
Një shpërthim ka ndodhur të dielën në një anije ruse të ankoruar në portin e Bengazit në Libi, ndërsa autoritetet dyshojnë se ajo është goditur nga një dron.
Sipas mediave shtetërore libiane, shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur anija ishte ndalur për furnizim me karburant dhe pajisje, gjatë kthimit për në Rusi. Nga incidenti nuk raportohet për viktima.
Pamjet satelitore të shqyrtuara nga BBC Verify tregojnë se anija ishte përfshirë nga flakët, ndërsa fotografitë e realizuara disa orë më vonë sugjerojnë se ajo ishte zhytur pjesërisht në ujë.
Qeveria e Stabilitetit Kombëtar, që vepron në lindje të Libisë, bëri të ditur se incidenti është duke u hetuar dhe se po bashkëpunon me autoritetet ruse për të identifikuar përgjegjësit.
Ajo e dënoi sulmin, duke e cilësuar shkelje të sigurisë detare dhe të sovranitetit të vendit, shkruan BBC.
Ndërkohë, qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli paralajmëroi për rreziqet e përdorimit të porteve dhe objekteve civile në aktivitete që lidhen me konflikte të jashtme.
Rusia ende nuk ka reaguar lidhur me incidentin. Libia vazhdon të jetë e ndarë politikisht që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011, transmeton Klankosova.tv.
