Category: Lajme

  • Ndalohen dhjetë shoferë në 24 orët e fundit në Maqedoni, nëntë ishin pa leje për vozitje

    Ndalohen dhjetë shoferë në 24 orët e fundit në Maqedoni, nëntë ishin pa leje për vozitje

    Gjatë 24 orëve të fundit, në lokacione të ndryshme në vend, nëpunës policorë privuan nga liria 10 shoferë për shkak të kryerjes së veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“ sipas nenit 297-a të Kodit Penal.

    Prej tyre, nëntë kanë drejtuar automjet pa e dhënë provimin e vozitjes, përkatësisht: E.I.(22), A.D.(35) dhe G.M.(38) nga Shkupi, Sh.R.(22) nga fsh. Sveta Petkë, rrethina e Shkupit, Sh.S.(43) dhe A.P.(24) nga Kumanova, J.K.(18) nga fsh. Bogorodicë, rrethina e Gjevgjelisë, M.E.(45) nga fsh. Zdunjë, rrethina e Gostivarit dhe G.V.(60) nga Manastiri. Ndërkaq, 30 – vjeçarja E.D. nga fshati Dellogozhdë i Strugës ka drejtuar automjet udhëtarësh në drejtim të kundërt.

    Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të paraqiten kallëzime penale përkatëse.

    “U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, të mos drejtojnë automjet e pa dhënë provimin e vozitjes ose nëse u është shqiptuar masë ndalimi për drejtimin e automjetit ose nëse janë nën ndikimin e alkoolit dhe të gjithë bashkërisht të kontribuojmë për siguri më të madhe në rrugë”, thonë nga MPB.

  • Nagavci: E votuam ligjin për Specialen, por dyshojmë se do t’i ketë efektet e pritura

    Nagavci: E votuam ligjin për Specialen, por dyshojmë se do t’i ketë efektet e pritura

    Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndonëse vazhdon të ketë dyshime nëse ai mund të ndikojë në proceset gjyqësore në Hagë.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e saj e votoi ligjin duke u mbështetur në ekspertizën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e propozoi atë.

    Ajo pranon se pa votat e LVV-së, ndryshimet nuk do të mund të miratoheshin në Kuvend, por thekson se partia e saj kishte shprehur rezerva për përmbajtjen e tyre dhe për nxitimin me të cilin kërkohej miratimi.

    “Ne kemi pasur dyshimet dhe skepticizmin tonë. E kemi thënë këtë publikisht, edhe në takimet me PDK-në, edhe në deklaratat tona”, thotë Nagavci.

    Sipas saj, PDK-ja kishte këmbëngulur se projektligji ishte përgatitur nga ekspertët e saj dhe se ndryshimet mund të ndihmonin në adresimin e aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Ne kemi parë se Partia Demokratike besonte në këtë projektligj, në formën se si e ka hartuar, dhe e kemi dhënë mbështetjen tonë, duke pranuar besimin e tyre”, thotë Nagavci.

    Megjithatë, ajo nuk është e bindur se ndryshimet do të përmbushin pritshmëritë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Përkundër dëshirës dhe vullnetit tonë, ne dyshojmë që [ligji] do të sjellë rezultate të mëdha”, thotë ajo.

    Çfarë ndryshon ligji dhe pse ka dyshime?

    Ndryshimet e propozuara nga PDK-ja synojnë kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë.

    Ato parashohin, ndër të tjera, kufizimin e dënimeve me burgim në 15 vjet, ngushtimin e juridiksionit të gjykatës për nga veprat penale, periudha kohore dhe territori, si dhe mundësinë e shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Supreme e Kosovës.

    Ndryshimet parashohin, gjithashtu, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe të ushtrimit të kompetencës së faljes nga presidenti i vendit.

    Nisma erdhi pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara i dënuan ish-udhëheqësit e UÇK-së – Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet – për krime lufte.

    Të katërt u deklaruan të pafajshëm gjatë procesit gjyqësor.

    Miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi, megjithatë, nuk garanton se ato do të ndikojnë në proceset gjyqësore në Hagë apo në dënimet e shqiptuara.

    Një nga çështjet kryesore juridike është nëse ndryshimet e një ligji mund të ndikojnë në kompetencat e një gjykate, mandati i së cilës mbështetet edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në zotimet e saj ndërkombëtare.

    Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të një ligji të veçantë. Ato funksionojnë në mënyrë të pavarur nga institucionet e tjera të Kosovës.

    Nagavci thotë se pikërisht këto çështje kanë qenë në qendër të rezervave të LVV-së.

    “A mundet ligji të adresojë çështje të cilat tashmë janë përcaktuar me Kushtetutë? A mundet projektligji të tejkalojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare?”, pyet ajo.

    Ajo përmend edhe letërkëmbimin e vitit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që i parapriu themelimit të gjykatës.

    Nagavci shpreson që ekspertët e angazhuar nga PDK-ja t’i kenë shqyrtuar këto çështje, duke theksuar se përgjegjësia për pasojat e ligjit shkon përtej një partie politike.

    PDK-ja, nga ana tjetër, mbron qëndrimin se ndryshimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Deputeti i saj, Përparim Gruda, e kundërshtoi vlerësimin se ligji i shkel këto detyrime.

    “Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda gjatë një konference për media.

    BE-ja dhe Gjermania kundërshtojnë ndryshimet

    Miratimi i ligjit nxiti reagime nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, të cilat ngritën shqetësime për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara.

    Më 7 tetor, zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, tha për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.

    Ai i bëri thirrje Kosovës të respektojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara dhe zotimet për sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

    Edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u shpreh “thellësisht e shqetësuar”.

    Në një përgjigje për REL-in, zëdhënësja e Ambasadës, Catalina Heine, theksoi se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, pavarësia e të cilit duhet të respektohet.

    Ambasada mbështeti, gjithashtu, qëndrimin e BE-së.

    E pyetur nëse LVV-ja i kishte marrë parasysh paralajmërimet e mundshme ndërkombëtare përpara votimit, Nagavci thotë se ruajtja e marrëdhënieve me aleatët është e rëndësishme, por se duhet të ketë siguri edhe për qëndrueshmërinë juridike të ligjit.

    Ajo nuk sqaron konkretisht se si janë vlerësuar këto paralajmërime përpara votimit.

    Sipas saj, shqetësimet e ngritura duhet të trajtohen në mënyrë profesionale, edhe pse ndryshimet tashmë janë miratuar.

    Nagavci ia atribuon PDK-së një pjesë të përgjegjësisë për t’u dhënë përgjigje partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve që presin rezultate nga ligji.

    “Këtu, në radhë të parë, është përgjegjësi edhe e vetë deputetëve dhe strukturave të PDK-së, jo vetëm në raport me partnerët tanë, por mbi të gjitha në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë rritur shumë pritshmëritë në raport me këtë projektligj”, thotë ajo.

    Pse u lidh ligji me zgjedhjen e presidentes?

    Miratimi i ndryshimeve ligjore u bë pjesë e negociatave ndërmjet LVV-së dhe PDK-së për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.

    Më 5 tetor, Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbeti pezull për shkak të mospajtimeve politike.

    PDK-ja kërkonte që ligji të miratohej përpara zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja insistonte që të dyja çështjet të përfundonin në të njëjtën seancë.

    Ndërkohë, jashtë Kuvendit, protestuesit kërkonin miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve.

    Protesta u përshkallëzua në përplasje, gjatë të cilave Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa disa protestues hodhën shishe dhe mjete piroteknike.

    Sipas Policisë, gjashtë zyrtarë policorë u lënduan dhe 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.

    Më 6 tetor, partitë arritën marrëveshje dhe Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë, përpara se të zgjidhte Justina Shiroka Pulën presidente të Kosovës, në minutat e para të 7 tetorit.

    Megjithëse dy votimet u realizuan në kuadër të kompromisit politik, Nagavci mohon se mbështetja për ligjin ishte kushtëzim për zgjedhjen e presidentes.

    “Nuk ishte një kushtëzim, por ishte domosdoshmëri që ne të kemi institucione stabile, pikërisht për të adresuar edhe betejën që na pret në Apel”, thotë ajo.

    Sipas Nagavcit, miratimi i ligjit pa zgjedhjen e presidentit do ta linte vendin përballë mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.

    “Nuk kishte asnjë arsyeshmëri, asnjë logjikë në insistimin dhe kërkesën që vetëm të votohet ligji, ndërkohë që ne të shpërndanim Kuvendin dhe të mbeteshim pa institucione stabile”, thotë ajo.

    A ka nisur strategjia për apelimin e aktgjykimit?

    Nagavci thotë se, krahas ndryshimeve ligjore, nevojitet edhe një strategji shtetërore për fazën e apelimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas saj, në këtë proces duhet të përfshihen institucionet, ekspertët juridikë, ekipet mbrojtëse të të dënuarve, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Megjithatë, e pyetur nga REL-i nëse ka nisur ndonjë koordinim konkret institucional, Nagavci nuk konfirmon ndonjë veprim të caktuar.

    Ajo thotë se beson që Qeveria ka filluar angazhimet në këtë drejtim, por se ato do të bëhen më të qarta së shpejti.

    “Koha është e kufizuar dhe ne na duhet të jemi në nivel të përgjegjësive që i kemi”, thotë Nagavci.

    Procesi i apelimit zhvillohet brenda sistemit gjyqësor të Dhomave të Specializuara, ku palët mund të kundërshtojnë gjetjet faktike dhe juridike të aktgjykimit.

    Më 29 shtator, Paneli i Apelit e zgjati deri më 27 nëntor afatin për paraqitjen e njoftimeve të apelit, si për ekipet mbrojtëse, ashtu edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar./Radio Evropa e Lirë/

  • Pas vendimit kundër Cityt, rivalët e Ligës Premier kërkojnë “hakmarrje” ligjore

    Pas vendimit kundër Cityt, rivalët e Ligës Premier kërkojnë “hakmarrje” ligjore

    Klubet rivale të Manchester City po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të ashpra ligjore, pasi klubi anglez u shpall fajtor për shkelje financiare, ka raportuar gazetari i njohur David Ornstein.

    Sipas Ornstein, disa prej klubeve të Ligës Premier ndihen të dëmtuara drejtpërdrejt nga përfitimi financiar që City dyshohet se ka pasur ndër vite dhe tashmë kërkojnë pasoja të rënda ndaj klubit.

    “Shumë prej klubeve janë jashtëzakonisht të zemëruara, sepse ndihen se kanë qenë viktima. Ata duan dëmshpërblim, hakmarrje, përmes veprimeve të mundshme ligjore”, deklaroi Ornstein për “Viaplay Fotball”.

    Drejtuesit e klubeve rivale besojnë se avantazhi i padrejtë financiar i Manchester Cityt ka ndikuar në konkurrencën në futbollin anglez për një periudhë të gjatë.

    Për këtë arsye, klubet po koordinojnë hapat e ardhshëm, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkesave për kompensim financiar dhe ankesave formale.

    Ndërkohë, Manchester City aktualisht kryeson tabelën e Ligës Premier, pasi ka fituar pesë ndeshjet e para të sezonit 2026/27 nën drejtimin e trajnerit Enzo Maresca. /Telegrafi/

  • Kush është gruaja pas Trumpit për të cilën po flasin të gjithë në rrjet? Disa mendojnë se videoja nuk është reale

    Kush është gruaja pas Trumpit për të cilën po flasin të gjithë në rrjet? Disa mendojnë se videoja nuk është reale

    Një video e realizuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë ka tërhequr vëmendjen e madhe në rrjetet sociale, por këtë herë personi nuk ishte Donald Trump.

    Përdoruesit u fokusuan te gruaja që qëndronte pas presidentit amerikan, duke komentuar pamjen dhe mënyrën e saj të qëndrimit.

    Madje, disa ngritën dyshime nëse pamjet ishin reale apo të krijuara me inteligjencë artificiale.

    Gruaja në fjalë është Susan Dell, bashkëshortja e miliarderit Michael Dell, themeluesit dhe drejtuesit të kompanisë teknologjike Dell Technologies.

    Çifti ndodhej në Shtëpinë e Bardhë për të prezantuar zgjerimin e programit “Trump Accounts”, i cili u mundëson fëmijëve amerikanë të kenë llogari investimi dhe kursimi për të ardhmen.

    Programi mbështetet nga qeveria amerikane, kompani të mëdha dhe donatorë privatë, mes tyre edhe familja Dell.

    Megjithatë, qëllimi i vizitës mbeti në plan të dytë në rrjetet sociale.

    Foto: X

    Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte Susan Dell, pasi disa përdorues e përshkruan qëndrimin e saj si ‘robotik’, ndërsa të tjerë komentuan se e gjithë skena dukej si një moment i shkëputur nga një film fantastiko-shkencor.

    Pyetja që u përsërit më së shumti ishte: “A është kjo e vërtetë apo AI?”. /Telegrafi/

  • Konjufca kërkon përfshirje të plotë të Kosovës në Korridorin VIII

    Konjufca kërkon përfshirje të plotë të Kosovës në Korridorin VIII

    Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca ka kërkuar përfshirjen e plotë të Kosovës në Korridorin 8.

    Ai gjatë Konferencës Ndërkombëtare mbi Korridorin e 8-të në Sofje, theksoi se lidhja rajonale nuk është vetëm një imperativ ekonomik, por gjithashtu një shtyllë strategjike e sigurisë.

    “Nënvizova rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë rrjet. Investimet tona në Linjën Hekurudhore 10 dhe hekurudhën e planifikuar Prishtina-Durrës do të forcojnë lidhjen rajonale, do të diversifikojnë rrugët e transportit dhe do të përforcojnë arkitekturën euroatlantike të sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i ndërlidhur kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirje të plotë të Kosovës”, shkroi Konjufca në X.

    Ai po ashtu ngriti shqetësime mbi pengimin e vazhdueshëm të shkëmbimeve të energjisë elektrike nga Serbia me Kosovën, duke thënë se një gjë e tillë minon sigurinë rajonale të energjisë dhe kërkon veprime të vendosura evropiane për të siguruar pajtueshmërinë me detyrimet ekzistuese.

    Korridori 8 është një projekt evropian. Ai është një nga korridoret kryesore të transportit që lidh Ballkanin përgjatë një traseje lindje-perëndim dhe synon të sigurojë një lidhje transporti midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi, duke kaluar përmes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

    Projekti përfshin ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.

    Në Bullgari, traseja e Korridorit 8 lidh zonën e Gyueshevos me Pernikun, Sofjen dhe Plovdivin, përpara se të vazhdojë drejt Burgasit dhe Varnës.

    Lidhja hekurudhore midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes Gyueshevos dhe Kriva Palankës është ndër segmentet kyçe që mungojnë për të përfunduar korridorin.

    Korridori VIII është pjesë e rrjetit evropian të transportit TEN-T dhe konsiderohet si një lidhje strategjike për zhvillimin e tregtisë, lëvizshmërisë dhe ndërlidhjes në Evropën Juglindore.

    Përfundimi i tij pritet të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave midis detit Adriatik, Detit të Zi dhe Detit Mesdhe, si dhe të forcojë integrimin e transportit në rajon. /Telegrafi/

  • 80% e hajdutëve në Zvicër nuk kanë shtetësi zvicerane

    80% e hajdutëve në Zvicër nuk kanë shtetësi zvicerane

    80% e hajdutëve në Zvicër nuk kanë shtetësi zvicerane

    Mbi 80% e personave të dënuar për vjedhje në Zvicër nuk kanë shtetësi zvicerane.

    Kjo del nga statistikat e fundit të dënimeve penale në vend.

    Sipas të dhënave, në vitin 2025 në Zvicër u dënuan 7,956 persona për vjedhje, ndërsa vetëm rreth 1,500 prej tyre ishin shtetas zviceranë, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

    Pjesa tjetër ishin kryesisht shtetas të huaj ose persona që nuk bëjnë pjesë në popullsinë e përhershme të vendit.

    Ndër shtetësitë e huaja, në statistika bien në sy veçanërisht shtetasit nga Algjeria dhe Rumania.Ekspertët theksojnë se shifrat duhet të interpretohen duke marrë parasysh edhe përbërjen e popullsisë dhe statusin e qëndrimit të personave të dënuar./Telegrafi/

  • Vallja e Osman Takës bëhet pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë

    Vallja e Osman Takës bëhet pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë

    Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

    Gonxhja e cilëson vallen si një prej shprehjeve më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një simbol të identitetit çam.

    E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja karakterizohet nga lëvizje të fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen vlera si trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.

    Sipas ministrit, përfshirja në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale përbën një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe përcjelljen ndër breza të kësaj pasurie të kulturës shqiptare.

    Postimi i ministrit Gonxhja:

    Një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza.

    E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.

    Përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale është një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare.


  • Trump qorton këshilltarët e tij politikë

    Trump qorton këshilltarët e tij politikë

    Presidenti Donald Trump qortoi të mërkurën këshilltarët e tij kryesorë politikë për punën e bërë për klientë të tjerë në kulmin e fushatës për zgjedhjet afatmesme, ku republikanët janë prapa në gara, duke i paralajmëruar se mund t’i shkarkojë për konflikte të ardhshme interesi.

    Këshilltarët përgjegjës për operacionin politik të presidentit, Chris LaCivita dhe James Blair, janë “konsulentë të jashtëm” të cilët “nuk punojnë për mua”, tha Trump në rrjetet sociale. “Nuk e kam as idenë më të vogël se për kë tjetër punojnë, por, pas një reflektimi, do t’i pyes ata dhe, nëse ka ndonjë konflikt, do t’i shkarkoj menjëherë!”

    Të martën, The New York Times raportoi se LaCivita dhe Blair udhëtuan javën e kaluar në Ballkan për të këshilluar qeverinë pro-ruse të një territori në Bosnjë të quajtur Republika Srpska. The Times, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se secili këshilltar mori qindra mijëra dollarë përmes një firme ligjore në Uashington.

    Trump u tha gazetarëve se do t’u kërkonte LaCivita-s dhe Blair-it një listë të klientëve të tyre të tjerë.

    “Nëse do të mendoja se ka një konflikt… do t’i shkarkoja, por gjithçka që ata janë, janë konsulentë”, tha ai në Zyrën Ovale të mërkurën. “Ata nuk punojnë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ulen rreth tryezës së Kabinetit apo diçka e tillë”.

    Blair ishte zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë e Bardhë deri në prill.

    LaCivita and Blair nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

    Në fund të fushatës së Trumpit për vitin 2024, të cilën LaCivita e bashkë-drejtoi, Trump e ballafaqoi atë lidhur me sasinë e parave që po fitonte. Pas zgjedhjeve, LaCivita paditi median The Daily Beast për pretendimet që faqja kishte publikuar mbi pagesat e tij. Të dyja palët ranë dakord ta tërhiqnin çështjen në janar.

    Deklarata e Trumpit ishte e fundit në një sërë kthesash të fundit si përgjigje ndaj shqetësimeve etike-një hap i pazakontë ky për një president që nuk i pëlqen të pranojë fajin apo të shfaqë asgjë që mund të perceptohet si dobësi.

    Të hënën, ai tha se do të ndalonte përdorimin e parave të taksapaguesve për të shfaqur reklama televizive të stilit të fushatës që lartësonin atë vetë. Ai nuk mori përsipër të rimbursonte qeverinë për reklamat që ishin transmetuar tashmë, dhe ato kanë vazhduar të shfaqen me të njëjtat deklarime se financohen nga qeveria.

    Muajin e kaluar, ai tha se djali i tij, Donald Trump Jr., i kishte kthyer paratë një biznesmeni rus të lidhur me Kremlinin për festimet e dasmës. Faqja e lajmeve investigative ProPublica raportoi se festimet u financuan në pjesën më të madhe nga qindra mijëra dollarë prej një eksponenti të boksit, i cili bën biznes me shtetin rus dhe ka marrë dekorata nga presidenti rus Vladimir Putin.

    Burimi: RTKLive

  • “Ishte futboll dhe krenari”, Albin Kurti pret legjendën e Prishtinës Xhevdet Muriqi

    “Ishte futboll dhe krenari”, Albin Kurti pret legjendën e Prishtinës Xhevdet Muriqi

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka mirëpritur legjendën e Prishtinës, Xhevdet Muriqin.

    Kurti ka kujtuar kohën kur e përcillte nga afër Muriqin ose nga radiot e televizori, ndërsa tregoi se diskutuan edhe për emrat si Fadil Vokrri, Kujtim Shala e trajneri Qiro Bllazhevic.

    “Dje prita në zyrë Xhevdet Muriqin, futbollistin e brezit të artë të Prishtinës së viteve të 80-ta. Pas 28 vjet jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, Xhevdet Muriqi është rikthyer vjet për të jetuar në Kosovë. Biseda jonë e përzemërt na ktheu te ndeshjet dhe emocionet e asaj kohe. Te stadiumi i mbushur përplot, te publiku që jetonte me lojën dhe te golat që ende i kujtojmë. Folëm edhe për vëllain e tij, Fadil Muriqin që jeton në Australi, për kolegët, Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën, trajnerin Qiro Bllazheviq dhe të tjerët.

    FC Prishtina na mblidhte në stadium, por edhe pranë radios e televizorit. Fitoret dhe sukseset e klubit, por edhe ngecjet e humbjet, i ndienim e përjetonim si tonat. Ishte futboll, ishte edhe krenari.

    Nga ndeshjet e së kaluarës, kaluam edhe tek ato që po i ndjekim sot. Biseduam për paraqitjet e fundit të Kosovës, për ngritjen e përfaqësueses dhe për ndeshjet e radhës që na presin gjatë nëntorit”, shkroi ai ndër të tjera./Telegrafi/

  • Operacioni ndërkombëtar godet rrjetin ballkanik të drogës, afro 50 arrestime – dyshohet për vrasje e rrëmbime

    Operacioni ndërkombëtar godet rrjetin ballkanik të drogës, afro 50 arrestime – dyshohet për vrasje e rrëmbime

    Operacioni ndërkombëtar godet rrjetin ballkanik të drogës, afro 50 arrestime – dyshohet për vrasje e rrëmbime

    Gati 50 të dyshuar janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikimit të drogës, me pjesëtarë nga Ballkani Perëndimor, i cili dyshohet se është i lidhur me vrasje, rrëmbime dhe sulme me granata në vende të ndryshme të Evropës.

    Hetimi, i mbështetur nga Europol, zbuloi një rrjet që dyshohet se fshihte ngarkesa të mëdha droge brenda transporteve të ligjshme tregtare. Kur ngarkesat humbnin ose kapeshin nga autoritetet, anëtarët e grupit dhe familjarët e tyre dyshohet se bëheshin objekt i hakmarrjeve të dhunshme.

    Operacioni u zhvillua më 6 tetor 2026, kur policia kontrolloi 42 prona në Slloveni dhe Spanjë. Hetuesit nga këto dy vende bashkëpunuan me autoritetet kroate, ndërsa arrestimet u koordinuan në kohë reale nga një qendër e mbështetur nga Europol në Lubjanë.

    Në Slloveni u arrestuan 34 persona, në Spanjë një dhe në Kroaci një tjetër. 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët. Gjatë aksionit u sekuestruan 66 kilogramë drogë – 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë – si dhe armë zjarri, bizhuteri dhe para.

    Hetuesit e lidhën rrjetin me disa raste të të shtënave me armë, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të grupit. Në sulme, kryesisht ndaj anëtarëve të grupit ose familjeve të tyre, dyshohet se janë përdorur edhe mjete shpërthyese, përfshirë granata dore.

    Rrjeti përdorte platforma të enkriptuara komunikimi, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom, për të koordinuar transportet e drogës dhe për t’iu shmangur autoriteteve. Droga transportohej krahas mallrave të ligjshme me kamionë, furgonë dhe vetura.

    Nga shkurti 2022 deri në shtator 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA. Po ashtu u sekuestruan 550 litra anhidrid acetik, një pararendës kimik që përdoret në prodhimin e drogës, si dhe armë dhe municion.

    Megjithatë, komunikimet e siguruara përmes SKY ECC u mundësuan hetuesve të rindërtonin edhe transporte të tjera të drogës. Sipas autoriteteve, të dyshuarit pritet të ndiqen penalisht edhe për rreth 2.5 tonë kanabis, 474 kilogramë kokainë, 104 kilogramë heroinë, 30 kilogramë amfetaminë, 11.6 kilogramë MDMA, një kilogram ketaminë, një kilogram hashash, 18 mijë tableta ekstazi dhe 1 mijë njësi kërpudhash psikoaktive.

    The post Operacioni ndërkombëtar godet rrjetin ballkanik të drogës, afro 50 arrestime – dyshohet për vrasje e rrëmbime appeared first on Insajderi.