Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një propozim të ri për kandidate për Presidente të Kosovës.
Në një konferencë për media, Kurti ka bërë të ditur se kandidatja e propozuar është ish-ministrja e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.
“Më lejoni që propozimin e orës 20:00 ta modifikojë dhe ta përshtasë edhe ca më tutje”.
“Një seancë me dy pika. Pika e parë, leximi i dytë i Projektligjit për Gjykatën Speciale, e ka votën tonë dhe mandej votimi për Presidente, profesoresha Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ish-ministre e PDK-së”, deklaroi ai./Klankosova.tv
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë ofertën e tretë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për tejkalimin e situatës institucionale dhe zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që fillimisht t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente.
Oferta e Kurtit vjen pasi më herët ai kishte përmendur edhe emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit si kandidatë të mundshëm për president.
I pyetur nga gazetarja e Telegrafit, Elfije Boletini Bejtullahu, nëse kishte kontaktuar paraprakisht me Justina Shiroka-Pulën lidhur me kandidaturën, Kurti ka thënë se ajo ka qenë ministre nga radhët e PDK-së.
“Ajo ka qenë ministre e PDK-së. Le ta bind kryetari Bedri Hamza, unë jam dakord”, ka deklaruar Kurti.
Sipas propozimit të tij, fillimisht do të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë, ndërsa më pas deputetët do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kurti ka kërkuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, që të japë zotimin për pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie në votimin për presidentin./Telegrafi/
Mjeku Dragan Danillovski sot ka reaguar lidhur me përhapjen e lajmit për vaksinën BCG. Ai thotë se është plotësisht e kuptueshme që lajme të tilla të ngjallin shqetësim tek prindërit, posaçërisht në një klimë ku mosbesimi ndaj vaksinave përhapet shpejt.
“Lajmi se Kroacia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës BCG, siç pritej, ka tërhequr vëmendjen edhe këtu. Sot, ka mbërritur edhe informacioni se Komisioni për Imunizim në Maqedoni ka arritur në një përfundim për të shtyrë përkohësisht vaksinimin BCG, derisa të merren informacione të plota në lidhje me sinjalin e sigurisë që po hetohet në Kroaci.
Lajme të tilla krijojnë lehtësisht shqetësim, veçanërisht tek prindërit. Në një kohë të mosbesimit tashmë të pranishëm ndaj vaksinave, ato mund të fitojnë edhe më lehtë një kuptim që faktet nuk e justifikojnë për momentin.
Kjo është arsyeja pse ia vlen të qetësohesh dhe të shikosh se çfarë po ndodh në të vërtetë”, thotë Danillovski.
Çështja është e rëndësishme edhe për ne, sepse në Maqedoni përdoret vaksina BCG nga i njëjti prodhues bullgar, BB-NCIPD. “Komisioni i Imunizimit reagoi menjëherë pas informacionit nga Kroacia. U kontaktua Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore – MALMED dhe u kërkua informacion në lidhje me seritë e përdorura në vendin tonë. U arrit në një përfundim për të shtyrë përkohësisht imunizimin BCG derisa të merrej informacion i plotë në lidhje me seritë, cilësinë e tyre dhe lidhjen e mundshme me shfaqjen e reaksioneve anësore.
Ai shkruan në Facebook thotë se në këtë fazë, është një masë paraprake e arsyeshme.
Një informacion tjetër i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë është veçanërisht i rëndësishëm. Në dhjetë vitet e fundit, vetëm një raport për një reaksion të dyshuar negativ pas vaksinimit BCG është paraqitur në MALMED, në gusht 2022. Ishte një absces në vendin e aplikimit, një reaksion që njihet dhe përshkruhet në udhëzimet e vaksinës.
Sipas informacionit të publikuar deri më tani, në vendin tonë nuk është raportuar asnjë sinjal sigurie i ngjashëm me atë që po hetohet aktualisht në Kroaci.
Ky është një fakt i rëndësishëm në vlerësimin e situatës aktuale”, shkruan Danillovski./Telegrafi/
Shefi ekzekutiv i RTL-së, Stephan Schmitter, ka pranuar se televizioni gjerman ka bërë gabime në menaxhimin e rikthimit të moderatorit dhe producentit të njohur, Stefan Raab.
Raab u rikthye në televizion në shtator të vitit 2024, pas gati një dekade larg ekranit. Rikthimi i tij nisi me një përballje të shumëpritur në boks kundër Regina Halmich, e cila u ndoq nga rreth tetë milionë telespektatorë në RTL.
Megjithatë, pas suksesit fillestar, disa prej projekteve të tij televizive nuk arritën pritshmëritë. Schmitter tha në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” se RTL bëri një “gabim të vjetër në televizion” duke e futur menjëherë Raab në një format të gjatë të përjavshëm.
Bëhet fjalë për emisionin “Du gewinnst hier nicht die Million”, një kombinim mes kuizit dhe late-night show, i cili u ndërpre në qershor të vitit 2025 pas rreth 30 episodesh për shkak të audiencës së dobët.
“U përpoqëm ta çanim murin me kokë”, tha Schmitter, duke pranuar se formati hibrid nuk funksionoi siç ishte parashikuar.
Sipas tij, RTL provoi shumë formate dhe krijoi pritshmëri të larta rreth rikthimit të Raab, gjë që solli edhe kritika pas rezultateve jo të kënaqshme, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, drejtuesi i RTL-së thotë se televizioni ka nxjerrë mësime nga këto përvoja. Sipas tij, publiku e lidh Raab-in veçanërisht me spektaklet e pazakonta dhe sfidat fizike. Një shembull i suksesshëm ishte “Jetski Star WM”, i zhvilluar në gusht të vitit 2026.
Edhe emisioni “Wer weiss wie wann was war?”, të cilin Raab e prezanton së bashku me Barbara Schöneberger, është vlerësuar si një prej sukseseve të tij të fundit. Programi fitoi së fundmi çmimin gjerman të televizionit për “emisionin më të mirë argëtues”.
Schmitter pranon se RTL tashmë e ka kuptuar se Raab funksionon më mirë kur vendoset në situata që përputhen me atë që publiku pret prej tij, ndërsa përpjekjet për ta vendosur në formate krejtësisht të reja mund të rezultojnë të pasuksesshme.
Ndërkohë, kontrata ekskluzive mes Raab dhe RTL vazhdon deri në vjeshtën e vitit 2029 dhe përfshin një vëllim të garantuar prodhimi prej rreth 90 milionë eurosh./Telegrafi/
Albumi i ri i Miley Cyrus, “Bass Persuades”, debutoi javën e kaluar në vendin e parë të listës Billboard 200, por festa nuk zgjati shumë. Vetëm në javën e dytë, albumi ka rënë në vendin e 157-të, duke shënuar rënien më të madhe nga pozita e parë në historinë e kësaj liste për një artiste femër.
Kështu, Cyrus ka thyer rekordin që prej vitit 2019 e mbante Celine Dion. Albumi i saj “Courage”, pasi kishte arritur në vendin e parë, kishte rënë në pozitën e 111-të në javën pasuese. Para Dion, këtë rekord e mbante Madonna, albumi i së cilës “Madame X” kishte zbritur nga vendi i parë në të 77-in.
“Bass Persuades” është albumi i parë që Cyrus ka publikuar për Atlantic Records, pasi në fillim të këtij viti u largua nga Columbia Records. Parashikimet e para sugjeronin se albumi mund të mos hynte as në pesëshen e albumeve më të shitura, ndaj Atlantic Records nisi një fushatë të fuqishme shitjesh për t’i rritur mundësitë për të kryesuar listën.
Çmimi i albumit në versionin digjital u ul, ndërsa fansave iu ofrua një numër i madh versionesh të ndryshme. Albumi u publikua në 16 versione të ndryshme në vinil, nëntë versione CD, gjashtë versione digjitale si dhe në kasetë.
Strategjia rezultoi e suksesshme. Shitjet tejkaluan parashikimet fillestare dhe Cyrus arriti ta mposhtë rivalen më të afërt, këngëtaren e country-t Ella Langley, dhe albumin e saj “Dandelion”, me vetëm rreth 70 kopje më shumë.
Cyrus dhe Atlantic Records festuan arritjen e vendit të parë, ndërsa kompania diskografike i dërgoi këngëtares në shtëpi një aranzhim me lule në formën e numrit një.
“Vendi i parë i albumit ‘Bass Persuades’ është më shumë se një fitore”, kishte shkruar Cyrus në Instagram. “Procesi i krijimit ishte një nga periudhat më të bukura. Të gjithë ata që morën pjesë e bënë të mundur këtë dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, e bënë gjithë përvojën argëtuese dhe të paharrueshme. Faleminderit Atlantic, ekipit tim dhe të gjithëve që besuan tek unë dhe ishin pranë meje. Ju dua. Fansave – ju jeni bota ime. Të krijoj muzikë për ju më bën jashtëzakonisht të lumtur. Përgjithmonë”.
Ndërsa “Bass Persuades” ka rënë deri në vendin e 157-të, yje të tjera të mëdha të muzikës vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës Billboard këtë javë.
Taylor Swift është rikthyer në vendin e parë me albumin “Life of a Showgirl”, e ndihmuar edhe nga publikimi i versionit deluxe “Encore”. Olivia Rodrigo renditet e dyta me albumin “You Seem Pretty Sad For a Girl So In Love”, i cili ka katër muaj në listën Billboard.
“Dandelion” i Ella Langley, albumi që Cyrus e kishte mposhtur javën e kaluar me vetëm rreth 70 kopje, ka rënë vetëm një pozitë dhe tani renditet i treti. Albumi ka gati gjashtë muaj në listë.
Vitet e fundit, Cyrus nuk ka arritur të përsërisë rezultatet komerciale që kishte në kulmin e karrierës së saj. As albumi i saj i mëparshëm, “Something Beautiful”, i publikuar vitin e kaluar, nuk pati sukses të madh komercial.
Një nga sukseset e saj më të mëdha të viteve të fundit mbetet hiti “Flowers”, i publikuar në vitin 2023. Kënga, e cila konsiderohet më e suksesshmja e karrierës së saj, i solli Cyrus çmimin Grammy për Regjistrimin e Vitit në vitin 2024.
Albumin e ri, Cyrus do ta promovojë me dy koncerte të shitura tërësisht në Hollywood Bowl gjatë këtij muaji. Këngëtarja i ka shmangur turnetë e mëdha që nga “Bangerz Tour” në vitin 2014, por ka lënë të kuptohet se do t’i përshtateshin më shumë performancat në një vend të vetëm, në formën e një rezidence koncertore.
Interesimi për dy koncertet në Hollywood Bowl ishte jashtëzakonisht i madh. Sipas raportimeve, në listën e pritjes u regjistruan rreth 1.5 milion fansa, ndërsa për dy koncertet ishin në dispozicion gjithsej 18 mijë bileta.
Në një intervistë me Zane Lowe, Cyrus shpjegoi edhe arsyen pse zgjodhi pikërisht Hollywood Bowl.
“E zgjodha Bowl sepse e dija që deri në orën 23:00 do të më duheshin vetëm rreth dhjetë minuta për të shkuar në shtëpi”, tha ajo.
“Lista e pritjes më tregoi se kisha të drejtë dhe se njerëzit do të vinin tek unë. Nuk kam nevojë të udhëtoj unë drejt jush. Kjo u dëshmua. Ishte një test. Dhe unë fitova”, u shpreh Cyrus. /Telegrafi/
Ndërsa publiku është tashmë në pritje të spektaklit “Big Brother VIP Kosova 5”, Alaudin Hamiti ka ndarë disa nga prapaskenat e përgatitjeve për edicionin e ri.
Ai ka publikuar një fotografi me ndjekësit, ku shihen përgatitjet dhe xhirimet e klipeve prezantuese për konkurrentët e edicionit të pestë.
Po ashtu, ai ka ndarë edhe një pamje nga vendi ku po zhvillohen xhirimet, ku shihet një personazh, fytyra e të cilit është mbuluar, duke nxitur edhe më shumë kureshtjen e publikut.
Foto: Alaudin Hamiti / Instagram
“Xhirimet e klipeve mbaruan. Big Brother VIP Kosova 5”, ka shkruar ai.
Alaudin Hamiti nuk ka zbuluar detaje të tjera rreth konkurrentëve apo përmbajtjes së edicionit të ri, ndërsa ende nuk është bërë e ditur data zyrtare e nisjes së spektaklit.
Ky edicion do të vijë me një ndryshim në moderim, pasi moderatorja e njohur Jonida Vokshi nuk do të jetë pjesë e këtij edicioni, ndryshim i cili ishte bërë i ditur disa muaj më parë.
Ndërkohë, pritja e publikut për nisjen e “Big Brother VIP Kosova 5” sa vjen e rritet, teksa fansat mezi presin të zbulojnë se cilët do të jenë konkurrentët e rinj dhe çfarë do të sjellë edicioni i pestë.
Një incident i pazakontë ka ndodhur në stacionin e trenit në Frauenfeld të Zvicrës, ku një veturë ka përfunduar në shkallët e stacionit.
Pamjet e ngjarjes kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, të cilët janë habitur nga situata e pazakontë.
Sipas raportimeve, vetura është gjendur në një pjesë të stacionit ku normalisht nuk kalojnë automjetet, duke shkaktuar një situatë kurioze dhe duke tërhequr shikimet e personave që ndodheshin aty, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Ende nuk dihen të gjitha rrethanat se si vetura përfundoi në shkallë, ndërsa incidenti ka shkaktuar më shumë habi sesa panik te kalimtarët.
Ngjarja është bërë virale në rrjetet sociale, pikërisht për shkak të situatës së pazakontë./Telegrafi/