Shpuan murin dhe vodhën 6 kilogramë ari nga argjendaria, dy persona përballen me aktakuzë

Shpuan murin dhe vodhën 6 kilogramë ari nga argjendaria, dy persona përballen me aktakuzë

Written by

in

Shpuan murin dhe vodhën 6 kilogramë ari nga argjendaria, dy persona përballen me aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar për vjedhjen e rëndë të një argjendarie në kryeqytet, mbajtje të paautorizuar të armës dhe shpërlarje të parave.

Sipas aktakuzës, vjedhja dyshohet se është kryer gjatë natës së 18 dhe 19 janarit, në një argjendari në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

I pandehuri X.V., në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kishte depërtuar përmes murit të argjendarisë, duke përdorur një mjet elektrik prerës. Më pas, ata kishin hapur kasafortën dhe kishin marrë rreth gjashtë kilogramë ari, stoli dhe një armë zjarri.

Vlera e dëmit të shkaktuar nga kjo vjedhje, sipas Prokurorisë, kap shumën prej 1 milion e 236 mijë eurosh, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës së X.V., më 30 mars 2026, Policia kishte gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të llojit “Ekol Tuna”, një karikator dhe tre fishekë, të cilat dyshohet se i mbante pa autorizim.

Dy të pandehurit, X.V. dhe B.B., dyshohet gjithashtu se kanë shpërlarë paratë e përfituara nga vjedhja, duke i përdorur ato për blerjen e një banese në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, B.B. kishte deponuar në gjashtë raste gjithsej 44 mijë e 300 euro në llogarinë e saj bankare, duke deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare dhe të ardhura nga veprimtari të ligjshme biznesore.

Prokuroria dyshon se paratë ishin qarkulluar disa herë përmes llogarive bankare, me qëllim të fshehjes së prejardhjes së tyre të kundërligjshme. Ndërkaq, banesa, çmimi real i së cilës ishte 85 mijë euro, ishte paguar me para të gatshme nga B.B., në prani të X.V.

Në kuadër të aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës konfiskimin e përhershëm të banesës dhe një veture, të cilat aktualisht janë nën urdhër ndalues përfundimtar.