Policia britanike ka nisur hetimet ndaj komedianit dhe autorit të njohur David Walliams, pas disa pretendimeve për vepra të rënda seksuale që dyshohet se kanë ndodhur vite më parë.
Policia Metropolitane e Londrës ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka pranuar disa denoncime që lidhen me dyshime për vepra të rënda seksuale të ndodhura në të kaluarën, ku i dyshuari është një burrë aktualisht në të 50-at.
Sipas policisë, këto pretendime janë të ndara nga ato të publikuara më herët nga ITV News dhe gazeta “The Guardian”. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë në mënyrë aktive edhe raportimet e këtyre mediave, për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova për vepra penale.
Bëhet e ditur se Policia Metropolitane nuk kishte pranuar asnjë denoncim të tillë përpara paraqitjes së këtyre pretendimeve të fundit.
Walliams ka mohuar akuzat e publikuara në media, duke deklaruar: “Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur ligjin”.
Kryeinspektori i hetimeve, Mike Cagney, i cili drejton ekipin përgjegjës për rastin, u ka bërë thirrje të gjithë personave që mund të kenë qenë viktima të veprave seksuale të paraqiten dhe të bashkëpunojnë me policinë, pavarësisht se kur kanë ndodhur ngjarjet.
“E dimë se raportimi i pretendimeve të kësaj natyre mund të jetë i vështirë, por oficerët tanë të specializuar janë në dispozicion për të ofruar mbështetje, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’ju udhëzuar gjatë gjithë procesit”, deklaroi ai.
David Walliams (Foto: AP)
Të martën, pas heqjes së kufizimeve të përkohshme për raportimin e identitetit të tij, Walliams u identifikua publikisht si personi ndaj të cilit janë ngritur pretendime për sjellje të papërshtatshme seksuale dhe manipulim të vajzave të mitura, disa prej të cilave dyshohet se ishin vetëm 15 vjeçe.
Në dëshmitë e publikuara nga “The Guardian” dhe ITV News, disa gra kanë akuzuar autorin për sjellje të pahijshme seksuale, duke pretenduar se disa prej ngjarjeve kanë ndodhur kur ato ishin ende adoleshente. Njëra prej tyre e ka përshkruar një takim të pretenduar me Walliams, kur ishte 15 vjeçe, si “sulm seksual”.
Disa prej grave kanë pretenduar gjithashtu se ai kishte përdorur një proces manipulimi emocional dhe psikologjik, të njohur si “grooming”, për të krijuar marrëdhënie me to kur ishin të mitura.
Autori kishte kërkuar një urdhër gjykate për të ndaluar publikimin dhe transmetimin e këtyre pretendimeve, duke argumentuar se ekspozimi publik mund ta shtynte drejt vetëvrasjes, pasi kishte tentuar t’i jepte fund jetës në dy raste të mëparshme.
Gjykata e Lartë kishte vendosur më herët se emri i tij mund të bëhej publik, përveç rastit kur ai do të fitonte një apelim. Megjithatë, Walliams nuk arriti të paraqiste ankesën në Gjykatën e Apelit brenda afatit të caktuar, i cili përfundonte të hënën. Një ditë më vonë, identiteti i tij u bë publik.
David Walliams (Foto: AP)
Në një deklaratë të publikuar në fillim të kësaj jave, Walliams pranoi se, duke parë pas në të kaluarën, në disa raste kishte treguar pakujdesi ndaj personave me të cilët kishte pasur marrëdhënie intime, por mohoi se kishte abuzuar me pozitën e tij.
“Duke parë pas, e kuptoj se ndonjëherë jam sjellë pa menduar ndaj personave të tjerë me të cilët kam pasur marrëdhënie seksuale joformale. E kuptoj se jo gjithmonë i kam marrë siç duhet parasysh ndjenjat e tyre. Kjo është diçka për të cilën pendohem.
Është e pashmangshme që të ekzistojë një pabarazi pushteti kur njëra palë është e famshme, por abuzimi me këtë pushtet është diçka krejtësisht tjetër dhe diçka që unë nuk e kam bërë kurrë.
Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur ligjin. Jam i shkatërruar nga fakti që disa prej grave që kam njohur para 10 deri në 20 vjetësh kanë shprehur tani lëndimin dhe zemërimin e tyre ndaj meje”, deklaroi ai. /Telegrafi/