Foda flet për tri prurjet e reja dhe Lutfi Dalipin, thotë se njëri mund të startojë ndaj Izrealit

Foda flet për tri prurjet e reja dhe Lutfi Dalipin, thotë se njëri mund të startojë ndaj Izrealit

Written by

in

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për tri prurjet e reja në Kombëtare, Lindrit Kamberin, Enis Rexhepin dhe Bleon Kurtulusin, të cilët janë ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A.

Përzgjedhësi i Dardanëve ka vlerësuar integrimin e Lindrit Kamberit, Enis Rexhepit dhe Bleon Kurtulusit, duke lënë të hapur mundësinë që ndonjëri prej tyre të startojë ndaj Izraelit.

Trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me mënyrën se si janë integruar në skuadër tre futbollistët, duke bërë të ditur se paraqitjet e tyre në stërvitje kanë lënë përshtypje shumë të mira.

“Të gjithë lojtarët e rinj, të gjithë prurjet e reja, të cilët i kemi ftuar dhe paraqiten për herë të parë për kombëtaren e Kosovës, qoftë Kamberi, Enisi apo Kurtulusi janë integruar mjaft mirë në ekip, gjë që e ka vërtetuar pritjen tonë, pasi që ne i kemi shikuar në vazhdimësi edhe në të kaluarën i kemi përcjell dhe siç e thash edhe më herët të gjithë lojtarët na kanë lënë një përshtypje shumë të mirë gjatë stërvitjeve dhe tani e kemi një ndjenjë shumë të mirë dhe mund të ndodh që ndonjëri prej lojtarëve të jetë në fushë si startues”, ka thënë Foda.

Përzgjedhësi gjerman ka folur edhe për vendimin e talentit Lutfi Dalipi për ta përfaqësuar Kosovën, duke zbuluar se ka pasur kontakte të vazhdueshme me futbollistin para se ai të merrte këtë vendim.

“Jam i lumtur për Lutfi Dalipin. Kemi qenë shumë gjatë në kontakt me Lutfi Dalipin dhe jam shumë i lumtur që i ka thënë po Kosovës”, përfundoi përzgjedhësi gjerman. /Telegrafi/