbollistëve të Arsenalit, ndërsa Jurrien Timber dhe Noni Madueke iu afruan argjentinasit. Gjatë përplasjes mes tyre, Madueke pati një kontakt të lehtë me kokë ndaj Mac Allisterit, i cili u rrëzua në fushë duke e ekzagjeruar dukshëm situatën.
Pavarësisht se Madueke kishte një karton të verdhë, gjyqtari Andy Madley vendosi të mos e ndëshkonte me karton të kuq. Në vend të kësaj, me të verdhë u ndëshkuan Mac Allister dhe Timber.
Edhe VAR-i, me Stuart Attwellin në dhomën e rishikimit, e shqyrtoi rastin dhe vlerësoi se kontakti nuk ishte i fuqishëm, i dhunshëm apo brutal, duke mos konstatuar arsye për përjashtimin e Maduekes.
Duke komentuar rastin në “Sky Sports”, Carragher nuk i kurseu kritikat ndaj futbollistit të Liverpoolit.
“Jam i kënaqur që nuk u përjashtua. Duhet të jemi shumë më të vendosur dhe të fillojmë t’i kritikojmë këto veprime, duke thënë se janë të turpshme. Kjo duhet të marrë fund, është e pakuptimtë. Nuk mund ta duroj”, deklaroi Carragher.
Ai theksoi se përplasjet me kokë duhet të ndëshkohen kur janë të qëllimshme dhe të dhunshme, por jo çdo kontakt i vogël të shfrytëzohet për të nxitur përjashtimin e kundërshtarit.
“Unë jam tifoz i Liverpoolit, por ajo që bëri Mac Allister është një shaka. Kjo duhet të marrë fund. Futbollistët po përpiqen të përfitojnë, sepse e dinë që mund ta bëjnë këtë dhe se për raste të tilla jepen kartonë të kuq”, shtoi ai.
Carragher kërkoi që drejtuesit e Premier League, përgjegjësit e arbitrimit dhe trajnerët të diskutojnë këtë çështje dhe të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund simulimeve.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-kapiteni i Manchester Unitedit, Gary Neville, i cili vlerësoi se reagimi i Mac Allisterit ishte i tepruar.
“Mac Allister nuk kishte nevojë të rrëzohej në atë mënyrë. Reagimi i tij ishte i ekzagjeruar. Duhet të ngrihet, ishte e turpshme. Faji i tij nisi që në momentin kur goditi Odegaardin në pjesën e pasme të kokës, pa pasur asnjë nevojë për një veprim të tillë”, deklaroi Neville.
Edhe legjenda e Arsenalit, Ian Wright, vlerësoi vendimin e gjyqtarëve për të mos e ndëshkuar Madueken me karton të kuq.
Sipas tij, Mac Allister u përpoq të përfitonte nga kontakti i vogël për të shkaktuar përjashtimin e futbollistit të Arsenalit.
Rasti pritet të rikthejë debatin për simulimet dhe reagimet e ekzagjeruara në futbollin anglez, ndërsa kritikat ndaj këtij fenomeni po shtohen edhe nga emra të njohur të futbollit.
Burimi: RTKLive
