Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar një pushkë automatike, dy pistoleta dhe një sasi municioni gjatë një kontrolli në një shtëpi në Rahovec.
Sipas Policisë, aksioni është ndërmarrë mbi bazën e informatave inteligjente lidhur me dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve.
Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Rahovec kanë lokalizuar vendbanimin dhe të dyshuarin. Me pëlqimin e të dyshuarit dhe me udhëzim të prokurorit, është kryer kontrolli në shtëpi.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike, dy pistoleta, 92 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër karikatorë.
Personi i dyshuar është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec, ku është intervistuar në prani të autoriteteve përkatëse.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar. /Telegrafi/
Një raportim në mediat shqiptare ka ngritur në pikëpyetje fatin e kaparit të koncertit dhe marrëdhëniet mes menaxherit Ceni Kamberi, artistes Nora Istrefi dhe organizatorëve.
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë menaxhuar pagesat dhe marrëveshjet financiare për një koncert të këngëtares Nora Istrefi në Chicago.
Në qendër të denoncimit është Ceni Kamberi, i cili sipas materialeve të paraqitura në redaksi ka vepruar si menaxher i artistes.
Sipas denoncimit, për koncertin në Chicago organizatori kishte lënë një kapar prej 3,500 dollarësh, ndërsa veç kësaj ishte parashikuar edhe një pagesë prej 500 dollarësh për vizën e artistes, si dhe të ardhurat që do të gjeneroheshin nga shitja e biletave.
Pretendimi kryesor i denoncuesit është se kapari është marrë nga menaxheri, ndërsa më pas ka pasur paqartësi dhe kundërshti mbi destinacionin e parave dhe nëse ato i janë kaluar apo jo artistes.
Mesazhet e Norës ngrenë pikëpyetje për kaparin
Në një prej komunikimeve të paraqitura në redaksi, një llogari që identifikohet si e Nora Istrefit i shkruan Ceni Kamberit:
“Ceni të lutem thuji pronarit të eventit për kapar. A i ke thon hala?! Tlutem tregom”.
Menjëherë pas kësaj vjen përgjigjja:
“Ok Nora e kryn sitmi dergon menjeher tregoj.”
Ky komunikim tregon se çështja e kaparit ishte diskutuar drejtpërdrejt mes artistes dhe menaxherit dhe se Nora kërkonte informacion mbi pagesën.
Në një tjetër komunikim të paraqitur në redaksi, bëhet sërish referencë te pagesa për Norën, ndërsa thuhet se paratë do të dërgoheshin.
Dokumenti i transaksionit: 3,500 dollarë
Një tjetër material i dorëzuar në redaksi është një pamje e historikut të një transaksioni të MoneyGram.
Në dokument shënohet data 5 mars 2026, shuma prej 3,500 dollarësh, si dhe statusi “Ready For Pickup”. Në dokument figuron gjithashtu emri Hysen Kameri në lidhje me miratimin dhe marrjen e shumës.
Në komunikimin shoqërues, njëra palë pyet:
“Sa ke derguar”
dhe përgjigjja është:
“$3,500”
Pas kësaj vijon një tjetër mesazh:
“Gjysmen e gjith parave me the.”
Materiali, sipas denoncuesit, lidhet me kaparin e kërkuar për koncertin.
Nora kërkon sqarime për paratë
Në një tjetër bisedë, situata bëhet edhe më e drejtpërdrejtë.
Në komunikimin e paraqitur në redaksi, thuhet:
“Shkruaj Labit”
dhe më pas:
“Gjithcka ne lidhje me koncertin”
Në vijim shfaqet një diskutim për depozitën:
“Depozitin qe ja ke qu Cenit”
Ndërsa përgjigjja është:
“Ti duhesh me rregullu”
dhe më pas:
“Une skam cka bej aty se nuk kam mare asnje pare.”
Ky komunikim është një nga elementët që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar paratë e koncertit dhe nëse ato kanë përfunduar te personi për të cilin ishin destinuar.
“Ke fol me Cenin për paratë?”
Në një tjetër screenshot, një person pyet:
“Një gje me duhet. Ke fol me Cenin per parat apo kurgjo sesht ber?”
Përgjigjja është:
“Jo nuk i ka sjell.”
Në të njëjtën pamje shfaqet edhe një mesazh zanor prej 48 sekondash.
Këto komunikime, sipas denoncuesit, janë pjesë e materialeve që tregojnë se edhe vetë artistja kishte kërkuar sqarime mbi paratë dhe nuk kishte dijeni të plotë se kur dhe sa ishte marrë apo dërguar.
Pretendimi për anulimin e koncertit në momentin e fundit
Sipas denoncimit, konflikti nuk është kufizuar vetëm te pagesa.
Denoncuesi pretendon se Ceni Kamberi e ka ndaluar Norën Istrefi që të udhëtonte për koncertin në Chicago në momentet e fundit, ndërsa më pas paratë nuk janë kthyer te organizatori dhe as nuk i janë dorëzuar artistes.
Sipas të njëjtit denoncim, menaxheri i kishte komunikuar organizatorit se situata më mirë të mbyllej duke mbajtur paratë, pretendim ky që kërkon verifikim të mëtejshëm përmes dokumenteve dhe dëshmive të palëve të përfshira.
Pas konfliktit, Nora u nda nga menaxhmenti
Denoncuesi pretendon gjithashtu se pas kësaj situate Nora Istrefi ka ndërprerë marrëdhënien e menaxhimit me Ceni Kamberin.
Në materialet në denoncim, çështja paraqitet si pjesë e një konflikti më të gjerë mbi mënyrën e menaxhimit të pagesave, tarifave dhe marrëveshjeve me organizatorët e koncerteve.
Denoncuesi pretendon se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe me artistë ose organizatorë në Kanada, Belgjikë dhe New York, por këto pretendime kërkojnë prova dhe verifikim të veçantë përpara se të mund të konsiderohen të konfirmuara.
Çfarë tregojnë materialet dhe çfarë mbetet për t’u verifikuar?
Janë publikuar edhe disa screenshot-e të komunikimeve dhe një dokument që paraqet një transaksion prej 3,500 dollarësh. Këto materiale dokumentojnë ekzistencën e komunikimeve mbi koncertin, kaparin dhe pagesën, por nuk mjaftojnë të vetme për të provuar përfundimisht se paratë janë përvetësuar nga Ceni Kamberi.
Për këtë arsye, çështja kërkon edhe dokumente të tjera: kontratën e koncertit, të dhënat e plota të pagesës, komunikimet me organizatorin, dokumentet që lidhen me 500 dollarët e vizës, si dhe çdo provë tjetër që mund të sqarojë se kush e mori shumën dhe ku përfunduan paratë.
Amina Nuraj nga Pazari i Ri është shpallur kandidate për deputete në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e 25 tetorit, duke u bërë pjesë e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, e cila përfaqëson shqiptarët.
Kandidatura e Nurajt ka një veçanti, pasi ajo vjen nga Sanxhaku, ndërsa lista shqiptare deri më tani është dominuar kryesisht nga kandidatë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Lista përbëhet nga 10 kandidatë, pesë gra dhe pesë burra, ndërsa në zgjedhje mban numrin 17.
Nuraj, e cila drejton Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri, prej vitesh është angazhuar në promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Sanxhak, transmeton Telegrafi.
Ajo ka deklaruar se kandidatura e saj është një mundësi për të ngritur në institucionet e Serbisë çështjet që lidhen me shqiptarët në Sanxhak, Luginën e Preshevës dhe trevat e tjera ku jetojnë shqiptarë.
“Nga Sanxhaku në Parlamentin e Serbisë, me zërin e shqiptarëve”, është mesazhi me të cilin Nuraj e ka përmbledhur kandidaturën e saj.
Sipas saj, ky hap vjen pas rreth 14 vitesh angazhim për çështjet e komunitetit shqiptar, me fokus në ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve.
Aktivistë shqiptarë, përfshirë Nurajn, kanë argumentuar se një pjesë e banorëve me prejardhje shqiptare janë asimiluar ndër dekada dhe se sot identifikohen kryesisht si boshnjakë.
Në vitet e fundit, përfaqësuesit shqiptar në Sanxhak kanë shtuar përpjekjet për ringjalljen e identitetit, gjuhës dhe traditave shqiptare. Në këtë kuadër janë hapur edhe iniciativa për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët dhe të rinjtë në rajon.
Nuraj ka qenë aktive në këto përpjekje dhe është takuar edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ku ka folur për pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në Sanxhak.
Kandidatura e saj në zgjedhjet e 25 tetorit shënon kështu një përpjekje për ta sjellë zërin e shqiptarëve të Sanxhakut në Parlamentin e Serbisë, përkrah përfaqësuesve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. /Telegrafi/
Modelet e krijuara nga inteligjenca artificiale po shfaqen gjithnjë e më shumë në reklama dhe rrjete sociale, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tyre te mënyra se si njerëzit, veçanërisht të rinjtë, e perceptojnë pamjen e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se AI mund të krijojë figura me pamje pothuajse perfekte, të cilat nuk ekzistojnë në realitet, duke forcuar standardet jorealiste të bukurisë.
Mia Perumal, 19 vjeçe, e cila është rikuperuar nga një çrregullim i të ushqyerit, tregon se që në moshën 12-vjeçare përballej me përmbajtje në rrjetet sociale që ndikonte negativisht në marrëdhënien e saj me trupin.
Foto ilustruese, me AI
Sot ajo sheh gjithnjë e më shumë figura të krijuara nga AI me trupa perfektë, të cilat mund të ndikojnë te vajzat e reja.
Edhe prindër të tjerë janë të shqetësuar se fëmijët mund të fillojnë ta krahasojnë veten me këto imazhe.
Ekspertja e psikologjisë Phillippa Diedrichs shpjegon se njerëzit priren të krahasohen me të tjerët, por problemi bëhet më i madh kur standardet me të cilat krahasohen janë të paarritshme.
Sipas saj, AI mund të riprodhojë standarde shumë të ngushta të bukurisë dhe të lërë jashtë diversitetin real të njerëzve, si format e ndryshme të trupit, ngjyrat e lëkurës dhe tiparet e veçanta të fytyrës.
Megjithatë, teknologjia mund të përdoret edhe pozitivisht, nëse shërben për të paraqitur njerëz me pamje dhe trupa të ndryshëm.
Një tjetër problem është se fotot e krijuara nga AI po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga ato reale.
Detaje si tekstura e lëkurës, sytë, flokët apo mungesa e disa pa-përsosmërive mund të japin ende sinjale, por ekspertët theksojnë se edhe kur e dimë që një imazh është artificial, ai mund të ndikojë në mënyrën se si e shohim veten.
AI po përdoret gjithashtu në industrinë e modës, ku disa kompani kanë eksperimentuar me modele virtuale dhe ‘binjakë digjitalë’.
Studimet kanë treguar se konsumatorët shpesh reagojnë negativisht kur mësojnë se personi në një reklamë nuk është real dhe preferojnë të shohin njerëz të vërtetë.
Në fund, ekspertët sugjerojnë që përdoruesit të vëzhgojnë edhe mënyrën se si ndihen pasi shohin përmbajtje të caktuara.
Nëse imazhet krijojnë ndjesinë se nuk jemi mjaftueshëm të bukur apo se diçka nuk shkon me pamjen tonë, mund të jetë momenti për t’u distancuar nga një përmbajtje e tillë. /Telegrafi/
Një 25-vjeçare e huaj është gjetur pa shenja jete këtë të enjte në një apartament në Durrës.
Sipas raportimeve të policisë, është gjetur pa shenja jete shtetasja angleze E.S., 25 vjeçe, ku nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune.
Ndërkohë, në apartament është gjetur edhe një fëmijë, rreth 2 vjeç, fëmija i 25-vjeçares, në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi plotë i policisë:
Rreth orës 12:50, në lagjen Nr.1, në një apartament, nga shërbimi i Urgjencës Durrës është gjetur pa shenja jete shtetasja angleze E. S., 25 vjeçe.
Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Gjithashtu është gjetur edhe fëmija i kësaj shtetaseje, rreth 2 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Euronews.al/
Në rrugën “Tefik Çanga” në Prizren po vazhdojnë punimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në një gjatësi prej 420 metrash.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, së bashku me bashkëpunëtorët, ka inspektuar nga afër punimet për të përcjellë dinamikën dhe cilësinë e realizimit.
Sipas Totajt, investimi po realizohet në kuadër të kontratës për ndërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve me asfalt në Komunën e Prizrenit.
Qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe krijimi i kushteve më të sigurta për qarkullim.
“Punë konkrete në terren, rrugë më të mira dhe më shumë siguri për qytetarët!”, ka shkruar Totaj. /Telegrafi/
Gjyqtarja nga Peja, Jeta Zeka është nominuar për të ndarë drejtësinë në dy ndeshje të FIBA EuroCup Women, duke shënuar një moment historik për basketbollin kosovar.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se Jeta Zeka do të bëhet gjyqtarja e parë femër nga Kosova që do të ndajë drejtësinë në garat evropiane të klubeve të organizuara nga FIBA.
Gjyqtarja nga Peja është nominuar për dy ndeshje të FIBA EuroCup Women, një arritje e rëndësishme për karrierën e saj dhe për përfaqësimin e gjyqtareve kosovare në arenën ndërkombëtare.
Ndeshja e parë në të cilën do të jetë e angazhuar Zeka do të zhvillohet më 14 tetor 2026, në Campobasso të Italisë, ku do të përballen Magnolia Basket Campobasso dhe Cinkarna Celje.
Një javë më vonë, më 21 tetor, ajo do të jetë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në duelin mes GEAS Basket SSDRL dhe Panathinaikos A.C., që do të zhvillohet në Milano të Italisë.
Ky nominim përbën një moment të veçantë për Jeta Zekën dhe një hap të rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, duke dëshmuar rritjen e përfaqësimit të gjyqtareve kosovare në garat evropiane. /Telegrafi/
Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli, ka folur me superlativa për Edon Zhegrovën, duke e cilësuar futbollistin kosovar si një “fenomen” dhe duke besuar se ai ka potencialin për të bërë diferencën te gjiganti italian.
Ravanelli ka treguar se ka biseduar personalisht me Zhegrovën dhe i ka dhënë një këshillë të qartë: atë që po e tregon në stërvitje dhe me fanellën e Kosovës, duhet ta përsërisë edhe në ndeshjet me Juventusin.
“Fola me të dhe i thashë se është një fenomen dhe se ajo që bën në stërvitje dhe me Kosovën, duhet ta bëjë edhe në ndeshjet për Juventusin. Nëse gjen qëndrueshmëri, është lojtari më i fortë, ai vendos ndeshjet”, ka thënë Ravanelli.
Ish-sulmuesi italian beson se Zhegrova ka cilësi të veçanta sidomos në pjesën e fundit të fushës, ku aftësia e tij për të krijuar raste dhe për të dhënë pasimin final mund të jetë vendimtare.
“Për mua, ai ka potencialin për 10 gola, por veçanërisht me pasimin e tij të fundit. Kur arrin në 20 metrat e fundit, bëhet shkatërrues dhe e sheh lojën qartë”, ka shtuar Ravanelli.
Ravanelli e njeh mirë fanellën e Juventusit, pasi gjatë periudhës së tij në Torino, nga viti 1992 deri në 1996, shënoi 41 gola në 111 paraqitje.
Ndërkohë, Zhegrova është rikthyer te Juventusi pas grumbullimit me Kosovën për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ai ishte ndër futbollistët më të dalluar të “Dardanëve” në katër ndeshjet e para të grupit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim.
Kosova aktualisht ka 24 konsuj nderi, të cilët përfaqësojnë vendin në shtete dhe rajone të ndryshme të botës. Në mesin e tyre, dy konsuj nderi janë të emëruar në Kroaci.
Gazeta Insajderi e ka siguruar këtë listë përmes një kërkese për qasje në dokumente zyrtare drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, konsujt e nderit të Kosovës janë të emëruar në Izrael, Austri, Maqedoni të Veriut, Portugali, Zelandë të Re, Bullgari, Pakistan, Turqi, Francë, Mauritani, Japoni, SHBA dhe Kroaci.
Në Kroaci Kosova ka dy konsuj nderi: Ante Bacić, i cili mbulon Prefekturën e Splitit dhe Dalmacinë, dhe Hrvoje Pezo, përgjegjës për Prefekturën e Osijekut dhe Baranjës.
Lista përfshin emërime të bëra ndër vite, nga 2012 deri në vitin 2025, ndërsa në mesin e emrave figurojnë edhe Eyal Waldman, Roy Roznek, Markus Paulmichl, Ricardo Costa, Zahid Anjum, Muharrem Toprak, Odile Perot, Visar Berisha dhe të tjerë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti shqiptar përmes një postimi në Instagram, ku ka konfirmuar vendimin e autoriteteve zvicerane dhe ka deklaruar se e pranon përgjegjësinë.
Xhaka është dënuar me 50 ditë-gjobë, nga 3 mijë franga zvicerane secila, me kusht. Në total, gjoba arrin shumën prej 150 mijë frangash, por ajo nuk do të ekzekutohet nëse futbollisti nuk kryen shkelje tjetër gjatë periudhës së përcaktuar.
“Kjo do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryej asnjë shkelje tjetër. Shpenzimet e procedurës i kam paguar”, ka sqaruar Xhaka.
Çështja u bë publike pak para ndeshjeve të fundit të kombëtares zvicerane, kur Xhaka pranoi se gjatë periudhës së pandemisë kishte falsifikuar dy certifikata vaksinimi.
Rasti ishte bërë publik fillimisht nga gazeta zvicerane “Blick”, e cila raportoi për një procedim të Prokurorisë së Lucernës lidhur me këtë çështje.
Duke reaguar pas vendimit, Xhaka shprehu gatishmërinë për të përballuar pasojat.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, ka shkruar kapiteni i Zvicrës.
34-vjeçari vazhdon të jetë një prej figurave kryesore të kombëtares zvicerane dhe një prej futbollistëve shqiptarë më të njohur në arenën ndërkombëtare.