
Një rast i dhunës në familje ka ndodhur të dielën në Gjakovë, ku një grua është përballur me dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti i saj. Gjatë incidentit, burri dyshohet se e ka shtyrë gruan dhe më pas ka dëmtuar edhe orenditë e banesës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 8 nëntor, rreth orës 11:30, në rrugën “Ismajl Qemajli” në Gjakovë.
Burimet bëjnë të ditur se 66-vjeçari A.B. dyshohet se fillimisht ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, H.B. (64), ndërsa më pas e ka shtyrë atë gjatë konfliktit.
Nga shtyrja, gruaja nuk ka rënë në tokë dhe nuk ka pësuar lëndime trupore.
Gjatë incidentit, burri ka tërhequr me forcë edhe perden e banesës, së bashku me mbajtësen e saj, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas ndërhyrjes së Policisë, gruas i është ofruar mundësia e strehimit, por ajo e ka refuzuar, duke deklaruar se ndihet e sigurt në banesën e saj dhe se bashkëshorti ka një banesë tjetër ku mund të qëndrojë.
I dyshuari është shoqëruar për intervistim në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj 66-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali