Category: Lajme

  • Mbahet mbledhja e gjashtë e Qeverisë, merret një vendim

    Mbahet mbledhja e gjashtë e Qeverisë, merret një vendim

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e gjashtë, e cila është mbajtur në format elektronik.

    Sipas njoftimit për media, ë kuadër të kësaj mbledhjeje Qeveria ka miratuar vendimin për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI).

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin për Përmirësim të Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim. /Telegrafi/

  • Janevska: I trajnojmë mësimdhënësit për përdorimin e inteligjencës artificiale

    Janevska: I trajnojmë mësimdhënësit për përdorimin e inteligjencës artificiale

    Mësimdhënësit dhe shkollat më të suksesshme, pas trajnimit 9-nëntëmujor për inteligjencën artificiale, morën certifikata. Ministria e Arsimit dhe Shkencës i realizoi trajnimet në bashkëpunim me Brainster Next.

    “Ju përgëzoj për përkushtimin dhe angazhimin tuaj për të mësuar diçka të re dhe për t’ua përcjellë atë njohuri nxënësve tuaj. Për t’i ndihmuar ata ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të drejtë, të përgjegjshme dhe për qëllime të duhura. Ndërsa dhjetë prej jush shkuan edhe një hap më tej dhe sot janë ambasadorët tanë të arsimit për inteligjencën artificiale“, tha ministrja Vesna Janevska gjatë ndarjes së mirënjohjeve.

    Duke theksuar se inteligjenca artificiale hap mundësi të mëdha, por njëkohësisht sjell me vete edhe rreziqe, Janevska shtoi se dija është mbrojtja e vetme dhe se për këtë arsye, së bashku me Brainster Next dhe disa institucione të tjera të arsimit të lartë, kanë filluar trajnimet për mësimdhënësit.

    “Mësimdhënësve u nevojiten njohuri me të cilat do ta avancojnë punën e tyre dhe do t’i udhëheqin nxënësit përmes mundësive dhe sfidave që sjell inteligjenca artificiale. Falënderime për ekipin e Brainster Next, i cili i mësoi se si ta përdorin atë, në mënyrë që të jenë më kreativë dhe të sjellin risi në procesin mësimor. Për mësimdhënësit është e rëndësishme që njohuritë e fituara t’i ndajnë me kolegët, por edhe të vazhdojnë t’i thellojnë dhe t’i zhvillojnë më tej“, theksoi Janevska.

    “Inteligjenca artificiale tashmë po e ndryshon arsimin dhe kjo është një realitet që nuk mund ta anashkalojmë“, tha ministrja, duke theksuar nevojën për mësimdhënës të përgatitur, të cilët do t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë dhe ta përdorin siç duhet inteligjencën artificiale, duke ruajtur njëkohësisht mendimin kritik dhe kreativitetin dhe, çka është më e rëndësishmja, duke e përdorur atë në mënyrë etike, të përgjegjshme dhe me vetëdije”.

    “Nxënësit duhet të zotërojnë teknologjinë, por njëkohësisht të dinë se si ta zbatojnë atë në mënyrë të përshtatshme, të aftësohen për të verifikuar informacionet dhe, në përgjithësi, t’i përdorin me përgjegjësi dhe në mënyrë të mençur të gjitha mjetet digjitale“, theksoi ministrja Janevska.

  • Kantoni i Fribourg-ut ka ligjin e tij mbi gjuhët zyrtare

    Kantoni i Fribourg-ut ka ligjin e tij mbi gjuhët zyrtare

    Kantoni i Fribourg-ut ka miratuar ligjin e tij të parë mbi gjuhët zyrtare dhe promovimin e dygjuhësisë (LLOPB), pas një votimi në Parlament të enjten.

    Në qendër të ligjit është përcaktimi i kushteve sipas të cilave një komunë mund të caktojë gjuhën ose gjuhët e saj zyrtare.

    Ligji u miratua me 79 vota pro, 19 kundër dhe pesë abstenime, pas tri ditësh debatesh intensive gjatë muajve shtator dhe tetor, raportpn arcinfo, transmeton Telegrafi.

    Sipas tekstit të miratuar, një komunë që ka një pakicë të konsiderueshme gjuhësore indigjene, e cila përbën të paktën 10 për qind të popullsisë për një periudhë prej së paku 25 vjetësh, do të mund të zgjedhë frëngjishten ose gjermanishten si gjuhë zyrtare, pas një votimi popullor.

    Gjatë debatit parlamentar, disa deputetë kritikuan atë që e konsideruan si përpjekje për ta “torpeduar” ligjin, duke iu referuar numrit të madh të amendamenteve që, sipas tyre, rrezikonin t’ia hiqnin përmbajtjen.

    Deputeti i qendrës, Bernhard Altermatt, tha se 95 për qind e komunave nuk preken nga ligji. Sipas tij, në rastin më të mirë, vetëm një ose dy nga 10 deri në 12 komunat që potencialisht plotësojnë kushtet mund të bëhen dygjuhëshe.

    Gjashtë prej këtyre komunave ndodhen në Distriktin e Liqeneve, i cili është dygjuhësh.

    Ligji u mbështet edhe nga Ministri i Institucioneve, Didier Castella./Telegrafi/

  • BE kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Kosova po shkel obligimet ndërkombëtare

    BE kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Kosova po shkel obligimet ndërkombëtare

    BE kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Kosova po shkel obligimet ndërkombëtare

    Bashkimi Europian ka publikuar qëndrimin zyrtar të Brukselit lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    Deklarata e zëdhënësit Christian Wiegand u publikua sot në Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm të BE-së, ku thuhet se “ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”.

    “BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

    Aty thuhet se “mandati dhe pavarësia” e Gjykatës dhe Prokurorisë së Specializuar “duhet të respektohen plotësisht”.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në deklaratën e Wiegand.

    BE i bën thirrje Kosovës që “t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare”.

    “I bëjmë thirrje Kosovës t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen”, thuhet në deklaratën e publikuar.

    The post BE kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Kosova po shkel obligimet ndërkombëtare appeared first on Insajderi.

  • Shqipëri-Finlandë, dalin në shitje biletat

    Shqipëri-Finlandë, dalin në shitje biletat

    Kuqezinjtë do të përballen me Finlandën në orën 20:45, në ndeshjen e parafundit të Grupit C1.

    Federata e Futbollit njofton se biletat për ndeshjen Shqipëri – Finlandë kanë dalë në shitje. Biletat janë të ndara sipas kategorive të përcaktuara për stadiumin “Air Albania”.

    FSHF fton të gjithë tifozët dhe futbolldashësit shqiptarë që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin nga afër Kombëtaren në këtë përballje të rëndësishme.

    Shqipëria kryeson aktualisht Grupin C1 me 9 pikë, ndërsa Bjellorusia dhe Finlanda kanë nga 7 pikë. Sfida e 12 nëntorit pritet të luajë një rol të rëndësishëm në garën për vendin e parë në grup.

    Burimi: RTKLive

  • Ministria e Arsimit mohon se ka pasur bastisje në objektin e saj

    Ministria e Arsimit mohon se ka pasur bastisje në objektin e saj

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mohuar raportimet e publikuara të enjten, sipas të cilave në ambientet e Ministrisë janë kryer bastisje.

    Përmes një njoftimi, ministria ka bërë të ditur se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se këto raportime janë të pavërteta dhe se në ambientet e Ministrisë nuk ka pasur bastisje.

    Ministria u ka bërë thirrje mediave që kanë publikuar ose ripublikuar këtë informacion,, që ta tërheqin lajmin dhe ta publikojnë demantimin me të njëjtën dukshmëri si lajmi fillestar.

    Ministria ka theksuar se puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe se të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve të përcaktuara.

    Burimi: Dukagjini

  • ​Emiri i Katarit uron Presidenten Shiroka Pula: T’i forcojmë më shumë marrëdhëniet

    ​Emiri i Katarit uron Presidenten Shiroka Pula: T’i forcojmë më shumë marrëdhëniet

    Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka uruar Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e betimit të saj në detyrë.

    Në një telegram urimi të publikuar nga Amiri Diwan i Katarit, Emiri i ka uruar Shiroka Pulës sukses në ushtrimin e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Ai ka shprehur gjithashtu dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Katarit të vazhdojnë të zhvillohen dhe të forcohen më tej.

    “Duke i uruar asaj sukses në përmbushjen e detyrave të saj dhe marrëdhënieve mes dy vendeve më shumë zhvillim dhe përparim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Amiri Diwan.

    Urimi është bërë një ditë pasi Justina Shiroka-Pula bëri betimin presidencial. /Kp/

  • Rikthehet Superliga e Kosovës, zbulohet orari i xhiros së tetë

    Rikthehet Superliga e Kosovës, zbulohet orari i xhiros së tetë

    Pas pauzës së kombëtareve, futbolli kosovar rikthehet këtë fundjavë me pesë ndeshje në kuadër të javës së tetë të Albi Mall Superligës, të cilat do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar orarin e ndeshjeve të xhiros së tetë të Albi Mall Superligës, e cila rikthehet këtë fundjavë me përballje interesante në garën për pikë të rëndësishme në kampionat.

    Java e tetë do të nisë të premten, më 9 tetor, me dy ndeshje. Llapi do të përballet me Ballkanin nga ora 14:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërsa Drita dhe Malisheva do të takohen nga ora 18:00 në Gjilan, në stadiumin me bari artificial.

    Të shtunën, më 10 tetor, do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Vushtrria do të jetë nikoqire e Gjilanit nga ora 14:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kurse Drenica do të përballet me Feronikeli ’74 nga ora 18:00, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

    Ndërkohë, ndeshja e fundit e kësaj xhiroje do të zhvillohet të dielën, më 11 tetor. Prishtina do të takohet me Dukagjinin nga ora 18:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

    Rikthimi i kampionatit pritet të sjellë përballje me rëndësi për skuadrat që synojnë të konsolidojnë pozitat e tyre në tabelë, në një sezon ku çdo pikë mund të jetë vendimtare për objektivat e klubeve. /Telegrafi/

  • Përshkallëzohet protesta para Kuvendit në Shqipëri: Përplasje fizike, gaz lotsjellës dhe bllokim rrugësh

    Përshkallëzohet protesta para Kuvendit në Shqipëri: Përplasje fizike, gaz lotsjellës dhe bllokim rrugësh

    Në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt sot seanca e radhës plenare, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte Reforma Territoriale.

    Partia Demokratike kishte paralajmëruar një protestë kombëtare sot jashtë Kuvendit, për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për shtimin e numrit të bashkive.

    Në tubim sot ishin edhe protestuesit e përnatshëm që prej më shumë se katër muajsh vijojnë të dalin në bulevard, por si një grupim më vete nga ata të PD.

    Për të siguruar rendin, policia kishte marrë masa duke shtuar numrin e efektivëve përreth Kuvendit.

    Që në nisje të seancës u shënuan përplasej e para mes protestuesve dhe efektivëve. Tubuesit kanë shtyrë herë pas here fizikisht punonjësit e policisë me qëllim për të çarë kordonin e efektivëve dhe për t’iu afruar hyrjeve të Kuvendit.

    Për t’i shpërndarë policia ka përdorur spraj lotsjellës, duke normalizuar situatën. Një incident tjetër u shënua dhe mes dy personave në protestë, ku u pa një burrë teksa godiste me shuplakë një djalë të ri.

    Protestuesit po ashtu kanë bllokuar edhe akset rrugore, ndërsa në negociata me policinë tentuan të futen disa prej deputetëve të PD, të cilët kërkonin që efektivët të lejonin që protestuesit të vijonin ‘planin’.

    Edhe pas tentativave, protestuesit nuk kanë kaluar përtej kordonit të policisë, ndërsa në shenjë revolte ata u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave./TCH

     

    Burimi: Dukagjini