Category: Lajme

  • Durrës: Gjendet pa shenja jete 25-vjeçarja angleze

    Durrës: Gjendet pa shenja jete 25-vjeçarja angleze

    Durrës: Gjendet pa shenja jete 25-vjeçarja angleze

    Një 25-vjeçare me shtetësi angleze është gjetur pa shenja jete në një apartament në Durrës.

    Ngjarja është raportuar rreth orës 12:50, ndërsa shërbimi i Urgjencës së Durrësit ka konstatuar vdekjen e shtetases E. S., 25 vjeçe.

    Sipas këqyrjes paraprake, në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja dhune, shkruan abcnewsal, transmeton Klankosova.tv

    Në apartament është gjetur edhe fëmija i saj, rreth dy vjeç, i cili ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Kujdes nga ky alarm i rremë i Uber që qarkullon në Zvicër

    Kujdes nga ky alarm i rremë i Uber që qarkullon në Zvicër

    Një mashtrim i ri me përmbajtje mashtruese për vjedhjen e të dhënave po qarkullon në Zvicër. Email-i, i titulluar “Veprim i Kërkuar”, duket se është nga Uber dhe i kërkon marrësit të verifikojë ose përditësojë informacionin e pagesës . Mediat kanë nxjerrë në pah paralajmërimin e lëshuar nga policia zvicerane.

    Një lidhje të ridrejton në një faqe interneti të rreme që imiton pamjen e platformës. Viktimës së pari i kërkohet të fusë informacionin e saj personale, pastaj të dhënat e saj bankare. Mashtruesit më pas kërkojnë informacionin e kartës bankare nëpërmjet një fjalëkalimi njëpërdorimësh, i paraqitur si masë sigurie.

    Detajet e bankës në horizont

    Ky kod mund të përdoret në fakt për të verifikuar një transaksion online të kryer nga mashtrues. Të dhënat e marra mund të përdoren edhe për mashtrime të tjera, raporton 24heures, transmeton Telegrafi.

    Prandaj, Cybercrimepolice.ch rekomandon të mos klikoni në lidhje në mesazhe të dyshimta dhe të mos ndani kurrë të dhënat tuaja bankare pa verifikuar vërtetësinë e kërkesës. Nëse keni dyshime, është mirë të kontaktoni Uber direkt përmes kanaleve të tij zyrtare.

    Nëse të dhënat bankare janë dhënë tashmë, duhet të kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartat në fjalë dhe për të provuar të merrni një rimbursim të çdo pagese./Telegrafi/

  • Britania ‘hap derën’ për Gjermaninë në programin për aeroplanët luftarakë të gjeneratës së re

    Britania ‘hap derën’ për Gjermaninë në programin për aeroplanët luftarakë të gjeneratës së re

    Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Andy Burnham mbajtën fjalime të enjten në Berlin, në Kancelari, ku po zhvillojnë takimin e tyre.

    Dhe sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, duke folur i dyti, kryeministri britanik tha se ishte “i lumtur që ndodhej aty” për të ratifikuar Traktatin e Kensingtonit – një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi e nënshkruar vitin e kaluar nga Merz dhe Sir Keir Starmer.

    Më pas, ai theksoi se Londra dhe Berlini janë “më të forta së bashku” dhe se bisedimet e sotme do të përqendroheshin te siguria, por do të përfshinin gjithashtu teknologjinë, partneritetet ekonomike dhe çështje të tjera.

    Burnham iu përgjigj gjithashtu zërave të shumtë rreth një mundësie për anulimin e Brexit-it, pasi disa nga komentet e tij të fundit lanë të hapur derën për një rikthim të Mbretërisë së Bashkuar në BE.

    Ai i tha Merzit se e priste me interes samitin Mbretëri e Bashkuar-BE, të planifikuar për muajin e ardhshëm, dhe shpresonte se puna aty mund ta “afronte Mbretërinë e Bashkuar me Evropën”.

    Çështjet me “interes të veçantë”, për të cilat Burnham shpresonte të kishte më shumë përafrim qëndrimesh, ishin rritja ekonomike dhe emigracioni.

    Veç këtyre, vënë në pah mediat britanike, Burnham tha se ishte i hapur që Gjermania t’i bashkohej programit GCAP.

    Ky program ka të bëjë me zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të aeroplanëve luftarakë dhe në të përfshihen tashmë Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia.

    Duke qenë se mbrojtja dhe siguria zënë një vend të rëndësishëm në agjendën e bisedimeve të sotme, Burnham tha: “Sot po flasim për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe i kam shprehur kancelarit, gjatë diskutimit tonë të mëparshëm, gatishmërinë tonë që Gjermania t’i bashkohet GCAP-it, programit për gjeneratën e ardhshme të aeroplanëve. Kjo është diçka që synojmë ta çojmë përpara në periudhën në vijim, duke bashkëpunuar edhe me partnerët tanë të tjerë, Italinë dhe Japoninë, në lidhje me këtë çështje”. /Telegrafi/

  • Legjenda e Juventusit shpërthen në lëvdata për Zhegrovën: Është fenomen, ai i vendos ndeshjet

    Legjenda e Juventusit shpërthen në lëvdata për Zhegrovën: Është fenomen, ai i vendos ndeshjet

    Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli, ka folur me superlativa për Edon Zhegrovën, duke e cilësuar futbollistin kosovar si një “fenomen” dhe duke besuar se ai ka potencialin për të bërë diferencën te gjiganti italian.

    Ravanelli ka treguar se ka biseduar personalisht me Zhegrovën dhe i ka dhënë një këshillë të qartë: atë që po e tregon në stërvitje dhe me fanellën e Kosovës, duhet ta përsërisë edhe në ndeshjet me Juventusin.

    “Fola me të dhe i thashë se është një fenomen dhe se ajo që bën në stërvitje dhe me Kosovën, duhet ta bëjë edhe në ndeshjet për Juventusin. Nëse gjen qëndrueshmëri, është lojtari më i fortë, ai vendos ndeshjet”, ka thënë Ravanelli.

    Ish-sulmuesi italian beson se Zhegrova ka cilësi të veçanta sidomos në pjesën e fundit të fushës, ku aftësia e tij për të krijuar raste dhe për të dhënë pasimin final mund të jetë vendimtare.

    “Për mua, ai ka potencialin për 10 gola, por veçanërisht me pasimin e tij të fundit. Kur arrin në 20 metrat e fundit, bëhet shkatërrues dhe e sheh lojën qartë”, ka shtuar Ravanelli.

    Ravanelli e njeh mirë fanellën e Juventusit, pasi gjatë periudhës së tij në Torino, nga viti 1992 deri në 1996, shënoi 41 gola në 111 paraqitje.

    Ndërkohë, Zhegrova është rikthyer te Juventusi pas grumbullimit me Kosovën për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Ai ishte ndër futbollistët më të dalluar të “Dardanëve” në katër ndeshjet e para të grupit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim./Telegrafi/

  • Prodhuesit e ushqimit dhe Qeveria diskutojnë rritjen e prodhimit vendor

    Prodhuesit e ushqimit dhe Qeveria diskutojnë rritjen e prodhimit vendor

    Prodhuesit e Sektorit të Përpunimit të Ushqimit dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar sesionin e dytë të #Data4Breakfast, ku në fokus ishin hapat konkretë për zgjerimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.

    Takimi është zhvilluar në kuadër të #Agjenda1Miliard, nismë përmes së cilës synohet zëvendësimi i importeve në vlerë prej një miliard eurosh me produkte të prodhuara në Kosovë.

    Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e sektorit kanë paraqitur pengesat me të cilat përballen bizneset dhe kanë propozuar masa konkrete për adresimin e tyre. Ndër prioritetet e identifikuara janë lehtësimi i proceseve të certifikimit dhe adresimi i barrierave që vështirësojnë eksportin e produkteve vendore.

    Një tjetër fokus i diskutimit ishte financimi i kapaciteteve të reja prodhuese përmes granteve, kredive afatgjata dhe garancive kreditore. Po ashtu, u theksua nevoja për forcimin e lidhjeve ndërmjet sektorit të bujqësisë dhe përpunuesve, me qëllim sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me lëndë të parë vendore.

    Në takim u diskutua edhe për nevojën e mbështetjes së bizneseve me ekspertizë profesionale dhe teknologë ushqimorë, veçanërisht për zhvillimin e produkteve të reja dhe rritjen e vlerës së shtuar të prodhimit vendor.

    Sipas organizatorëve, këto prioritete pritet të shërbejnë si bazë për konsolidimin e një plani veprimi me përgjegjësi dhe afate të qarta, si dhe për identifikimin e projekteve konkrete që mund të shndërrohen në investime.

    Kjo punë i paraprin konferencës #TheFutureofBusiness2026, me temën “From Opportunity to Investment”, e cila do të mbahet më 18 nëntor 2026.

    Në takim morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrat Mimoza Kusari-Lila dhe Armend Muja, si dhe këshilltarja Fëllanza Podrimja.

    Në diskutim kontribuuan edhe përfaqësues të sektorit të përpunimit të ushqimit, përfshirë Burim Pirajn nga Meka, Jakup Çunakun nga Haje, Labinot Tallën nga Kuvilab, Taulant Ramadanin nga Premium Bakery, Qëndrim Imerin nga Minex, Adiat Hajdarin nga Ananas Impex dhe Mergim Behramin nga Maestro. /Telegrafi/

  • Bllokohet përkohësisht rruga Drenoc–Bubavec për shkak të punimeve në asfaltim

    Bllokohet përkohësisht rruga Drenoc–Bubavec për shkak të punimeve në asfaltim

    Komuna e Malishevës ka njoftuar se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në segmentin rrugor Drenoc – Bubavec, për shkak të punimeve në asfaltim.

    Sipas njoftimit, rruga do të jetë e bllokuar në të dy drejtimet gjatë ditëve të enjte, premte dhe shtunë, përkatësisht më 8, 9 dhe 10 tetor 2026.

    Bllokimi do të bëhet nga ora 08:00 deri në 17:00, në segmentin Drenoc, përkatësisht në Lagjen Lacaj, deri në Bubavec dhe anasjelltas.

    Komuna ka kërkuar nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugët alternative nëpër këto fshatra dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren. /Telegrafi/

  • “Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”

    “Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”

    Mbi 60 për qind e studentëve në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë janë vajza. Por, sa prej tyre, pas diplomimit, arrijnë të ndërtojnë karrierë në profesionin për të cilin janë arsimuar? Sa bëhen pronare toke, drejtuese biznesesh, eksperte, menaxhere apo sipërmarrëse? Dhe, sa prej tyre mbeten jashtë tregut të punës, pavarësisht investimit disavjeçar në arsim? Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të grave në Kosovë.

    Në sallonin e së martës diskutuam pikërisht për këtë paradoks: “Studimet në bujqësi: rrugë drejt fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë”. Sepse, problemi nuk është mungesa e grave në studime dhe në terren. Përkundrazi. Gratë janë aty. Janë në fakultet, janë në ferma, janë në vjelje, në përpunim dhe në shumë prej punëve teknike që mbajnë gjallë këtë sektor. Por, shumë më rrallë i gjejmë në menaxhim, në shitje, në pronësi, në vendimmarrje dhe në kontrollin e vlerës që krijohet. Andaj, këtu nëse ndalemi dhe pyesim: çfarë po ndodh ndërmjet diplomës dhe ekonomisë?

    Një pjesë e përgjigjes gjendet te hendeku mes arsimit dhe tregut të punës. Sot një studente mund të përfundojë studimet në agronomi dhe të dalë nga fakulteti pa pasur përvojë të mjaftueshme praktike. Praktika profesionale nuk është e integruar në mënyrë të obligueshme dhe të strukturuar me industrinë, ndërsa universiteti dhe bizneset nuk po funksionojnë gjithmonë me një qëllim të përbashkët: përgatitjen e të rinjve për profesionet që realisht kërkohen në treg. Në anën tjetër, industria kërkon profile të specializuara, ndërsa arsimi jo gjithmonë arrin t’i ndjekë këto nevoja. Mungojnë edhe kapacitetet e mjaftueshme për hulumtim dhe inovacion. Zhvillimi i një instituti hulumtues në fushën e bujqësisë, me infrastrukturë të përshtatshme dhe me fokus në degë të ndryshme të agrikulturës, do të krijonte mundësi të reja për lidhjen e arsimit, kërkimit shkencor dhe sektorit ekonomik.

    Dhe, pastaj vjen momenti kur diploma duhet të kthehet në punë! Këtu shumë gra përballen me një tjetër pengesë. Ka agronome që nuk arrijnë të punësohen në profesionin e tyre dhe vazhdojnë studimet, ndërsa për disa të tjera periudha deri në punësim zgjatet edhe më shumë për shkak të krijimit të familjes. Kjo nuk është thjesht çështje e një karriere të vonuar. Është humbje e investimit në arsim dhe humbje e një pjese të kapitalit njerëzor që ekonomia e Kosovës ka nevojë ta përdorë. Megjithatë, edhe kur gratë janë në tregun e punës, pozita e tyre nuk është e njëjtë në të gjitha hallkat e zinxhirit ekonomik. Ato janë shumë të pranishme në vjelje dhe përpunim, por më pak në pozita menaxheriale dhe në shitje.

    Me fjalë të tjera, gratë janë pjesë e punës që krijon produktin, por më rrallë janë pjesë e vendimeve që përcaktojnë se si ai produkt shitet, sa vlen dhe si rritet biznesi!

    Në disa raste, edhe puna e tyre mbetet e padukshme. Gratë që angazhohen në vjelje dhe përpunim jo gjithmonë deklarohen nga bizneset si të punësuara. Kjo e ushqen ekonominë joformale dhe i privon gratë nga siguria dhe të drejtat që sjell punësimi formal. Një grua mund të jetë pjesë e një zinxhiri të tërë prodhimi, por në fund të ditës të mos figurojë askund në statistikat e punësimit. Një tjetër barrierë lidhet me pronësinë ku kemi pak gra që kanë tokë në pronësi të tyre, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për të investuar, për të aplikuar për kredi apo për të zhvilluar një aktivitet të pavarur ekonomik. Kur një grua nuk ka pronë, ajo shpesh nuk ka as kolateral. Kur nuk ka kolateral, qasja në kredi bëhet më e vështirë. Dhe, kur qasja në financim është e kufizuar, edhe ideja më e mirë e biznesit rrezikon të mbetet vetëm ide.

    Edhe skemat e mbështetjes publike kërkojnë më shumë vëmendje. Grantet mund të jenë një shtysë e rëndësishme për gratë, por mbështetja financiare nuk duhet të përfundojë në momentin kur transferohen paratë. Duhet të ketë monitorim të qartë: çfarë u krijua me atë grant, sa vende pune u hapën, sa gra u punësuan, a u formalizuan ato, a u rrit biznesi dhe a vazhdoi aktiviteti pas përfundimit të mbështetjes.

    Ka edhe një paradoks tjetër që duhet trajtuar me kujdes. Disa gra që janë pjesë e skemave sociale mund të kenë frikë se një punësim formal do t’ua ndërpresë përfitimet që marrin. Nëse kalimi nga asistenca sociale në punësim perceptohet si rrezik financiar, atëherë sistemi, pa dashje, mund ta bëjë formalizimin më pak tërheqës. Për këtë arsye, politikat e punësimit dhe ato sociale duhet të mendojnë edhe për këtë tranzicion.

    Por, ndoshta problemi më i madh është mënyra se si e shohim bujqësinë. Ende nuk e shohim mjaftueshëm si një sektor ku gratë mund të ndërtojnë karrierë, të krijojnë inovacion dhe të zhvillojnë biznese. Dhe, kjo është një humbje, sepse potenciali tashmë ekziston.

    Në Kosovë ka gra që kanë krijuar mikrobiznese me produkte cilësore, kanë punësuar gra të tjera dhe kanë dëshmuar se bujqësia mund të jetë shumë më tepër sesa një aktivitet tradicional familjar. Këto gra nuk duhet të mbeten histori individuale suksesi. Ato duhet të shndërrohen në modele që vajzat e reja mund t’i shohin dhe t’i ndjekin. Për ta bërë këtë, na duhet një qasje më e lidhur. Universitetet duhet të punojnë më afër me bizneset. Praktika profesionale duhet të jetë pjesë reale e studimeve. Programet akademike duhet të reflektojnë më mirë nevojat e tregut. Duhet të investohet në hulumtim dhe inovacion, përfshirë infrastrukturën që mungon sot. Dhe, gratë në zonat rurale duhet të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar ide, mikrobiznese dhe startup-e, veçanërisht në fusha ku teknologjia dhe inovacioni mund të krijojnë vlerë të re.

    Kjo duhet të reflektohet edhe në politikat publike. Mbështetja për gratë në bujqësi nuk duhet të jetë vetëm një komponent i vogël brenda skemave ekzistuese të subvencionimit. Duhet të shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillim ekonomik, punësim rural, inovacion dhe fuqizim ekonomik të grave. Nuk mund të hartojmë politika të sakta nëse nuk dimë sa gra janë pronare toke, sa prej tyre kanë biznese, sa punojnë në mënyrë formale, sa marrin kredi e grante, në cilat hallka të zinxhirit të vlerës janë të përqendruara dhe ku ndodhen barrierat më të mëdha. Mungesa e hulumtimeve me bazë gjinore në këtë fushë e bën edhe më të vështirë krijimin e politikave që i përgjigjen realitetit.

    Dhe, mbi të gjitha, na duhet një ndryshim në perceptim. Bujqësia nuk duhet të shihet si një sektor ku gratë thjesht punojnë. Duhet të shihet si një sektor ku gratë investojnë, zotërojnë, inovojnë, menaxhojnë dhe krijojnë vende pune. Nëse një vajzë studion agronomi për katër apo pesë vjet, por pas diplomimit nuk gjen mundësi të përdorë dijen e saj, atëherë problemi nuk është te vajza. Nëse një grua punon në vjelje dhe përpunim, por puna e saj nuk deklarohet, problemi nuk është te mungesa e kontributit të saj. Nëse një sipërmarrëse ka një ide të mirë, por nuk mund të marrë kredi sepse nuk ka pronë në emër të saj, problemi nuk është mungesa e potencialit.

    Prandaj, fuqizimi ekonomik i grave në bujqësi nuk fillon dhe nuk përfundon me një grant. Fillon shumë më herët: në klasë, në laborator, në praktikën profesionale dhe në mënyrën se si vajzat e shohin të ardhmen e tyre. Dhe, vazhdon me një treg pune që u jep mundësi, me banka që u japin qasje në financim, me politika që i mbështesin dhe me një ekonomi që e njeh punën e tyre. Gratë tashmë janë pjesë e bujqësisë së Kosovës. Sfida jonë është që ato të mos mbeten vetëm pjesë e punës, por të bëhen pjesë e pronësisë, inovacionit, vendimmarrjes dhe vlerës që ky sektor krijon.

    (Autorja është drejtoreshë ekzekutive e Demokracia për Zhvillim – D4D dhe anëtare e Forumit Ekonomik te Grave. Ky editorial është mbështetur nga projekti EREA – Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi, që zbatohet nga Caritas-i zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim – ADA, ndërsa implementohet nga Instituti Riinvest – Forumi Ekonomik i Grave. Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Caritas-it zviceran ose të Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim)

  • Ekonomia gjermane drejt rritjes më të shpejtë që nga viti 2022

    Ekonomia gjermane drejt rritjes më të shpejtë që nga viti 2022

    Ekonomia gjermane drejt rritjes më të shpejtë që nga viti 2022

    Ekonomia e Gjermanisë po shkon drejt rritjes më të shpejtë në katër vjet, ndërsa eksportet dhe shpenzimet e financuara nga borxhi qeveritar po ndihmojnë vendit ti japë fund stanjacionit.

    Janë këto parashikimet e fundit zyrtare, sipas të cilave ekonomia më e madhe e Europës pritet të rritet me 1.3% këtë vit, shumë mbi vlerësimin prej 0.5% të bërë në prill nga qeveria.

    Ekonomia gjermane kishte ngecur në vendnumëro që prej fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, pasi çmimet e larta të energjisë dhe pasiguritë e shtuara shtynë vendin në stanjacionin më të gjatë në historinë e tij moderne.

    Sipas ministrisë së ekonomisë, prodhimi I brendshëm bruto u zgjerua me ritme të forta në gjashtë muajt e parë të këtij vitit, pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme që shkaktoi një tjetër valë rritjesh për ccmimet e energjisë.

    Parashikimi i qeverisë gjermane thotë se kjo po ndikon në shpenzimet e familjeve dhe konsumi privat pritet të rritet me vetëm 0.3%, shumë më pak se krahasuar me një vit më parë.

    Vlerësimet janë që goditja inflacioniste të vijojë edhe në vitin 2027, duke parashikuar një normën inflacioni në 3%. Por, qeveria gjermane argumenton se rimëkëmbja e ekonomisë po nxitet kryesisht nga eksportet dhe investimet. Këtë vit pritet që shpenzimet të zgjerohen me 0.6% ndërsa eksportet të rriten me 3.7%, duke kompensuar kështu dobësimin e konsumit të familjeve.

    The post Ekonomia gjermane drejt rritjes më të shpejtë që nga viti 2022 appeared first on Insajderi.

  • BE reagon sërish për shkak të ligjit mbi Dhomat e Specializuara

    BE reagon sërish për shkak të ligjit mbi Dhomat e Specializuara

    Në deklaratën me shkrim të lëshuar lidhur me ndryshimet e këtij ligji, Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës që t’i përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Sipas BE-së, mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen.

    Reagimi i sotëm me shkrim vjen një ditë pasi BE-ja shprehu shqetësim të thellë për votimin në Kuvend.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shpjegoi gjithashtu pse nuk reagoi as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.

    “Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë. Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova”,  tha Christian Wigand, zëdhënës i BE-së.

    BE-ja përsërit se ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor dhe insiston se mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, theksojnë nga Brukseli.

    Burimi: RTKLive

  • Bllokimi i minatorëve, Zemaj: Qeverisë duhet t’i themi se mashtrimi nuk është zgjidhje

    Bllokimi i minatorëve, Zemaj: Qeverisë duhet t’i themi se mashtrimi nuk është zgjidhje

    Bllokimi i minatorëve, Zemaj: Qeverisë duhet t’i themi se mashtrimi nuk është zgjidhje

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur i shqetësuar pas rastit të bllokimit të minatorëve në Trepçë.

    Ai ka thënë se megjithëse është lajm i mirë dalja e tyre nga horizonti i 11-të, ka kritikuar se ndërhyrjet e menaxhmentit për interesa politike, sipas tij, kanë prëkur sigurinë e minatorëve.

     “Kjo që është shqetësuese është se paaftësia dhe ndërhyrjet në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje, për interesa politike, kanë prekur drejtpërdrejt sigurinë dhe fatin e jetës së minatorëve. Pa investime, pa siguri të mjaftueshme dhe me pengesa edhe në pagesa, minatorët nuk mund të trajtohen si numra apo si mjet teknik.”, ka shkruar Zemaj.

    Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, lidhur me këtë situatë.

    “Qeverisë duhet t’i themi se mashtrimi nuk është zgjidhje. As populizmi, aq më pak kur shfrytëzimi i minatorëve bëhet vetëm për interesa elektorale”, ka thënë Zemaj. /Klankosova.tv