Bebe Rexha i reagon çmimeve Grammy Awards: “Meant To Be” e meritonte një çmim, më vjen keq

Bebe Rexha i reagon çmimeve Grammy Awards: "Meant To Be" e meritonte një çmim, më vjen keq

Written by

in

Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka rikthyer në vëmendje suksesin e bashkëpunimit të saj me grupin amerikan Florida Georgia Line, “Meant to Be”, duke deklaruar se kënga meritonte të fitonte çmimin Grammy në vitin 2019.

Me rastin e nëntëvjetorit të këtij bashkëpunimi, artistja ka reaguar përmes një postimi në platformën X, ku ka shprehur bindjen se kënga duhej të ishte shpërblyer me çmimin prestigjioz muzikor.

“‘Meant to Be’ duhej ta kishte fituar një Grammy. Më falni, por nuk më vjen keq”, ka shkruar Rexha, duke shtuar më pas një pyetje drejtuar fansave: “Kush e fitoi çmimin për muzikën më të mirë country në vitin kur u nominua ‘Meant to Be’? E kam harruar”.

Me këtë reagim, këngëtarja ka rikthyer diskutimin rreth ceremonisë së vitit 2019 dhe vlerësimit që morën këngët e atij viti. Në edicionin e 61-të të çmimeve Grammy, çmimi për performancën më të mirë country nga një dyshe ose grup iu nda Dan + Shay për këngën “Tequila”.

Ajo madje në një tjetër status të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në X (ish-Twitter) pyeti ndjekësit se kush e kishte fituar atë vit. “Kush e fitoi çmimin ‘Best Country’ në vitin që ‘Meant To Be’ e fitoi? Kam harruar”, shkroi Bebe Rexha.

Dhe pasi një fans ia kujtoi se ishte kënga “Tequila” nga grupi Dan and Shay, ajo e ripostoi atë, duke thënë “Këngë e mirë”.

E publikuar më 24 tetor 2017, “Meant to Be” u shndërrua në një nga hitet më të mëdha të karrierës së Bebe Rexhës, duke kombinuar elementet e muzikës pop me ato të zhanrit country.

Kënga, e realizuar në bashkëpunim me Florida Georgia Line, u përfshi në EP-në e saj “All Your Fault: Pt. 2”, si dhe në albumin debutues në studio, “Expectations”, të publikuar në vitin 2018.

“Meant to Be” debutoi në vendin e 61-të në listën prestigjioze Billboard Hot 100, përpara se të ngjitej deri në vendin e dytë. Aty qëndroi pas hitit “God’s Plan” të Drake, i cili nuk e lejoi të arrinte kreun e klasifikimit. Pozita e dytë mbetet renditja më e lartë e arritur nga Rexha në këtë listë, duke kaluar suksesin e mëhershëm të saj me këngën “Me, Myself & I”.

Megjithatë, suksesi i bashkëpunimit ishte edhe më i madh në listën Billboard Hot Country Songs. “Meant to Be” debutoi drejtpërdrejt në vendin e parë, duke e bërë Bebe Rexhën këngëtaren e parë që arrinte këtë rezultat që nga momenti kur klasifikimi nisi të përllogaritej duke kombinuar transmetimet në radio, dëgjimet në platformat muzikore dhe shitjet.

Kënga qëndroi për 50 javë radhazi në krye të kësaj liste, derisa seria e saj përfundoi në vitin 2018, pas publikimit të këngës “Lose It” nga Kane Brown.

– YouTube youtu.be

Me këtë rezultat, Rexha kaloi rekordin e Taylor Swift me këngën “We Are Never Ever Getting Back Together”, duke vendosur atëherë rekordin për qëndrimin më të gjatë në vendin e parë të Billboard Hot Country Songs për një këngë të interpretuar nga një artiste kryesore femër.

Në vitin 2020, “Meant to Be” mori certifikimin Diamond nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Incizimeve (RIAA), një vlerësim që dëshmon arritjen e pragut prej 10 milionë njësive të shitura në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/