Category: Lajme

  • Vazhdon protesta para Kuvendit, qytetarët hedhin mjete piroteknike drejt hyrjes

    Vazhdon protesta para Kuvendit, qytetarët hedhin mjete piroteknike drejt hyrjes

    Shumë qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, pranë hyrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku po vazhdon protesta me kërkesën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Protestuesit po qëndrojnë në hapësirën para objektit të Kuvendit, duke kërkuar nga deputetët që ndryshimet në ligj të miratohen në lexim të dytë.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shtuar praninë dhe masat e sigurisë përreth objektit të Kuvendit dhe institucioneve përreth.

    Gjatë protestës, disa qytetarë kanë shprehur revoltën ndaj zhvillimeve të fundit duke hedhur mjete piroteknike në drejtim të hyrjes së Kuvendit, ku janë të vendosura njësitet policore.

    Protesta po zhvillohet në kohën kur plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara ende nuk janë sjellë për votim në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi.

  • Eurogoli i Kristjan Asllanit po e bën dallimin, Shqipëria në epërsi ndaj San Marinos

    Eurogoli i Kristjan Asllanit po e bën dallimin, Shqipëria në epërsi ndaj San Marinos

    Kombëtarja e Shqipërisë e ka mbyllur me epërsi minimale pjesën e parë ndaj San Marinos.

    Edhe pse “Kuq e Zinjtë” po dominojnë në “Air Albania”, vetëm Kristjan Asllani ka arritur ta tundë rrjetën e kundërshtarëve.

    Asllani realizoi një eurogol nga distanca për ta lënë portierin plotësisht të shtangur dhe i dhënë epërsinë Shqipërisë.

    Rey Manaj kishte disa mundësi shënimi megjithatë assesi s’ia doli t’i finalizojë.

    Faktikisht, edhe San Marino rrezikoi në fund, mirëpo portieri i Egnatias Mario Dajsinani ia mohoi golin me një pritje fantastike./Telegrafi/

  • Gjini: Kurti po mendon se e dërrmoi PDK-në dhe LDK-në, por në të njëjtën kohë e zbuloi edhe veten

    Gjini: Kurti po mendon se e dërrmoi PDK-në dhe LDK-në, por në të njëjtën kohë e zbuloi edhe veten

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me zhvillimet e fundit politike.

    Gjini ka deklaruar se Kurti, sipas tij, po e sheh situatën politike si një përballje në të cilën ka dëmtuar PDK-në dhe LDK-në, por njëkohësisht ka ekspozuar edhe mënyrën se si ai e ushtron politikën.

    “Po i duket që i dërrmoi PDK-në dhe LDK-në, por po harron se në të njëjtën kohë e zbuloi edhe veten, se sa i pandershëm, sa mashtrues dhe sa brutal është kundër qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Gjini.

    Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të shkojnë në Kuvend për t’i votuar ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në një konferencë për media, ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti që po bën “lojëra” duke e kushtëzuar votimit e këtij ligji.

    “Nuk ka asgjë morale, as kombëtare as njerëzore me këtë që po bën ai”, tha Haradinaj.

    Ai tha se nuk duhet të lihet në gjysmë ndryshimi i këtij ligji, pasi, sipas tij, ai u përket të gjitha partive që e mbështetën në votimin e parë./Telegrafi.

  • Sulmet e arinjve alarmojnë Japoninë

    Sulmet e arinjve alarmojnë Japoninë

    Sulmet e arinjve kanë shkaktuar shqetësim në Japoni, ku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur gjatë periudhës nga prilli deri në shtator.

    Sulmet janë raportuar në zona të ndryshme të vendit, duke rritur shqetësimet për përballjet mes njerëzve dhe kafshëve të egra.

    Autoritetet japoneze po përballen me një numër në rritje të rasteve të arinjve që afrohen pranë zonave të banuara, ndërsa banorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore.

    Sulmet e arinjve janë bërë një problem gjithnjë e më i madh në Japoni, ku kafshët në kërkim të ushqimit zbresin më shpesh drejt vendbanimeve.

    Gjashtë viktimat dhe dhjetëra të plagosurit gjatë vetëm gjashtë muajve kanë nxitur thirrje për masa më të mëdha sigurie dhe monitorim më të rreptë të popullatës së arinjve. /Telegrafi/

  • Instagram po eksperimenton me një modalitet “read-only”

    Instagram po eksperimenton me një modalitet “read-only”

    Instagram po zhvillon brenda kompanisë një funksion të ri të quajtur “read-only mode”, ose modaliteti vetëm për shikim, i cili mund t’u ofrohet abonentëve të Instagram Plus.

    Sipas pamjeve të publikuara nga studiuesi i aplikacioneve dhe eksperti i inxhinierisë së kundërt, Alessandro Paluzzi, ky funksion do t’u mundësonte përdoruesve të shfletonin profilet pa mundur të pëlqenin apo komentonin postimet.

    Në këtë modalitet, përdoruesit gjithashtu nuk do të mund të dërgonin mesazhe, të ndiqnin llogari të tjera apo të shikonin Story-t. Kjo do të mundësonte shfletimin e platformës pa lënë gjurmë të veprimeve të zakonshme të përdoruesit.

    Funksioni duket se lidhet me Instagram Plus, abonimin me pagesë të platformës, i cili tashmë ofron disa veçori shtesë për përdoruesit.

    Megjithatë, Instagram ka sqaruar se “read-only mode” nuk po testohet aktualisht me përdoruesit. Një zëdhënës i kompanisë tha se bëhet fjalë vetëm për një ide të brendshme që po shqyrtohet dhe se nuk ka testim të jashtëm.

    Kjo do të thotë se funksioni mund të mos bëhet kurrë pjesë e Instagramit. Platformat teknologjike shpesh zhvillojnë dhe testojnë ide të ndryshme që më pas nuk u ofrohen përdoruesve.

    Megjithatë, funksioni ka ngritur pikëpyetje për privatësinë dhe sigurinë, pasi një mënyrë shfletimi që nuk lë gjurmë mund të keqpërdoret edhe për ndjekje të padëshiruar të përdoruesve. /Telegrafi/

  • Ekstradohet nga Italia në Kosovë personi i kërkuar nga Interpoli

    Ekstradohet nga Italia në Kosovë personi i kërkuar nga Interpoli

    Një shtetas i Kosovës, me inicialet S.S., është ekstraduar të martën nga Italia në Kosovë, pasi ishte i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.

    Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 6 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

    Ai kërkohej për veprat penale “Pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal” dhe “Kontrabandë me emigrantë”.

    Policia ka bërë të ditur se ekstradimi u realizua në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Italisë.

    Pas ekstradimit në Kosovë, S.S. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjakovës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore./Telegrafi/

  • “Nëse nuk më do, vetëm ma thuaj”, Ronaldo rrëfen gjithçka për përplasjen me Jesus dhe kërkon që Portugalia ta dënojë

    “Nëse nuk më do, vetëm ma thuaj”, Ronaldo rrëfen gjithçka për përplasjen me Jesus dhe kërkon që Portugalia ta dënojë

    Cristiano Ronaldo ka reaguar për herë të parë në detaje lidhur me atë që ndodhi gjatë grumbullimit të fundit të Kombëtares së Portugalisë, duke dhënë versionin e tij për përplasjen me përzgjedhësin Jorge Jesus dhe largimin nga grumbullimi.

    Pesë herë fituesi i Topit të Artë u largua para përballjes me Danimarkën shkaku i pakënaqësive që nuk u inkuadrua kundër Norvegjisë.

    Ronaldo ka reaguar zyrtarisht për herë të parë, duke shpjeguar se Jesus i theu dy herë premtimet kurse shtoi se Federata Portugeze duhet ta dënojë për vendimin e marrë.

    “Siç premtova, dua të shpjegoj drejtpërdrejt se çfarë ndodhi në grumbullimin e fundit të Kombëtares.

    Pas Kupës së Botës, presidenti i FPF-së këmbënguli që ta rishqyrtoja vendimin për t’u larguar dhe më pyeti për mendimin tim rreth trajnerit aktual. I thashë se ai do të ishte zgjedhja e duhur.

    Në gusht, trajneri më tha se isha thelbësor për projektin e tij: Do të luaja ndeshjen e parë dhe të fundit. Ai sugjeroi që të mos udhëtoja në ndeshjet jashtë fushe, por unë refuzova. Një kapiten nuk qëndron në shtëpi. Simao Coutinho ishte dëshmitar i kësaj.

    Ditën e ndeshjes ndaj Norvegjisë, ai më pyeti nëse isha i gatshëm të luaja 30 minuta. Nuk ishte pjesë e planit, por thashë po. U ngroha që nga pjesa e parë dhe nuk u aktivizova kurrë. Ai e kishte thyer fjalën e dhënë. Të mos i përshëndesja tifozët pas ndeshjes ishte faji im dhe kërkoj falje për këtë.

    48 orë më vonë, me Coutinhon të pranishëm, ramë dakord që ai t’u tregonte të vërtetën gazetarëve: Plani ishte i tij, unë nuk kisha kërkuar minuta dhe fakti që më bëri të ngrohesha pa më aktivizuar ishte një gabim. Ai më kërkoi një përqafim dhe më premtoi këtë. Unë miratova një dokument të shkurtër me këto pika.

    Atë mëngjes i kisha thënë presidentit dhe trajnerit: Nëse nuk më doni, thjesht më tregoni. Të dy thanë jo.

    Konferenca për shtyp nuk kishte asnjë lidhje me atë që kishim rënë dakord. Dëgjova një sulm që nuk e meritoja. Ishte hera e dytë që ai e kishte thyer fjalën e dhënë.

    Në gati 25 vjet, unë kurrë nuk kam ndërhyrë në një vendim teknik. Por kur fjala ime thyhet, vendi im nuk është aty.

    U kërkoj falje bashkëlojtarëve të mi që u largova. Përgjegjësia është vetëm e imja. FPF-ja duhet të më dënojë pa asnjë rrethanë lehtësuese; si kapiten, kjo është një rrethanë rënduese.

    Po flitet për ndeshje lamtumire. Por unë mësova, kur isha i uritur, se askush nuk i jep asgjë askujt. Për mua, Kombëtarja do të thotë të garosh.

    Kur më vdiq babai, qëndrova deri sa përfundoi ndeshja e radhës. E bëra këtë për vendin tim.

    Nëse jam i gatshëm, pas pezullimit tim, do të jem në dispozicion, si gjithmonë, për të garuar dhe për të fituar me Portugalinë.

    Kjo është e vërteta absolute”, shkroi ai./Telegrafi/

  • Zulfaj: Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, rrezikojmë të humbim afër 90 milionë euro

    Zulfaj: Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, rrezikojmë të humbim afër 90 milionë euro

    Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se Kosova mund të humbë fonde të konsiderueshme nga Plani i Rritjes nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.

    Zulfaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 131.4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti.

    Sipas tij, në mungesë të një Kuvendi funksional dhe një Qeverie me kapacitet të plotë, Kosova rrezikon të humbë afër 90 milionë euro.

    “Prandaj, nëse Kuvendi nuk e zgjedh Presidentin sot, vihet në rrezik zbatimi i një pjese të madhe të reformave të Planit të Rritjes”, ka shkruar Zulfaj.

    Ai ka përmendur edhe projektligjet që, sipas tij, mbetën të bllokuara në qershor për shkak të situatës në Kuvend dhe për të cilat Kosova rrezikon të humbë mbi 40 milionë euro.

    Zulfaj ka thënë se këto projektligje janë miratuar sërish në Qeveri dhe i janë dërguar Kuvendit, ndërsa të hënën kanë kaluar në lexim të parë.

    “Nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, edhe këto projektligje nuk shkojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend”, ka deklaruar ai.

    Në mesin e tyre, Zulfaj ka përmendur edhe ligjin që do t’i mundësonte Kosovës të bëhej pjesë e SEPA-s, duke thënë se çdo vit jashtë kësaj skeme u kushton qytetarëve dhe bizneseve kosovare rreth 55 milionë euro.

    Në fund, Zulfaj ka kritikuar opozitën, duke e akuzuar për bllokim institucional.

    “Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve”, ka shkruar ai./Telegrafi/

  • U shfaq në videot intime, Monika Lubonja padit Adrian Hilën: Nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, kam dashur dikë dhe kam besuar

    U shfaq në videot intime, Monika Lubonja padit Adrian Hilën: Nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, kam dashur dikë dhe kam besuar

    Pas publikimit në internet të pamjeve intime, aktorja Monika Lubonja ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kompozitorit Adrian Hila.

    Sipas dokumentit të publikuar nga vetë aktorja, ajo i është drejtuar organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për veprat “Fyerja” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, të parashikuara në Kodin Penal.

    Lajmi u bë i ditur nga vetë Monika Lubonja, e cila ka folur për herë të parë publikisht lidhur me rastin. Ajo ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni për filmimet.

    Përmes një publikimi në rrjetet sociale, aktorja ka ndarë edhe dokumentin përkatës, përmes të cilit dëshmohet se ka ndërmarrë veprime ligjore lidhur me rastin.

    “Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje se ciles i eshte shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj. Kërkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime”.

    “Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim tё filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem per dashurine që kam dhenë. Më dhemb që besimi im eshtë kthyer në armë kundër meje”.

    “I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund”, deklaroi mes tjerash aktorja.

  • Haradinaj pas konferencës së Kurtit: VV-ja e ka ish-shefin e GP në burg, e pandershme mosvotimi i ligjit

    Haradinaj pas konferencës së Kurtit: VV-ja e ka ish-shefin e GP në burg, e pandershme mosvotimi i ligjit

    Haradinaj pas konferencës së Kurtit: VV-ja e ka ish-shefin e GP në burg, e pandershme mosvotimi i ligjit

    Ish-kryetari i Aleancës dhe deputeti, Ramush Haradinaj, ka dalë në konferencë për media, menjëherë pas asaj që ka mbajtur kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    Haradinaj sërish ka bërë thirrje që të votohen ndryshimet e Ligjit për Specialen, duke i quajtur si lojë deklaratat dhe veprimet e Kurtit.

    Ai ka thënë se në lexim të parë ky ligj ka marrë 91 vota, përfshirë edhe ato të VV-së dhe sipas tij, është e pandershme që kjo çështje të mbetet në gjysmë.

    “Këtë ligj në lexim të parë e kanë votuar edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, që e ka ish-shefin e grupit parlamentar në burg. Është vërtetë lojë me ndjenja të shqiptarëve, të patriotëve, sjellja e Kurtit me këto kushtëzimet e tij për këtë ligj. Nuk ka asgjë morale, as kombëtare e as njerëzore. Loja e tij prej orës në orë, prej konferencës në konferencë, me ligjin që është i 91 deputetëve që e kanë votuar me nder në lexim të parë është e pandershme me lënë në gjysmë. Të gjitha temat kanë rëndësi, nuk e mohojmë një gjë të tillë, por nuk është në rregull me u tallë me këtë ligj. Ky ligj nuk është i një partie politike”, ka thënë Haradinaj.

    Ai ka ftuar deputetët që të kthehen në Kuvend dhe që të votojnë pro këtij ligji.

    “Ejani në kuvend ta kryejmë ligjin. Nëse humbim kohë, vërtetë është diçka e pafalshme. Ju bëj thirrje kthehuni në seancë dhe kthehuni ta votojmë këtë ligj se është i të gjithë neve.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv