
Një gjykatë ushtarake në Kongo ka dënuar me vdekje 66 ushtarë, të akuzuar për frikacakëri, kryengritje ushtarake dhe mosbindje ndaj urdhrave, pasi dyshohet se kishin braktisur pozicionet e tyre gjatë luftimeve me grupet rebele.
Vendimi u mor nga Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Gomës, gjatë një procesi gjyqësor të mbajtur në Walikale, në provincën e Kivu Verior.
Në këtë proces u gjykuan gjithsej 71 ushtarë, raporton CBS News, transmeton Klankosova.tv
Katër prej tyre u shpallën të pafajshëm, ndërsa një rreshter u dënua me 10 vjet burgim.
Sipas autoriteteve ushtarake, të dënuarit i përkisnin regjimentit të 3415-të të ushtrisë kongoleze dhe ishin arrestuar më 20 tetor, pasi dyshohet se kishin braktisur pozicionet e tyre gjatë përleshjeve me luftëtarët e koalicionit rebel FRN, ku bën pjesë edhe grupi M23.
Autoritetet ushtarake kanë deklaruar se procesi gjyqësor synon forcimin e disiplinës brenda ushtrisë, në një kohë kur forcat qeveritare po përballen me grupe të armatosura në lindje të vendit.
Ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër kur ushtarë kongolezë dënohen me vdekje për akuza të ngjashme.
Muajin e kaluar, 27 ushtarë të tjerë morën të njëjtin dënim pasi dyshohet se ishin tërhequr nga vijat e frontit gjatë luftimeve me rebelët.
Kongoja e riktheu zbatimin e dënimit me vdekje në mars të vitit 2024, pas një moratoriumi që kishte zgjatur rreth dy dekada. Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë vendim.
Megjithatë, që nga rikthimi i këtij dënimi nuk janë raportuar ekzekutime zyrtare.