Lëndimi i rëndë i Manuel Neuer

Lëndimi i rëndë i Manuel Neuer

Written by

in

Bayern Munich ka marrë një lajm të keq pas fitores ndaj Mainzit, pasi kapiteni Manuel Neuer ka pësuar një dëmtim që pritet ta mbajë për një kohë jashtë fushave.

Klubi bavarez ka konfirmuar se portieri 40-vjeçar ka pësuar një këputje të pjesshme të tendinit në këmbën e djathtë. Edhe pse Bayerni nuk ka dhënë një afat zyrtar për rikthimin e tij, vlerësimet e mediave gjermane flasin për një mungesë prej disa javësh.

Neuer u lëndua në fitoren 2-1 ndaj Mainzit, të shtunën, drejt fundit të pjesës së parë. Pas një ndërprerjeje të lojës pranë portës kundërshtare, ai ndjeu shqetësime fizike dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, përpara se të zëvendësohej.

Sipas Sky, portieri mund të mungojë rreth gjashtë javë, ndërsa Bild raporton se rikuperimi i tij mund të zgjasë deri në dy muaj. Kështu, Neuer pritet të mos rikthehet në fushë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Ky dëmtim vjen pas problemeve me tendinin që portieri kishte pasur edhe në fillim të sezonit. Megjithatë, në ndeshjen ndaj Mainzit ai arriti të vendoste një rekord të ri në historinë e Bayernit, duke u bërë lojtari më i vjetër që ka luajtur për klubin në Bundesligë, në moshën 40-vjeçare e 225-ditëshe.

Neuer renditet gjithashtu i shtati në listën e futbollistëve më të vjetër që kanë luajtur në historinë e kampionatit gjerman.

Në mungesë të tij, Jonas Urbig pritet të marrë përgjegjësinë për të mbrojtur portën e Bayernit. Ndërkohë, e ardhmja e Neuerit mbetet në fokus, pasi kontrata e tij përfundon në fund të sezonit dhe ai pritet ta mbyllë karrierën pas këtij edicioni. /Telegrafi/