
Brajan Gruda po kalon një periudhë të shkëlqyer te RB Leipzig, ndërsa paraqitjet e tij të mira kanë zgjuar interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munichun.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Leipzigu nuk ka ndërmend ta shesë 21-vjeçarin gjatë verës së ardhshme, përveç nëse merr një ofertë jashtëzakonisht të lartë, që mund t’i afrohet shifrës prej 100 milionë eurosh.
Bayerni po e përcjell nga afër zhvillimin e futbollistit dhe vlerëson veçanërisht aftësinë e tij për të luajtur në disa pozita në repartin ofensiv, si në të dy krahët, ashtu edhe pas sulmuesit.
Megjithatë, Leipzigu ka një pozitë të favorshme në negociata për shkak të marrëveshjes me Brighton & Hove Albion, klubin që aktualisht e ka në pronësi Grudën.
Futbollisti është i huazuar te skuadra gjermane, por detyrimi për blerjen e tij mund të aktivizohet në fillim të vitit 2027, nëse ai regjistron të paktën tri paraqitje në Bundesligë gjatë atij viti.
Leipzigu kishte paguar një milion euro për huazimin në shkurt të vitit 2026, ndërsa për transferimin përfundimtar do t’i paguajë Brightonit edhe 25 milionë euro.
Pas aktivizimit të marrëveshjes, Gruda pritet të nënshkruajë kontratë me Leipzigun deri në vitin 2031. Kontrata nuk përmban klauzolë lirimi, çka i jep klubit gjerman kontroll të plotë mbi të ardhmen e tij.
Në këto rrethana, nëse Bayerni dëshiron ta transferojë talentin gjerman, mund të duhet të përgatitet për një ofertë që i afrohet 100 milionë eurove.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





