Ish-fituesi i Topit të Artë, Jean-Pierre Papin, ka kritikuar Kylian Mbappen për mënyrën se si u prezantua në media gjatë fushatës për çmimin prestigjioz individual, duke pretenduar se kjo ndikoi negativisht në shanset e sulmuesit të Real Madridit për ta fituar trofeun.
Papin, i cili e fitoi Topin e Artë në vitin 1991 dhe ka luajtur më parë për Olympique Marseille, vlerëson se Mbappe po i afrohet nivelit të Cristiano Ronaldos sa i përket efikasitetit në fushën e lojës. Megjithatë, sipas tij, mënyra se si francezi u paraqit para publikut nuk e ndihmoi në garën për këtë çmim.
“Komunikimi i Mbappes me mediat ishte i tmerrshëm. Në njëfarë mënyre, kjo pasqyronte karakterin e tij. Është e vërtetë se, sa i përket efikasitetit në fushën e lojës, ai është shumë pranë asaj që përfaqësonte Cristiano Ronaldo, por fushata e tij mediatike e dëmtoi pak”.
Gara për Topin e Artë të vitit 2026 tërhoqi vëmendje të madhe, me Mbappen dhe talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, që ishin ndër emrat më të përfolur para ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Megjithatë, çmimi përfundoi në duart e Harry Kane, duke bërë që Mbappe të vazhdojë të presë për Topin e tij të parë të Artë.
Pavarësisht kritikave, Papin beson se sulmuesi francez i ka të gjitha cilësitë për ta fituar këtë çmim në të ardhmen. Ai theksoi se dështimi i këtij viti nuk duhet të konsiderohet si mundësia e fundit për yllin e Real Madridit.
“Jam i bindur se ai do ta fitojë Topin e Artë, sepse i ka cilësitë për ta bërë këtë. Nuk ishte një situatë ‘tani ose kurrë’. Ai ka pasur një mundësi të shkëlqyer, po, por ende ka një rrugë të gjatë përpara”, u shpreh ish-reprezentuesi i Francës për RMC./Telegrafi/