Category: Lajme

  • KRU “Prishtina” njofton për intervenimet e sotme në terren

    KRU “Prishtina” njofton për intervenimet e sotme në terren

    Sipas njoftimit, intervenimet do të zhvillohen në këto lokacione:

    Rr. “Salih Xhuka”

    Rr. “Arif Shala”

    Rr. “Salih Nivica”

    Rr. “Viktor Hygo”

    Fshati Leban

    Rr. “Halim Osmani”

    Rr. “Sabit Mushica”

    Rr. “UÇK”

    KRU “Prishtina” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë realizimit të intervenimeve në terren.

    Burimi: RTKLive

  • Endrit Nika nuk e pranon fajësinë as në rigjykim: I pafajshëm 100%

    Endrit Nika nuk e pranon fajësinë as në rigjykim: I pafajshëm 100%

    Endrit Nika nuk e pranon fajësinë as në rigjykim: I pafajshëm 100%

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të hënën, i akuzuari Endrit Nika u deklarua sërish i pafajshëm për vrasjen e shtetases argjentinase, të dashurës së tij, në Fushë-Kosovë më 2023.

    “I pafajshëm 100 për qind”, tha Nika, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

    Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm, transmeton Klankosova.tv

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K-U., e kishte goditur vazhdimisht dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun jashtë hotelit.

    Sipas aktakuzës, pasi kishin hyrë në hotel dhe në dhomën ku po qëndronin, i pandehuri Nika, me qëllim që ta privonte nga jeta të ndjerën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj, duke e dërguar në qoshe të dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej.

    Tutje, sipas aktakuzës, nga goditjet dhe shtyrjet që i kishte bërë të ndjerës, Nika e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë. Si pasojë e lëndimeve të marra, e ndjera, edhe përkundër trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në QKUK.

    Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3, i Kodit Penal.

  • Dejona Mihali në gjykatë, e ftuar si dëshmitare në rastin ndaj Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës

    Dejona Mihali në gjykatë, e ftuar si dëshmitare në rastin ndaj Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës

    Dejona Mihali në gjykatë, e ftuar si dëshmitare në rastin ndaj Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejnës, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të hënën po merr pjesë në seancë koordinatorja për komitete e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali.

    Ajo është ftuar në cilësinë e dëshmitares.

    Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Ymer Dragusha, por pasi arriti marrëveshje për pranim fajësie, mori cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues në këtë rast.

    Dragusha është dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të akuzuarit ngarkohen për dëmtim të buxheti të shtetit rreth 37 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Klankosova.tv

    Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e personit zyrtar ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin.

    Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 prill 2025, kishte marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Kurse, për pikat tjera të aktakuzës kishte rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

    Ndërkaq, Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Themelores, duke vendosur që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për pesë vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe një vepër penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor. Me këtë vendim, Apeli konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Bashkë me ta në këtë rast aktakuza e ngarkon edhe Ymer Dragushën, mirëpo i njëjti arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.

    Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

  • Beteja për ish-krerët krerët e UÇK-së vazhdon në Apel, 27 nëntori afati për kundërshtimin e aktgjykimit

    Beteja për ish-krerët krerët e UÇK-së vazhdon në Apel, 27 nëntori afati për kundërshtimin e aktgjykimit

    Beteja për ish-krerët krerët e UÇK-së vazhdon në Apel, 27 nëntori afati për kundërshtimin e aktgjykimit

    Beteja juridike për katër ish-krerët e UÇK-së nuk përfundoi me aktgjykimin e 16 shtatorit. Tani, palët kanë hyrë në fazën e përgatitjes së apelimeve, ndërsa 27 nëntori është data kur duhet të tregojnë nëse do ta kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se cilat çështje mund të shqyrtohen në shkallën e dytë dhe cilët janë hapat e radhës në këtë proces.

    Kanë kaluar më shumë se tri javë nga shpallja e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa po afrohet afati për njoftimin e apelimit.

    Fillimisht, palët duhej të njoftonin deri në mes të tetorit nëse do ta apelonin aktgjykimin. Por, me kërkesë të Mbrojtjes, Paneli i Apelit e shtyu këtë afat deri më 27 nëntor.

    Kërkesa për shtyrje u arsyetua me kompleksitetin e çështjes, si dhe me faktin se ekipet e Mbrojtjes nuk e kishin pranuar ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe.

    Nga Dhomat e Specializuara kanë thënë për RTK-në se, deri tani, nuk ka asnjë parashtresë publike që tregon se ndonjëra nga palët ka dorëzuar njoftimin për apelim apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon t’i kundërshtojë në shkallën e dytë.

    Sipas Speciales, procedura formale e apelit nis me dorëzimin e njoftimit për apelim.

    ‘Paneli i Apelit mund të shqyrtojë apelimet mbi baza të ndryshme, përfshirë gabimet e pretenduara në ligj, në fakte ose në caktimin e dënimit. Gjatë procedurës së apelimit, palët mund të kërkojnë paraqitjen e provave shtesë, duke specifikuar gjetjen faktike të Trupit Gjykues me të cilën lidhen ato prova. Apeli mund ta vërtetojë, rrëzojë ose ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Në rrethana të përshtatshme, mund të urdhërojë edhe rigjykimin e çështjes nga Trupi Gjykues”.

    Në rast se apelohet vetëm dënimi, sipas gjykatës, afatet deri në vendim mund të jenë më të shkurtra.

  • Mbledhja e KPM-së nis me mbi 30 minuta vonesë

    Mbledhja e KPM-së nis me mbi 30 minuta vonesë

    Mbledhja e KPM-së nis me mbi 30 minuta vonesë

    Mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), e planifikuar të nisë në orën 10:00, ka filluar me 32 minuta vonesë.

    Ndër pikat kryesore të rendit të ditës janë rekomandimet për ripërtëritjen e licencave të Radio Club FM dhe Radio Helix, si dhe kërkesat për ndryshime të pronësisë në Kosova MTV dhe Turbo Channel, si dhe në Kanal 10 dhe Radio 10, raporton RTKlive.

    Në kuadër të çështjeve të licencimit, KPM-ja do të shqyrtojë edhe rekomandimet për harmonizimin e formatit të programit të Radio 7, Radio 7 Kosova dhe Radio Ferizaj, si dhe kërkesën për ndryshimin e lokacionit të Radio Okarinës. Në rend dite është përfshirë edhe një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental.

    Një pjesë e mbledhjes do t’u kushtohet rasteve ligjore që lidhen me respektimin e kushteve dhe rregulloreve të KPM-së. Në mesin e tyre janë rastet e A2CNN Kosova dhe Kristal TV, si dhe ankesat e Radio Dukagjinit dhe Radio Fontanës ndaj Radio Klan Kosova FM-Deçan.

    Komisioni do të trajtojë edhe rastet e disa mediave për mospagesën e tarifës së licencës. Në këtë listë përfshihen TV Zoom, ISP Broadcast, Klina TV, Opentel, TV Arta, Radio 24, TV Koha Vision, TV Liria, Radio Dukagjini, Radio Energji, Radio Kent FM 2, Radio Shqip FM, Rahovec Chanel, TV Opinion, TV Prizren, TV Vali dhe TVR.

    Sipas agjendës, gjatë mbledhjes do të shqyrtohen edhe çështje të tjera, përfshirë raportin e auditimit të performancës dhe caktimin e datës së mbledhjes së radhës.

  • Amorim nën presion, Milani nuk po bind me paraqitjet e tij

    Amorim nën presion, Milani nuk po bind me paraqitjet e tij

    Milani po kalon një periudhë larg pritshmërive, pasi skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim ende nuk ka arritur të gjejë stabilitetin e kërkuar. Barazimi 1:1 në udhëtim ndaj Sassuolos ka lënë shije të hidhur, duke nxjerrë sërish në pah problemet që po e shoqërojnë ekipin kuqezi.

    Edhe pse sezoni nuk është i humbur, paraqitjet e Milanit nuk kanë qenë bindëse. Pakënaqësia është reflektuar edhe te pronari Gerry Cardinale, i cili, sipas raportimeve, është larguar i zhgënjyer nga stadiumi “Mapei” pas asaj që pa në fushë.

    Një vlerësim optimist mund të jetë se Milani ende po kërkon identitetin e tij, por rezultatet po e mbajnë në garë. Megjithatë, për një skuadër me ambicie të larta, vetëm marrja e pikëve nuk mjafton, nëse loja nuk ofron siguri dhe vazhdimësi.

    Mbrojtja, pika më e dobët

    Një nga shqetësimet kryesore mbetet reparti defensiv. Milani po pëson gola që mund të shmangen dhe shpesh humbet përqendrimin në momentet kur kalon në epërsi. Kjo mungesë stabiliteti po i kushton skuadrës dhe e detyron të vuajë edhe në ndeshjet ku ka mundësi të kontrollojë lojën.

    Përveç problemeve në prapavijë, kuqezinjve u mungon edhe përvoja e liderëve që mund ta udhëheqin ekipin në momente të vështira. Luka Modrić dhe Adrien Rabiot janë ndër emrat me përvojë, por skuadra ka nevojë për më shumë futbollistë që marrin përgjegjësi në fushë.

    Sulmi nuk po prodhon mjaftueshëm

    Vështirësitë nuk përfundojnë në mbrojtje. Milani mund ta ketë më shumë posedimin e topit, por kjo epërsi nuk po përkthehet në raste të mjaftueshme shënimi. Mungesa e goditjeve drejt portës po e vështirëson rrugën drejt fitoreve.

    Në qendër të vëmendjes është edhe Gonçalo Ramos, i cili po has në vështirësi për të lënë gjurmë në repartin ofensiv. Sulmuesi shpesh mbetet i izoluar dhe nuk po arrin të shfrytëzojë mundësitë për të kontribuar me gola.

    Për këtë arsye, Amorim duhet të gjejë mënyrën për ta përfshirë më mirë Ramosin në lojën e skuadrës, duke krijuar më shumë lidhje mes mesfushës dhe sulmit.

    Milani ka ende kohë për t’i korrigjuar gabimet, por përmirësimi duhet të jetë i dukshëm në të dyja fazat e lojës. Stabiliteti në mbrojtje dhe më shumë konkretizim në sulm janë kushtet kryesore që skuadra kuqezi të rikthehet te paraqitjet bindëse dhe të mos lejojë që dyshimet të shtohen.

    Burimi: RTKLive

  • Punëtorët e NPB-së protestojnë para Supremes: Filloi muaji i tretë pa paga, sa duhet të presim?

    Punëtorët e NPB-së protestojnë para Supremes: Filloi muaji i tretë pa paga, sa duhet të presim?

    Punëtorët e NPB-së protestojnë para Supremes: Filloi muaji i tretë pa paga, sa duhet të presim?

    Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë nisur protestën para Gjykatës Supreme, duke kërkuar drejtësi për pagat që, sipas tyre, nuk i kanë marrë tash e dy muaj.

    Gjatë protestës, njëri nga punëtorët u shpreh se zëri i mbi 330 punëtorëve duhet të dëgjohet dhe se pagat janë e drejtë e tyre.

    “Duam drejtësi! Sot duhet të dëgjohet zëri i mbi 330 punëtorëve. Duhet të dëgjohet nga të gjithë. Paga është një e drejtë, puna është një e drejtë dhe punëtori nuk është vetëm një numër. Familja e punëtorit nuk mund të presë pafundësisht. Ne duam që drejtësia të vihet në vend”, tha ai, ndër të tjera.

    Protestuesit mbanin edhe pankarta me mbishkrime si: “Mos i zvarritni, punëtorët po dëmtohen” dhe “Filloi muaji i tretë pa paga, edhe sa duhet të presim?”./Klankosova.tv

  • Shkëputet ashensori, humb jetën kamerieri 16-vjeçar në Shqipëri

    Shkëputet ashensori, humb jetën kamerieri 16-vjeçar në Shqipëri

    Shkëputet ashensori, humb jetën kamerieri 16-vjeçar në Shqipëri

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar, i punësuar si kamerier në një restorant, ka humbur jetën pas një aksidenti me ashensorin.

    Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë kamerierin 26-vjeçar dhe pronarin 62-vjeçar të lokalit, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, në një restorant në pronësi të shtetasit A. V., në fshatin Arrameras.

    Nga hetimet paraprake dyshohet se kamerieri 26-vjeçar, Endri Stafuka, ka shtyrë me duar 16-vjeçarin, i cili punonte gjithashtu si kamerier në restorant, brenda në ashensor.

    Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.

    Pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar 26-vjeçarin Endri Stafuka, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

    Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, 62-vjeçari Afrim Vathi, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

  • Klani sjellë detaje: Gjendet vetura e burrit që privoi nga jeta të birin në Gjilan

    Klani sjellë detaje: Gjendet vetura e burrit që privoi nga jeta të birin në Gjilan

    Klani sjellë detaje: Gjendet vetura e burrit që privoi nga jeta të birin në Gjilan

    Burime të Klankosova.tv kanë bërë të ditur se është gjetura vetura e Remzi Arifi, i dyshuar për vrasjen e të birit në Pogragjë të Gjilanit.

    Sipas këtyre burimeve, vetura është gjetur në zonën e fshatit Sllubicë.

    Të dielën, Remzi Arifi dyshohet se privoi nga jeta të birin, 29-vjeçar. Sipas policisë, i njëjti ndodhet ende në arrati, ndërsa po punohet për lokalizimin dhe kapjen e të njëjtit.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar Kosovën për vendimin e Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë vendim të papranueshëm.

    Ajo i ka bërë këto deklarata të hënën, në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku një nga temat e diskutimit është procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

    Kos ka thënë se ndryshimet në ligj janë në kundërshtim me obligimet që Kosova ka ndaj BE-së, si dhe me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

    “Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka deklaruar ajo.

    Komisionerja ka theksuar se ndryshimi i rregullave gjatë kohës kur proceset gjyqësore janë në vazhdim bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

    “Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, ka thënë Kos.

    Ajo ka dërguar gjithashtu një mesazh për vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin në BE, duke theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe përmbushja e obligimeve janë thelbësore për përparimin në këtë proces.

    Sipas saj, vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e këtyre standardeve nuk po ndjekin rrugën e duhur drejt anëtarësimit.

    Kos ka shtuar se, përveç sundimit të ligjit, vendet kandidate duhet të përshtaten edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë, sipas saj, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të mbyllin kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia pritet të hapin kapituj të tjerë. Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Gjeorgjia, sipas komisioneres, vazhdojnë të jenë të bllokuara në procesin e zgjerimit.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali