Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Armend Zemaj, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me tenderët për furnizimin me barna, mungesat në sistemin shëndetësor dhe pretendimet për keqpërdorime të parasë publike.
Vitia ka kundërshtuar akuzat e Zemajt, duke pretenduar se pas kritikave qëndrojnë interesa të kompanive farmaceutike, ndërsa ka paralajmëruar se një email të cilit iu referua deputeti do ta dërgojë në Prokurori, raporton KosovaPress.
Gjatë debatit në Kuvend, Zemaj ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit të shëndetësisë, duke pretenduar se, pavarësisht rritjes së buxhetit, janë shtuar mungesat e barnave dhe listat e pritjes për pacientët.
Deputeti i LDK-së pretendoi se çmimet e barnave kundër kancerit janë rritur për 300 për qind, ndërsa, sipas tij, vetëm dy kompani farmaceutike kanë përfituar tenderë në vlerë prej mbi 150 milionë eurosh.
“Kemi folur në vazhdimësi për këto keqpërdorime që besa edhe vjedhje të parasë publike që nënkuptojnë edhe vjedhjen e jetës së pacientëve. Nuk duhet të presim derisa ka shpërfaqje të një skandali edhe për me u mbledh kuvendi por edhe e u ndje qeveria më e përgjegjshme. A e dini çka është rritur në Kosovë? Janë rritur listat e pritjes, përpos që është rritur buxheti për barëra është rritur mungesa e barnave. është rritur abuzimi me barna, tenderët, mungesa e atyre çka janë më bazike, atyre më të thjeshta dhe papërgjegjësia. Prioritet e kësaj qeverie asnjëherë nuk ka qenë shëndetësia, e ka kthyer një ministër, e ka qit për kandidat për kryetar të Prishtinës, e ka humbur garën. 300 për qind buxhet më shumë, 300 për qind çmime më të larta të barnave kundër kancerit. A e dini, se më shumë se 150 milionë të totalit të këtij buxheti i kanë marrë tender vetëm dy kompani farmaceutike”, tha Zemaj.
Ndaj këtyre pretendimeve reagoi ministri Vitia, i cili tha se deputeti i LDK-së vazhdimisht flet për keqpërdorime dhe vjedhje, por, sipas tij, nuk ka paraqitur fakte për t’i mbështetur akuzat.
“Ju e përmendët prapë keqpërdorime e vjedhje jeni ka e thoni vazhdimisht këtë, për besë kurrë as edhe një gjysmë fakti nuk e keni paraqitur o ish ministër. Listat e pritjes the janë rritur, por janë rritur shërbimet për besë… E di pse e bëni këtë, është lufta farmaceutike, sepse ju e keni një mik në LDK që ka një kompani tjetër farmaceutike që po mundohen dhe janë në luftë për të marrë këto barna, thoni troç ku është problemi”, tha Vitia.
Zemaj iu referua edhe një emaili zyrtar, për të cilin tha se beson që është edhe në Prokurori.
“Për besë nuk e di thuama në vesh këtu, unë e them në mikrofon, këtë e ki të garantuar 100 për qind. Shiko një e-mail zyrtar, po ua jap juve por besoj se e ka edhe prokuroria”, tha Zemaj.
Në kundërpërgjigje, Vitia ka mohuar lidhjen e tij me personin të cilit iu referua gjatë debatit, duke thënë se ai nuk kishte qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës sa e kishte drejtuar këtë institucion. Ministri tha se do ta dërgoj vetë në Prokurori.
“Pse po ma jepni këtë kur e dini se nuk është e imja, nuk ka qenë as bartës i imi, kurrë nuk ka qenë në Ministrinë e Shëndetësisë sa kam qenë unë. Vazhdoni konsistencën në LDK, ju përgëzoj, por ndaleni së shpifuri se nuk ka kuptim. Unë e dërgoj sot direkt në prokurori”, tha Vitia.