Category: Lajme

  • Ylli i Real Madridit pritet të largohet nga klubi verën e ardhshme

    Ylli i Real Madridit pritet të largohet nga klubi verën e ardhshme

    Antonio Rudiger mund të jetë në rrugën e largimit nga Real Madridi në fund të këtij sezoni, pasi qendërmbrojtësi gjerman duket se ka humbur një pjesë të rëndësishme të rolit që kishte në skuadër.

    Sipas gazetarit Jorge C. Picon, mundësia që Rudiger të largohet nga “Los Blancos” verën e ardhshme është rritur ndjeshëm.

    Mbrojtësi 33-vjeçar rinovoi kontratën me klubin madrilen për një sezon tjetër gjatë verës, duke e zgjatur qëndrimin e tij në “Santiago Bernabeu”, por situata sportive nuk ka qenë në favorin e tij.

    Nën drejtimin e Jose Mourinhos, Ibrahima Konate dhe Dean Huijsen janë shndërruar në zgjedhjet kryesore në qendër të mbrojtjes, ndërsa Rudiger kryesisht po përdoret si alternativë dhe lojtar rotacioni.

    Gjendja mund të bëhet edhe më e komplikuar për gjermanin në javët e ardhshme. Eder Militao pritet të rikthehet nga dëmtimi dhe rikthimi i brazilianit do të shtojë konkurrencën për një vend në formacionin titullar, duke e shtyrë Rudigerin edhe më poshtë në hierarki.

    Për më tepër, Real Madridi tashmë ka nisur të mendojë për përforcime të reja në repartin defensiv për afatin kalimtar të verës.

    Klubi spanjoll po monitoron disa qendërmbrojtës të rinj, me Jarell Quansah dhe Finn Jeltsch që raportohet të jenë ndër profilet e preferuara.

    Në këto rrethana, e ardhmja e Rudigerit në Madrid duket gjithnjë e më e pasigurt.

    Edhe pse kontrata e re e mban atë në klub deri në vitin e ardhshëm, një rol i reduktuar dhe ardhja e mundshme e mbrojtësve të rinj mund ta shtyjnë Real Madridin dhe vetë lojtarin drejt një ndarje në fund të sezonit. /Telegrafi/

  • Haxhiu uron presidenten Shiroka-Pula: Kuvendi përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik

    Haxhiu uron presidenten Shiroka-Pula: Kuvendi përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka uruar akademiken Justina Shiroka Pula për detyrën e presidentes, ndërkaq theksoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale.

    Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se për të ishte nder që të ushtronte detyrën e presidentes në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale.

    “Uroj Presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve.

    Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale.

    Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, shkruan Haxhiu. /Telegrafi/

  • Asfaltohet rruga e lagjes Bilinicë në Verbicë të Zhegroves në Gjilan

    Asfaltohet rruga e lagjes Bilinicë në Verbicë të Zhegroves në Gjilan

    Qyteti i Gjilanit ka njoftuar përmes një postimi se ka përfunduar asfaltimi i rrugës së lagjes Bilinicë në fshatin Verbicë të Zhegroves.

    Sipas njoftimit, realizimi i këtij projekti është pjesë e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat e Komunës së Gjilanit.

    Me asfaltimin e kësaj rruge, banorëve të lagjes Bilinicë u është mundësuar qasje më e mirë dhe qarkullim më i lehtë, duke përmirësuar kushtet e lëvizjes për banorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

    Qyteti i Gjilanit ka bërë të ditur se investimet në infrastrukturën rrugore synojnë përmirësimin e lidhjeve ndërmjet vendbanimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët. /Telegrafi/


  • Klubet e Ligës Premier zgjedhin dënimin ideal për Man Cityn pasi u shpallën fajtor për 114 akuza

    Klubet e Ligës Premier zgjedhin dënimin ideal për Man Cityn pasi u shpallën fajtor për 114 akuza

    Disa klube të Ligës Premier kanë bërë të qartë se çfarë dënimi duan të marrë Manchester City, nëse vendimi i komisionit të pavarur që e shpalli fajtor klubin konfirmohet pas apelit.

    Pas një procesi të gjatë para komisionit të pavarur, Manchester City u shpall fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj tij nga Liga Premier. Shkeljet lidhen me periudhën 2009-2018, gjatë së cilës klubi fitoi tri tituj të Ligës Premier.

    Javën e kaluar, Liga Premier publikoi gjetjet e komisionit, duke bërë të ditur se City kishte përdorur kontrata “fiktive” për të fryrë të ardhurat dhe për të ulur kostot.

    Komisioni konstatoi gjithashtu se Manchester City kishte organizuar skema të fshehura financimi me partnerë komercialë, në vlerë prej më shumë se 830 milionë euro.

    Për më tepër, City u shpall fajtor për të gjitha, përveç njërës, prej akuzave që lidhen me mosbashkëpunimin me hetimin e Ligës Premier. Komisioni deklaroi se “një numër dëshmitarësh të rëndësishëm të klubit dhanë dëshmi të rreme në aspekte kyçe”, ndërsa disa prej tyre dyshohet se kishin dhënë me vetëdije dëshmi të pavërteta dhe të pandershme.

    Tani, sipas BBC Sport, disa klube të Ligës Premier kërkojnë që Manchester City të përballet jo vetëm me një dënim për shkeljet financiare, por edhe me masa që do të preknin rezultatet e së kaluarës.

    Sipas një burimi, të paktën katër klube të Ligës Premier besojnë se një zbritje e vetme e pikëve, e cila me shumë gjasë do ta dërgonte Cityn në Championship, nuk do të ishte dënim i përshtatshëm për shkeljet e konstatuara.

    Një drejtues i lartë i një klubi të Ligës Premier i ka thënë BBC Sport se Manchester City duhet të privohet nga tri titujt e fituar në periudhën 2009-2018.

    Megjithatë, nuk ka ndonjë kërkesë që këta tituj t’u jepen klubeve të tjera.

    Manchester City vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe më 1 tetor ka paraqitur ankesë ndaj vendimit. Klubi anglez pretendon se posedon një “tërësi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme” që, sipas tij, e mbështesin qëndrimin e klubit./Telegrafi/

  • Zgjedhja e presidentes, avokati Arianit Koci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Zgjedhja e presidentes, avokati Arianit Koci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, që lidhen me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Koci ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026.

    Sipas tij, të dhënat publike tregojnë se votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës.

    “Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës. Gjykata në nenin 226 të aktgjykimit, e ka theksuar edhe pasojën juridike në rast se afati nuk respektohet: shpërndarja e Kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, ka shkruar Koci. /Telegrafi/


  • Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

    Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

    Komuna e Malishevës ka hapur thirrjen e dytë publike për aplikim për familjet në nevojë, në kuadër të projektit për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive për familjet e cenueshme.

    Sipas njoftimit të komunës, qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës për familjet me të ardhura të ulëta, përmes ofrimit të mbështetjes financiare për renovimin ose rindërtimin e shtëpive private.

    Thirrja mbështetet nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) dhe është pjesë e projektit “Banimi Social Adekuat”.

    Kush mund të aplikojë?

    Të drejtë aplikimi kanë familjet që përballen me kushte të rënda dhe rrethana të cenueshme të banimit, përfshirë:

    • familjet që jetojnë në shtëpi që nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për banim;
    • familjet me rrezik për shëndet ose dëmtim serioz të banesës;
    • familjet që jetojnë në shtëpi të shpronësuara, të shpërngulura ose të palegalizuara;
    • familjet që përballen me vështirësi të rënda ekonomike;
    • personat me aftësi të kufizuara;
    • viktimat e fatkeqësive natyrore ose të luftës së viteve 1998/99;
    • si dhe raste të tjera të veçanta që vlerësohen nga Komuna.

    Afati për aplikim

    Aplikimet mund të dorëzohen nga 6 deri më 20 tetor 2026, çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00.

    Formulari i aplikimit, së bashku me dokumentet e kërkuara, dorëzohet në Zyrën e Pritjes së Palëve, në objektin e ri të komunës, përkatësisht në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

    Dokumentet e kërkuara

    Aplikuesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, letërnjoftimin, deklaratën për bashkësinë familjare dhe dokumentacionin që dëshmon përkatësinë në një ose më shumë kategori të cenueshme.

    Po ashtu kërkohet certifikata e pronësisë së tokës ku do të bëhet renovimi ose rindërtimi, e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj, ose dokument i noterizuar për disponueshmërinë e pronës. Në varësi të rastit, duhet të dorëzohet edhe leja e ndërtimit ose vërtetimi për procesin e legalizimit, si dhe fatura tatimore për vitin 2025.

    Dokumentet duhet të dorëzohen në zarf të mbyllur, ku duhet të shënohen emri i aplikimit – “Rindërtim” ose “Renovim” – emri dhe mbiemri i aplikuesit, adresa e vendbanimit dhe data e aplikimit.

    Për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Malishevës. /Telegrafi/

  • Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Një aksident automobilistik është regjistruar në orës 6:45, në zonën e quajtur Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji”, në Vlorë.

    Në aksident janë përfshirë një mjet tip Fiat dhe një Volkswagen, cili transportonte gjashtë persona.

    Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas përplasjes njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, shkruan A2, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas informacioneve paraprake të policisë, pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit.

    Dyshohet se të lënduarit janë shtetas të huaj, me origjinë indiane dhe afgane, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës.

  • Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, e ka cilësuar ditën e djeshme si një nga ditët më të vështira të karrierës së tij të shkurtër politike.

    Në një reagim të gjatë, Sadiku ka thënë se ishte i ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, së kaluarës së LDK-së dhe dashurisë së tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por që siç tha ai, kishte zgjedhur të respektonte vendimin e përbashkët të partisë, transmeton Klankosova.tv.

    “Kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë. Jo vetëm pse është vendim, por sepse unë besoj në bashkëpunim. Besoj në grup. Besoj në organizim. Besoj përtej individit”, ka shkruar Sadiku.

    Ai ka thënë se e kishte parashikuar se do të përballej me kritika dhe ofendime, duke shtuar se pjesa më e vështirë për të është të jetojë me vendimet që merr.

    “Unë nuk dua me qenë politikan që e ndryshon bindjen sipas duartrokitjeve të ditës. As politikan që, kur vendimi është i vështirë, fshihet pas të tjerëve”, ka deklaruar ai.

    Sadiku ka marrë përgjegjësinë për qëndrimin e tij politik, duke theksuar se kishte vendosur të qëndronte me grupin e tij parlamentar dhe të mos ia atribuonte përgjegjësinë askujt tjetër.

    Megjithatë, sipas tij, kjo tashmë është dytësore, pasi, siç është shprehur, “dje Kosova fitoi”.

    “Dy partitë e para, përkundër krejt dallimeve mes tyre, bashkëpunuan. E gjetën një zgjidhje dhe institucioni mbeti. Kjo është më e madhe se unë. Më e madhe se një deputet, një votë apo një parti”, ka shkruar Sadiku.

    Në reagimin e tij, deputeti i LDK-së i është drejtuar edhe presidentes Justina Shiroka-Pulës, duke i uruar detyrën dhe duke i bërë thirrje që të përfaqësojë të gjithë qytetarët.

    “Prej dje nuk je Presidente e asnjë partie. Je Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Sadiku ka theksuar rëndësinë e kujtesës historike, veçanërisht të luftës së UÇK-së, viktimave dhe familjeve që, sipas tij, ende presin drejtësi.

    Ai ka bërë thirrje që vëmendja të jetë e orientuar edhe nga e ardhmja.

    “Historinë duhet me e mbajtë mend. Por nuk mundemi me jetu vetëm në të. Historia na tregon prej nga vijmë. Vizioni përcakton ku shkojmë”, ka shkruar Sadiku.

    “Republika mbetet”.

  • Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas Top Channel, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakuar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

    Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

    Kjo e fundit pas dokumentimit të çështjes, brenda pak orësh pritet t’ia lërë dosjen sërish policisë në dorë, duke i deleguar edhe detyrat përkatëse që ndihmojnë në hetimin e plotë të ngjarjes.

  • Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pulën pas zgjedhjes së saj Presidente e Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama i ka përcjellë urimet e tij të përzemërta Shiroka-Pulës, duke theksuar se ajo merr këtë detyrë në një periudhë sfiduese për Kosovën, rajonin dhe Evropën.

    “Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën”, ka shkruar Rama, transmeton Klankosova.tv

    Kryeministri shqiptar i ka uruar suksese presidentes së re dhe Kosovës.

    “Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, ka përfunduar shefi i qeverisë shqiptare./Klankosova.tv

    Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka – Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën.

    Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja… pic.twitter.com/3UIqbYo1S7

    — Edi Rama (@ediramaal) October 7, 2026