Category: Lajme

  • Borxhe mbi 3 mijë euro, KRU “Gjakova” ua ndërpret ujin konsumatorëve

    Borxhe mbi 3 mijë euro, KRU “Gjakova” ua ndërpret ujin konsumatorëve

    Borxhe mbi 3 mijë euro, KRU “Gjakova” ua ndërpret ujin konsumatorëve

    KRU “Gjakova” ka vazhduar shkyçjen nga rrjeti të konsumatorëve me obligime të papaguara ndaj kompanisë.

    Njësia e Shkyçjes dhe Kontrollit ka ndërmarrë masa ndaj konsumatorëve, borxhet e të cilëve kanë kaluar 2 mijë euro, ndërsa në disa raste kanë arritur edhe mbi 3,700 euro.

    Konsumatorët me borxhe të tilla janë shkyçur menjëherë nga rrjeti, njofton KRU “Gjakova”.  

    “KRU “Gjakova” Sh.A. apelon te të gjithë konsumatorët që nuk i kanë kryer obligimet ndaj kompanisë që t’i shlyejnë ato me kohë. Kompania do të vazhdojë me shkyçjet dhe nuk do të kursehet asnjë konsumator me borxhe të papaguara”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv

  • 50 shtetas të Kosovës u dëbuan nga Zvicra gjatë vitit 2025

    50 shtetas të Kosovës u dëbuan nga Zvicra gjatë vitit 2025

    50 shtetas të Kosovës u dëbuan nga Zvicra gjatë vitit 2025

    Gjatë vitit 2025, në Zvicër janë shqiptuar vendime për Landesverweisung ndaj 50 shtetasve të Kosovës, ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të përfshirë në këto vendime ka qenë 200.

    Të dhënat, të siguruara nga albinfo.ch, bazohen në statistikat e ndara sipas shtetësisë për personat e rritur të dënuar në Zvicër gjatë vitit 2025.

    Sipas statistikave, nga 50 shtetasit e Kosovës ndaj të cilëve është shqiptuar Landesverweisung, 13 persona figurojnë në kategorinë e të huajve me leje qëndrimi B, C ose Ci, transmeton Klankosova.tv.

    Ndërkaq, 37 shtetas të tjerë të Kosovës janë regjistruar në kategorinë “të huaj të tjerë”.

    Në rastin e shtetasve të Shqipërisë, statistikat tregojnë 200 persona të përfshirë në vendime për Landesverweisung, të gjithë të regjistruar në kategorinë “të huaj të tjerë”.

    Në total, bëhet fjalë për 250 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj të cilëve janë shqiptuar vendime të tilla gjatë vitit të kaluar.

    “Landesverweisung”, është një masë e paraparë në të drejtën penale zvicerane, përmes së cilës një shtetas i huaj mund të dënohet me largim nga Zvicra pas një vepre penale. Vendimi mund të jetë i detyrueshëm për vepra të caktuara ose të shqiptohet nga gjykata, varësisht nga rrethanat dhe natyra e veprës.

    Megjithatë, këto statistika nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se të gjithë personat e përfshirë janë larguar faktikisht nga Zvicra gjatë vitit 2025. Ato i referohen vendimeve për Landesverweisung të shqiptuara ndaj personave të rritur të dënuar gjatë atij viti.

    Të dhënat tregojnë gjithashtu se një pjesë e personave të prekur nga këto vendime kishin status të rregullt qëndrimi në Zvicër, ndërsa pjesa tjetër është përfshirë në kategorinë e shtetasve të huaj me status tjetër qëndrimi.

  • FSK zë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë” në ShBA

    FSK zë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë” në ShBA

    FSK zë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë” në ShBA

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë renditur në vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”, e zhvilluar në shtetin e Ajovës në ShBA.

    Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka pritur në takim pjesëtarët që përfaqësuan Kosovën në këtë garë, duke i dekoruar me medalje për rezultatet e arritura.

    Sipas njoftimit nga FSK-ja, pjesëtarët treguan nivel të lartë të përgatitjes profesionale, fizike dhe ushtarake gjatë garës.

    “Me këtë rast, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i dekoroi pjesëtarët me medalje për rezultate të larta, në shenjë vlerësimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe suksesin e treguar gjatë garës. Suksesi i tyre përbën një vlerë të shtuar për FSK-në dhe dëshmi të përgatitjes së vazhdueshme të pjesëtarëve të saj sipas standardeve më të larta ushtarake”, thuhet në postimin e FSK-së./Klankosova.tv

  • Burnham: Të hapur për anëtarësimin e Gjermanisë në programin GCAP

    Burnham: Të hapur për anëtarësimin e Gjermanisë në programin GCAP

    Gjatë vizitës së tij të parë në kryeqytetin gjerman që nga marrja e detyrës, Burnham tha se i kishte shprehur kancelarit gjerman, Friedrich Merz gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të mirëpritur anëtarësimin e Gjermanisë, në Programin Global të Avionëve Luftarakë (GCAP).

    Fillimisht, një marrëveshje mes Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë për të ndërtuar një avion luftarak të gjeneratës së gjashtë, GCAP mirëpriti Kanadanë si vend vëzhgues në korrik.

    Avioni i ri, i njohur jozyrtarisht me emrin “Tempest”, do të pajiset me teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale (IA) dhe sensorë të gjeneratës së re.

    Vendet perëndimore synojnë të ruajnë epërsinë në ajër, përballë kërcënimeve nga fuqitë rivale, si Rusia dhe Kina.

    Projekti i Gjermanisë për avionët luftarak, FCAS, i ndërtuar së bashku me Francën, dështoi në fillim të këtij viti.

    Burnham udhëtoi sot në Berlin për bisedime me Merz, të përqendruara kryesisht te siguria.

    Gjatë vizitës u njoftua edhe nisja e një partneriteti të ri për sigurinë, që synon përballimin e kërcënimeve hibride.

    Të dy liderët ratifikuan gjithashtu Traktatin Kensington BM-Gjermani, të nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, i cili parashikon bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve në shkencë, teknologji, mbrojtje, siguri dhe zhvillim ekonomik.

    “Sot, po diskutojmë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe i kam bërë të ditur kancelarit, gjatë diskutimit tonë përpara këtij ratifikimi, se jemi të hapur ndaj bashkimit të Gjermanisë me GCAP, programin për gjeneratën e ardhshme të avionëve luftarakë”, tha Burnham duke folur së bashku me Merz.

    Ai shtoi se Britania e Madhe synon ta çojë përpara këtë çështje në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim edhe me partnerët e saj, Italinë dhe Japoninë.

    Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët, kryeministri britanik theksoi gjithashtu rëndësinë e përballimit të sulmeve hibride, duke thënë se kjo është diçka me të cilën të dyja vendet “përballen rregullisht”.

    Muajin e kaluar, qeveria britanike thirri një diplomat të lartë rus, për të protestuar ndaj asaj që e cilësoi si një “sulm të rëndë dhe të papërgjegjshëm” në aeroportin e Leipzigut në Gjermani.

    Ky aeroport është një qendër e rëndësishme ndërkombëtare e transportit të mallrave dhe përdoret edhe për dërgimin e ndihmave në mbështetje të Ukrainës.

    Në gusht, pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave, u gjet një dron që mbante eksplozivë, por nuk shpërtheu dhe më pas u çaktivizua.

    Hetuesit dyshojnë se një dron i dytë, u përplas me një avion transporti mallrash aty pranë, ndërsa një dron i tretë raportohet se u gjet pranë aeroportit 10 ditë më vonë.

    “Ne duhet t’i përballojmë këto kërcënime së bashku, dhe të mbështesim njëri-tjetrin për t’u përballur me to, si dhe për të kundërshtuar ndërhyrjet në proceset tona demokratike. Jemi më të fortë së bashku kur përballemi me këto kërcënime”, tha Burnham.

    Më vonë, dy liderët do të drejtojnë një forum rajonal për rritjen ekonomike BM-Gjermani, ku do të marrin pjesë drejtues të kompanive britanike dhe gjermane.

    Forumi do të fokusohet në nxitjen e investimeve, forcimin e bashkëpunimit industrial dhe sigurimin, që përfitimet nga rritja ekonomike të ndihen në komunitetet e të dyja vendeve.

    Duke folur për marrëdhëniet më të gjera me Gjermaninë dhe Evropën, Burnham tha se është “i angazhuar për të siguruar bashkëpunim më të thellë” me Bashkimin Evropian në një samit me BE-në që pritet të zhvillohet nga fundi i vitit.

    Burimi: RTKLive

  • Përshkallëzohet protesta para Kuvendit në Shqipëri: Përplasje fizike, lotsjellës dhe bllokim rrugësh

    Përshkallëzohet protesta para Kuvendit në Shqipëri: Përplasje fizike, lotsjellës dhe bllokim rrugësh

    Në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt sot seanca e radhës plenare, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte Reforma Territoriale.

    Partia Demokratike kishte paralajmëruar një protestë kombëtare sot jashtë Kuvendit, për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për shtimin e numrit të bashkive.

    Në tubim sot ishin edhe protestuesit e përnatshëm që prej më shumë se katër muajsh vijojnë të dalin në bulevard, por si një grupim më vete nga ata të PD.

    Për të siguruar rendin, policia kishte marrë masa duke shtuar numrin e efektivëve përreth Kuvendit.

    Që në nisje të seancës u shënuan përplasej e para mes protestuesve dhe efektivëve. Tubuesit kanë shtyrë herë pas here fizikisht punonjësit e policisë me qëllim për të çarë kordonin e efektivëve dhe për t’iu afruar hyrjeve të Kuvendit.

    Për t’i shpërndarë policia ka përdorur spraj lotsjellës, duke normalizuar situatën. Një incident tjetër u shënua dhe mes dy personave në protestë, ku u pa një burrë teksa godiste me shuplakë një djalë të ri.

    Protestuesit po ashtu kanë bllokuar edhe akset rrugore, ndërsa në negociata me policinë tentuan të futen disa prej deputetëve të PD, të cilët kërkonin që efektivët të lejonin që protestuesit të vijonin ‘planin’.

    Edhe pas tentativave, protestuesit nuk kanë kaluar përtej kordonit të policisë, ndërsa në shenjë revolte ata u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave./TCH

     

    Burimi: Dukagjini

  • Numri i bllokadave në shkollat franceze po zvogëlohet gradualisht

    Numri i bllokadave në shkollat franceze po zvogëlohet gradualisht

    Shenjat e para tregojnë se protestat e studentëve në Francë mund të jenë duke u zbutur gradualisht, ndonëse pamje të tensionuara nga protestat vazhdojnë të vijnë nga vende të ndryshme të vendit.

    Mijëra persona dolën sërish në mbështetje të protestave, përfshirë një marshim të ri në Marsejë gjatë pasdites. Megjithatë, të dhënat e Ministrisë së Arsimit treguan se numri i shkollave të bllokuara ishte në rënie.

    Sipas të dhënave të ministrisë, në mëngjes ishin të bllokuara 224 shkolla, ndërsa deri në mesditë ky numër kishte rënë në 157. Kjo do të thotë se 96 për qind e shkollave ishin të hapura, raportoi Reuters.

    Megjithatë, grupet studentore kanë bërë thirrje për një tjetër ditë mobilizimi të martën, më 13 tetor, ndaj protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndonëse mund të marrin forma të tjera.

    Burimi: Dukagjini

  • GUESS MAN për herë të parë në Kosovë - Hapet dyqani i parë në Albi Mall Prishtina

    GUESS MAN për herë të parë në Kosovë – Hapet dyqani i parë në Albi Mall Prishtina

    Për herë të parë në Kosovë, brendi ndërkombëtar i modës GUESS MAN hap dyert në Albi Mall Prishtina, duke sjellë një dimension të ri të stilit mashkullor në tregun kosovar.

    GUESS MAN I njohur për identitetin e tij amerikan, dizajnet moderne dhe frymën karakteristike të modës, vjen me një koncept të dedikuar plotësisht për meshkujt që vlerësojnë stilin, cilësinë dhe individualitetin.

    Kjo hapje shënon një moment të rëndësishëm për praninë e brendit në Kosovë, duke u ofruar klientëve mundësinë të përjetojnë nga afër botën e GUESS MAN në një hapësirë ekskluzive.

    Hapja e parë e GUESS MAN në Kosovë do të festohet përmes një eventi të veçantë, ku moda, muzika dhe atmosfera elegante do të krijojnë një eksperiencë unike për të ftuarit. Në qendër të mbrëmjes do të jetë prezantimi i koleksionit Fall/Winter 2026, përmes një sfilate mode që do të sjellë në vëmendje kombinimet më të reja, siluetat bashkëkohore dhe detajet ikonike të brendit.

    Të ftuarit do të kenë mundësinë të zbulojnë nga afër koleksionin e ri dhe ambientin modern të dyqanit, i cili pasqyron identitetin dhe energjinë karakteristike të GUESS MAN.

    Me ardhjen e GUESS MAN për herë të parë në Kosovë, Albi Mall Prishtina pasuron më tej portofolin e tij me një tjetër emër prestigjioz të modës ndërkombëtare.

    Hapja e këtij dyqani përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të modës mashkullore, duke sjellë trendet globale më pranë konsumatorëve kosovarë.

    Nga 9 tetori, GUESS MAN mirëpret klientët në dyqanin e tij të parë në Kosovë, në Albi Mall Prishtina, duke nisur një kapitull të ri.

  • Protesta para Kuvendit, shoqërohen 8 persona në komisariatin Nr.1

    Protesta para Kuvendit, shoqërohen 8 persona në komisariatin Nr.1

    Këtë të enjte tetë persona janë të shoqëruar nga policia në komisariatin Nr.1 pas incidenteve të regjistruara në protestën e sotme para Kuvendit.

    Herë pas herë ka pasur përplasje dhe shtyrje me policinë nga ana e protestuesve të PD dhe deputetëve demokratë, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur spraj me piper në drejtim të tyre.

    Ndërkohë edhe nga krahu tjetër i hyrjes së Parlamentit, ku gjendet një qendër tregtare ka pasur përplasje të herëpashershme me policinë në drejtim të të cilës janë hedhur tymuese. /Euronews.al/

  • Ylli i Real Madridit ka bërë zgjedhjen e tij, dëshiron transferimin te Milani në rast largimi

    Ylli i Real Madridit ka bërë zgjedhjen e tij, dëshiron transferimin te Milani në rast largimi

    Endricku u ka bërë të ditur drejtuesve të Milanit se klubi italian do të ishte zgjedhja e tij e parë në rast se Real Madridi vendos ta lejojë largimin e tij në afatin kalimtar të janarit.

    Sipas Gazzetta dello Sport, sulmuesi brazilian e ka bërë të qartë se Milani do të ishte në krye të listës së tij nëse largohet nga “Santiago Bernabeu” gjatë dimrit.

    Endricku po kalon një periudhë të vështirë në Madrid, pasi këtë sezon ka regjistruar vetëm katër minuta lojë. Në verë, Jose Mourinho bllokoi mundësinë e largimit të tij në formë huazimi, por mungesa e hapësirës mund ta shtyjë brazilianin të kërkojë një tjetër zgjidhje në janar.

    Sulmuesi do të kërkonte mundësi për të luajtur rregullisht, ashtu siç bëri kur iu bashkua Lyonit në formë huazimi në janar të këtij viti.

    Milani kishte tentuar ta transferonte Endrickun edhe gjatë afatit kalimtar të verës. Një faktor që mund ta lehtësojë marrëveshjen është lidhja e fortë mes agjencisë së lojtarit, Roc Nation, dhe pronarit të Milanit, Gerry Cardinale.

    Megjithatë, gjithçka varet fillimisht nga vendimi i Real Madridit për ta lejuar largimin e tij.

    Milani synon ta marrë Endrickun në huazim për gjashtë muaj, ndërsa në bisedime mund të përfshihet edhe e ardhmja afatgjatë e sulmuesit. Paga e tij, rreth 2.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuset, nuk pritet të përbëjë pengesë për klubin italian.

    Megjithatë, Milani nuk është klubi i vetëm i interesuar për brazilianin. Roma gjithashtu po e ndjek situatën dhe Wesley, bashkëlojtari i tij te Brazili, thuhet se po përpiqet personalisht ta bindë Endrickun për një transferim në kryeqytetin italian.

    Në garë është edhe Aston Villa, e cila raportohet se ka shfaqur interesim për sulmuesin e Real Madridit./Telegrafi/

  • Ariu sulmon një familje pranë kryeqytetit të Mongolisë, një burrë vdes dhe një grua lëndohet rëndë

    Ariu sulmon një familje pranë kryeqytetit të Mongolisë, një burrë vdes dhe një grua lëndohet rëndë

    Një burrë ka humbur jetën dhe një grua është plagosur rëndë pasi një ari i sulmoi në shtëpinë e tyre, pranë kryeqytetit mongol, Ulaanbaatar.

    Ngjarja ndodhi gjatë natës të së mërkurës në distriktin Bayanzurkh, brenda një ger-i, banesës tradicionale mongole në formë tende që përdoret gjerësisht nga komunitetet nomade, transmeton Telegrafi.

    Viktima, një burrë në të 40-at, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga sulmi. Gruaja, rreth të 50-ave, arriti të largohej nga banesa dhe të kërkonte ndihmë te fqinjët. Ajo është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, tha zyrtari i qytetit, Munkhbayar M.

    Autoritetet kanë nisur kërkimet për ariun, ndërsa ekipet e rojeve po patrullojnë zonën. Banorëve u është bërë thirrje të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shfaqje të kafshës.

    Sulmi vjen në një kohë kur shfaqjet e arinjve pranë zonave të banuara në Mongoli po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Autoritetet dhe ekspertët i lidhin këto raste, ndër të tjera, me ndryshimet klimatike dhe mungesën e ushqimit, që mund t’i shtyjnë kafshët të afrohen më shumë te njerëzit.

    Sipas Munkhbayar, vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 24 raste të shikimit të arinjve pranë Ulaanbaatarit, krahasuar me vetëm dy raste në vitin 2018, raportoi AFP.

    Në javët e fundit, në rrjetet sociale mongole janë shpërndarë edhe video që pretendohet se tregojnë arinj duke hyrë ose dëmtuar ger-ët, si dhe duke sulmuar bagëti. Këto pamje kanë nxjerrë në pah rritjen e kontakteve mes njerëzve dhe arinjve në pjesë të ndryshme të vendit.

    Autoritetet kanë lëshuar gjithashtu leje për gjuetinë e arinjve në tetë provinca, ndërsa po përpiqen të sigurojnë armë me shigjeta qetësuese për t’u ardhur në ndihmë rojeve që veprojnë në zonat rurale.

    Mongolia ka ende një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që jeton në mënyrë nomade, ndërsa komunitetet e vendosura po shtohen. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e banorëve jeton në Ulaanbaatar dhe në qendra të tjera urbane, duke rritur potencialisht mundësinë e përballjeve mes njerëzve dhe kafshëve të egra. /Telegrafi/